Kulturë

Nëntë filmat më të përfolur në Kanë që mund të garojnë për Oscar

Published

on

Teksa Cannes Film Festival po mbyllet, vëmendja tashmë është zhvendosur te filmat që mund të jenë pretendentët kryesorë për nominime në Academy Awards. Historikisht, shumë filma që debutuan në Kanë kanë përfunduar më pas në garën për Oscar, dhe edicioni i këtij viti duket se nuk do të jetë ndryshe, sipas BBC.

Ja disa nga filmat më të përfolur që mund të dominojnë sezonin e çmimeve:

1.  Fjord
Fitues i Palmës së Artë në Kanë, drama e regjisorit Cristian Mungiu trajton përplasjen mes traditës konservatore dhe liberalizmit modern. Filmi ndjek një çift ungjillor rumun në Norvegji, të akuzuar për abuzim ndaj fëmijëve. Në role kryesore luajnë Sebastian Stan dhe Renate Reinsve.

2. Club Kid
Një nga surprizat amerikane të festivalit. Komedia dramatike e Jordan Firstman rrëfen jetën e një djali të shthurur që zbulon papritur se ka një djalë 10-vjeçar. Filmi është krahasuar me Anora për stilin energjik dhe humorin therës.

3. La Bola Negra / The Black Ball
Saga spanjolle e regjisoreve Javier Calvo dhe Javier Ambrossi trajton mënyrën se si marrëdhëniet homoseksuale janë fshirë nga historia e Spanjës. Filmi përfshin edhe paraqitje të Penélope Cruz dhe Glenn Close.

4. All of a Sudden
Drama e ndjerë e Ryusuke Hamaguchi, i njohur për Drive My Car, zhvillohet në Paris dhe trajton sëmundjen terminale, dashurinë dhe vetminë. Filmi është cilësuar emocionalisht shkatërrues.

5. The Man I Love
Rami Malek rikthehet me një rol të fuqishëm si një këngëtar homoseksual me AIDS në fundin e viteve ’80 në Nju Jork. Drama e Ira Sachs shihet si një mundësi serioze për nominime.

6. Notre Salut / A Man of His Time
Filmi biografik i Emmanuel Marre tregon historinë e një burokrati francez gjatë Luftës së Dytë Botërore që bashkëpunon me regjimin nazist, duke ngritur pyetje të forta morale.

7. El ser querido / The Beloved
Një dramë për botën e kinemasë ku Javier Bardem interpreton një regjisor temperamentor që punon me vajzën e tij në një film historik. Kritika e ka vlerësuar si një nga performancat më të mira të karrierës së tij.

8. Moulin
Regjisori hungarez László Nemes sjell një tjetër dramë të errët të Luftës së Dytë Botërore, bazuar në historinë reale të liderit të rezistencës franceze Jean Moulin.

9. Minotaur
Thrilleri psikologjik i Andrey Zvyagintsev rrëfen historinë e një oligarku rus që zbulon tradhtinë e gruas së tij, ndërsa në sfond shfaqet realiteti i luftës në Ukrainë. Filmi është cilësuar si një nga më të fuqishmit e festivalit. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart

Published

on

By

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, i shquar për rolet e tij ikonike si Kapiten Jean-Luc Picard në “Star Trek” dhe Profesor Charles Xavier në sagën “X-Men”, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare në shtëpinë e tij në Los Angeles. Njoftimi u bë i ditur përmes llogarisë së tij zyrtare në Instagram, ku u konfirmua se ai u ndaj nga jeta të mërkurën, më 28 tetor, pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupat Lewy.

Në deklaratën zyrtare thuhet se Stewart u ndaj nga jeta i rrethuar nga bashkëshortja e tij, Sunny, si dhe familjarët e miqtë e ngushtë. Përveç karrierës së tij të bujshme në kinematografi dhe televizion, ai u vlerësua lart si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës teatrale, fitues i dy çmimeve “Laurence Olivier” dhe një çmimi “Grammy”, ndërsa në vitin 2010 u dekorua me titullin “Kalorës” nga Mbretëresha Elizabeth II.

Karriera e tij e pasur përfshin dekada pune në teatër dhe film, ndërsa roli i tij i fundit i xhiruar do të shfaqet në filmin “Avengers: Doomsday”. Ndarja e tij nga jeta ka nxitur reagime të shumta dhe ngushëllime nga koleget, industria e artit dhe adhuruesit e tij në mbarë botën. /The Guardian/

 

Continue Reading

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKTK raporton rritje të të ardhurave dhe investimeve në trashëgiminë kulturore

Published

on

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka publikuar të dhënat për nëntëmujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026, duke evidentuar rritje të të ardhurave, investimeve dhe projekteve të konservimit e kërkimit arkeologjik.

Sipas të dhënave të institutit, të ardhurat janë rritur me 93 për qind krahasuar me vitin 2025, ndërsa investimet në pasurinë kulturore kanë shënuar rritje prej 400 për qind.

Edhe projektet e konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik kanë shënuar rritje të ndjeshme. Numri i tyre është rritur me 282 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe me 133 për qind në raport me vitin 2025.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në disa zona të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Lushnjën, Fierin, Korçën, Ersekën, Pogradecin, Divjakën dhe Sarandën.

Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje prej 279 për qind të monitorimeve arkeologjike krahasuar me vitin 2025.

Në kuadër të forcimit të kuadrit rregullator, numri i akteve nënligjore të miratuara ka arritur në tetë gjatë vitit 2026. Ndërkohë, aktmarrëveshjet për monitorimin arkeologjik janë rritur me 32 për qind krahasuar me vitin 2025 dhe me 164 për qind në raport me vitin 2024.

Sipas IKTK-së, këto të dhëna pasqyrojnë zgjerimin e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes, konservimit dhe studimit të trashëgimisë kulturore./atsh/A.K/

Continue Reading

Të kërkuara