Lajmet

Netanyahu bën thirrje për evakuim të paqeruajtësve të OKB-së nga zona e luftimeve në Liban

Published

on

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka bërë thirrje shefit të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, të dielën që t’i largojë paqeruajtësit e angazhuar në jug të Libanit, duke thënë se Hezbollahu po i shfrytëzon si “mburoja njerëzore”.

Hezbollahu, grup militant dhe parti politike që kontrollon pjesën më të madhe në jug të Libanit, është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, derisa Bashkimi Evropian e ka në listë të zezë vetëm krahun e armatosur, por jo partinë, e cila ka ulëse në Parlamentin e Libanit.

Thirrja e Netanyahut ndaj Guterresit ka ardhur një ditë pasi Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) e ka përsëritur refuzimin për t’u larguar nga zona kufitare, edhe pasi pesë pjesëtarë të saj janë plagosur, si pasojë e luftës Izrael-Hezbollah.

“Sekretar i Përgjithshëm, largojini forcat prej rrugës së dëmshme. Duhet vepruar tani, menjëherë”, ka thënë Netanyahu përmes një video-mesazhi të lëshuar nga zyra e tij.

Ai ka thënë se forcat izraelite u kanë kërkuar paqeruajtësve disa herë që të largohen, dhe që prezenca e tyre po u shërben “terroristëve të Hezbollahut si mburojë njerëzore”.

“Refuzimi juaj për t’i evakuuar ushtarët, i bën ata pengje të Hezbollahut. Kjo rrezikon edhe ata dhe jetën e ushtarëve tanë”, ka thënë Netanyahu.

Por, paqeruajtësit po vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tyre.

“Është vendim uanim të qëndrojmë, sepse është e rëndësishme që flamuri i OKB-së të qëndrojë lart në qiell në këtë rajon, të mund të raportojmë në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë zëdhënësi i forcës së OKB-së në Liban, Andrea Tenenti, në disa përgjigje për agjencinë e lajmeve AFP.

Ai ka thënë se Izraeli ka kërkuar që paqeruajtësit të largohen prej 29 pozicioneve në jug të Libanit.

Ditë më parë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Uashingtoni është ende duke punuar për të parandaluar një luftë të madhe në Lindje të Mesme, dhe i ka bërë thirrje Izraelit që t’i mbrojë civilët në Liban.

Lindja e Mesme vazhdon të jetë e alarmuar nga përshkallëzimi i mundshëm i luftës teksa Izraeli lufton grupet e mbështetura nga Irani, Hezbollahun në Liban dhe Hamasin – grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë./REL/

 

lajme

Maqedonci takon gjeneralmajorin Nawrat në Berlin: Diskutohet Plani Katërvjeçar i Mbrojtjes dhe anëtarësimi në A5

Published

on

By

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim dypalësh me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), gjeneralmajor Christian Nawrat, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Berlin (BSC).

Gjatë këtij takimi, ministri Maqedonci prezantoi prioritetet strategjike të dikasterit që drejton, me fokus të veçantë në zbatimin e planit strategjik katërvjeçar, zhvillimin e napërtëm të sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si dhe nismën e re ligjore që synon krijimin e Zonës së Industrisë për Mbrojtje në Kosovë.

Një vend të rëndësishëm në bisedime zuri edhe angazhimi i Kosovës për anëtarësim me të drejta të plota në Kartën e Adriatikut (A5), hap ky që vlerësohet kyç për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimin e integrimit euroatlantik në fushën e sigurisë.

Ministri Maqedonci nënvizoi se bashkëpunimi i ngushtë dhe koordinimi i vazhdueshëm me partnerët strategjikë, veçanërisht me SHBA-në, mbetet shtylla kryesore për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të vendit dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Pesë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

By

Policia e Kosovës ka regjistruar pesë raste të dhunës në familje gjatë 24 orëve të fundit në Prishtinë, Ranilluk, Gjakovë dhe Skenderaj, ku janë përfshirë sulme fizike, dhunë psikike dhe kanosje ndaj familjarëve.

