Kronikë e zezë

Një muaj paraburgim për të dyshuarit për terrorizëm

Policia e Kosovës më 10 tetor arrestoi: Ardijan Gjurajn, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqan e Shkodran Krasniqin.

Published

on

Pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar masën e paraburgimit 30 ditë të të arrestuarve për terrorizëm.

Policia e Kosovës më 10 tetor arrestoi: Ardijan Gjurajn, Nuhredin Skenderin, Ergim Sylën, Mentor Bellaqan e Shkodran Krasniqin, si të dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.

Sipas njërit prej avokatëve mbrojtës, të arrestuarit akuzohen “për përgatitjen e sulmeve terroriste ndaj rendit kushtetues”.

Sipas Prokurorisë Speciale, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës”, “Kryerja e veprës terroriste” si dhe për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.

Po ashtu të arrestuarit dyshohen për veprën “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Mbrojtja: Prokuroria nuk ka prova

Avokati Tomë Gashi, i cili është duke mbrojtur 25-vjeçarin nga Prizreni, Nehrudin Skenderi, tha se klienti i tij ishte arrestuar edhe më parë për vepra të tilla.

I njëjti për vepër të njëjtë ishte arrestuar katër vjet më parë dhe kishte qëndruar në paraburgim për 120 ditë. Më pas, ai ishte liruar në mungesë të provave.

“Ajo që Prokuroria pretendon, që i ka quajtur si grup që kanë përgatitur fonde dhe që kanë blerë armatim, ne nuk e dimë që edhe nëse kjo është e vërtetë dhe nëse është blerë ndonjë armatim prej tyre, por jo prej Nehrudin Skenderit definitivisht. Këtë e pranon edhe Prokuroria. Atëherë, për çfarë ka pasur të përdoret ky armatim?”, tha Gashi.

Kurse avokati i Ardian Gjurajt, Arben Kelmendi, tha se organet e ndjekjes nuk kanë ofruar prova për të cilat fajësohet klienti i tij.

“Vetëm dyshime dhe supozime të tyre dhe të paargumentuara dhe të pabazuara, ku Prokuroria Speciale asnjë provë nuk e ka dhënë dhe asnjë argument të specifikuar, konkretisht se çka ka bërë i mbrojturi im. As nuk është kreu (i grupit), as nuk ka lidhje me armët, as s’ka asnjë argument asnjë dyshim ndaj të njëjtit”, tha ai.

Baba i njërit prej të arrestuarve, Fazli Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se djali i tij Ergim Syla, ka disa vjet që ka filluar të falet e të shkojë në xhami. Ai tha se i biri 38-vjeçar, është i martuar dhe ka tre fëmijë, dhe merret me blegtori në fshatin Bashkiq të Klinës.

“Kanë ardhur nga ora 10 paradite edhe e kanë arrestuar. Kanë bastisur shtëpinë, është bërë kontroll…në gjendje të rregullt, nuk kanë gjetur armatim. Shumë më është dukur keq, shumë vështirë. Asgjë nuk kam njohuri se çka është bërë me të. Vetëm e di që falet, shkon me shokë, hynë…falet, më tutje nuk di”, tha Syla.

Sa mund të dënohen nëse shpallen fajtorë?

Veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit përfshijnë dënime deri në pesë vjet burgim.

Vepra penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.

Vepra tjetër penale për të cilën dyshohen të arrestuarit është “Kryerja e veprës terroriste”, vepër kjo që dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

Ndërsa vepra tjetër për të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të arrestuarit, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, dënohet me gjobë deri në 7,500 euro dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.

Të arrestuarit dyshohen po ashtu për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për këtë vepër penale, Kodi Penal i Kosovës thotë se kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind 7,500 euro ose me burgim deri në pesë vjet./REL

Lajmet

Rrahje mes katër personave në Vushtrri: Arrestohen dy të dyshuar, dy të tjerë në arrati

Published

on

By

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Vushtrri nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Sulm” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë së luajtshme”, pas një rrahjeje mes katër personave të ndodhur në rrugën “Ismajl Qemali”.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, njësitë policore kanë ndërhyrë në vendin e ngjarjes ku kanë arritur të ndalojnë dy prej të dyshuarve, ndërsa dy të tjerët janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas ofrimit të tretmanit mjekësor dhe intervistimit në stacionin policor, me vendim të prokurorit kompetent, dy të arrestuarve u është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, policia bën të ditur se ka identifikuar edhe dy personat e arratisur dhe të njëjtit ndodhen në kërkim policor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës

Published

on

Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.

Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.

Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Nën masa të larta sigurie, nis gjykimi ndaj ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt

Published

on

Në Gjykatën Themelore në Pejë po mbahet shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, i akuzuar për kanosje ndaj saj.

Seanca, e caktuar për orën 11:00, po zhvillohet pa praninë e publikut, bazuar në vendimin e gjykatës të datës 10 nëntor 2026.

Mediumi Arbresh.info ka publikuar pamje të momentit kur Njësia Speciale Intervenuese e ka sjellë Sylajn në gjykatë, nën masa të larta sigurie.

Sylaj akuzohet për kanosje ndaj Arlinda Zekajt, e cila tashmë ka ndërruar jetë.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy të vdekur dhe disa të bllokuar pas shembjes së një ndërtese në New York

Published

on

Të paktën dy persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, pasi një ndërtesë trekatëshe është shembur të mërkurën pasdite në Brooklyn të New Yorkut, pranë një kantieri ndërtimi.

Rreth 250 zjarrfikës dhe pjesëtarë të policisë janë angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit, duke përdorur pajisje të ndryshme për të nxjerrë personat e bllokuar nën rrënoja.

Sipas autoriteteve, të paktën 17 persona janë dërguar në spital, katër prej tyre në gjendje kritike. Ende nuk dihet nëse ka persona të tjerë nën rrënoja, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë vazhduar gjatë natës.

Kryetari i New Yorkut, Zohran Mamdani, e ka cilësuar situatën jashtëzakonisht sfiduese, për shkak të strukturave të paqëndrueshme dhe hapësirave të rrezikshme nën rrënoja.

Sipas komisionerit të Departamentit të Ndërtesave në New York, Ahmed Tigani, shembja ndodhi në kohën kur punëtorët po gërmonin në një parcelë të zbrazët pranë ndërtesës, ku planifikohej ndërtimi i një objekti të ri. Megjithatë, shkaku i saktë i shembjes mbetet nën hetim.

Ndërtesa kishte banesa në katet e sipërme dhe lokale afariste në katin përdhes. Edhe objekti fqinj, i cili ndante një mur me ndërtesën e shembur, pësoi dëme të konsiderueshme.

Gjatë operacionit, ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin disa persona të gjallë nga rrënojat, përfshirë edhe shtatë fëmijë. Një zjarrfikës pësoi lëndime të lehta gjatë ndërhyrjes.

Mes personave të prekur ishte edhe Anderson Velez, i cili në momentin e shembjes ndodhej në punë. Ai i tha gazetës “New York Post” se bashkëshortja e kishte njoftuar përmes telefonit se kishte mbetur nën rrënoja së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës dy dhe shtatë vjeç.

Velez tregoi se më vonë kishte marrë lajmin se familjarët e tij ishin nxjerrë të gjallë nga rrënojat.

Burimi: New York Post

/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara