Kulturë

Një flluskë emocionesh: Përcjellja e jetës së Papingjit në ‘Mes jush jetoj’

Published

on

Në një ceremoni, komuniteti letrar shqiptar nderoi kujtimin e një prej poetëve më të shquar të kohës sonë, Jorgo Papingji. Në një akt të veçantë solidariteti dhe kujdesi për ata që kanë humbur prindërit e tyre, bëhet publikimi i librit me krijimet e tij.

Nëpërmjet vargjeve të përcjellura me emocion, lexuesit përjetuan jetën dhe shpirtin e këtij poeti të madh, i cili u rrit vetë si jetim pas humbjes së babait në kohën e Luftës së Dytë Botërore. Nëpërmjet krijimeve të tij, Papingji ka ngjallur një mori emocionesh dhe refleksionesh, vepra e të cilit shpreh më shumë se thjesht fjalë – ajo rrëfen një jetë, një udhëtim të ngarkuar me dhimbje, por edhe me dashuri dhe solidaritet për jetimët dhe për njerëzit e tjerë në nevojë.

Libri “Mes jush jetoj” është një pasqyrë e thellë e krijimtarisë së Papingjit, e kurorëzuar nga një përzgjedhje e kujdesur e veprave më të mira të tij nga 50 vite të jetës së tij. Autori Ilir Çumani përshkruan këtë libër si një homazh për një figurë të ndritur letrare, i cili është përkujdesur për të ngritur dinjitetin e jetimëve dhe për të shpërndarë dashurinë dhe kuptimin e jetës përmes fjalëve të tij.

“Jo pa qëllim është bërë ky promovim. Jorgoja ka një lidhje shumë të ngushtë me jetimët. Ai është rritur jetim, sepse nuk e njohu asnjëherë babain e tij. I ati u mor nga gjermanët kur ishte 8-muajsh dhe vdiq në kampet e internimit në Austri në 1945. Jorgoja ka qenë i lidhur sidomos me fëmijët jetimë, ka bërë shumë aktivitete me ta. Ai ka një mori të madhe tekstesh. I punonte edhe në minutën e fundit, pavarësisht nga gjendja fizike. Nëse lexuesi do i shohë, do vërejë që kanë një moral, janë një tregim. Nëpërmjet tyre lexuesi do të shohë se sa shumë e jetonte jetën Jorgoja, sa i lidhur ishte me njerëzit dhe jo pa qëllim libri titullohet “Mes jush jetoj”. Me këtë libër ai do të jetojë midis nesh përgjithmonë,” thotë Tatjana Papingji, bashkëshortja e poetit të ndjerë, shkruan RTSH.

Jeta dhe krijimtaria e Jorgo Papingjit do të vazhdojnë të jetojnë përgjithmonë nëpërmjet këtij libri, duke ndriçuar rrugën tonë dhe duke na frymëzuar për të qenë më mirë. /UBTNews/

 

Continue Reading

Lajmet

Nisin xhirimet e filmit të shkurtër “Deltar” me regji të Ibër Dearit

Published

on

Kanë nisur xhirimet e filmit me metrazh të shkurtër “Deltar”, me regji të Ibër Dearit, ndërsa producent dhe skenarist është Afrim Muçaj. Filmi është i subvencionuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Deltar” sjell historinë e një djaloshi i cili detyrohet të largohet nga shtëpia së bashku me familjen, ndërsa qeni i tij mbetet pas, i lidhur në zinxhir.

Filmi trajton tema si lufta, braktisja, humbja, ikja dhe ndarja nga gjithçka që një fëmijë njeh dhe do, duke e sjellë luftën dhe pasojat e saj përmes përjetimit të një fëmije.