Në Prishtinë, policia ka arrestuar një person nën dyshimin për ushtrim të dhunës psikike ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar menjëherë në mbajtje.

Në një tjetër incident në Ranillug, një burrë është sulmuar fizikisht nga një anëtar i familjes. Viktima ka marrë tretmanin e nevojshëm mjekësor, ndërsa i dyshuari është prangosur nga forcat e rendit dhe po ashtu është dërguar në mbajtje.

Ndërsa në Gjakovë janë regjistruar dy raste të ndara. Në rastin e parë, një grua ka pësuar lëndime trupore pas sulmit fizik nga një anëtar i familjes. Viktima ka pranuar ndihmë mjekësore, ndërsa dorasi është dërguar në mbajtje. Po në këtë komunë, një tjetër i dyshuar ka tentuar të sulmojë fizikisht dhe ka kanosur një anëtar të familjes; ai ka arritur të arratiset dhe aktualisht ndodhet në kërkim policor.

Ndërkaq, një rast tjetër i sulmit fizik është proceduar në Skenderaj, ku një i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor pasi kishte sulmuar fizikisht një grua. Pasi viktimës i është ofruar tretmani mjekësor dhe është kryer intervistimi i palëve, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Live

Fitore historike në Michigan: Abdul El-Sayed bëhet senatori i parë mysliman në historinë e SHBA-së

Published

on

By

Kandidati demokrat Abdul El-Sayed ka fituar garën e ngushtë për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke hyrë në histori si senatori i parë mysliman i Shteteve të Bashkuara, sipas projeksioneve të rrjeteve kryesore mediatike amerikane.

Fitorja e El-Sayed në Michigan i shtohet një serë humbjesh radhazi për Partinë Republikane në garat kyçe për Senat, përfshirë ato në Iowa, Kansas, Ohio, Maine, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Teksas.

El-Sayed, i cili përfaqëson krahun progresist të demokratëve, u përball me sfida të shumta gjatë fushatës. Mes tyre ishte edhe mbështetja që demokratja e moderuar Haley Stevens – të cilën ai e kishte mposhtur më parë në zgjedhjet brendapartiake – i dha publikisht rivalit të tij republikan, Mike Rogers, të mbështetur nga presidenti Donald Trump.

Suksesi i tij zgjedhor përbën një goditje direkte politike për administratën Trump. Gjatë fushatës, Presidenti e pati sulmuar vazhdimisht kandidatin demokrat me retorikë të ashpër dhe me përdorim të gjuhës islamofobike. Në fjalimin e tij pas shpalljes së fitores, El-Sayed iu referua këtyre sulmeve duke e cilësuar procesin si “një nga fushatat më të shëmtuara” që kishte përjetuar ndonjëherë.

Nga ana tjetër, rivali republikan Mike Rogers u kërkoi mbështetësve të tij të largoheshin nga shtabi elektoral në orët e para të mëngjesit, edhe pse këmbënguli se po përcillte me vëmendje procesin e numërimit. Kjo arritje në Michigan vulos një tjetër humbje strategjike për republikanët dhe konfirmon ndryshimet e mëdha në përbërjen e Senatit amerikan gjatë këtyre zgjedhjeve të mesmandatit. /CBS News/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Prishtinë për ngacmim të një gruaje: Dërgohet në mbajtje

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Ngacmim”, pasi i njëjti dyshohet se ka shqetësuar një grua në rrugët e kryeqytetit.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës, rreth orës 19:00. I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor nën dyshimin se e ka përcjellë dhe e ka ofenduar viktimën femër përgjatë rrugës.

Prokurori kujdestar ka vendosur masën e ndalimit, duke e dërguar të dyshuarin në mbajtje për procedura të mëtejshme ligjore. /E.A/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara