Kronikë e zezë

Nenad Gjuriq pranon fajësinë për deklarim të rrejshëm të pasurisë

Ai ka thënë se për shkak të një keqkuptimi nuk e ka raportuar saktë pasurinë për vitin 2020.

Published

on

Ish-drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në veri të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, e ka pranuar fajësinë lidhur me akuzën për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, duke thënë se për shkak të një keqkuptimi nuk e ka raportuar saktë pasurinë për vitin 2020.

Gjuriq ngarkohet se nuk ka paraqitur saktë në Agjencionin kundër Korrupsionit (AKK) të hyrat për periudhën 1 janar-31 dhjetor 2020, duke deklaruar se gjatë 2020-ës ka realizuar të ardhura neto prej 14 mijë e 760 euro, edhe pse i njëjti kishte realizuar të ardhura neto 19 mijë e 342 euro e 1 cent, me çka i njëjti ka deklaruar 4 mijë e 582 euro e 15 centë, më pak.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari Gjuriq e dha në shqyrtimin fillestar të së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arjan Xhema.

Paraprakisht, të akuzuarit Gjuriq iu lexuan të drejtat e tij, pasojat dhe benefitet e pranimit të fajësisë në shqyrtimin fillestar, nga gjyqtari i rastit Xhemajl Jusufi.

“Kjo ka ndodhur për shkak të një keqkuptimi me Agjencinë kundër Korrupsionit, nuk kam pasur asnjëherë qëllim që të kryej ndonjë veprim të kundërligjshëm, më vjen keq për këtë, prandaj dhe e pranoj fajësinë”, deklaroi Gjuriq.

Kurse, prokurori Xhema i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga i akuzuari Gjuriq, pasi që ky pranim është bërë në mënyrë vullnetare, pas konsultimit të të akuzuarit me mbrojtësin e tij, avokatin Lubomir Pantoviq dhe në përputhje me shkresat e lëndës.

Po ashtu, mbrojtësi i të akuzuarit Gjuriq, avokati Pantoviq i propozoi gjykatës që të aprovojë pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij, duke shtuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e parapara me nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, në lidhje me pranimin e fajësisë në shqyrtimin fillestar.

Më pas, gjyqtari Jusufi aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke konstatuar se janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore.

Në lidhje me caktimin e sanksionit penal, prokurori Xhema i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit dhe si rrethanë rënduese të marrë parasysh faktin se vepra për të cilën akuzohet Nenad Gjuriq hyn në kapitullin e korrupsionit zyrtar dhe veprave penale kundër detyrës zyrtare, ndërsa si rrethanë lehtësuese të merret parasysh pranimi i fajësisë nga i njëjti.

Ndërsa, avokati Pantoviq në lidhje me sanksionin penal, i propozoi gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të shqiptojë dënim me kusht ose dënim të ulët me gjobë, pasi sipas tij kështu do të arrihej qëllimi i dënimit, i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

“Në anën e të mbrojturit tim ekzistojnë vetëm rrethana lehtësuese, kurse rrethana rënduese që e përmendi prokurori nuk ekziston, sepse ligjdhënësi për secilën vepër penale ka përcaktuar dënimin dhe nuk mund të thuhet se i mbrojturi im duhet të dënohet më rëndë, vetëm për shkak se ka kryer veprën penale nga kapitulli në fjalë”, tha avokati Pantoviq.

I njëjti shtoi se i akuzuari Gjuriq e ka pranuar fajësinë që në fazën e hetimit, asnjëherë më parë nuk ka kryer vepër penale, është njeri familjar dhe ndaj tij nuk zhvillohet procedurë tjetër penale.

“Konsideroj se në këtë rast është përmbushur neni 26 i KPRK-së i lajthimit juridik, sepse i mbrojturi im ndër vite me rregull e ka raportuar pasurinë, por në periudhën kritike ka qenë koha e pandemisë COVID-19, i njëjti ka punuar me orar të stërgjatur dhe për këtë ka pranuar pagën më të lartë se zakonisht, për shkak të disa shtesave që i kanë marrë dhe nuk e ka ditur që këto shtesa është dashur të raportohen”, deklaroi avokati Pantoviq.

Ai shtoi se është i vetëdjshëm për parimin se mosnjohja e ligjit nuk arsyetohet, por tha se e konsideron të rëndësishme që gjykata ta ketë parasysh këtë fakt, me rastin e caktimit të dënimit.

Në anën tjetër, i akuzuari Nenad Gjuriq deklaroi se e mbështet deklarimin e mbrojtësit të tij, ndërsa shprehu keqardhje për rastin.

Gjyqtari Xhemajl Jusufi njoftoi se shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të bëhet më 3 mars 2023.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 20 shtator 2022 ka ngritur aktakuzë kundër Nenad Gjuriq, me arsyetimin se për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2020, në cilësinë e drejtorit Rajonal të Policisë së Kosovës në Mitrovicë-Veri, nuk ka deklaruar në formularin e deklarimit të pasurisë, në mënyrë të saktë të hyrat e realizuara gjatë vitit 2020.

Sipas aktakuzës, i pandehuri ka qenë i detyruar që në Agjencionin kundër Korrupsionit (AKK) të bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga data 1 e deri më 31 mars 2021, mirëpo i njëjti nuk ka paraqitur saktë të hyrat e realizuara për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2020, duke deklaruar se gjatë vitit të lartcekur ka realizuar të ardhura neto prej 14 mijë e 760 euro, edhe pse i njëjti kishte realizuar të ardhura neto 19 mijë e 342 euro e 1 cent, me çka i njëjti ka deklaruar 4 mijë e 582 euro e 15 centë, më pak.

Me këtë, Gjuriq akuzohet se ka kryer veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, par.2 dhe 1 të KPRK-së.

Ndryshe, më 3 nëntor 2022, Policia e Kosovës me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar drejtorin Rajonal të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, pasi kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e veturave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës. Pas këtij vendimi, pjesëtarët e komunitetit serb janë larguar nga institucionet e Kosovës.

Ndërsa, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se është marrë vendim për ndërprerje të marrëdhënies së punës së Gjuriq, vendim për të cilin ky i fundit ka të drejtë të paraqesë ankesë.

lajme

Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për laborator droge dhe armëmbajtje pa leje

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, me inicialet I.M., M.M. dhe K.S., të cilët dyshohen për kultivim të kanabisit në një laborator të improvizuar, armëmbajtje pa leje dhe dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale.

Sipas aktakuzës, të pandehurit I.M. dhe M.M. dyshohet se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimën “Cannabis Sativa” në një shtëpi të marrë me qira në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve, deri më 2 prill 2026. Hetimet tregojnë se I.M. ka financuar këtë veprimtari duke blerë pajisjet e nevojshme, ndërsa M.M. është marrë me instalimin e tyre dhe kultivimin e bimëve.

Gjatë bastisjes së kryer më 2 prill, policia ka zbuluar një laborator të pajisur për ndriçim, ngrohje e ventilim, si dhe ka sekuestruar 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike prej të cilave 450 brenda shtëpisë dhe 256 në një automjet të parkuar në oborr. Po atë ditë, në një deponi në Prizren janë gjetur mbetje të djegura të kanabisit, të cilat dyshohet se M.M. ka tentuar t’i asgjësojë.

Përveç veprës penale të kultivimit të narkotikëve, I.M. dhe M.M. ngarkohen edhe për armëmbajtje pa leje, pasi gjatë kontrolleve në shtëpinë e I.M.-së janë gjetur 27 fishekë, kurse tek M.M.-ja një pistoletë e konvertuar me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.

Ndërkaq, i pandehuri i tretë, K.S., akuzohet se më 31 mars dhe 1 prill 2026 e ka ndihmuar M.M.-në në fshehjen e gjurmëve, duke i bartur me automjetin e tij thasët e mbushur me bimë narkotike drejt deponisë për t’i asgjësuar. Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. /E.A/

 

Continue Reading

Kronikë e zezë

Raportohet një person i zhdukur në Prizren

Published

on

By

Një person është raportuar i zhdukur në Prizren, pasi ka dalë nga shtëpia dhe që atëherë nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, bëhet fjalë për një burrë kosovar, largimi i të cilit nga shtëpia është raportuar nga familjarët.

Policia ka bërë të ditur se rasti është duke u hetuar. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Dy raste të armëmbajtjes pa leje në Podujevë, policia konfiskon armë dhe fishekë

Published

on

By

Dy raste të mbajtjes së paautorizuar të armëve janë raportuar në Podujevë, ku Policia e Kosovës ka konfiskuar dy armë zjarri dhe municion.

Në rastin e parë, njësitë policore kanë ndaluar një burrë, të cilit gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me nëntë fishekë. I dyshuari është arrestuar dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Ndërkaq, në rastin e dytë, një tjetër burrë është arrestuar pasi gjatë kontrollit të veturës së tij është gjetur një pushkë gjuetie dhe tetë fishekë.

Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve në Kosovë, në Podujevë, Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Prizren.

Në Podujevë, një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit ka shkuar te familjarët e saj. I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër është raportuar në Prishtinë, ku një grua dhe një burrë dyshohet se janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje. Si pasojë, njëri prej tyre ka pësuar lëndime dhe ka marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dy janë liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.

Në Fushë Kosovë, një grua shtetase e Shqipërisë dyshohet se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me thikë nga një burrë. I dyshuari është arrestuar dhe, pas përfundimit të procedurave, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Ndërkohë, në Prishtinë, policia ka arrestuar një burrë në kuadër të hetimeve për një rast të raportuar më herët. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri me një karikator me 14 fishekë. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Edhe në Prizren është raportuar një rast i dhunës në familje, ku një burrë dyshohet se ka shkuar në shtëpinë e viktimës dhe ka kanosur një grua. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara