Lajmet

Nga nesër me 80 deputetë dhe 40 nënshkrime thirret seanca për presidentin

Published

on

Me fillim nga ora 10:00, në seancën e nesërme do të betohen deputetët e rinj, të cilët zëvendësojnë ata që kaluan nëpër poste ministrore.

Po ashtu me propozim të grupeve parlamentare do të ndahen përgjegjësitë në 14 komisionet e votuara këtë javë, prej të cilave shtatë do të udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndërsa në shtatë të tjerat do të jenë shumicë me nga pesë deputetë.

Kështu edhe proceduralisht nga dita e nesërme hapet mundësia që me 40 nënshkrime të thirret seanca e jashtëzakonshme për të votuar për postin e presidentit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit nga mbi 800 mijë votues, rezultatet ishin këto: Lëvizja Vetëvendosje 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 deputetë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 7 deputetë, Lista Serbe 10 deputetë si dhe komunitetet jo shumicë kanë 10 deputetë.

Më 22 mars me 67 vota për votohet Qeveria Kurti 2. Rrjedhimisht bashkë me kandidatin për kryeministër, Vjosa Osmani shpalosi platformën me të cilën synon postin e presidentit.

Në procesin për ta votuar postin e presidentit, sipas Kushtetutës nevojiten 80 deputetë prezentë në sallë si dhe 80 vota brenda kutisë në mënyrë që të zhvillohet si proces.

Nëse në dy herët e para me këtë përbërje nuk arrihet të zgjidhet presidenti, atëherë në herën e tretë nevojiten 61 vota, vota të cilat tashmë i ka Lëvizja Vetëvendosje. Me 58 deputetë si dhe dhjetë vota të komunitetit jo-serb, tashmë janë të siguruara 68 vota për presidentin.

Kryetari i ri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas katër takimeve me 33 anëtarët e kryesisë dhe takimit të fundit me 15 deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së, e ka konfirmuar se ky subjekt do ta përkrahë Vjosa Osmanin për presidente.

“Ikja nga përgjegjësia është më e lehta. Në politikë jemi për të bërë zgjidhje. Kam pasur dy mundësi, të zgjedh mosmarrjen pjesë në seancë dhe të pengojë shumicën. Ne kemi zgjedhur të dytën, atë të konstruktivitetit të institucioneve. Kam refuzuar politikën kushtëzuese”, theksoi Abdixhiku.

Nga 15 deputetët, e katër janë që nuk dihet ende qëndrimi për postin e presidentit, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj, Agim Veliu dhe Behgjet Pacolli. Për këta të fundit dhe të gjithë deputetët e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se pret që ta respektojnë vendimin për të qëndruar në sallë. Ndërsa kur u pyet se a do të ketë masa ndëshkimore ai tha se “nuk komentoj situatë hipotetike”.

AAK dhe PDK tashmë kanë qëndrime të prera se nuk e përkrahin Vjosa Osmanin për postin e presidentit.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj është shprehur se nuk kanë marrë ndonjë ofertë për t’u bërë pjesë e procesit të presidentit, prandaj janë kundër Osmanit për presidente.

 “Ne kemi mirëpritur mundësinë me biseduar me fituesit e zgjedhjeve, me zotëri Kurtin dhe zonjën Osmani, nuk kemi marrë prej tyre propozim, kërkesë, marrëveshje politike për të votuar presidenten ose qeverinë, nuk kanë kërkuar prej neve bashkëpunim, nuk jemi pjesë e një marrëveshje për votimin e kandidates për presidente. Kemi parë qëndrimin e LDK-së, është një marrëdhënie e re në mes të LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje, por sa i përket Aleancës, nuk ka ndryshuar asgjë”, tha Haradinaj.   

Qëndrim edhe më të ashpër ka ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj.

 “PDK nuk e mbështet kandidaturën e Vjosa Osmanit. Ka qenë një figurë përçarëse, karrierën e saj e ka ngritur në frymën e përçarjes. Së dyti, ajo është një kandidate partiake, jo konsensuale për të qenë presidente. Ajo është treguar e njëanshme sa ka bërë detyrën e ushtrueses së presidentes, është e para që e ka përdorur zyrën për të bërë një parti politike”, tha ai.

Emir Abrashi nga organizata jo-qeveritare “Demokraci Plus”, thotë se është në përgjegjësinë e Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit të punojnë me deputëtet e LDK-së dhe ata nga komunitetet për postin e presidentit.

“Nëse këta tre ose katër deputetë nuk bëhen pjesë e Kuvendit, votimi për postin e presidentin do të dështojë. 58 Vetëvendosje, 10 komunitetet jo-serbe bëjnë 68. Vetëvendosje duhet të sigurohet t’i ketë këta dhjetë deputetë të komuniteteve dhe ata të LDK-së të jenë prezentë në sallë. Pra Kurti dhe Osmani të mos qëndrojnë pasiv, por t’i takojnë e t’i bindin ata”, thekson Abrashi.

Data e fundit kur Kosova duhet të ketë presidentin e ri në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje është 5 maji.

Ndër tri pikat e seancës së nesërme është “e ndryshme”, prandaj me 40 nënshkrime seanca për presidentin mund të thirret edhe gjatë ditës së nesërme.

(Autorë të tekstit janë Liridon Llozani, Ferdane Syla dhe Xhynetë Spahiu, studentë të vitit të tretë në Media dhe Komunikim në UBT)

lajme

Jep dorëheqje drejtori i Policisë Gazmend Hoxha

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar sot kërkesën për dorëheqje nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, duke e liruar atë zyrtarisht nga detyra.

Sipas njoftimit nga Qeveria, pas propozimit të Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kryeministri Kurti ka caktuar Fehmi Hotin si ushtrues detyre të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës. Ekzekutivi ka falënderuar z. Hoxha për kontributin dhe angazhimin e tij gjatë kohës sa ushtroi këtë mandat.

Kjo dorëheqje vjen në vazhdën e masave dhe përgjegjësive institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt, rast ky që shpërfaqi dështime të rënda zinxhirore brenda Policisë së Kosovës. Vetëm përmes hetimeve të Inspektoratit Policor lidhur me mosveprimet dhe mosekzekutimin e urdhrave mbrojtës për viktimën, deri më tani janë suspenduar nga detyra edhe 19 zyrtarë policorë. /E.A/

Continue Reading

Sport

Akil Gjakova mposht nënkampionin e botës

Published

on

By

Akil Gjakova ka shënuar fitore në Grand Slamin në Abu Dabi.

Ai në xhiron e tretë e mposhti bartësin e parë dhe nënkampionin në fuqi të botës, Makhmadbek Makhmadbekovin.

Ndaj tij dominoi prej fillimit, ndërsa fitoi me “Ippon” të bukur në kohën shtesë.

Është kjo fitorja më e madhe e Akilit në vitin e fundit. Ai po garon në kategorinë deri 73 kilogramë, dhe po duket në ditë të mirë. /D.L/

Continue Reading

lajme

Gjykata Supreme vendos: Policia nuk mund t’jua mbajë patentë-shoferin më shumë se 8 ditë

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës ka shfuqizuar rregullin e Ministrisë së Punëve të Brendshme që lejonte Policinë e Kosovës t’ju mbante patentë-shoferin shoferëve gjatë të gjithë kohës sa zgjaste masa mbrojtëse (3, 6 apo 12 muaj).

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme, marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga policia në vendin e ngjarjes nuk mund të zgjasë më shumë se 8 ditë. Kushtëzimi i kthimit të dokumentit me përfundimin e plotë të dënimit ishte i paligjshëm, pasi Udhëzimi Administrativ i MPB-së kishte vendosur kufizime shtesë që nuk parashiheshin me ligjin bazë të trafikun rrugor.

Vendimi erdhi pas padisë së ngritur nga 28 qytetarë kundër MPB-së dhe Policisë së Kosovës. Gjykata sqaroi se heqja e së drejtës për të ngasur makinën (masa mbrojtëse) është diçka tjetër, ndërsa mbajtja fizike e dokumentit të patentë-shoferit nga policia nuk lejohet të kalojë afatin 8-ditor. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 30 tetor 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

30 tetor 1993

Minir Azemi u dërgua me dhunë për të tretën herë në shërbim ushtarak

Më 27 tetor të këtij viti, rreth orës 11 në Mitrovicë, pesë policë dhe dy ushtarë serbë, hynë në shtëpinë e Ragip Azemit dhe arrestuan djalin e tij, Minir Azemin (20), të cilin e dërguan me dhunë për ta kryer shërbimin ushtarak në një kazermë ushtarake në Nish.

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Mitrovicë, njofton se Minir Azemi deri tani është dërguar dy herë në shërbim ushtarak dhe ka dezertuar, ndërsa kësaj radhe, siç theksoi babai i tij, Miniri gjendet në paraburgim në një burg ushtarak të Nishit.

 

30 tetor 1995

Internacionalja e Arsimit dënon dhunën serbe ndaj mësuesve shqiptarë

Education International, (Internacionalja e Arsimit) javën që shkoi iu drejtua Sekretarit të përgjitshëm të OKB-së, Butros Butros Galit, drejtorit të përgjitshëm të UNESKO-s, Federiko Majorit, Unionit Evropian, si dhe të gjitha organizatave të arsimit anëtare të kësaj organizate botërore, me një apel në të cilin thuhet: “Gjatë katër vjetëve të fundit, Internacionalja e Arsimit ka përcjellur vazhdimisht situatën në fushën e arsimit në Kosovë si dhe persekutimin, torturimin dhe burgosjen e mësuesve shqiptarë vetëm për arsye se japin mësim në gjuhën shqipe” dhe shton se vetëm gjatë javës së tretë të tetorit, autoritetet e instaluara serbe kanë arrestuar 16 mësues në shkollën “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri, si dhe i ka dënuar ata me nga 15 ditë burg. Në këtë apel thuhet gjithashtu se: “qëllimi i dhunës së këtyre ditëve nga autoritetet serbe është që ta shkatërrojnë komplet arsimin e mesëm, si dhe ndërrimin e strukturës etnike në rajon duke vendosur mijëra refugjatë serbë nga Kroacia në Kosovë, duke u dhënë atyre pronat e marrura nga shqiptarët.”

Në letër kërkohet nga të gjitha organizatat nacionale të arsimit, anëtare të Internacionales së Arsimit që të protestojnë ndaj keqtrajtimit të mësuesve shqiptarë duke iu shkruar kombeve të bashkuara, si dhe ministrive të jashtme të sheteve të tyre.

Në letrën që Internacionalja e Arsimit u dërgon sindikatave të bashkuara të arsimit të Kosovës, thuhet se kjo organizatë qëndron prapa përpjekjeve të mësuesve shqiptarë në normalizimin e arsimit shqip në Kosovë.

 

 30 tetor 1997 

Eliot Engël: Ka kohë që mbështes Republikën e Kosovës

Kongresmeni i njohur amerikan Eliot Engël, bashkëkryetar i Këshillit për Çështjen Shqiptare, tha në një intervistë për gazetën “Koha Ditore” se ka kërkuar nga administrata amerikane një përfaqësues të veçantë për Kosovën. Në këtë mënyrë do të ngritej çështja e Kosovës në një nivel më të lartë dhe do ta detyronte Qeverinë amerikane që t’i kushtojë rëndësi Kosovës në mënyrë të ngjashme me rastin e Qipros. Është shumë me rëndësi dhe duhet ta realizojmë.

  1. Engël tha se Qeveria amerikane duhet t’ia bëjë të qartë Milosheviqit se ne presim që ai ta zbatojë marrëveshjen e arsimit dhe ta përfshijë Universitetin. Për mua është e tmerrshme të imagjinosh që të arrihet një marrëveshje, dhe të mos përfshijë studentët e Universitetit. Nuk do të ekzistonte asnjë arsye që dr. Rugova ose kushdo tjetër që i përfaqëson shqiptarët të bisedojnë për një marrëveshje që nuk përfshin universitetin.

Pra, për autoritetet serbe, që thonë se kjo marrëveshje nuk paska përfshirë universitetin, është qesharake.

Ai tha se SHBA-të dhe administrata amerikane duhet t’ia bëjnë shumë të qartë Milosheviqit se duhet të zbatohet marrëveshja që e ka firmosur.

  1. Engël theksoi se Perëndimi nuk duhet të jetë më i butë me Millosheviqin pasi që një nacionalist si Shesheli mund të fitojë zgjedhjet. Duhet t’i bëjmë sa më shumë presion dhe duhet që ai të kuptojë se nuk mjafton të jesh më pak i keq nga dy të këqij, por se duhet ta ketë një politikë më të mirë në Kosovë dhe se duhet t’i zbatojë në përpikmëri marrëveshjet që i ka nënshkruar, në veçanti marrëveshjen e arsimit.

Kongresmeni Engël tha se nënsekretari Gelbart do të shkojë në Kosovë javët e ardhshme. Unë u takova me të në Romë dhe jam i bindur që ai i kupton dhe i njeh në hollësi çështjet. Ai po bën atë që duhet ta bëjë duke i bërë presion Milosheviqit. Administrata i ka thënë qartë Milosheviqit se nuk do të hiqet muri i jashtëm i sanksioneve derisa të zgjidhet çështja e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe unë mendoj se është bërë punë e mirë. Pastaj nuk duhet harruar se kjo administratë e hapi zyrën e USIA-s në Prishtinë, në hapjen e së cilës mora pjesë vitin e kaluar.

  1. Engël shfaqi mendimin se administrata e tashme amerikane ka një politikë të mirë. Megjithatë, njerëz si unë duhet vazhdimisht t’i shtyjmë që të sigurojmë se po ecin në drejtim të duhur. Duhet t’i kujtojmë vazhdimisht për gjërat që mendoj se duhen ndërmarrë me shpresë se do t’i bëjnë.

Ai tha se javën e ardhshme do ta kemi një dëshmi në Grupin për Çështjen shqiptare në Kongres ku janë ftuar si dëshmitarë ambasadori Gelbart dhe zonja Eileen Malloy (koordinatore për Ballkanin në Departamentin e Shtetit).

Kongresmeni Engel përkujtoi se para disa kohësh ka kërkuar vetëpërcaktim për popullin e Kosovës. Kam thënë ka kohë që mbështes Republikën e Kosovës, sepse besoj se shqiptarët dhe të tjerët që jetojnë në Kosovë kanë të drejtë për vetëpërcaktim. Është e drejta e tyre të vendosin nëse duan të jenë një komb i pavarur, ose duan të bashkohen me Shqipërinë, ose nëse duan të mbetën në kuadër të federatës së re jugosllave si partner i barabartë. Unë mbështes atë që do populli i Kosovës për ardhmërinë e kmobit të tyre. Administrata dhe Departamenti i Shtetit nuk kanë ardhur në këtë përfundim ende, dhe flasin ende për autonomi. Unë mendoj se koha për autonomi ka kaluar, me përjashtim, nëse është një hap drejt vetëpërcaktimit. Siç kam thënë gjithmonë, autonomia nuk pati sukses kur Jugosllavia ishte e plotë dhe kur ekzistonte kundërbalanci i sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve. Njerëzve të Kosovës iu hoq autonomia pa i pyetur fare. Asnjë komb dhe asnjë popull nuk do që t’i përsëritet kjo. Tani Jugosllavia është Serbia dhe Mali Zi, ku serbët dominojnë. Kur një autonomi nuk ishte e qëndrueshme për shqiptarët më parë, tani do të ishte edhe më pak e qëndrueshme. Serbët duan të dominojnë me çdo gjë dhe kjo u pa shumë qartë gjatë zgjedhjeve në Mal të Zi. Nëse populli i Malit të Zi dëshiron pavarësi, unë e mbështes vullnetin e popullit dhe e kërkoj të njëjtën edhe për shqiptarët në Kosovë të cilët e përbëjnë shumicën, tha mes tjerash në këtë intervistë kongresmeni Eliot Engël.

 

30 tetor 1998

NATO: Rreth 2000 ushtarë të armatosur vendosen afër Kosovës

Këshilli i NATO-s do të debatojë rreth mënyrës së si të mbrojë vëzhguesit e paarmatosur në Kosovë. Strategët ushtarakë të NATO-s po punojnë me shpejtësi, pasi tashmë në Kosovë ndodhën më shumë se 150 vëzhgues, shumica diplomatë, njoftoi “Zëri i Amerikës”.

Burimet e NATO-s bëjnë të ditur se ka të ngjarë që forca mbrojtëse të përbëhet nga rreth 2000 ushtarë. Pentagoni njofton se në këtë forcë që do të vendoset diku në afërsi të Kosovës, nuk do të ketë ushtarë amerikanë, mirëpo Uashingtoni mund të ofrojë ndihmë në aspekte të tjera.

Zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se forca mbrojtëse ka mundësi të vendoset në Maqedoni. Mirëpo një zëdhënës i Ministrisë maqedonase të mbrojtjes thotë se ende nuk është arritur një marrëveshje e tillë. Strategët ushtarakë të NATO-s ende nuk kanë përfunduar shumicën e hollësive përfshirë përmasat e forcës, mjetet dhe pajimet e nevojshme dhe cilat vende do të japin trupa. Aleanca njofton se po shqyrton mundësinë e vendosjes së këtyre trupave në Shqipëri, Maqedoni ose në det nëpër anije, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar. Planifikuesit po punojnë me shpejtësi pasi më shumë se 115 vëzhgues, shumica diplomatë tashmë ndodhen në Kosovë dhe pritet që ky numër të dyfishohet shumë shpejt.

Foto: Eliot Engël

Continue Reading

Të kërkuara