Lajmet

Negociatat LVV-LDK: Kurti dhe Abdixhiku diskutojnë emrat e parë për president

Published

on

Takimi i pestë radhazi i zhvilluar mbrëm mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa një epilog final, por me një hap të rëndësishëm përpara drejt zgjidhjes së nyjës politike. Për herë të parë, dy liderët kanë hedhur në tavolinë emra të përveçëm për postin e presidentit të ri konsensual.

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të zbulojë emrat e propozuar, meqë janë dakorduar që të ruajnë konfidencialitetin e plotë deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, e cila do t’i hapte rrugë konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re.

Pas takimit, kreu i LVV-së, Albin Kurti, e ka vlerësuar bisedën si mjaft serioze dhe ka shpjeguar dinamikën e re të negociatave.

“Diskutimi ishte i hapur, serioz, i sinqertë. Do të vazhdojmë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi biseduar me dhe për emra të përveçëm. Tash negocimi është shumë i vështirë sepse duhet të diskutohet hollësisht dhe gjerësisht… Por lista zvogëlohet kur është e qartë se nuk mund të ketë dakordim për emër të përveçëm”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu sqaroi se personat e propozuar nuk janë pyetur paraprakisht.

“Paraprakisht duhet të dakordohemi ne, andaj në këtë fazë nuk mund të flasim konkretisht për emra të përveçëm që sot për herë të parë jemi duke i trajtuar si emra për president të mundshëm”, shtoi ai.

Sa i përket vonesave në konstituimin e Kuvendit, Kurti ka hedhur poshtë pretendimet për shkelje të Kushtetutës.

“Kushdo që konsideron se ka pasur shkelje kushtetuese, mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e kanë dhënë betimin, ata janë deputetë të Republikës së Kosovës ndonëse s’ka Kuvend të konstituuar… Neve na duhet marrëveshja politike, nuk besoj se po e shkelim Kushtetutën”, u shpreh Kurti, duke rikujtuar se edhe vitin e kaluar procesi kishte marrë më shumë se gjashtë muaj kohë.

Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, konfirmoi se propozimet e bëra përkojnë me kornizën e diskutuar deri më tani.

“Në tërësinë e emrave të prezantuar mund të thëm se të gjithë emrat, dikush më shumë e dikush më pak, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani dhe në këtë drejtim le të thëmi se ky është një hap përpara. Nuk mund të diskutoj për emra konkretë në këtë fazë, por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të përzgjedhur presidentin e ardhshëm”, deklaroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së nëvizoi se prania e partisë së tij në këto negociata është konstruktive, por bëri me dije se LDK-ja mbetet me pozicion të pavarur.

“LDK-ja është garanci institucionale. LDK-ja as nuk e konstituon Kuvendin vetvetiu, as nuk e thërret seancën e Kuvendit. Për LDK-në jemi në paqartësi të thella kushtetuese, gjënë e vetme që mund ta bëjë është që të jetë e arsyeshme për zgjedhjen e presidentit. Por nëse dikush ende beson se LDK-ja është vagon i ndonjë partie tjetër, kohët kanë ndryshuar shumë”, nëvizoi ai.

Përderisa LVV dhe LDK kanë zhvilluar takime disa herë , dy partitë e tjera opozitare, PDK dhe AAK, vazhdojnë të refuzojnë përfshirjen në këtë proces. Të dyja këto subjekte insistojnë vetëm në konstituimin e menjëhershëm të Kuvendit, një opsion ky që sipas LVV-së rrezikon të ripërsërisë skenarin e paszgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku mungesa e marrëveshjes për presidentin bllokoi funksionimin e plotë të institucioneve.

Palët pritet të takohen sërish në ditët në vijim për të ngushtuar listën e kandidatëve dhe për të tentuar arritjen e marrëveshjes finale. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KGJK refuzon kthimin e gjyqtarëve dhe stafit serb të dorëhequr në veri: Emrat i dërgohen Presidentes për lirim nga detyra

Published

on

By

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka refuzuar kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit administrativ serb në veri të vendit për tërheqjen e dorëheqjeve dhe rikthimin e tyre në sistemin gjyqësor, pas dorëheqjes masive që kishin bërë në vitin 2022.

Vendimi u mor me 9 vota për, 1 kundër dhe 1 abstenim. Pas këtij vendimi, emrat e zyrtarëve serbë do t’i përcillen ushtrueses së detyrës së presidentes për lirim zyrtar nga detyra.

Artan Abazi, anëtar i KGJK-së kundërshtoi rikthimin e tyre, duke theksuar se dorëheqjet e vitit 2022 ishin të parevokueshme dhe se mungesa katërvjeçare i ka bërë ata profesionalisht të papërshtatshëm për shkak të ndryshimit të ligjeve dhe praktikave.

“Duke pasur parasysh që në vitin 2022, këta gjyqtarë me vullnetin e tyre kanë dhënë dorëheqje të parevokueshme… ata kanë humbur edhe aftësinë profesionale për ta ushtruar pozitën. Po ashtu, konsideroj se disa janë të përfshirë në aktivitete politike dhe s’kanë vend në sistem, ndërsa për disa nuk e dimë nëse kanë kryer vepra penale”.

Ivana Milenkoviq, anëtare e KGJK-së mbështeti kërkesën për rikthim, duke argumentuar se pranimit i tërheqjes së dorëheqjeve do të garantonte të drejtat kushtetuese për qytetarët e atij rajoni.

Me këtë vendim, KGJK-ja u ka dhënë fund speculimeve për një rikthim të mundshëm të zyrtarëve të dorëhequr, duke hapur rrugën për përmbylljen ligjore të statusit të tyre. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

KURIOZITETET E DITËS

Published

on

Lexoni pesë kuriozitete. Mund të mos i keni ditur:

 

  1. Mund të ketë një kurë për ‘të keqen’. Epo, një kurë për psikopatinë, gjithsesi. Psikologët argumentojnë se aspekte të psikopatisë mund të “shërohen” nga terapia njohëse-sjellëse, e cila thuhet se zvogëlon veprat penale të dhunshme nga ata me këtë gjendje. Hulumtimet paraprake sugjerojnë se trajnimi njohës i bazuar në kompjuter mund të ndihmojë një psikopat të përjetojë edhe empati dhe keqardhje.

 

  1. Lojtarët e futbollit pështyjnë kaq shumë sepse ushtrimet rrisin sasinë e proteinave në pështymë. Kur ushtroheni, sasia e proteinave të sekretuara në pështymë rritet. Një proteinë mukus e quajtur MUC5B e bën pështymën tuaj më të trashë kur ushtroheni, gjë që e bën më të vështirë gëlltitjen, kështu që ne kemi tendencë të pështyjmë më shumë. Mund të ndodhë gjatë ushtrimeve sepse marrim frymë më shumë përmes gojës. Prandaj, MUC5B mund të aktivizohet për të ndaluar tharjen e gojës sonë.

 

  1. Disa kafshë shfaqin tipare të ngjashme me autizmin. Tiparet autistike tek kafshët përfshijnë një tendencë drejt sjelljes përsëritëse dhe zakoneve shoqërore atipike.

 

  1. Flutura më e madhe në botë ka një hapje krahësh prej 31 cm. I përket fluturës Birdving të Mbretëreshës Aleksandra, të cilën mund ta gjeni në pyjet e Provincës Oro, në lindje të Papua Guinesë së Re.

 

  1. Mbani mend më shumë ëndrra kur flini keq. Hulumtimet sugjerojnë se nëse flini keq dhe zgjoheni disa herë gjatë natës, do të keni më shumë gjasa të kujtoni përmbajtjen e çdo ëndrre që keni parë. Gjithashtu keni më shumë gjasa të mbani mend një ëndërr kur zgjoheni nga një e tillë.

Continue Reading

Lajmet

Meta pranon marrëveshje deri në 16.68 miliardë dollarë për akuzat lidhur me sigurinë e fëmijëve

Published

on

Meta, kompania mëmë e Facebook dhe Instagram, ka rënë dakord të paguajë deri në 16.68 miliardë dollarë për të zgjidhur një seri pretendimesh të ngritura nga shtete amerikane lidhur me mënyrën se si platformat e saj trajtojnë përdoruesit e mitur.

Sipas dokumenteve gjyqësore, autoritetet pretendojnë se Meta ka projektuar Facebook dhe Instagram në mënyrë që të krijonin varësi te fëmijët, ka mashtruar konsumatorët për sigurinë e platformave dhe ka mbledhur në mënyrë të papërshtatshme të dhënat personale të fëmijëve.

Marrëveshja është arritur gjatë një gjyqi federal në Kaliforni, ku ishin përfshirë pretendime nga 29 shtete amerikane, duke shmangur një proces gjyqësor të profilit të lartë mbi ndikimin e mediave sociale te të rinjtë.

Në kuadër të marrëveshjes, Meta ka pranuar të bëjë edhe ndryshime për përdoruesit adoleshentë në Facebook dhe Instagram, përfshirë kufizime të përdorimit ditor dhe bllokime gjatë natës.

Pretendimet janë pjesë e një vale më të gjerë padish ndaj kompanive të mediave sociale, të cilat akuzohen se kanë kontribuar në një krizë të shëndetit mendor të të rinjve në Shtetet e Bashkuara.

Rasti përfshin gjithashtu akuza se Meta ka shkelur ligjet federale për mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve në internet, duke mbledhur të dhëna personale nga përdorues për të cilët kompania e dinte se ishin fëmijë, pa njoftimin ose pëlqimin e prindërve. Sipas pretendimeve, të dhënat janë përdorur edhe për trajnimin e modeleve të mësimit automatik dhe inteligjencës artificiale gjeneruese.

Meta i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për mbrojtjen e fëmijëve. Kompania ka argumentuar gjithashtu se nuk mund të akuzohet për mashtrim mbi “varësinë nga mediat sociale”, pasi kjo nuk konsiderohet një diagnozë e njohur psikiatrike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dua Lipa zbulon librin e saj të zgjedhur për shtatorin: “Martyr!” nga Kaveh Akbar

Published

on

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka zbuluar librin e radhës në rubrikën e saj mujore “Dua’s Monthly Read” për muajin shtator 2026.

Zgjedhja e saj është romani “Martyr!” i shkrimtarit iraniano-amerikan Kaveh Akbar, një vepër që trajton tema si identiteti, humbja, varësia, arti dhe kërkimi i kuptimit të jetës.

Romani ndjek Cyrus Shams, një të ri iraniano-amerikan që përballet me humbjen e nënës së tij dhe me të kaluarën e varësisë. Nëna e tij humbi jetën në vitin 1988, kur avioni Iran Air Flight 655 u rrëzua pasi u godit nga një kryqëzor amerikan mbi Gjirin Persik.

Ndërsa përpiqet të jetojë në abstinencë dhe të gjejë një kuptim për jetën, Cyrus zhvillon një obsesion me konceptin e martirizimit. Për Duan, pikërisht kjo është një nga idetë që e bën romanin kaq të veçantë.

“Martyr! më bëri të mendoj për martirizimin në mënyra që nuk i kisha konsideruar kurrë më parë”, ka shkruar ajo.

Dua ka vlerësuar gjithashtu mënyrën se si romani e trajton këtë temë përtej konceptit tradicional të sakrificës për një kauzë apo vend. Një pikë kyçe e historisë është takimi i Cyrusit me Orkideh, një artiste e sëmurë përfundimisht, e cila po i kalon ditët e fundit të jetës së saj e ekspozuar në Muzeun e Bruklinit.

“Martyr! vlon nga një energji kaotike dhe një etje për jetën që bie ndesh me obsesionin e Cyrusit për vdekjen”, ka shkruar Dua.

Ajo ka veçuar edhe humorin e pazakontë të romanit, mënyrën se si protagonisti përpiqet të luajë rolin e “njeriut të mirë”, ndërsa punon si aktor mjekësor që simulon dhimbjen për para, si dhe një sekuencë ëndrre ku shfaqet edhe Lisa Simpson.

Për Duan, romani bashkon temat e rënda me humorin dhe një energji të veçantë.

“Ky roman është i thellë, i sinqertë, rregullisht komik dhe krejt ndryshe nga çdo gjë që kam lexuar më parë”, është shprehur ajo.

Me “Martyr!”, Dua Lipa vazhdon traditën e rubrikës së saj mujore të leximit, përmes së cilës ndan me ndjekësit libra që i kanë lënë mbresë dhe nxit interesin për letërsinë te një audiencë e gjerë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara