Lajmet

​Në mungesë kuorumi nuk miratohet raporti vjetor i punës për BQK-në

Published

on

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në mungesë kuorumi ka shtyrë për votim për mbledhjen e radhës raportin vjetor të punës së Bankës Qendrore të Kosovës për vitin 2023.

Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili para anëtarëve të komisionit ka deklaruar se sistemi financiar në vend është stabil.

“Sistemi financiar është stabil, i kapitalizuar mirë në nivel të kënaqshëm të likuiditetit…Ekonomia globale dhe ajo e Eurozonës përjetuan sfida të mëdha gjatë vitit 2023. Ngadalësimi i kërkesës së jashtme, inflacioni i lartë dhe rritja e kostos së financimit, pas shtrëngimit të politikës monetare, ndikuan negativisht në rritjen ekonomike. Ekonomia e Eurozonës shënoi rritje 0.4 për qind… Ekonomia e Kosovës, sipas raportit vjetor të dorëzuar, ka shënuar rritje 3.3 për qind…Sa i përket çmimeve në Kosovë, ndoqën një trend ngadalësimi të ndikuar kryesisht nga stabilizimi i ofertës, çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare, shkalla e inflacionit rezultoi në 4.9 për qind në vitin 2023, në 11.6 për qind sa ishte, 4.1 për qind e këtij inflacioni ishin të importuara”, tha Ismaili.

Ndërkaq, pas prezantimit të raportit, deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka pyetur guvernatorin Ismaili rreth kamatave të larta në bankat e Kosovës.

“Nëse analizojmë situatën e sistemit bankar në Kosovë sërish kemi kamata të larta që bankat janë shumë profitabile që shkon në disfavor të qytetarëve dhe zhvillimit të bizneseve. Sa ju keni menduar që mund të ndikoni në zbutjen e kamatave, sepse edhe në Eurozonë ka pasur ngritje para dy vjetësh, por tani ka rënë në përqindje të madhe, ndërsa këtu sërish janë shumë të larta. Sa do të ndikoni në të ardhmen që më të vërtetë të ndikojë në uljen e kamatave, sepse shkon në favor të zhvillimit ekonomik dhe bizneseve, e sidomos qytetarëve…A mund ta di cilat janë investimet e huaja që kanë ndikuar në qëndrueshmërinë e sistemit apo zhvillimit ekonomik”, ka pyetur Lekaj.

Guvernatori i BQK-së Ahmet Ismaili tha se normat e kamatës në Kosovë janë mbi mesataren e tregut rajonal.

“Shpreh pajtimin që kamatat janë të larta, ne duhet të marrim krahasim në aspektin rajonal, normat e kamatës në Kosovë janë mbi mesataren që ka tregu rajonal”, tha Ismaili.

Deputeti nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje Eman Rrahmani ka kërkuar hartimin e rregullores për kreditë pa kamatë.

“Pse nuk po e bëni rregulloren për kreditë jo kamatore, çfarë po ju pengon”, ka pyetur Rrahmani.

Kreu i Bankës Qendrore të Kosovës Ahmeti Ismaili tha se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Sa i përket kredive jo kamatare nuk kemi pengesë dhe nuk është po na pengon dikush, dhe nuk është që nuk kemi marrë veprime për këtë drejtim. Së fundi, jemi angazhuar me një projekt të Bankës Botërore, kemi marrë disa praktika të disa vendeve, kemi marrë edhe draftet e rregullores që kanë ata. Është e vërtetë se kërkohet set komplet i rregullave të reja me standarde të lira, ju siguroj se është një prej instrumenteve që ndihmon qasjen në financa, kemi interesim ta përfshijmë”, tha ai.

Lajmet

52 vjet burgim për pesë të akuzuarit në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë

Published

on

By

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë verdiktin dënues për pesë persona të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Trupi gjykues e dënoi të akuzuarin B.Rr. me 12 vite burgim, kurse katër të akuzuarit e tjerë, D.Rr., F.S., M.S. dhe M.R., morën nga 10 vite burgim secili. Koha e qëndrimit në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do t’iu llogaritet të gjithëve si pjesë e dënimit final.

Përveç dënimit me burg, të dënuarit janë të detyruar të paguajnë nga 500 euro për shpenzimet e procesit gjyqësor dhe nga 50 euro shtesë për Fondin e Kompensimit të Viktimave.

Sa i përket dëmshpërblimit, pala e dëmtuar është udhëzuar që kërkesën pasurore-juridike ta kërkojë përmes një kontesti të rregullt civil. Ky vendim nuk është përfundimtar, pasi palët kanë të drejtën e ankimimit në Gjykatën e Apelit.

Ky proces gjyqësor rrodhi nga aktakuza e ngritur në fund të vitit 2022 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, e cila fillimisht shënjestroi tetë persona për ngjarjen e qershorit të po atij viti. Në këtë grup, B.Rr. u ngarkua me veprën penale të dhunimit, ndërsa mbi të pandehurin D.Rr. rëndojnë akuzat për dhunim si dhe për trafikim me njerëz.

 

Continue Reading

Lajmet

Inspektorati vazhdon mbikëqyrjen intensive të çmimeve të naftës

Published

on

By

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka nisur një aksion intensiv monitorimi në pikat e shitjes së derivateve.

Ky vendim, i cili u nënshkrua para pak dite nga ministrja Mimoza Kusari Lila, synon mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e çrregullimeve në treg përmes rregullimit të përkohshëm të çmimeve.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për ditën e hënë ka qenë 1.44 € për litër naftë dhe 1.17 € për litër benzinë.

Ndërkohë, në tregun vendor, nafta po shitet nga 1.44 € deri në 1.55 €, ndërsa benzina nga 1.26 € deri në 1.31 €. Për të kontrolluar këto diferenca, ministria ka vendosur që marzha maksimale e fitimit të jetë 2 centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 centë për litër për shitjen me pakicë.

Inspektorati, në bashkëpunim me ATK-në dhe Doganën, po analizon me kujdes çmimet e importit përkundrejt atyre që u ekspozohen qytetarëve.

Autoritetet kanë paralajmëruar masa rigoroze ndaj të gjithë operatorëve që nuk respektojnë marzhën e lejuar apo që dëmtojnë konkurrencën e ndershme, duke siguruar publikun se monitorimi do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë.

Continue Reading

Lajmet

Osmani takon ambasadorin britanik: Diskutohet për partneritetin dhe diskursin publik

Published

on

By

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.

Gjatë takimit, Presidentja vlerësoi lart mbështetjen e vazhdueshme britanike për popullin e Kosovës dhe konfirmoi përkushtimin për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që forcojnë objektivat e përbashkëta mes dy vendeve.

Një fokus i veçantë gjatë bisedës iu kushtua ruajtjes së mjedisit demokratik dhe rëndësisë së debatit publik të përgjegjshëm.

Osmani dhe Hargreaves theksuan se gjuha kërcënuese dhe bullizuese është tërësisht e papranueshme, duke bërë thirrje që praktika të tilla të mos kenë vend në diskursin publik në Kosovë.

 

Continue Reading

Lajmet

Suharekë: Katër policë të lënduar gjatë arrestimit të një 45-vjeçari

Published

on

By

Policia e Kosovës ka arrestuar sot në fshatin Samadrexhë të Suharekës një 45-vjeçar me inicialet B.K., pasi I njejti kishte bllokuar rrugën “Ramush Kotori” me shufra metalike dhe tela, duke penguar qarkullimin e banorëve.

Gjatë ndërhyrjes së policisë rreth orës 08:30, i dyshuari ka sulmuar zyrtarët me thikë dhe u ka bërë rezistencë të dhunshme.

Si pasojë e kësaj përleshjeje, katër policë kanë pësuar lëndime trupore, ndonëse policia sqaroi se lëndimet nuk erdhën nga goditjet me thikë, por gjatë procesit të neutralizimit të sulmuesit.

Personi i arrestuar është dërguar në stacionin policor në Suharekë, ku po priten hapat e mëtejshëm ligjorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit.

Continue Reading

Të kërkuara