Në UBT bëhen bashkë gjashtë universitete vendore dhe evropiane për Konferencën e Akademikëve të Diasporës (Diaspora Academician Conference 2022)
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në hapje të kësaj konference, tha se përmes këtij projekti synohet të fillohet një bashkëpunim mes tri universiteteve vendore.
Në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, ka nisur punimet Konferenca e Akademikëve të Diasporës (Diaspora Academician Conference 2022), ku UBT bëri bashkë studiues dhe praktikues nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, përfaqësues nga institucione vendore dhe ndërkombëtare, për të shkëmbyer ide dhe përvoja nga profili i tyre akademik.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në hapje të kësaj konference, tha se përmes këtij projekti synohet të fillohet një bashkëpunim mes tri universiteteve vendore (Universitetit të Prishtinës, Universitetit të Prizrenit dhe UBT-së), me tri universitete evropiane (Linneaus University, Norwegian University of Science and Technology dhe South-East European Research Centre).
“Ideja është të krijojmë një shkollë kombëtare të doktoraturës, dhe ne përmes kësaj lidhje mund të ndajmë burimet akademike dhe infrastrukturore, pra mund të krijojmë diçka të ngjashme, dhe duke u bazuar në raportet evropiane mund të arrijmë të jemi në gjendje të konkurrojmë në nivele ndërkombëtare. Në këtë kuadër ne shohim diasporën, specifikisht akademikët nga diaspora, si personalitete me rol kyç në teknologji”, ka thënë rektori Hajrizi.
Koordinatorja e këtij projekti, Anita Mirijamdotter, nga Linnaeus University, ka theksuar se ky projekt ka nisur më herët dhe se planifikohet të përfundohet në nëntorin e vitit 2023.
“Ne mendojmë të krijojmë vende pune në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit për 10 mijë persona deri në vitin 2025, dhe kemi vizion për të zhvilluar kombin përmes arsimit, duke pasur qasje me tri shtresat e projektit: shtresa e infrastrukturës, shtresa e kapacitetit kërkimor dhe programi kombëtar i doktoraturës”, ka thënë Mirijamdotter.
Këshilltari i kryeministrit të Republikës së Kosovës, Lulëzon Jagxhiu, ka thënë se Qeveria ka miratuar strategjinë kombëtare për zhvillim për vitin 2030, strategji e cila përfshin shumë sektorë, ndër të cilët është edhe digjitalizimi i arsimit dhe diaspora.
“Përmes transformimit digjital, administrata publike krijon shërbime më të mira për qytetarët. Ndërtimi i infrastrukturës digjitale në shkolla dhe universitete, digjitalizimi i procesit të edukimit, krijimi i përmbajtjes digjitale për edukim dhe zhvillimi i aftësive digjitale për mësimdhënësit dhe stafin arsimor, janë pjesë e ambicies tonë të planit të digjitalizimit në edukim”, ka thënë ai.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, vlerësoi se një konferencë e tillë paraqet një mundësi shumë të mirë të bashkëpunimit dhe zhvillimit institucional lidhur me teknologjinë në përgjithësi.
“Duke bashkuar institucionet e larta publike dhe private arsimore, partnerët ndërkombëtar, përfaqësuesit e diasporës dhe përfaqësuesit e industrisë në këtë drejtim, besoj se është mundësia unike për të adresuar bashkëpunimin dhe zhvillimin institucional lidhur me Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit”, ka thënë rektori Sahiti.
Përfaqësuesi i Universiteti të Prizrenit, Arsim Susuri, në emër të rektorit të këtij universiteti, përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit, duke thënë se të gjithë mund të kontribuojnë në këto aktivitete duke bashkëpunuar me diasporën dhe universitetet ndërkombëtare, për të nxjerrë rezultate të larta.
Në pjesën e dytë të konferencës, u zhvillua një tryezë e diskutimit, në të cilën morën pjesë: rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiri, ministri i Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës së Maqedonisë së Veriut, Admirim Aliti, zëvendës-ministrja e MAShTI, Edona Maloku-Bërdyna, si dhe zëvendës-ministrja e MPJD-së, Liza Gashi, ku u diskutua me të gjithë pjesëmarrësit për ndikimin e diasporës shqiptare në rritjen e kapaciteteve kërkimore të TIK-ut dhe dukshmërisë së sistemit arsimor të Kosovës përmes projekteve kërkimore ndërkombëtare.
Konferenca e Akademikëve të Diasporës (Diaspora Academician Conference 2022) do të vazhdoj edhe nesër, në Qendrën e Teknologjisë dhe Inovacionit të UBT-së në Prizren, në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren.
Fakulteti i Studimeve të Sigurisë në UBT ka organizuar një ligjëratë tematike me një eksperte të industrisë së filmit në Hollywood, producente dhe skenariste, e njohur për kontributin e saj në realizimin e serialit të suksesshëm kriminal Mindhunter.
Ligjërata u zhvillua në kuadër të lëndës Kriminologji, nën udhëheqjen e profesorit Arian Kadriu, ku studentët patën mundësinë të ndërthurin njohuritë akademike me perspektivën praktike të analizës së krimit dhe profilizimit kriminal.
Gjatë këtij aktiviteti, studentët prezantuan projektet e tyre grupore me temën “To Create a Monster”, përmes të cilave krijuan profile të vrasësve serialë, duke analizuar karakteristikat e tyre psikologjike dhe sjellore, motivet, arsyet dhe rrethanat që ndikojnë në formimin e personaliteteve kriminale.
Projektet u prezantuan para ekspertes, e cila ndau vlerësime dhe komente profesionale, duke u ofruar studentëve një perspektivë nga përvoja e saj në trajtimin e personazheve dhe ngjarjeve kriminale përmes skenaristikës dhe produksionit filmik.
Ky aktivitet përfaqëson një mundësi të veçantë për studentët e Fakultetit të Studimeve të Sigurisë në UBT që të zgjerojnë njohuritë e tyre përtej teorisë, të zhvillojnë aftësitë analitike dhe të kuptojnë më thellë mënyrën se si krimi, motivet dhe sjelljet kriminale trajtohen edhe në industrinë ndërkombëtare të filmit dhe televizionit.
Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të organizuar nga KUSA (Kosovo United States Alumni) dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, i cili u mbajt më 5 nëntor 2026.
Në këtë organizim me rëndësi të veçantë për zhvillimin e kapaciteteve në sektorin e energjisë, UBT u përfaqësua nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Energjisë, Armend Ymeri pranë përfaqësuesve të institucioneve të tjera akademike e energjetike në vend si FIEK (UP), RIT Kosovo, KEDS Academy dhe KOSTT.
Delegacioni i UBT-së dhe pjesëmarrësit e tjerë u mirëpritën nga ushtruesja e detyrës së Zëvendësshefes së Misionit në Ambasadën e SHBA-ve, Wylita Bell. Gjatë këtij takimi, përfaqësuesja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Manal Farah, mbajti një sesion informues mbi Kompaktin e MCC-së dhe Qendrën për Aftësi dhe Inovacion në Energji.
Më tej, studentët dhe dekani i UBT-së morën pjesë në një diskutim interaktiv lidhur me mundësitë e zhvillimit të karrierës, ngritjen e shkathtësive profesionale dhe praktikat e punës në sektorin e energjisë në Kosovë.
Aktiviteti u përmbyll me një vizitë të udhëhequr në hapësirat e Ambasadës së SHBA-ve, ku pjesëmarrësit e UBT-së patën mundësinë të shihnin nga afër sistemet e avancuara të efiçiencës së energjisë dhe teknologjitë e ftohjes që përdoren në këtë objekt modern.
Studentët e vitit të tretë të Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT, në kuadër të lëndës “Marketing dhe Menaxhim i Shitjeve”, të ligjëruar nga Prof. Rajan Arapi, mirëpritën në një ligjëratë të hapur ekspertin e shitjes, operacioneve dhe marketingut, Fisnik Behxheti.
Me mbi 25 vjet përvojë profesionale, Behxheti ndau me studentët rrugëtimin e tij në industrinë e shitjes dhe menaxhimit, duke sjellë shembuj konkretë nga përvoja në pozita drejtuese në disa prej institucioneve dhe kompanive të njohura në Kosovë, përfshirë TEB, PriBank, SPAR Kosovo, DEPO Market dhe KosInvest. Aktualisht, ai udhëheq ekipe ndërkombëtare të shitjes me mbi 100 profesionistë në katër vende.
Gjatë ligjëratës, vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si teoria e marketingut zbatohet në praktikën e përditshme të bizneseve. Përmes rasteve të kompanive globale si McDonald’s, Apple, Zara, Red Bull dhe Coca-Cola, studentët analizuan zbatimin e marketingut miks (4P), sjelljen e konsumatorit dhe ndikimin e emocioneve në vendimmarrjen për blerje.
Po ashtu, u diskutua për ndërtimin dhe menaxhimin e ekipeve të shitjes, matjen e performancës, rëndësinë e etikës profesionale në raport me klientët, si dhe ndikimin gjithnjë në rritje të inteligjencës artificiale në mënyrën se si konsumatorët informohen, kërkojnë dhe blejnë produkte e shërbime në vitin 2026.
Pjesa më interaktive e ligjëratës u zhvillua përmes ushtrimeve praktike, ku studentët analizuan marka vendore, testuan përmes telefonave të tyre mënyrën se si inteligjenca artificiale rekomandon bizneset kosovare dhe u përfshinë në simulime të skenarëve të shitjes B2B (biznes me biznes).
Përmes këtyre aktiviteteve, studentët patën mundësi të sfidojnë njohuritë e tyre, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të kuptojnë më nga afër dinamikën e proceseve të shitjes në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe të digjitalizuar.
UBT vazhdon të promovojë një qasje bashkëkohore të mësimdhënies, duke ndërthurur njohuritë akademike me përvojën e profesionistëve nga industria dhe duke krijuar ura të drejtpërdrejta bashkëpunimi ndërmjet studentëve dhe tregut të punës.
UBT International Smart Schools ka lansuar Edicionin e III-të të Testit Provues të Arritshmërisë, një mundësi e veçantë për të gjithë nxënësit e klasave të nënta në tërë territorin e Kosovës, që duan të testojnë njohuritë e tyre, të përgatiten për Testin e Semimaturës dhe të përfitojnë bursa shkollimi deri në 100%.
Testi do të zhvillohet më 27 shkurt 2027, në ora 12:00, online dhe falas, duke u mundësuar nxënësve të marrin pjesë nga kudo dhe të dëshmojnë njohuritë dhe potencialin e tyre.
Në kuadër të Edicionit të III-të, nxënësit që arrijnë rezultatet më të larta do të kenë mundësi të përfitojnë bursa shkollimi nga 25% deri në 100%, duke e shndërruar këtë test në një mundësi për të vlerësuar përgatitjen akademike dhe për të fituar mbështetje për vazhdimin e shkollimit.
Testi Provues i Arritshmërisë është konceptuar si një mundësi për nxënësit e klasave të nënta që të matin nivelin e njohurive të tyre dhe të përgatiten më mirë për sfidat e Testit të Semimaturës. Përmes testimit, ata do të kenë mundësi të identifikojnë nivelin e tyre të përgatitjes dhe të dëshmojnë aftësitë e fituara gjatë arsimit të mesëm të ulët.
Me lansimin e këtij edicioni, UBT International Smart Schools vazhdon të krijojë mundësi të reja për nxënësit, duke ndërthurur vlerësimin e njohurive me mundësitë për përfitime akademike dhe duke i inkurajuar ata të sfidojnë veten dhe të synojnë rezultate të larta.
Mos e humb mundësinë për të testuar njohuritë, për t’u përgatitur për Testin e Semimaturës dhe për të fituar bursë deri në 100%! APLIKO TANI ONLINE!