Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele.
“Prokurori i shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para prokurorit të shtetit për tu krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi.
“Prokurori i shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mos diskriminimit të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjatë ditës së sotme ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla tha se mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur komuna paralele të Serbisë si dhe posta e zyre. Sipas tij, aksioni është zhvilluar në dhjetë komuna.
Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skenderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale, janë lokacionet ku janë mbyllur komunat paralele të Serbisë.
Ndërkaq, ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se “Nuk ka vend për strukturat kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës”.