Lajmet

Nitaj: AAK-ja e ka ndarë mendjen e vet, Ramush Haradinaj për president

Published

on

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Muharrem Nitaj, ka thënë se ky subjekt politik e ka ndarë mendjen e vet sa i përket çështjes së presidentit të vendit.

Nitaj ka thënë se AAK-ja e ka vlerësuar Ramush Haradinajn si personin më të përshtatshëm dhe më unifikues për president në këtë kohë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, Nitaj ka pohuar se tash “mbetet t’i bindim të tjerët për mbështetje se propozimi është serioz dhe i duhuri”.

Ai ka thënë se deri më tash në Qeverinë e Kosovës ka pasur një klimë konstruktive bashkëpunimi.

Nitaj ka thënë se partnerët e koalicionit qeverisës kanë pasur disa dallime në qëndrime vetëm sa i përket mënyrës se si ka filluar të organizohet e të rrjedhë procesi i dialogut me Serbinë.

“Epoka e re”: Z. Nitaj, cili është vlerësimi juaj si nënkryetar i AAK-së për këtë koalicion qeverisës?
Nitaj: E kam vënë re tash e sa kohë një interesim të jashtëzakonshëm të politikës e të medias, për të parë nëse po krisë koalicioni. Një pjesë u lë përshtypje e u interesojnë vetëm mospajtimet e kundërshtimet. Kjo nuk do të ishte aspak e pazakontë sikur të mos vërehej edhe ana pozitive e mospajtimeve e, pse jo, edhe e kundërshtive brenda koalicionit, nëse për synim kanë gjetjen e zgjidhjeve më të mirë. Në qeveritë demokratike ka edhe zëra ndryshe, edhe votë kundër, edhe përplasje argumentesh, edhe mospajtime. Në Qeverinë e Kosovës, të paktën deri më tash, ka pasur një klimë konstruktive bashkëpunimi. Kemi pasur disa dallime në qëndrime vetëm për sa i përket mënyrës se si ka filluar të organizohet e të rrjedhë procesi i dialogut. Por, edhe këto aspekte po diskutohen hapur e pa dorëza dhe kjo është pozitive, vlerësoj unë.

“Epoka e re”: A është i nevojshëm zgjerimi i këtij koalicioni, sepse kohët e fundit është folur për mundësinë e inkuadrimit të PDK-së në këtë koalicion?
Nitaj: Ne kemi marrëveshje koalicioni me LDK-në. Kjo e fundit e ka marrë mandatin për krijimin e qeverisë. Ajo duhet ta vlerësojë nëse është i nevojshëm zgjerimi i koalicionit ose jo, e jo Aleanca. Tani, nëse ndodh zgjerimi i koalicionit, me këdo qoftë tjetër, dhe nëse kjo nuk nënkupton shkeljen e parimeve tona mbi të cilat e kemi ndërtuar koalicionin, ne nuk do të kishim asnjë arsye për ta kundërshtuar.

“Epoka e re”: Marrëveshja e Uashingtonit ka “përplasur” LDK-në dhe AAK-në sa i përket çështjes së Liqenit të Ujmanit, ku kemi dy deklarata të ndryshme. Njëra palë thotë se pati ndërhyrje në marrëveshje (AAK-ja) e tjetra palë (LDK-ja) thotë se marrëveshja nuk është prekur në këtë pikë.
Nitaj: Unë këtë çështje e konsideroj të tejkaluar tashmë. Secili e ka pasur të vërtetën e tij dhe një ditë do të merret vesh përfundimisht se kush e ka ndërtuar narrativën e së vërtetës me hile. Opinionit publik në Kosovë i janë shpërfaqur dy versione të ndryshme dhe e vërteta absolute ndoshta do të mund të merret vesh, nëse ndonjë ditë publikohen farë kabllogramesh, por e thashë kjo tashmë s’ka rëndësi. E rëndësishme është që Kosova të mos gjendet edhe një herë tjetër në një situatë të ngjashme, ku për çështje jetike flasim në orët e fundit, sepse pasojat për vendin mund të jenë të pariparueshme. Jemi tepër të brishtë për të mos u pajtuar ndër vete.

“Epoka e re”: Këto “përplasje” LDK – AAK a mund ta rrezikojnë koalicionin qeverisës?
Nitaj: Unë dua të besoj në arsyen, racionalitetin dhe përgjegjësinë e liderëve të këtij koalicioni. Mospajtimet janë kollaj të kapërcyeshme dhe nëse s’ka motive të tjera, nuk shoh se kjo mund ta rrezikojë koalicionin. Më ka ra këto ditë të dëgjoj lloj-lloj analizash e opinionesh, për njëfarë nevoje të Aleancës për protagonizëm në procesin e dialogut. Unë ju garantoj se është e kundërta. Aleanca edhe vetë kur e ka drejtuar qeverinë, nuk ka vrapuar pas tryezave të dialogut. Ajo që kërkojmë ne është që gjithçka të jetë e koordinuar, paraprakisht e diskutuar, e harmonizuar dhe bashkërisht e negociuar. Ne jemi partnerë në këtë qeveri dhe është krejt e natyrshme të jemi pjesë, edhe e punës, por edhe e përgjegjësive në këtë proces, që është më i rëndësishmi që prej shpalljes së pavarësisë. Unë po shpresoj ta shoh edhe përfshirjen e të tjerëve që nuk janë pjesë e qeverisë në dialog.

“Epoka e re”: Cili është opinioni juaj për marrëveshjen e Uashingtonit?
Nitaj: Është një marrëveshje e mirë sepse është arritur në Shtëpinë e Bardhë. Është një marrëveshje ku Kosovës i hapet një perspektivë ekonomike. Natyrisht ajo ka edhe një peshë politike sepse ka prodhuar një njohje tejet të rëndësishme për Kosovën nga Izraeli dhe sikur e ka rikthyer Kosovën në vëmendjen ndërkombëtare. Nuk është krejt sa kemi pritur por, sidoqoftë, ne në Aleancë kemi besuar se në momentin kur pala serbe ka kërkuar heqjen e pikës për njohje të ndërsjellë, delegacioni i Kosovës në Uashington ka mundur të kishte kërkuar, pa asnjë hezitim, heqjen e pikës për Ujmanin, e cila, megjithëse siç është përpiluar në fund, nuk e paragjykon rezultatin përfundimtar, prapë mbetet me ilet.

Lajmet

Esmeralda Kazia shpallet “Cybersecurity Woman of the World 2026”, shqiptarja e parë që merr këtë çmim

Published

on

Shqipëria ka shënuar një arritje të rëndësishme në fushën e sigurisë kibernetike, pasi Esmeralda Kazia është shpallur “Cybersecurity Woman of the World 2026”.

Kazia është shqiptarja e parë që fiton këtë titull prestigjioz, i cili vlerëson lidershipin, vizionin dhe kontributin në zhvillimin e sigurisë kibernetike në nivel ndërkombëtar.

Çmimi iu dorëzua gjatë ceremonisë së organizuar nga United Cybersecurity Alliance në Austri dhe Lihtenshtajn, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve shtetërore, organizatave ndërkombëtare, universiteteve, kompanive dhe ekspertë të sigurisë kibernetike nga më shumë se 30 vende.

Pas marrjes së çmimit, Kazia në një intervistë për transmetuesin publik austriak ORF theksoi rëndësinë e sigurisë kibernetike për mbrojtjen e institucioneve dhe besimit publik.

“Siguria kibernetike nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e teknologjisë, por me mbrojtjen e besimit”, u shpreh ajo.

Gjatë këtij edicioni janë zhvilluar edhe diskutime për mundësinë që ceremonia “Cybersecurity Woman of the World 2027” të organizohet në Shqipëri. Nëse realizohet, vendi pritet të mirëpresë ekspertë, institucione dhe përfaqësues ndërkombëtarë të fushës së sigurisë kibernetike.

Duke komentuar vlerësimin, Kazia tha se ky titull përfaqëson një përgjegjësi për të vazhduar punën në forcimin e sigurisë kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike.

Esmeralda Kazia aktualisht është Drejtoreshë Ekzekutive e Teknologjisë për Teknologjinë Operacionale, Sistemet e Kontrollit Industrial dhe Automatizimin në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH). Më herët ajo ka udhëhequr operacionet kombëtare të monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve kibernetike në Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Me mbi 13 vite përvojë në sigurinë kibernetike, transformimin digjital dhe mbrojtjen e infrastrukturave kritike, Kazia ka përfaqësuar Shqipërinë në forume ndërkombëtare si NATO, OSBE dhe iniciativa globale kundër sulmeve kibernetike. Ajo është gjithashtu pedagoge universitare dhe kërkuese shkencore, me fokus në inteligjencën artificiale dhe ekosistemet digjitale./Albinfo.ch//A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sean “Diddy” Combs do të lirohet nga burgu më herët, data caktohet për janar 2028

Published

on

Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs pritet të lirohet nga burgu më herët sesa ishte planifikuar fillimisht, pavarësisht një incidenti të fundit ku raportohet se u përfshi në një përleshje me një të burgosur tjetër.

Sipas të dhënave më të fundit të Byrosë Federale të Burgjeve, lirimi i Combs është caktuar për 24 janar 2028. Fillimisht, data e lirimit ishte parashikuar për maj të vitit 2028, por ajo është ndryshuar disa herë gjatë muajve të fundit.

Combs, 56 vjeç, u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe reketimin, por u dënua për organizim të prostitucionit.

Shkurtimi i dënimit lidhet me zbatimin e ligjit amerikan “FIRST STEP Act”, i cili u mundëson disa të dënuarve përfitime për lirime më të hershme.

Ndryshimi i fundit i datës së lirimit vjen vetëm një javë pasi reperi raportohet se u përfshi në një përleshje fizike me një të burgosur tjetër në burgun federal Fort Dix në New Jersey. Sipas raportimeve, konflikti nisi pas një përplasjeje verbale dhe më pas kaloi në përleshje fizike, derisa ndërhynë rojet e burgut.

Pas incidentit, Combs raportohet se është vendosur përkohësisht në izolim, megjithëse autoritetet e burgut nuk kanë konfirmuar detaje për ngjarjen.

Byroja Federale e Burgjeve ka deklaruar se, për arsye sigurie dhe privatësie, nuk komenton kushtet e qëndrimit të të burgosurve apo arsyet e ndryshimit të datave të lirimit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Haxhiu takon sot krerët e partive, në fokus seanca konstituive

Published

on

Sot është paraparë të mbahet mbledhja e përbashkët e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, me kryetarët e subjekteve politike.

Kjo mbledhje vjen në kuadër të përgatitjeve për Seancën konstituive të Legjislaturës XI të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Takimi pritet të mbahet në ambientet e Kuvendit me fillim nga ora 11:00./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Seancë gjyqësore për 21 të akuzuar për krime lufte në Prishtinë

Published

on

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj 21 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile.

Seanca është caktuar të nisë në ora 10:00, ndërsa të akuzuarit përballen me akuzën për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Në këtë rast janë të akuzuar: Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq.

Procesi gjyqësor lidhet me hetimet për krime të kryera gjatë luftës në Kosovë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara