Lajmet

Në UP nuk përfillen masat kundër pandemisë

Sigurimi: S’kemi staf të mjaftueshëm që të kontrollohen të gjithë studentët.

Published

on

Pa ndonjë pengesë, studentët në Fakultetin Juridik e Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” hyjnë brenda objektit ku kanë nisur të mbahen ligjëratat.

Edhe pse të gjitha fakultetet kanë autorizuar të paktën një person që të kontrollojë në hyrje të objekteve nëse po respektohen masat kundër koronavirusit, por të njëjtit, për një kohë të gjatë nuk janë parë në hyrje të fakulteteve.

Mungesë e këtij kontrolli vërehet edhe në fakultetet e tjera, si ai i Arteve dhe ai i Edukatës Fizike.

Prorektori për Zhvillim dhe Cilësi, Elton Bahtiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se strukturat e fakulteteve kanë vendosur persona përgjegjës për të kontrolluar të gjithë studentët që hyjnë në fakultete nëse janë të vaksinuar kundër koronavirusit.

Megjithatë, ai nuk është i sigurt nëse kontrollohen të gjithë studentët.

“Ky personi përgjegjës duhet të kërkojë nga gjithsecili person që futet në fakultet dëshminë e vaksinimit apo testet e caktuara. Në të kundërtën, ata që nuk janë të vaksinuar duhet të kthehen prapa”, thotë Bahtiri.

Në Rektoratin e UP-së thonë se mbi 84,000 studentë janë të vaksinuar me dozën e parë, ndërsa 58,536 janë të vaksinuar plotësisht, me të dy dozat e vaksinës.

Prodekani i Fakulteti Juridik, Florent Muçaj, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në kuadër të këtij fakulteti personeli i sigurimit është angazhuar që të bëjë kontrollet për vaksinim, ashtu siç kërkohet edhe me vendimin e qeverisë. Sipas tij, këto kontrolle bëhen në mënyrë të rregullt.

“Ne kemi bërë çfarë është e mundur brenda hapësirave që kemi, që në mënyrë rigoroze t’i respektojnë rregullat kundër COVID-19. Keni parasysh edhe faktin që ndajmë të njëjtin objekt me Fakultetin Ekonomik dhe respektivisht përgjegjësitë janë të ndara”, thotë Muçaj.

Mirëpo, kur gazetarët e Radios Evropa e Lirë ishin të pranishëm në hyrje të këtyre dy fakulteteve, studentët nuk kontrolloheshin në hyrje dhe as personat përgjegjës për këto kontrolle nuk gjendeshin në hyrje të objekteve.

Brenda Fakultetit Juridik, në sallat ku mbahen ligjëratat, janë të vendosura shenjat që ua bëjnë me dije studentëve ku duhet të ulen në mënyrë që të mbajnë distancën fizike, të kërkuar sipas masave të qeverisë.

Nexhmie Vokshi, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik, thotë për Radion Evropa e Lirë se vetëm studentët e vaksinuar dhe ata që ofrojnë dëshmi se nuk janë të infektuar me koronavirus, mund t’i ndjekin ligjëratat.

“Gjithsesi, studentët duhet të jenë të vaksinuar. Ende nuk kemi ndonjë vendim ose rregull se a duhet edhe profesori të kërkojë dëshmi nga studentët se a janë të vaksinuar përveç kontrolleve që u bëhet në hyrje nga sigurimi”, shprehet Vokshi.

Punëtorët e sigurimit, vetëm pas qëndrimit të gazetarëve të Radios Evropa e Lirë në disa fakultete, nisën kontrollimin e studentëve.

Disa punëtorë të sigurimit thanë se nuk ka staf të mjaftueshëm që të kontrollohen të gjithë studentët.

Kontrolle, mesditën e së martës, më 19 tetor, nuk kishte as në hyrje të Fakultetit Filozofik e as në atë të Filologjisë.

Disa nga studentët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thanë se janë të vaksinuar me të dyja dozat e disa me një. Ata kanë mendime të ndryshme rreth asaj se a duhet të lejohen të hyjnë në sallën ku mbahen ligjëratat edhe studentët që nuk janë të vaksinuar.

Kujtimi, student në Fakultetin Ekonomik, thotë se me kohë është vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Për të, nuk do të ishte problem që një koleg i tij t’i përcjellë ligjëratat edhe nëse nuk do të ishte i vaksinuar.

“Unë jam pajtuar me të se ky virus do të jetë gjatë në mesin tonë”, thekson ai.

Por, ndryshe mendon Albiona Mollopolci, e cila thotë se nuk do të pranonte të merrte pjesë në një ligjëratë me dikë që është i pavaksinuar kundër koronavirusit.

“Nuk do të doja të jem afër dikujt që nuk është i vaksinuar. Pse të infektohem unë nga ai, kur ai e ka mundësinë që të vaksinohet?”, thotë Mollopolci.

E, sipas Sara Beqanit, që studion në Fakultetin Juridik, masat kundër pandemisë COVID-19 duhet të respektohen kudo.

“Të gjithë jemi të rrezikuar, të vaksinuar e të pavaksinuar. Edhe për mua do të ishte problem që të rrija në një ligjëratë me dikë që nuk është i vaksinuar”, u shpreh ajo.

Sipas drejtoreshës së Institutit të Shëndetësisë Publike në Mitrovicë, epidemiologes Teuta Fejza, mosrespektimi i masave mund të rrisë rastet me koronavirus.

“Masat mbrojtëse janë të caktuara dhe nëse ato nuk respektohen kudo, jo vetëm në fakultete, rastet mund të rriten. Në këtë rast, edhe fakultetet mund të jenë burim i infektimeve”, thotë Fejza.

Ditëve të fundit numri i rasteve me COVID-19, në Kosovë ka rënë ndjeshëm, ndërkohë mosrespektimin i masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë vërehet kudo, sidomos në rrugë ku njerëzit nuk bartin maska. Mosrespektimi i masave sidomos vërehet nëpër kafiteri.

Sipas masave, të cilat janë në fuqi nga data 27 shtator, institucionet, por edhe bizneset e gastronomisë janë të obliguara që të caktojnë një apo më shumë persona përgjegjës, që do të kontrollojnë posedimin e certifikatës së vaksinimit ose testet negative për COVID-19.

Continue Reading

lajme

Protestat vazhdojnë në Prishtinë: Kërkohet që vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare

Published

on

By

Protesta kundër vrasjes së Arlinda Zekajt ka vazhduar edhe sot në Prishtinë, ku qytetarët janë mbledhur për të tretën ditë radhazi në sheshin e kryeqytetit për të kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Gjatë ditës së sotme, protestuesit janë ndalur edhe para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur pakënaqësi të thellë ndaj mënyrës se si po menaxhohen e trajtohen rastet e dhunës ndaj grave nga organet kompetente.

Këto aksione po organizohen nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, nën moton kryesore “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Continue Reading

Lajmet

Akil Gjakova mbyll garën pa medalje në Abu Dhabi

Published

on

By

Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka mbyllur pa medalje paraqitjen e tij në Grand Slam-in e Abu Dhabit, pasi u mposht në përballjen e drejtpërdrejtë për vendin e tretë.

Në kategorinë deri në 73 kilogramë, Gjakova u ndal në luftën për medaljen e bronztë nga xhudisti rus Karen Galstian. Pejani e nisi garën i lirë në xhiron e parë, ndërsa në të dytën mposhti me Ippon izraelitin Ohad Moritz. Suksesin më të madh e shënoi në raundin e tretë ku eliminoi nënkampionin e botës, Makhmadbek Makhmadbekov, po ashtu me Ippon në kohën shtesë.

Pasi u mposht në çerekfinale nga azerbajxhanasi Hidayat Heydarov, Gjakova kërkoi suksesin përmes repesazhit, por nuk arriti të ngjitej në podiumin e fituesve. /E.A/

Continue Reading

lajme

Nën hetim për projektin e kryeqytetit: Përparim Rama paraqitet në Prokurorinë Speciale

Published

on

By

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale ku po intervistohet në cilësinë e të dyshuarit lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.

Rama arriti në prokurori i shoqëruar nga avokati Artan Çerkini, teksa para hyrjes deklaroi shkurtimisht se detyra e tij është ndërtimi i kryeqytetit, ndërsa e organit të ndjekjes është të sigurohet që gjithçka bëhet në përputhje me ligjin. Hetimet për këtë projekt ndërlidhen me procedurat e prokurimit publik, vlerën prej 12 milionë eurosh, si dhe me dyshimet për manipulim të stafit e konflikt interesi.

Intervistimi i kryetarit të Prishtinës vjen pas tensioneve publike dhe paralajmërimeve nga zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje për arrestimin e tij të mundshëm, reagime këto që pasuan ndryshimet e fundit në udhëheqjen e Prokurorisë Speciale, ku pas shkarkimit të Blerim Isufajt, detyra i është besuar prokurorit Dren Paca.

Ndaj deklaratave të përfaqësuesve të pushtetit, Rama u ka bërë thirrje publike organeve të drejtësisë që të merren me ato që i ka cilësuar si kërcënime direkte ndaj tij. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Laura Fazliu fiton të bronztën në Grand Slam

Published

on

By

Laura Fazliu ka fituar medalje të bronztë në Grand Slamin e xhudos në Abu Dabi.

Në luftë për medalje të bronztë, Laura e mposhti bartësen e parë, kroaten Iva Oberan.

Lufta ishte e barabartë, ndërsa në kohën shtesë Laura realizoi hedhje të bukur për fitore me “Ippon”.

Laura fitoi 500 pikë në renditjen botërore. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara