Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 25-vjetorit të UBT-së dhe Ditëve të Artit dhe Dizajnit, studentët e Departamentit të Dizajnit të Modës po marrin pjesë në ngjarjen ndërkombëtare “Rome – Sotto il Cielo di Genzano”, e cila po mbahet në Itali.
Studentët Zoja Shabani, Levika Syla, Fiona Rushiti, Elsa Gashi dhe Adile Jashari do të prezantojnë krijimet e tyre në këtë defile mode, të realizuara në kuadër të lëndës Dizajn Studio V, nën mentorimin e profesoreshave Aferdita Statovci dhe Cennet Lika.
Për të mbështetur studentët në këtë përvojë të rëndësishme ndërkombëtare, në Itali po qëndrojnë edhe Fisnete Hajrizi, Ariana Gjoni, Laura Ymeri, Aferdita Statovci dhe Cennet Lika, të cilët po i shoqërojnë gjatë prezantimit të punimeve dhe po kontribuojnë në përfaqësimin dinjitoz të UBT-së në këtë ngjarje artistike dhe kulturore.
Pjesëmarrja në “Rome – Sotto il Cielo di Genzano” u ofron studentëve mundësinë të prezantojnë talentin, aftësitë profesionale dhe vizionin e tyre kreativ para një audience ndërkombëtare, duke krijuar njëkohësisht hapësira për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash me artistë e dizajnerë nga vende të ndryshme.
Kjo paraqitje ndërkombëtare është dëshmi e përkushtimit të UBT-së për promovimin e kreativitetit, inovacionit dhe ndërkombëtarizimit të arsimit. Në vitin jubilar të 25-vjetorit, UBT vazhdon të krijojë mundësi për studentët që të zhvillojnë potencialin e tyre dhe të prezantojnë vlerat e artit dhe dizajnit kosovar në skenën ndërkombëtare.
