Zyra e Rregullatorit të Energjisë filloi mbledhjen, në të cilën pritet të merret vendimi për shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind.
Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.
Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë që protestuan të javën e kaluar.
Qeveria në detyrë i ka bërë thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.
Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë gjatë ditës brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Nëse bordi i ZRRE-së merr vendim për rritjen e çmimit të rrymës, atëherë tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.