Lajmet nga UBT

Në Ditën e Inxhinierisë, UBT nderon profesorët dhe inxhinierët që ndihmuan në ringritjen e Kosovës

Published

on

Në Ditën Botërore të Inxhinierisë, UBT ka mbledhur personalitete të rëndësishme nga fusha e akademisë dhe inxhinierisë për të shënuar këtë ditë. Gjatë këtij aktiviteti morën pjesë rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Pro-Rektori, Dekani i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor, Prof. Binak Beqaj, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës, Prof. Visar Krelani, si dhe një mori profesorësh dhe stafi akademik i UBT-së. Evenimenti krijoi një mundësi të shkëlqyer për të reflektuar mbi arritjet dhe rëndësinë e inxhinierisë në shoqërinë e sotme.

Reflektim nga Rektori Hajrizi

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e Ditës së Inxhinierisë si një mundësi për të njohur dhe nderuar kontributin e inxhinierëve dhe për të promovuar angazhimin e të rinjve dhe grave në këtë fushë. Ai e përshkroi inxhinierinë si një profesion themelor që ndihmon në krijimin e diçkaje që nuk ka ekzistuar më parë, duke sjellë një ndikim të thellë në përmirësimin e jetës dhe zhvillimin e shoqërisë. Duke e konsideruar këtë ditë një mundësi për të reflektuar mbi kontributin e çdo inxhinieri në krijimin e botës moderne. Rektori theksoi se inxhinieria është shumë më tepër sesa një profesion, ajo është një pasion që ka udhëhequr jetën e tij.

Ai e vuri theksin në faktin se inxhinierët janë forca lëvizëse pas inovacionit dhe zhvillimit, duke krijuar mundësi dhe realitete të reja për shoqërinë. Ai e konsideroi inxhinierinë si një kombinim të artit dhe shkencës, ku zgjidhja e problemeve të kompleksit të botës moderne është thelbësore.

Rektori vazhdoi duke ndarë me të pranishmit historinë e zhvillimit të inxhinierisë në UBT, duke theksuar se ky rrugëtim nisi pas periudhës së pasluftës në vitin 2001. Në atë kohë, Kosova kishte nevojë për ekspertizë dhe inxhinierë të kualifikuar për të ndihmuar në ringritjen e saj. Hajrizi kujtoi se, për të mbushur boshllëkun e krijuar nga mungesa e kualifikimeve të larta, UBT kishte ftuar inxhinierë ndërkombëtarë, kryesisht nga Austria, Evropa dhe SHBA, të cilët ndihmuan në zhvillimin e arsimit dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në vend.

Një nga momentet kyçe të fjalimit të tij ishte përmendja e programit parë të Inxhinierisë së Menaxhimit, një iniciativë e UBT-së që nisi si një bashkëpunim me universitete prestigjoze si ai i Vjenës dhe i Oaklandit në SHBA. Ky program u krijua për të ofruar kompetenca të avancuara menaxheriale për inxhinierët, duke iu mundësuar atyre jo vetëm aftësi teknike, por edhe aftësi menaxheriale për të drejtuar projekte dhe përmirësuar shkathtësitë teknologjike.

“Kur u themelua UBT në vitin 2001, Kosova ishte në një fazë të vështirë, pa një traditë të fortë në edukimin e nivelit të lartë për inxhinieri. Kemi filluar nga e para, pa një bazë të zhvilluar, dhe kemi krijuar mundësi për të mbushur boshllëkun e krijuar nga mungesa e ekspertëve të kualifikuar. Me angazhimin dhe përkushtimin tonë, kemi krijuar një sistem të fortë arsimor dhe profesional, që ka mundësuar zhvillimin e inxhinierisë dhe krijimin e një infrastrukture që është më e qëndrueshme dhe më e avancuar se kurrë. Sot, jemi krenarë që jemi pjesë e shumë federatave dhe shoqatave ndërkombëtare dhe që kemi kontribuar në avancimin e fushës së inxhinierisë si dhe në zhvillimin e Kosovës. Në këtë ditë të shënuar, dëshiroj të uroj të gjithë inxhinierët për angazhimin dhe pasionin e tyre. Jemi falënderues për punën e palodhur dhe përkushtimin e çdo individi që ka kontribuar në ndërtimin e botës moderne dhe zhvillimin e shoqërisë. Le të vazhdojmë së bashku të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur dhe më të qëndrueshme”, vlerësoi Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Rektor i UBT-së.

Në një moment emocional të fjalimit, Rektori Hajrizi nderoi profesor Nebi Pllanën, një figurë të njohur të inxhinierisë në Kosovë, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e infrastrukturës të Kosovës, përfshirë ndihmën në ndërtimin e autostradave dhe urave komplekse. Hajrizi shprehu mirënjohjen e tij të thellë për profesor Pllanën, duke theksuar se ata që kanë dhënë kontribut të çmuar, si ai, nuk harrohen kurrë dhe mbeten pjesë e historisë dhe zhvillimit të vendit.

Rektori Hajrizi theksoi se, megjithë sukseset që janë arritur deri tani, ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të gjatë për zhvillimin e inxhinierisë. Ai siguroi të pranishmit se angazhimi i UBT-së për të përmirësuar dhe zhvilluar aftësitë e saj do të vazhdojë, dhe se përkushtimi do të jetë gjithmonë në shërbim të një shoqërie më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme.

Nderim profesorit Nebi Pllana

Një moment i veçantë i kësaj dite ishte dhe nderimi i profesor Nebi Pllanës, një figurë kyçe e akademisë dhe inxhinierisë në Kosovë. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ngritjen e strukturave inxhinierike dhe ka kontribuar vazhdimisht në zhvillimin e infrastrukturës, si ndërtimi i autostradave, urave dhe infrastrukturave të tjera komplekse. Në fjalën e tij, Rektori Hajrizi shprehu falënderimet më të sinqerta për profesor Pllanën, i cili, edhe pas kalimit në pension, vazhdon të mbetet një figurë e shquar për kontributij e tij të çmuar.

“Profesor Pllana ka qenë një shtyllë stabile për zhvillimin e inxhinierisë në Kosovë dhe në UBT, edhe kur kanë munguar strukturat e forta të inxhinierisë. Ai ka ofruar dijen dhe përvojën e tij për të kontribuar në ngritjen e standardeve dhe zhvillimin e shoqërisë”, theksoi Rektori Hajrizi, duke e konsideruar profesorin Pllana një simbol të përkushtimit dhe angazhimit të palodhur.

Në përgjigje, profesor Pllana falënderoi UBT-në për mundësinë që i është dhënë për të kontribuar në ngritjen e nivelit akademik të inxhinierisë dhe e konsideroi këtë nderim si një motivim të madh për të vazhduar përpjekjet e tij në fushën e arsimit dhe zhvillimit të kësaj fushe. Ai theksoi se është krenar për atë çka është arritur dhe se angazhimi i tij do të vazhdojë për të kontribuar më tej në zhvillimin e shoqërisë dhe edukatës teknike.

“Është një nder i madh për mua që kam pasur mundësinë të jem pjesë e këtij institucioni të lartë arsimor siç është UBT, dhe vazhdoj të jem pjesë e tij sa herë që mundem dhe kurdo që keni nevojë. Me angazhimin dhe përpjekjet e stafit, UBT ka arritur një nivel profesional të lartë, që është e vështirë të arrihet në një periudhë kaq të shkurtër kohore. Ky institucion ka krijuar mundësi për të kontribuar në ngritjen e kuadrit akademik dhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Unë besoj se ky proces nuk do të ndalet këtu, sepse dëshiroj që të shoh zhvillimin dhe avancimin e mëtejshëm të të gjitha niveleve të këtij institucioni. Pavarësisht kushteve dhe sfidave, unë do të vazhdoj të kontribuoj në mënyrë maksimale dhe jam i sigurt se rezultatet e punës sonë do të shihen si një harmonizim i shkëlqyer, i realizuar në përputhje me standardet më të larta dhe pa mangësi”. 

Angazhim për të ardhmen dhe rininë në inxhinieri

Eventi krijoi një mundësi për të reflektuar mbi të arriturat e inxhinierisë në Kosovë dhe për të nderuar ata që kanë dhënë një kontribut të çmuar për zhvillimin dhe përparimin e kësaj fushe. Përfundimisht, Rektori Hajrizi u shpreh se ky aktivitet është një testament i angazhimit të UBT-së për avancimin e dijes dhe zhvillimin e fushës së inxhinierisë dhe arkitekturës. Ai theksoi rëndësinë e ndërkombëtarizimit të kërkesave dhe mundësive për studentët e kësaj fushe, duke siguruar që ata të jenë të përgatitur për të kontribuar në nivel global.

Në përfundim, ky aktivitet ka shërbyer si një mundësi për të nderuar ata që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në ngritjen e kapaciteteve akademike dhe profesionale në fushën e inxhinierisë në Kosovë, duke shënuar kështu një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e këtij profesioni të lavdishëm.

“UBT e mbështet fuqishëm zhvillimin e inxhinierisë, duke ofruar mundësi dhe resurse për të rinjtë dhe profesionistët e ardhshëm të këtij profesioni”, përmbyllet eventi nga fjala e Hajrizit.

Dionesa Ebibi

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve për programin e Kimisë Aplikative në UBT

Published

on

By

Interesim i jashtëzakonshëm i të rinjve nga vendi dhe rajoni për të studiuar në nivelin bachelor Kimi Aplikative në UBT, një program që po tërheq vëmendjen e gjeneratës së re falë mundësive të shumta për zhvillim profesional dhe karrierë, si në Kosovë ashtu edhe jashtë vendit.

I konceptuar si program bashkëkohor dhe inovativ, Kimia Aplikative në UBT ndërthur njohuritë teorike me punën praktike laboratorike dhe kërkimin shkencor, duke u ofruar studentëve mundësinë të zhvillojnë aftësi të aplikueshme në industri dhe në sektorë të ndryshëm profesionalë.

Një nga veçoritë e programit është stafi akademik i përkushtuar dhe i kualifikuar, me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë në fushat kryesore të kimisë. Përmes angazhimit të tyre, studentët kanë mundësi të përfitojnë njohuri nga fusha të ndryshme, duke filluar nga kimia organike, inorganike, analitike dhe fizike, deri te kimia e nanomaterialeve, kimia mjedisore, teknologjia ushqimore, toksikologjia, proceset industriale dhe metodat instrumentale të analizës.

Puna laboratorike, praktika profesionale dhe kërkimi shkencor janë pjesë e rëndësishme e rrugëtimit akademik, duke u mundësuar studentëve të zhvillojnë aftësi në analizë, eksperimentim, interpretim të të dhënave dhe zgjidhje të problemeve reale.

Përmes infrastrukturës moderne dhe hapësirave laboratorike të UBT-së, studentët krijojnë mundësi për të fituar përvojë praktike dhe për t’u përgatitur për kërkesat e tregut bashkëkohor të punës. Programi synon të krijojë profesionistë të aftë për të kontribuar në fusha si industria farmaceutike, industria ushqimore, mbrojtja e mjedisit, teknologjia e ujit, energjia, inxhinieria e materialeve, laboratorët analitikë dhe institucionet kërkimore e shkencore.

Për të rinjtë që tashmë kanë nisur studimet në këtë fushë dhe dëshirojnë të vazhdojnë në një mjedis akademik modern, UBT ofron edhe mundësinë e transferimit të studimeve, duke krijuar mundësi për të vazhduar rrugëtimin akademik në një program të orientuar drejt praktikës, kërkimit dhe zhvillimit profesional.

Bëhu edhe ti pjesë e Kimisë Aplikative në UBT!

Zgjidh një program inovativ, zhvillo njohuritë dhe aftësitë e tua në laboratorë dhe me staf vendor e ndërkombëtar, dhe përgatitu për mundësi të shumta në tregun e punës.

Regjistrimet vazhdojnë të jenë të hapura.

Fillo ose transfero studimet në UBT.

 

Continue Reading

Lajmet

Nora Gjakova diplomon në UBT, xhudistja përmbyll me sukses studimet në Shkencat e Sportit

Published

on

Xhudistja kosovare dhe kampionia olimpike, Nora Gjakova, ka diplomuar në UBT, në Fakultetin e Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, në programin “Shëndeti dhe Aktiviteti Fizik”.
Gjakova, e cila ndër vite ka përfaqësuar Kosovën në garat më të rëndësishme ndërkombëtare të xhudos, ka përfunduar studimet me një temë diplome që lidhet drejtpërdrejt me sportin që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj.
Tema e punimit të saj ishte “Monitorimi i shkallës së lodhjes akute dhe rikuperimit pas një ndeshjeje të simuluar të xhudos përmes metodës indirekte (two-point velocity), të bazuar në shpejtësi në teknikën Bench Press”.
Punimi është realizuar nën mentorimin e Asoc. Prof. Dr. Milaim Berishës.
Me këtë arritje akademike, Nora Gjakova i shton një tjetër sukses rrugëtimit të saj, kësaj radhe në fushën e arsimit dhe shkencës sportive.

Continue Reading

Lajmet

Profesoreshat e UBT-së, Blertë Zylfiu-Latifi dhe Miranda Sejdiu-Abazi, publikojnë studim të ri shkencor në bashkëpunim ndërkombëtar

Published

on

By

Në kuadër të avancimit të kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, profesoreshat e Fakultetit të Stomatologjisë në UBT, Dr. Blertë Zylfiu-Latifi si autore e parë dhe Dr. Miranda Sejdiu-Abazi si autore korrespondente, kanë publikuar një studim të ri hulumtues në fushën e ortodoncisë. Ky punim shkencor është realizuar në partneritet me studiues nga Departamenti i Ortodoncisë dhe Antropologjisë Dentare i Universitetit të Zagrebit, si dhe me profesionistë të stomatologjisë nga Gjermania.

Punimi me titull “Tooth Crown Dimensions among Angle Occlusion Classes in Kosovar Adolescents” është publikuar si artikull origjinal në revistën ndërkombëtare Acta Stomatologica Croatica (Vol. 60, Nr. 3, 2026, fq. 289–301). Ky organ shkencor është i indeksuar në platformat më prestigjioze globale si Scopus, PubMed dhe Web of Science Core Collection (ESCI), duke mbajtur Faktor Ndikimi (Impact Factor) 1.8 në JCR dhe 1.9 në SJR. Autorët e këtij studimi janë Blertë Zylfiu-Latifi, Senka Meštrović, Jelena Dumančić, Miranda Sejdiu-Abazi dhe Fatbardha Mustafa.

Hulumtimi është shtrirë në shtatë qytete kryesore të Kosovës – Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan – ku janë përfshirë 400 adoleshentë të moshës 13 deri në 19 vjeç. Pjesëmarrësit janë kategorizuar sipas klasave I, II dhe III të okluzionit sipas Angle, me qëllim që të analizohet lidhja mes këtyre klasave dhe dimensioneve të kurorave të dhëmbëve permanentë.

Përmes një analize multidimensionale të dimensioneve meziodistale, bukolinguale, cervikoincizale dhe diagonale, studimi nxori në pah se ekzistojnë dallime të dukshme ndërmjet klasave të okluzionit, sidomos në dimensionet meziodistale dhe cervikoincizale. Në anën tjetër, dimensionet bukolinguale shfaqën një shkallë më të ulët të variacionit.

Kontributi kryesor i këtij hulumtimi qëndron në përcaktimin e vlerave të para referente specifike për popullatën e adoleshentëve kosovarë. Këto të dhëna do të shërbejnë si një bazë e rëndësishme për përmirësimin e saktësisë në diagnostikimin ortodontik, analizën e hapësirës dhe planifikimin e trajtimeve klinike në Kosovë. Ky publikim dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të UBT-së për zhvillimin e kërkimit shkencor me standarde të larta ndërkombëtare.

Punimi është publikuar me Open Access dhe mban DOI-në 10.15644/asc60/3/3.

 

 

 

 

Continue Reading

Lajmet

Zgjidhni Masterin në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi në UBT: Përfitoni 20% bursë me Engaged Scholarship

Published

on

By

Raporti i fundit i Forumit Ekonomik Botëror (World Economic Forum – The Future of Jobs Report 2025) thekson se mendimi analitik, menaxhimi i burimeve dhe udhëheqja mbeten ndër aftësitë më të kërkuara nga mbi 70% e kompanive globale për të përballuar transformimin digjital dhe ekonomik. Po ashtu, mungesa e kuadrove me përgatitje të avancuar në menaxhim dhe biznes po vlerësohet si pengesa kryesore për zhvillimin e ndërmarrjeve.

Në përgjigje të këtyre kërkesave të tregut, Programi Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) në UBT ofron një platformë të avancuar arsimore, të projektuar për të përgatitur profesionistë dhe udhëheqës të aftë për të marrë rolin e tyre drejtues në biznes, industri, shërbime publike dhe shoqëri.

Programi MBE është i harmonizuar plotësisht me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF) dhe Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve. Kurrikula përmban një ndërthurje të teorive të avancuara të menaxhimit, ekonomisë aplikative, kërkimit shkencor dhe përdorimit të teknologjisë së informacionit në hartimin e menaxhimin organizativ. Përmes një stafi me përvojë vendore e ndërkombëtare, programi nxit aftësitë analitike, zgjidhjen e problemeve komplekse dhe përgatitjen e kandidatëve si për pozita udhëheqëse në treg, ashtu edhe për vazhdimin e mëtejmë të studimeve në nivelin e doktoratës.


Me qëllim të mbështetjes direkte të zhvillimit profesional dhe lehtësimit financiar për kandidatët e förkushtuar, UBT ofron bursën Engaged Scholarship prej 20%. Kjo bursë synon të përfshijë studentë të dalluar në një mjedis dinamik arsimor, ku përsosmëria akademike, ndërkombëtarizimi, transferimi i njohurive dhe integrimi i drejtpërdrejtë me industrinë përbëjnë shtyllat kryesore strategjike të fakultetit.

Aplikimet për programin Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi janë të hapura. Përfitoni nga bursa prej 20% Engaged Scholarship dhe regjistrohuni sot te UBT.

 

 

Continue Reading

Të kërkuara