Tre partitë opozitare shqiptare – PDK, LDK dhe Aleanca – kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takimin konsultativ rreth zgjedhjes së presidentit dhe formimit të institucioneve.
Takimi është mbajtur të martën në orën 09:00, ndërsa në të kanë marrë pjesë përfaqësues të partive në pushtet dhe të subjekteve politike të komuniteteve.
PDK-ja dhe Aleanca e kishin refuzuar pjesëmarrjen që të shtunën, duke argumentuar se fillimisht duhet të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit. PDK-ja ka kritikuar rolin e Haxhiut në organizimin e takimit, ndërsa Aleanca ka kundërshtuar edhe ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për liderët e partive politike.
Të hënën, edhe LDK-ja njoftoi se nuk do të merrte pjesë në takim, duke e konsideruar Haxhiun në këtë fazë vetëm deputete të Kuvendit. Megjithatë, LDK-ja është shprehur e gatshme të diskutojë me Albin Kurtin për një zgjidhje politike dhe zgjedhjen e një presidenti konsensual.
Ftesa e Haxhiut kishte për qëllim diskutimin për zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe arritjen e një marrëveshjeje për një president konsensual, si dhe formimin e institucioneve të tjera kushtetuese.
Ngërçi politik lidhet ngushtë me mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit. Deputetët kanë dhënë betimin, por seanca ka mbetur pezull në pikën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi Albin Kurti ka kërkuar fillimisht marrëveshje për presidentin.
LVV-ja dhe partnerët e saj nga komunitetet kanë numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, por për zgjedhjen e presidentit nevojitet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para të votimit.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues prej 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Kriza institucionale në Kosovë vazhdon prej një periudhe të gjatë, me disa procese zgjedhore dhe përpjekje të pasuksesshme për krijimin e institucioneve funksionale./A.K/