Në kastin e filmit janë Ledion Mulaki, Afrim Muçaj, Gentrit Shala, Mia Muçaj dhe Valon Nuhiu, së bashku me aktorë të tjerë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa zbulon librin e saj të zgjedhur për shtatorin: “Martyr!” nga Kaveh Akbar

Published

on

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka zbuluar librin e radhës në rubrikën e saj mujore “Dua’s Monthly Read” për muajin shtator 2026.

Zgjedhja e saj është romani “Martyr!” i shkrimtarit iraniano-amerikan Kaveh Akbar, një vepër që trajton tema si identiteti, humbja, varësia, arti dhe kërkimi i kuptimit të jetës.

Romani ndjek Cyrus Shams, një të ri iraniano-amerikan që përballet me humbjen e nënës së tij dhe me të kaluarën e varësisë. Nëna e tij humbi jetën në vitin 1988, kur avioni Iran Air Flight 655 u rrëzua pasi u godit nga një kryqëzor amerikan mbi Gjirin Persik.

Ndërsa përpiqet të jetojë në abstinencë dhe të gjejë një kuptim për jetën, Cyrus zhvillon një obsesion me konceptin e martirizimit. Për Duan, pikërisht kjo është një nga idetë që e bën romanin kaq të veçantë.

“Martyr! më bëri të mendoj për martirizimin në mënyra që nuk i kisha konsideruar kurrë më parë”, ka shkruar ajo.

Dua ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si romani e trajton këtë temë përtej konceptit tradicional të sakrificës për një kauzë apo vend. Një pikë kyçe e historisë është takimi i Cyrusit me Orkideh, një artiste e sëmurë përfundimisht, e cila po i kalon ditët e fundit të jetës së saj e ekspozuar në Muzeun e Bruklinit.

“Martyr! vlon nga një energji kaotike dhe një etje për jetën që bie ndesh me obsesionin e Cyrusit për vdekjen”, ka shkruar Dua.

Ajo ka veçuar edhe humorin e pazakontë të romanit, mënyrën se si protagonisti përpiqet të luajë rolin e “njeriut të mirë”, ndërsa punon si aktor mjekësor që simulon dhimbjen për para, si dhe një sekuencë ëndrre ku shfaqet edhe Lisa Simpson.

Për Duan, romani bashkon temat e rënda me humorin dhe një energji të veçantë.

“Ky roman është i thellë, i sinqertë, rregullisht komik dhe krejt ndryshe nga çdo gjë që kam lexuar më parë”, është shprehur ajo.

Me “Martyr!”, Dua Lipa vazhdon traditën e rubrikës së saj mujore të leximit, përmes së cilës ndan me ndjekësit libra që i kanë lënë mbresë dhe nxit interesin për letërsinë te një audiencë e gjerë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sot, në ditën e lindjes së Nënë Terezës, kujtohet rrugëtimi i Gonxhe Bojaxhiut

Published

on

Më 26 gusht 1910, në Shkup, lindi Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, gruaja që bota do ta njihte si Nënë Tereza e Kalkutës, një nga figurat më të njohura humanitare të shekullit XX.

E lindur në një familje shqiptare, Gonxhja ishte vajza e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut. Babai i saj kishte origjinë nga Prizreni dhe prejardhje familjare nga Fani i Mirditës, ndërsa nëna nga rrethina e Gjakovës.

Në moshën 18-vjeçare, Gonxhja u largua nga Shkupi dhe iu bashkua Motrave të Loretos në Irlandë. Një vit më vonë udhëtoi drejt Indisë, ku do të kalonte pjesën më të madhe të jetës.

Fillimisht punoi si mësuese, por përballja me varfërinë e madhe në Kalkutë e shtyu drejt një misioni të ri. Më 10 shtator 1946, gjatë një udhëtimi me tren, ajo përjetoi atë që e përshkroi si një “thirrje brenda thirrjes”, duke vendosur t’ua kushtonte jetën njerëzve më të varfër.

Në vitin 1948 nisi veprimtarinë e saj në lagjet e varfra të Kalkutës, ndërsa më 7 tetor 1950 mori lejen e Vatikanit për themelimin e Misionarëve të Bamirësisë.

Ajo krijoi qendra për të sëmurët, jetimët, njerëzit pa strehë dhe ata në ditët e fundit të jetës. Veprimtaria e saj më pas u shtri në shumë vende të botës.

Për kontributin humanitar, Nënë Tereza mori çmime të shumta, ndërsa kulmi i vlerësimeve ishte Çmimi Nobel për Paqe në vitin 1979.

Përkatësia e saj shqiptare ishte pjesë e rëndësishme e identitetit. Ajo është cituar të ketë thënë: “Me anë të gjakut, unë jam shqiptare. Nga nënshtetësia, një indiane. Me anë të besimit, unë jam një murgeshë katolike. Sa i përket thirrjes sime, unë i përkas botës.”

Në vitin 1991, Nënë Tereza vizitoi Shqipërinë për herë të parë dhe hapi një shtëpi të Misionarëve të Bamirësisë në Tiranë. Në Prishtinë, emrin e saj e mban Katedralja Katolike Shën Tereza.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në Kalkutë, në moshën 87-vjeçare. Në vitin 2016, Papa Françesku e shpalli Shën Terezë të Kalkutës.

Pavarësisht admirimit global, figura e saj është shoqëruar edhe me debate dhe kritika lidhur me kushtet në disa prej institucioneve të Misionarëve të Bamirësisë, menaxhimin e donacioneve dhe qëndrimet e saj për disa çështje shoqërore.

Megjithatë, ndikimi i saj në humanizëm dhe bamirësi mbetet i madh. Nga Gonxhe Bojaxhiu e lindur në Shkup te Shën Tereza e Kalkutës, rrugëtimi i saj u shndërrua në një prej historive më të njohura të shekullit XX./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Ilegalja” rikthehet në Muzeun e Burgut të Prishtinës përmes arkivave dhe kujtesës

Published

on

Historia e rezistencës shqiptare në Kosovë do të rikthehet përmes dokumenteve, dëshmive dhe kujtesës në Muzeun e Burgut të Prishtinës, ku do të mbahet ligjërata “Arkiva në pezullim: Kohështrirjet e Lëvizjes së Rezistencës në Kosovë”, me antropologen, historianen dhe shkrimtaren Eli Krasniqi.

Aktiviteti zhvillohet në kuadër të programit “PRISON x RESISTANCE” dhe i kushtohet historisë dhe arkivit të fragmentuar të Lëvizjes Shqiptare të Rezistencës në Kosovë, të njohur si “Ilegalja”.

Në qendër të masterclass-it do të jenë ditarë, shkrime burgu, botime ilegale, procesverbale gjyqësore, këngë dhe dëshmi të mëvonshme, të cilat do të shqyrtohen si pjesë e arkivit të kësaj lëvizjeje.

Sipas organizatorëve, historia e “Ilegales” nuk është ruajtur në një arkiv të vetëm, por është shpërndarë në dokumente, kujtime dhe dëshmi që kanë mbijetuar ndër vite. Kjo e bën arkivin e saj të fragmentuar, ku krahas materialeve të ruajtura mbeten edhe dëshmi që janë humbur, fshehur apo janë rrëfyer shumë më vonë.

Ligjërata do të trajtojë mënyrën se si ilegaliteti, burgosjet, fshehja dhe rrëfimet retrospektive kanë ndikuar në ruajtjen dhe interpretimin e historisë së kësaj lëvizjeje.

Mbajtja e aktivitetit në Muzeun e Burgut të Prishtinës i jep temës një dimension të veçantë, pasi diskutimi për rezistencën zhvillohet në një hapësirë të lidhur drejtpërdrejt me historinë e burgosjeve dhe represionit.

Masterclass-i do të zgjasë 90 minuta dhe organizohet nga Prison Radio, Ambasada e Austrisë në Prishtinë dhe Stralli./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara