Lajmet
Nga mospranimi deri në dhunë: Krimet e pandëshkuara kundër LGBT-së
Përveç mospranimit nga familjarët, personat që i takojnë këtij komuniteti në Kosovë raportojnë edhe dhunë nga ta.
Published
4 years agoon
By
Betim Gashi“Duke u fajësuar si fëmijë, që ti je marrja dhe turpi i shtëpisë, rritesh duke nënvlerësuar veten, duke u ndjerë se asnjëherë nuk je mjaftueshëm i mirë. Një gjë e tillë – mohim i plotë i ekzistencës sime – është një barrë e rëndë psikologjike, pasi përcillet me sfida të ndryshme”.
Kështu nis rrëfimin e tij për Radion Evropa e Lirë një i ri nga Prishtina, i cili është pjesëtar i komunitetit homoseksual. Ai thotë se është larguar nga familja e tij shtatë vjet më parë, kur ishte 19 vjeç, pasi prindërit nuk e kanë pranuar si homoseksual.
“Mospranimi nga familja ndaj orientimit tim seksual dhe identitetit tim… ndonëse ata janë informuar nga vetë unë vite më parë, vazhdon ende”, thotë ai.
“Është ngarkesë e rëndë që unë e shumë të tjerë si unë detyrohen të mbajnë seanca të vazhdueshme psikologjike, për t’i procesuar emocionet dhe mendimet, të cilat ndikohen negativisht pikërisht nga personat që supozohet të jenë mbështetësit më të mëdhenj të fëmijëve – prindërit”, thotë ky qytetar, duke mos dashur të identifikohet.
Përveç mospranimit nga familjarët, personat që i takojnë këtij komuniteti në Kosovë raportojnë edhe dhunë nga ta.
Prej shpërthimit të pandemisë, në mars të vitit 2020, rastet e dhunës janë rritur edhe më shumë, thotë Lendi Mustafa, nga Organizata për Barazi dhe Liri “CEL Kosova”, e cila merret me çështjen e të drejtave të njeriut.
Kjo, sipas tij, ka ndodhur pasi masat për frenimin e pandemisë i kanë detyruar qytetarët të mbyllen nëpër shtëpi.
“Ka dhunë fizike që të ndryshojnë me zor. Kjo është më e shprehur te gratë transgjinore. Shumica e rasteve që i kemi pranuar së voni, kanë qenë të moshës 16-17 vjeçare dhe e kanë pasur të pamundur të përballen me situatën”, thotë Mustafa.
Trajektorja e rasteve të dhunës në familje, ku bëjnë pjesë edhe rastet e dhunës ndaj personave të komunitetit LGBT – përfshirë këtu lezbikët, homoseksualët, biseksualët dhe transgjinorët – është rritur shumë në dy vjetët e fundit.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, në vitin 2019 janë raportuar 1,915 raste të dhunës në familje, ndërsa në vitin 2020 ky numër është rritur në 2,069 dhe në vitin 2021 në 2,409.
“Të gjitha rastet që kanë ardhur te ne, i kemi paraqitur në polici. Së paku këta që kanë përfituar prej shërbimeve që i kemi ofruar. Ka pasur disa raste të pakta që nuk kanë dashur ta raportojnë rastin në polici”, thotë Mustafa.
Në raportin e publikuar më 13 janar, organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, me seli në SHBA, ka përmendur shqetësimin e organizatës “CEL Kosova” për hetimet joadekuate të kërcënimeve dhe gjuhës së urrejtjes kundër personave dhe aktivistëve të komunitetit LGBT, sidomos në rrjetet sociale.
“Në korrik [2021], CEL ka raportuar se një aktivist i LGBT-së në Prishtinë është sulmuar nga tre persona të panjohur, të cilët e kanë pështyrë, duke i thënë: ‘Do të të vrasim’”, thuhet në raportin e HRW-së.
Shqetësime të ngjashme për këtë komunitet, Human Rights Watch ka ngritur edhe në raportet e viteve të kaluara.
Neglizhenca nga drejtësia
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë në lidhje me hetimet e kësaj dhune, Këshilli Prokurorial i Kosovës thotë se “rastet e dhunës në familje, si p.sh. ato të komunitetit LGBT, nuk i ka të ndara si kategori”.
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) u ofron ndihmë juridike grupeve të ndjeshme të shoqërisë, ku bën pjesë edhe komuniteti LGBT.
Arrita Rezniqi, nga kjo organizatë, thotë se institucionet e drejtësisë shpesh e neglizhojnë dhunën.
“Kjo e tregon më së miri edhe gjendjen në të cilën jemi aktualisht. Fatkeqësisht, institucionet tona nuk po bëjnë mjaftueshëm dhe shumë prej rasteve ndoshta edhe po përfundojnë me fatalitet, si rrjedhojë e neglizhencës së këtyre institucioneve, si rrjedhojë e mungesës së profesionalizmit të tyre dhe mosveprimit të tyre në kohën dhe momentin e duhur”, thotë Rezniqi.
Në raportin e vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit ka shprehur shqetësim për dhunën në familje në Kosovë, duke thënë se ajo ka shënuar rritje.
“Dhuna seksuale dhe dhunimi që ndodhin brenda ose jashtë familjes, rrallë u raportuan nga viktimat, shpesh për shkak të stigmës shoqërore ose mungesës së besimit tek autoritetet”, është thënë në raport të DASH-it.
Parandalimi i dhunës në familje, prioritet i Qeverisë
Duke parë trendin në rritje të dhunës në familje, në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë thonë se janë duke punuar në parandalimin e kësaj dukurie.
Nita Shala, zëvendësministre në këtë ministri dhe njëherësh koordinatore nacionale për parandalimin e dhunës në familje, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë hartuar strategjinë nacionale për mbrojtje kundër dhunës në familje dhe se ajo pritet të miratohet së shpejti nga Qeveria e Kosovës.
Sipas Shalës, parandalimi dhe adresimi i dhunës në familje është prioritet qeveritar, ashtu si edhe i dhunës në baza gjinore dhe dhunës ndaj grave specifikisht.
“Ne kemi synim përmirësimin e situatës sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje, që nga momenti i raportimit të rastit, mënyra se si e procedon Prokuroria një rast të dhunës në familje, vendimmarrja nga ana e gjykatës, trajtimi që merr viktima në strehimore ose te punëtorët socialë”, thotë Shala.
Avokati i Popullit në Kosovë, në raportin e vitit të kaluar për të drejtat e njeriut, ka vlerësuar se personat LGBT në Kosovë “jetojnë ende me frikë për të shprehur orientimin e tyre seksual, për shkak të qasjes së shoqërisë dhe të homofobisë”.
Lendi Mustafa, nga “CEL Kosova”, thotë se kjo organizatë, gjatë dy vjetëve të fundit, ka ndihmuar pesë persona të komunitetit LGBT, duke iu ofruar strehim dhe duke ua mbuluar shpenzimet ditore.
Në Kosovë, Parada e Krenarisë organizohet qysh në vitin 2017 dhe aktivistët vazhdimisht kërkojnë që të lejohet martesa e gjinisë së njëjtë.
Martesat e gjinisë së njëjtë në Kosovë i lejon Kushtetuta, por jo edhe Kodi Civil i Kosovës dhe Ligji për Familjen.
Neni 21 i Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian – bllokut ku Kosova synon të anëtarësohet – ndalon në mënyrë eksplicite diskriminimin e bazuar në orientimin seksual.
You may like
Vendi
Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit
Published
12 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, njëherësh ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se është e hapur që të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së presidentit.
“Tashmë takimet po vazhdojnë, ka pasur edhe dje takim për këtë qëllim dhe do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Unë jam shumë e hapur që të ndihmoj, nëse mundem, në këtë drejtim”, tha Haxhiu, gjatë takimit me Avokatin e Popullit të Shqipërisë në zyrën e saj në Kuvend.
Një ditë më parë, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua Lumir Abdixhikun, udhëheqësin e partisë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, por në takim nuk u arrit ndonjë marrëveshje për çështjen e presidentit.
Pas takimit pothuajse dyorësh, Kurti tha se “jemi të përcaktuar” që të shmangen zgjedhjet e reja, pasi sipas tij as votimet e reja nuk do të sillnin 80 vota, aq sa kërkohet për votimin e presidentit të ri.
Takimi u zhvillua pas përfundimit të mandatit presidencial të Vjosa Osmanit më 4 prill. Të njëjtën ditë, pozitën e ushtrueses së detyrës e mori Haxhiu, ashtu siç parashihet me Kushtetutë.
Kurti ka paralajmëruar takime edhe me Bedri Hamzën, kryetarin e subjektit më të madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës.
Por, sipas një komunikate të cituar nga mediat lokale në Kosovë, Hamza i ka kthyer përgjigje Kurtit lidhur me ftesën për takim, duke i kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që për këtë temë të diskutohet në organet e partisë dhe më pas të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha për EkonomiaOnline se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë të re për takim. Ajo tha se subjekti i saj politik nuk do të propozojë emra për president pa një marrëveshje politike, duke theksuar se përgjegjësinë për zgjedhjen e presidentit mbetet te Kurti, partia e të cilit ka shumicën në Kuvend.
LVV-ja e Kurtit më 5 mars propozoi dy emra për pozitën e presidentit: Glauk Konjufcën, ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe deputeten Fatmire Mullhaxha -Kollçaku. Në mungesë kuorumi, procesi ka mbetur në gjysmë.
Të nesërmen, ish-presidentja Vjosa Osmani prezantoi një dekret për shpërndarje të Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme në këtë drejtim.
Dekreti u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria.
Gjykata më pas doli me vendim duke thënë se dekreti i ish-presidentes nuk ka pasur asnjë efekt juridik dhe e përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit, në të kundërtën shteti shkon në zgjedhje që duhen të mbahen brenda 45 ditësh.
Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar bindshëm zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit dhe gëzon 57 ulëse në Kuvend, por ato janë të pamjaftueshme për zgjedhjen e presidentit, meqë për të finalizuar këtë proces nevojiten të paktën 80 vota në Kuvendin me 120 deputetë. /REL/
Lajmet
UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale
Published
13 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Në një treg global ku kufijtë mes krijimtarisë vizuale tradicionale dhe teknologjisë po zbehen, programi Bachelor – Arti dhe Mediat Digjital në UBT po shndërrohet në një epiqendër për zhvillimin e talentit dhe inovacionit vizual.
Ky drejtim është projektuar si një përgjigje strategjike ndaj nevojave të industrisë kreative, e cila përfaqëson një nga sektorët me rritjen më të shpejtë ekonomike, duke synuar përgatitjen e kuadrove që jo vetëm zotërojnë mjetet e epokës digjitale, por edhe visionin artistik për të lënë gjurmë në shoqëri.
Në kontekstin e Kosovës, ku potenciali i jashtëzakonshëm i rinisë kërkon hapësira të specializuara për t’u profilizuar, ky program ofron një platformë ndërdisiplinore që lidh dizajnin grafik, animacionin, videoproduksionin dhe kuratorinë digjitale në një cikël të vetëm studimi.
Përmes një kurrikule të pasur, studentët nisin udhëtimin e tyre me bazat e vizatimit, pikturës dhe skulpturës, për t’u avancuar më tej në fusha komplekse si modelimi 3D, fotografia profesionale, efektet vizuale (VFX) dhe arti i performancës.
Ky formim i gjithanshëm u mundëson të rinjve të mos jenë thjesht ekzekutues teknikë, por artistë të pavarur me mendim kritik që kuptojnë thellësisht marrëdhënien midis artit dhe platformave emergjente të komunikimit.
UBT synon që përmes këtij programi të rritet jo vetëm shkalla e të punësuarve, por edhe cilësin e shprehjes vizuale në vend, duke krijuar profesionistë që operojnë me përgjegjësi sociale dhe ndjeshmëri të lartë kulturore.
Përtej shkathtësive praktike, programi nxit një qasje kërkimore ndaj sfidave të shoqërisë moderne, duke i inkurajuar krijuesit e rinj të transformojnë mjedisin ku jetojnë përmes inovacionit dhe kreativitetit.
Objektivi kryesor mbetet edukimi i një gjenerate që është e gatshme të sfidojë normat ekzistuese dhe të ndërtojë një shoqëri më gjithëpërfshirëse dhe reflektuese.
Në fund të rrugëtimit të tyre akademik, të diplomuarit në Arti dhe Mediat Digjitale dalin si liderë të gatshëm për të eksploruar dhe riformësuar peizazhin mediatik dhe kulturor, duke dëshmuar se UBT mbetet udhërrëfyesi kryesor për karrierat e suksesshme në artin e shekullit të 21-të.
Aplikimet e hershme kanë filluar, këtu gjeni linkun për me shumë informata.
lajme
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
Published
14 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Gjatë qëndrimit të tij në Hungari për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u shpreh i bindur se SHBA-ja do të marrë një përgjigje nga Teherani përpara skadimit të afatit të fundit.
Sipas tij, objektivat ushtarake amerikane në këtë luftë janë arritur në masë të madhe dhe tashmë topi është në fushën e Iranit.
Uashingtoni kërkon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, rrugë kjo ku kalon rreth 20% e naftës botërore.
Bllokada e tanishme ka paralizuar trafikun detar dhe ka shkaktuar rritje të paprecedentë të çmimeve të karburanteve në mbarë botën, prandaj administrata Trump po këmbëngul që lundrimi i lirë të rikthehet pa vonesa të mëtejshme.
Lajmet
UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës
Published
14 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Fakulteti i Arkitekturës në UBT, i njohur për standardet e larta akademike dhe qasjen inovative, ka bërë një hap të madh drejt fuqizimit të studentëve të tij duke nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi (MoU) me Odën e Arkitektëve të Republikës së Kosovës (OARK).
Ky partneritet strategjik synon të forcojë lidhjen mes edukimit akademik që ofron UBT dhe kërkesave rigoroze të tregut profesional. Përmes kësaj kornize, studentët e UBT-së do të kenë një qasje më të drejtpërdrejtë në proceset e integrimit profesional dhe avancimin e standardeve etike e bashkëkohore në fushën e arkitekturës.
Marrëveshja e nënshkruar krijon një platformë afatgjatë që do të fokusohet në disa shtylla kryesore; avancimi i standardeve profesionale në arkitekturë; përgatitja e studentëve për tregun profesional dhe proceset e integrimit në profesion; shkëmbimi i njohurive dhe përvojës ndërmjet akademisë dhe profesionit; organizimi i aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe profesionale; bashkëpunimi në zhvillimin e aktiviteteve që kontribuojnë në edukimin profesional të vazhdueshëm (EVP).
Për Fakultetin e Arkitekturës në UBT, kjo marrëveshje konfirmon edhe një herë përkushtimin për t’u ofruar studentëve jo vetëm dije teorike, por edhe mundësi konkrete për t’u bërë pjesë e elitës profesionale.
Bashkëpunimi me OARK-në shërben si një platformë që nxit zhvillimin e arkitekturës moderne në vend, duke i dhënë zë gjeneratave të reja të arkitektëve.
Oda e Arkitektëve, gjithashtu shpreh gatishmërinë që përmes këtij partneriteti me UBT-në, të kontribuojë në ndërtimin e një profesioni të fortë dhe bashkëkohor, duke siguruar që dija akademike të përkthehet në zgjidhje praktike për mjedisin e ndërtuar në Republikën e Kosovës.
Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit
Trump paralajmëron masa ekstreme nëse Irani nuk pranon marrëveshjen
UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
UBT dhe Oda e Arkitektëve të Kosovës nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Një urë e re mes akademisë dhe praktikës
Irani sfidon Trumpin: Nuk ka tërheqje para kërcënimeve
Një muaj paraburgim për ish-policin serb të dyshuar për krime lufte në Kaçanik
Bayern Munich arrin kuotën e 100 golave, thyen çdo rekord në Evropë
Rama: Kush thotë se sot ka më shumë korrupsion, flet përçartë
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
