Lajmet

Nënshkruhet vendimi për liberalizimin e vizave

Më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza.

Published

on

Në Strasburg është nënshkruar akti ligjor i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesi për vizat për Kosovën, This Reuten, tha gjatë një konference për media se më së largu nga 1 janari i vitit 2024, shtetasit e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Zonën Schengen.

Ai shtoi se ishte e padrejtë “dhe e paarsyeshme” zvarritja e procesit të vizave për Kosovën, pavarësisht se Prishtina kishte “punuar shumë dhe kishte plotësuar [kriteret] para shumë vjetësh”.

Një ditë më herët, më 18 prill, Parlamenti Evropian e miratoi vendimin për vizat, duke përmbyllur procedurat vendimmarrëse për këtë çështje.

Miratimi u bë pa votim, pasi nuk pati asnjë kundërshtim, dhe i hapi rrugën qytetarëve të Kosovës që të lëvizin pa viza në vendet e zonës Schengen prej 1 janarit të vitit 2024.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit, së bashku me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në selinë e Parlamentit Evropian, dhe u drejtua nga shefja e këtij institucioni, Roberta Metsola.

Pjesëmarrës në ceremoni ishte edhe një përfaqësues i Suedisë, meqë ky shtet kryeson Bashkimin Evropian në këtë periudhë.

Pas nënshkrimit të vendimit, hapi i fundit mbetet botimi i vendimit në Gazetën Zyrtare.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.

Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva./REL

lajme

Hapet aplikimi për shtesat prej 100 euro për studentët

Published

on

By

Është hapur aplikimi për studentët për përfitimin e shtesave në vlerë prej 100 eurosh, në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili ka njoftuar se aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova, në kategorinë “Familja”.

Sipas Muratit, janë dy formularë aplikimi, një për studentët shtetas të Kosovës dhe një tjetër për studentët që studiojnë në Kosovë, por nuk janë shtetas të saj.

Ai ka bërë të ditur se afati për aplikim do të jetë i hapur deri më 5 qershor.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme janë ekzekutuar edhe shtesat e njëhershme prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët.

Qeveria në detyrë e kishte miratuar më 22 maj Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila përfshin mbështetje financiare për pensionistët, fëmijët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat me të ardhura nën 1000 euro.

Continue Reading

Lajmet

Ekosistemi AI Fully Empowered i UBT-së, rol model në Javën Ndërkombëtare në Technical University of Sofia

Published

on

By

Stafi i UBT-së po merr pjesë në Javën Ndërkombëtare që po organizohet nga Technical University of Sofia, në Bullgari, ku po prezantohen zhvillimet më të fundit në teknologji, inteligjencë artificiale, inovacion dhe kërkim shkencor nga universitete dhe institucione të ndryshme ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi temën “UBT AI Fully Empowered Smart Sustain Society System – Case Studies from Education, Research, Innovation, Developments and Businesses”, përmes së cilës shpalosi modelin inovativ të UBT-së në integrimin e inteligjencës artificiale në arsim, kërkim shkencor, zhvillim teknologjik dhe industri.

Gjatë prezantimit, Rektori Hajrizi prezantoi vizionin strategjik të UBT-së për ndërtimin e një ekosistemi të plotë të mbështetur nga inteligjenca artificiale, duke theksuar se UBT është institucioni që ka lansuar ekosistemin e parë plotësisht AI-powered në Evropë, një model që integron proceset akademike, kërkimore, administrative dhe shërbimet për studentët në një platformë të vetme inteligjente dhe të automatizuar.

Ai potencoi se ky ekosistem u mundëson studentëve, stafit dhe partnerëve institucionalë një përvojë të personalizuar, vendimmarrje të bazuar në të dhëna, automatizim të proceseve dhe qasje të avancuar në teknologji digjitale, duke e pozicionuar UBT-në dhe Kosovën në hartën globale të inovacionit dhe zhvillimit high-tech.

Një fokus i veçantë i konferencës po i kushtohet edhe prezantimeve të stafit akademik dhe hulumtues të UBT-së, të cilët po kontribuojnë me tema të avancuara shkencore në fushën e inteligjencës artificiale, automatizimit, rrjeteve inteligjente dhe teknologjive moderne.

Në mesin e prezantimeve të stafit të UBT-së janë:

“A Hybrid Graph-Coloring and Metaheuristic Framework for Resource Allocation in Dynamic E-Health Wireless Sensor Networks” nga Besnik Qehaja;

“AI-driven personalized timetabling at UBT, a hybrid ML + CP-SAT approach for working students” nga Naim Llumnica;

“AI in Automation Industry – Automating License Plate Recognition for Kosovar Vehicles: A Robust YOLOv8 and EasyOCR Pipeline” nga Rigon Pira.

Pjesëmarrja e gjerë e stafit të UBT-së në këtë aktivitet dëshmon angazhimin e institucionit në promovimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, si dhe fuqizimin e rolit të profesorëve dhe hulumtuesve në zhvillimin e teknologjive të së ardhmes.

Java Ndërkombëtare në Technical University of Sofia ka bërë bashkë institucione të arsimit të lartë, profesorë, studiues dhe ekspertë nga vende të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, duke krijuar një platformë për shkëmbim përvojash, bashkëpunime akademike dhe prezantim të praktikave më inovative në arsimin e lartë dhe teknologji.

Continue Reading

Vendi

Arkitekti Lendi Osmani nga UBT vlerësohet me çmimin ndërkombëtar BIG SEE Awards

Published

on

By

Asistent Profesori dhe arkitekti Lendi Osmani, pjesë e UBT-së, është vlerësuar me çmimin ndërkombëtar BIG SEE Awards në fushën e Arkitekturës.

Ky çmim u ndahet arkitektëve që kontribuojnë në arkitekturën bashkëkohore përmes inovacionit, dizajnit dhe ndikimit shoqëror. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Slovenia, duke mbledhur arkitektë dhe profesionistë të njohur nga vende të ndryshme të botës.

BIG SEE Awards është një nga platformat më të njohura rajonale dhe ndërkombëtare në fushën e arkitekturës dhe dizajnit, që promovon kreativitetin dhe projektet me ndikim në shoqëri. Ky vlerësim konsiderohet sukses i rëndësishëm edhe për komunitetin akademik të UBT-së.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së njihen me rrugëtimin e Japonisë nga tradita e samurajve deri te një prej shteteve më të avancuara në botë

Published

on

By

Në kuadër të aktiviteteve në Ditët e Artit dhe Dizajnit, Fakulteti i Artit dhe Dizajnit në UBT organizoi një aktivitet të veçantë kulturor dhe akademik, i realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Japonisë në Kosovë dhe Asociacionin e Miqësisë Kosovaro-Japoneze.

Aktiviteti, i mbajtur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, bëri bashkë studentë, profesorë, artistë dhe mysafirë të shumtë të interesuar për historinë, kulturën dhe zhvillimin e Japonisë.

Ngjarja u hap me fjalën përshëndetëse të Dekanes së Fakultetit të Artit dhe Dizajnit, Prof. Dr. Ariana Gjoni, e cila vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve ndërkulturore në pasurimin e përvojës akademike të studentëve dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar përmes artit, dizajnit dhe edukimit.

Më pas, Prof. Afërdita Statovci theksoi rëndësinë e njohjes së kulturave të ndryshme botërore si pjesë e formimit profesional dhe artistik të studentëve, duke nënvizuar se arti dhe dizajni janë gjuhë universale që lidhin popujt dhe traditat.

Në emër të Asociacionit të Miqësisë Kosovaro-Japoneze, Luljeta Arifi foli për marrëdhëniet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, duke vlerësuar rolin e institucioneve arsimore në promovimin e dialogut kulturor dhe shkëmbimit të përvojave mes dy vendeve.

Pika qendrore e aktivitetit ishte ligjërata e mbajtur nga Hiroyasu Tanigaki, përfaqësues i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, me temën “Nga Samurai deri te shteti modern”. Përmes një prezantimi të pasur me informacione historike dhe kulturore, ai prezantoi transformimin e Japonisë ndër shekuj, duke filluar nga periudha e samurajve e deri te zhvillimi i saj si një nga shtetet më të avancuara teknologjikisht dhe ekonomikisht në botë.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen më nga afër me vlerat tradicionale japoneze, filozofinë e disiplinës, inovacionin, zhvillimin urban dhe ndikimin global të kulturës japoneze në art, dizajn, teknologji dhe industri kreative. Ligjërata u përcoll me interes të madh nga studentët, të cilët zhvilluan diskutime dhe shkëmbyen pyetje mbi aspektet kulturore dhe zhvillimore të Japonisë.

Aktiviteti dëshmoi edhe një herë përkushtimin e UBT-së në organizimin e ngjarjeve që ndërthurin dijen, kulturën dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke krijuar mundësi të reja për studentët që të mësojnë nga përvoja dhe modelet më të avancuara globale.

Continue Reading

Të kërkuara