Lajmet

​Netanyahu refuzon thirrjet e SHBA-së për formimin e shtetit palestinez

Ky refuzim i tij shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë.

Published

on

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij ushtarake në Rripin e Gazës ose të ndërmarrë hapa drejt krijimit të një shteti palestinez pasi të mbarojë lufta. Ky refuzim i tij shkaktoi menjëherë kritika nga Shtëpia e Bardhë.

Tensionet për këto çështje reflektuan një përçarje të madhe mes dy aleatëve lidhur me madhësinë e luftës së Izraelit dhe planet e tij për të ardhmen e territorit të rrethuar.

“Ne sigurisht e shohim këtë ndryshe”, tha zëdhënësi i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.

Deklarata e Netanyahut më 18 janar erdhi një ditë pasi sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Izraeli nuk mund të ketë asnjëherë “siguri të mirëfilltë” pa një rrugë drejt pavarësisë palestineze. Më herët gjatë kësaj jave, Shtëpia e Bardhë po ashtu ka thënë se është “koha e duhur” që Izraeli të ulë intensitetin e ofensivës së tij shkatërruese në Gazë.

Gjatë një konference për media, Netanyahu shprehu një qëndrim të ndryshëm nga Uashingtoni. Ai vazhdimisht deklaroi se Izraeli nuk do të ndalë ofensivën derisa të përmbushë qëllimet e tij për të shkatërruar Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dhe të kthejë në shtëpi pengjet që po mbahen nga grupi radikal palestinez.

Ai hodhi poshtë pretendimet në rritje nga kritikët izraelitë se këto qëllime nuk janë të arritshme, duke u zotuar se do të shtyjë përpara ofensivën për muaj të tërë.

“Ne nuk do të pajtohemi me asgjë tjetër përpos fitores absolute”, tha Netanyahu.

Izraeli nisi ofensivën pas sulmit të paprecedent të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, kur luftëtarët e grupit vranë 1.200 persona dhe morën peng afër 250 të tjerë. Afër 130 pengje Izraeli beson se ende janë nën robërimin e Hamasit. Lufta ka rritur tensionet në mbarë rajonin, duke kërcënuar nxitjen e konflikteve të tjera.

Sulmi i Izraelit, një prej fushatave ushtarake më vdekjeprurësve dhe më shkatërruese në historinë moderne, ka lënë të vrarë pothuajse 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë. Ofensiva izraelite po ashtu ka shkaktuar shkatërrim të madh dhe mbi 80 për qind e popullsisë së territorit me 2.3 milionë banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Kostoja e madhe e luftës ka çuar në intensifikimin e thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që Izraeli të ndalë ofensivën. Aleatja kryesore e Izraelit, SHBA-ja, ka nisur të shprehë mospajtime dhe i ka bërë thirrje Netanyahut që të tregojë vizionin e tij për Gazën e pasluftës.

Lajmet

Ndalohet një person në Prishtinë për keqpërdorim detyre, ryshfet dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndaluar për 48 orë personin me inicialet N.A., i dyshuar për disa vepra të rënda penale.

Arrestimi është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, i ndaluari dyshohet se në bashkëpunim me persona të tjerë ka zbuluar informacione zyrtare për prona të caktuara te persona të paautorizuar në këmbim të ryshfetit, me qëllim tjetërsimin e tyre.

Nga organet e ndjekjes bëjnë të ditur se pronat e përfshira në këtë skemë dyshohet se kapin vlera mjaft të mëdha financiare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit, dhe do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rastit”, thuhet në komunikaten e Prokuroris Speciale

Continue Reading

Lajmet

Tensione dhe përplasje me policinë në protestën e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Tiranë

Published

on

By

Studentë, gjimnazistë dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të martë para ambienteve të Ministrisë së Arsimit në Tiranë, në një protestë të njoftuar prej ditësh për të ngritur zërin kundër problematikave që prekin arsimin dhe të rinjtë.

Protesta e nisur rreth orës 14:00 ka përshkallëzuar me shpejtësi në tensione. Protestuesit kanë gjuajtur godinën e ministrisë me vezë, bojë të kuqe, gurë, sende të forta dhe kapsolla. Gjatë përplasjeve, disa prej tyre kanë shkulur kangjellat mbrojtëse të rrugës dhe kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e brendshme të institucionit.

Për të shpërndarë turmën, forcat e policisë kanë ndërhyrë me ujë dhe gaz lotësjellës, ndërsa gjatë përplasjeve fizike disa nga protestuesit janë shoqëruar në komisariat. Në terren janë angazhuar dhjetëra efektivë shtesë për të marrë nën kontroll situatën.

Tubimi i organizuar përmes rrjeteve sociale vjen me kërkesën për plotësimin e gjashtë pikave që lidhen me ngritjen e cilësisë në arsim dhe përmirësimin e kushteve për studentët. Përveç kërkesave arsimore, protestuesit kanë bërë thirrje politike duke kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe të kryeministrit Edi Rama.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Dr. Bekim Marmullaku takohet me profesorin nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore, Glenn Agung Hole, për mundësitë e bashkëpunimit akademik

Published

on

By

Udhëheqësi i Departamentit për Bashkëpunim në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, priti në takim profesorin Glenn Agung Hole nga Universiteti i Norvegjisë Juglindore (University of South-Eastern Norway – USN), me të cilin diskutoi mundësitë e zhvillimit të bashkëpunimit akademik dhe kërkimor ndërmjet dy institucioneve.

Gjatë takimit u diskutua për potencialin e bashkëpunimit në fushat e sipërmarrësisë, ekonomisë institucionale, zhvillimit rajonal dhe sigurisë kombëtare, me theks të veçantë në rolin e universiteteve në zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati i Tregut mbyll një biznes në Zubin Potok dhe shqipton gjobë 6,000 euro

Published

on

By

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka ndërmarrë masa ndaj disa subjekteve ekonomike gjatë inspektimeve të fundit në Komunën e Zubin Potokut, me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit dhe sigurisë në treg.

Gjatë këtij aksioni, inspektorët kanë mbyllur një biznes që ushtronte veprimtarinë pa u regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës, si dhe kanë sekuestruar produkte që nuk kishin deklaracion të prejardhjes. Po ashtu, ndaj një subjekti tjetër ekonomik është shqiptuar gjobë prej 6,000 eurosh pasi u ka shërbyer pije alkoolike personave të mitur.

Nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut kanë bërë të ditur se këto masa janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe respektimin e legjislacionit në fuqi.

“IQMT u bën thirrje të gjitha subjekteve ekonomike që të sigurojnë regjistrimin e rregullt të veprimtarisë së tyre në ARBK, të tregtojnë vetëm produkte me dokumentacionin përkatës dhe të respektojnë të gjitha dispozitat ligjore që rregullojnë ushtrimin e veprimtarisë ekonomike. IQMT do të vazhdojë me inspektime dhe mbikëqyrje të rregullta në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe trajtimit të çdo shkeljeje që cenon të drejtat e konsumatorëve dhe sigurinë e tregut”, thuhet në njoftimin e ministrisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara