Lajmet

Në rigjykimin e dytë dënohet me 15 vjet burgim i akuzuari për vrasje të vëllaut nën motive pronësore

Aktgjykimi në fjalë është marrë të mërkurën, nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Published

on

Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar dënim prej 15 vite burgim ndaj të akuzuarit Asllan Nikqi në rigjykimin e dytë, përballë akuzës për vrasjen e vëllaut të tij me bisht të sopatës dhe atë për motive pronësore.

Aktgjykimi në fjalë është marrë të mërkurën, nga kryetarja e trupit gjykues Nushe Kuka-Mekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shpalljen e këtij aktgjykimi gjyqtarja Kuka-Mekaj, ka bërë edhe ricilësimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë”, në “Lëndim i rëndë trupor”, me arsyetimin se nuk është vërtetuar dashja e kryerjes së veprës penale.

Ndryshe, me 5 maj 2022, i akuzuari Asllan Nikqi ishte dënuar nga e njëjta gjykatë me 15 vite burgim.

Sipas Prokurorisë Themelore të Pejës, vrasja e tani të ndjerit M.K, nga vëllai i tij Asllan Nikqi, kishte rezultuar si pasojë e problemeve pronësore.

I akuzuari Asllan Nikqi ngarkohej se me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij M.N, ndërsa djali i tij, i mituri A.N. dyshohej për veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Më 24 gusht 2020, gjykata kishte bërë ricilësimin e veprës penale dhe atë, nga “Vrasja e rëndë” në “Vrasje të rëndë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme” dhe ndaj të akuzuarit kishte shqiptuar 15 vite burgim. Ndaj të miturit ishte shqiptuar masa edukative e mbikëqyrjes së shtuar nga ana e prindit.

Më 27 nëntor 2020, Gjykata e Apelit e kishte prishur vendimin e Themelores, pasi kishte konstatuar se ishte marrë në shkelje të dispozitave të procedurës penale dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 30 shtator 2019, Asllan Nikqi akuzohej se më 26 prill 2019, rreth orës 18:00, në afërsi të Rekës së Allagës në Pejë, me bisht të sëpatës e ka privuar nga jeta vëllain e tij, këtu viktimën M.N.

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve jo të mira mes familjeve të viktimës dhe të pandehurit të krijuara nga kontestet pronësore, lidhur me një pronë në mal, i pandehuri në ditën kritike së bashku me të miturin A.N, shkojnë në bjeshkë për të marrë drunj dhe në momentin kur marrin drunjtë, duke dashur t’i largojnë trupat nga traktori, viktima e kishte njoftuar policinë për prerjen e drunjve dhe pasi policia nuk i përgjigjet, iu del përpara të pandehurit dhe të miturit.

Siç thuhet në aktakuzë, viktima i kishte sulmuar me sëpatë të pandehurin, i cili arrin që t’ia marrë sëpatën nga dora dhe me bisht të sëpatës e godet viktimën në kokë dhe në pjesë tjera të trupit, ku në këtë rrahje merr pjesë edhe i mituri A.N e më pas largohen nga vendi i ngjarjes duke e lënë viktimën në gjendje të rëndë shëndetësore.

Si pasojë e këtyre goditjeve, viktima thuhet se u gjet i vdekur pas dy ditë në rrugën e fshatit Reka e Allagës dhe atë në vijë ajrore prej 1,200 metra nga vendi ku ka filluar përleshja fizike, me çka i akuzuari Nikqi thuhet se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.3 i Kodit Penal të Kosovës.

Kurse, i mituri A.N. thuhet se kishte marrë pjesë në rrahje, e cila ka rezultuar me vdekjen e tani viktimës M.N, me çka ka kryer veprën penale “pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, paragrafi 1 i Kodit Penal.

Lajmet

Sekuestrohen armë dhe municion në tri raste në Zubin Potok

Published

on

Në tri raste të ndara në Zubin Potok janë gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje të tjera të dyshuara, ndërsa policia ka nisur hetimet.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, më 21.06.2026, në një objekt (shtallë për ushqim bagëtish) është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, pesë karikatorë të armës së gjatë me gjithsej 151 fishekë, pjesë të uniformës së kamufluar si dhe një bateri ndriçuese. Rasti është nën hetime nga njësitet relevante policore.

Në një rast tjetër në të njëjtën zonë dhe datë, në një objekt të ngjashëm janë sekuestruar një armë zjarri, 74 fishekë të kësaj arme dhe 254 fishekë të armës së gjatë. Edhe për këtë rast janë duke u zhvilluar hetime.

Ndërsa në rastin e tretë, në një objekt të pabanuar janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë dhe një bajonetë, 11 fishekë të së njëjtës armë, 33 fishekë të armës së gjatë, dy makina për mbushjen e fishekëve të armës së gjuetisë, rreth 200 gramë barut dhe rreth 2 kg sfera për mbushje fishekësh.

Hetimet për të tri rastet po vazhdojnë nga ekipet relevante policore.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Tragjedi në Gjermani, dy shqiptare humbin jetën në një aksident të rëndë në autostradë

Published

on

By

Dy gra të reja me origjinë nga Kosova kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku që ndodhi të shtunën në autostradën A5, pranë Appenweier, në landin e Baden-Württembergut në Gjermani. Lajmi është raportuar nga mediat gjermane, të cilat kanë publikuar detaje nga ngjarja tragjike.

Sipas raportimeve, aksidenti ndodhi në drejtim të Karlsruhe, pasi fillimisht dy automjete u përplasën gjatë një manovre të ndryshimit të korsisë me shpejtësi të lartë. Si pasojë, automjetet mbetën të ndaluara në rrugë, duke detyruar drejtuesit e mjeteve që vinin pas tyre të frenonin papritur. Kjo shkaktoi një tjetër aksident zinxhiror, ku u përfshinë gjithsej pesë automjete.

Mediat gjermane raportojnë se dy gratë, të cilat po udhëtonin së bashku në një veturë, humbën jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra. Ndërkohë, një person tjetër ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Për shkak të aksidentit, autostrada A5 u mbyll për disa orë, ndërsa ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia intervenuan në vendngjarje. Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Dëmet materiale vlerësohen të jenë mbi 100 mijë euro.

Identiteti i viktimave ende nuk është bërë publik nga autoritetet gjermane. Sipas raportimeve të mediave, ato ishin me prejardhje nga Kosova.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet një person në Pejë, kanosi policët dhe dëmtoi pajisje në stacion

Published

on

Një person është arrestuar në Pejë, pasi dyshohet se ka kanosur zyrtarë policorë dhe ka dëmtuar pasuri brenda stacionit policor.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 21.06.2026 rreth orës 13:30, ku i dyshuari, mashkull kosovar, dyshohet se i ka kanosur verbalisht me vrasje katër zyrtarë policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, si dhe brenda stacionit policor.

Gjithashtu, në një zyrë të stacionit, i dyshuari ka dëmtuar një kompjuter.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Sulm seksual dhe dëmtim prone në kryeqytet, arrestohet i dyshuari

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës është evidentuar një rast në Prishtinë, i cilësuar si sulm seksual dhe asgjësim apo dëmtim i pasurisë së huaj.

Sipas njoftimit zyrtar nga autoritetet policore, një burrë dyshohet se ka sulmuar seksualisht një grua. Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të ndërmarrë veprimet e nevojshme operative.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit kanë nisur hetimet e plota për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, ndërsa i dyshuari është shoqëruar në polici. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara