Në shënim të 27 Prillit, Ditës së Personave të Zhdukur me Dhunë gjatë Luftës në Kosovë, Kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe pranë Monumentit dedikuar të pagjeturve.
I shoqëruar nga nëna Ferdonije, familjarë të tjerë, ministra dhe deputetë, Kurti rikujtoi se Kosova pret ende përgjigje për fatin e 1,565 qytetarëve të saj.
Gjatë prononcimit të tij, kryeministri vuri theksin te përgjegjësia e drejtpërdrejtë e Beogradit zyrtar, duke denoncuar fshehjen e informacioneve për varrezat masive në territorin e Serbisë.
“Janë edhe njëmbëdhjetë varreza të tjera masive, përveç atyre pesë që tashmë janë zbuluar, e për të cilat Serbia nuk jep informacion, sepse është komunikuar edhe nga vetë ata publikisht se janë 16 varreza masive gjithsej,” deklaroi Kurti.
Kryeministri solli në vëmendje historinë prekëse të Sinan Dautit, 9-vjeçarit nga Prekazi, eshtrat e të cilit u gjetën së fundmi pas më shumë se dy dekadash. Ai theksoi se institucionet e Kosovës po bëjnë përpjekje maksimale, por mungesa e juridiksionit mbi Serbinë kërkon ndërhyrje ndërkombëtare.
“Faktorët ndërkombëtarë, evropianë dhe amerikanë duhet t’i bëjnë më shumë trysni Beogradit, ashtu që të zbardhet e vërteta dhe përgjegjësitë të dalin para gjyqit. Atje ku është përgjegjësia, atje është edhe e vërteta”, shprehet Kurti.
Kurti gjithashtu u bëri thirrje organeve të drejtësisë në Kosovë që të përshpejtojnë proceset për gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës, duke pasur parasysh moshën e dëshmitarëve.
“Besoj që duhet të punojnë edhe më shumë e më shpejtë seç po bëhet, meqenëse dëshmitarët po mplaken… dhe në këtë mënyrë vështirësohet përndjekja dhe sjellja para drejtësisë e kriminelëve serbë të luftës,” përfundoi ai.
Në fund të homazheve, kryeministri shprehu mirënjohje të pafund për familjarët që, përkundër ankthit të përditshëm, vazhdojnë të qëndrojnë të fortë në kërkim të drejtësisë.