Lajmet

“Ndëshkimi i madh i Big Tech”

Nga Hamish McRae.

Published

on

Hamish McRae

Humbja e pasurisë nga cilido që investoi në firmat e mëdha amerikane të teknologjisë vitin e kaluar është tronditëse. Më i famshmi, Elon Musk, i Tesla-s dhe tani i famshëm edhe në Twitter, arriti të humbasë 200 miliardë dollarë. Megjithatë, ai vlen ende rreth 137 miliardë dollarë, kështu që ndoshta nuk duhet të na vijë keq për të.

Por humbjet shtrihen në të gjithë SHBA-në. Apple kishte vlerë 3 trilion dollarë në fillim të vitit të kaluar. Tani ajo vlen 2 trilion dollarë – ende shumë, por një shkatërrim i madh i pasurisë për aksionerët e saj, të mëdhenj e të vegjël.

Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, ka humbur gati gjysmën e pasurisë së tij pasi vlera e aksioneve që ai zotëron në Amazon është ulur më shumë se 50 për qind nga kulmi i saj në fund të vitit 2021. Pjesa e tij tani vlen “vetëm” 109 miliardë dollarë. Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook, është ulur nga 127 miliardë dollarë në 47 miliardë dollarë, pasi vlera e aksioneve të Meta-s ra me gati dy të tretat në vitin 2022.

Për këdo që është i interesuar, Bloomberg mban një listë të përditshme të pasurisë së miliarderëve. Meqë ra fjala, në krye të ligës me 164 miliardë dollarë është Bernard Arnault, kreu i grupit luksoz francez LVMH.

Kjo humbje e jashtëzakonshme e pasurisë ngre një pyetje të madhe: a ishte e vërtetë ajo pasuri, që në krye të herës? Musk, Zuckerberg dhe të tjerët u bënë kaq të pasur vetëm për shkak të vlerës së aksioneve të kompanive që ata krijuan, dhe ato vlera u frynë nga një kombinim i parave të kollajta dhe pritshmërive të ekzagjeruara, të perspektivave për Amerikën e Big Tech, pas pandemisë.

Kthehuni me mendje një vit mbrapa, dhe rimëkëmbja nga pandemia dukej e sigurt, inflacioni ishte një re e vockël në horizont që bankierët qendrorë mendonin se do të kalonte, dhe Rusia nuk e kishte pushtuar ende Ukrainën.

Por në botën aktuale të mbushur me pasiguri, tregjet financiare mendojnë qartë se mallrat e luksit përfaqësojnë një bast më të sigurt se teknologjia e madhe. Por kush e di? Ndoshta pas disa vitesh ata do të kenë ndryshuar sërish mendje dhe një industri krejtësisht e ndryshme do të jetë bërë investimi i duhur, duke krijuar një grup të ri miliarderësh.

E gjithë kjo ka rëndësi për ne të tjerët për tre arsye.

Së pari, edhe nëse tani mund ta shohim si diçka që ishte kalimtare, me të vërtetë është shkatërruar shumë pasuri. Familja mesatare britanike vlente 302,500 £ në mars 2020, nga shifrat më të fundit që disponon Zyra për Statistikat Kombëtare.

Dy komponentët më të mëdhenj të kësaj janë pasuria e pensioneve dhe strehimi. Që atëherë, çmimet e banesave janë rritur me të paktën 20 për qind, kështu që familja mesatare pothuajse me siguri do të vlejë më shumë tani. Por tani duket se çmimet e banesave po bien dhe, duke qenë se pasuria e pensioneve ndikohet nga tregjet financiare, kjo mund të jetë gjithashtu në rënie.

Kështu, ndërsa familja tipike britanike (ose irlandeze, amerikane, gjermane, franceze apo çfarëdo tjetër) do të jetë akoma më e pasur se sa ishte disa vite më parë, ka shumë të ngjarë që këtë vit ato të humbasin terren, pasi efekti këtyre rënieve të tregut amerikan përhapet në të gjithë botën e zhvilluar. Shto inflacionin dhe ne mund të jemi tashmë 10 për qind në terma realë.

Mendojeni në këtë mënyrë. Vështirë se ndonjë prej nesh kemi humbur proporcionalisht po aq sa Elon Musk ose Mark Zuckerberg, sepse do të duhet të jesh shumë i pafat ose i pamatur që kjo të ndodhë. Por pothuajse të gjithë ne do të jemi pak më të varfër se një vit më parë. Një pjesë e pasurisë sonë është shkatërruar gjithashtu.

Kjo çon në arsyen e dytë pse kjo ka rëndësi: ndikimi i rënies së çmimeve të aktiveve në ekonomi. Kur njerëzit ndihen më të varfër, ata shpenzojnë më pak para. Kjo është diçka që mund të fillojë të ndodhë, megjithëse ky i ashtuquajtur “efekt pasurie” është i vështirë të ndahet nga të gjitha gjërat e tjera që ndikojnë në shpenzimet tona, siç është rritja e çmimeve të energjisë.

Për shembull, një ndikim i drejtpërdrejtë është nëpërmjet tregut të banesave. Kur njerëzit lëvizin në shtëpi, ata priren të shpenzojnë më shumë për gjëra për të vendosur në të, të tilla si pajisjet e reja të kuzhinës.

Sipas statistikave zyrtare, shifrat e shitjeve të shtëpive nuk kanë rënë ende. Kjo është një qetësi para stuhisë.

Nëse njerëzit ndihen më të varfër dhe shpenzojnë më pak para, kjo e dëshpëron ekonominë në tërësi dhe mediat janë mbushur me raporte mbi recesionin.

Drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, sapo ka paralajmëruar në një intervistë për CNN se një e treta e botës do të jetë në recesion këtë vit. Rënia e çmimeve të aseteve nuk është arsyeja e vetme pse pjesa më e madhe e botës do të futet në recesion, por sigurisht që lidhet me të.

Së fundi, arsyeja e tretë pse kjo ka rëndësi për të gjithë ne, është se ka një rreze drite. Një ekonomi botërore e fryrë nga bankat qendrore që shtypnin shuma të mëdha parash dhe me norma interesi zero ose gati zero, do të përfundonte gjithmonë keq. Kësaj radhe,

janë më të pasurit që kanë humbur më shumë. Ne po fillojmë të kthehemi prapa drejt një bote, ku njerëzit që krijojnë kompani të mëdha shpërblehen mirë, por jo në mënyrë absurde.

Të gjitha flluskat e aktiveve nërfundimisht ekspozohen. Ky ka qenë mësimi i muajve të fundit. Ne do të rikthehemi tek rritja ekonomike e qëndrueshme, pasi të kemi bërë një rrugë të gjatë dhe ndoshta të dhimbshme të rikthimit tek investimet e arsyeshme. / Opinion – Bota.al

Continue Reading

Lajmet

​Flet drejtori i KH Rahovecit: Vendimi për të na përjashtuar nga palestra i pakuptimtë

Published

on

Klubi i hendbollit Rahoveci ka njoftuar se të dyja ndeshjet ndaj ekipit nga Luksemburgu, Dudelange, në kuadër të garave evropiane, do të zhvillohen në Luksemburg.

Shkak për këtë është bërë fakti se palestra Mizahir Isma në Rahovec, për shkak të zgjedhjeve, kalon nga nesër në menaxhim të KQZ-së dhe rrjedhimisht nuk mund të shfrytëzohet për ndeshje sportive.

Drejtori Sportiv i këtij klubi, Afrim Deliu, thotë se vendimi për t’i përjashtuar klubet nga palestrat është krejtësisht i pakuptueshëm.

“Sigurisht që është problematike, tereni është një lojtar shtesë në fushë, ajo nuk diskutohet por përveç kësaj janë edhe shumë probleme të tjera sepse palestra kalon në menaxhimin e KQZ-s nga nesër dhe përveç tereni që duhet të zhvillohet ndeshja jashtë, ne e kemi problem edhe stërvitjet t’i vazhdojmë. DO të thitë është shumë problem kjo pjesa dhe sinqerisht nuk e kuptoj se si mund të merret një vendim që palestra të lirohen nga klubet ose të mos kenë mundësi t’i zhvillojnë stërvitjet. Pra përveç lojës, problem tjetër shumë i madh është edhe stërvitjet ku do t’i zhvillojmë”, tha Deliu.

Ai ka shtuar se me këtë problematikë përballen sa herë që në Kosovë ka zgjedhje.

“Edhe në zgjedhjet e kaluara ka qenë i njëjti problem dhe e kemi ditur që nuk ka mundësi të arrihet asgjë nga kjo marrëveshje dhe menjëherë kemi kontaktuar me ekipin kundërshtar dhe kemi kërkuar që t’i zhvillojmë dy ndeshjet sepse e dimë që kjo nuk mund të realizohet, nuk është problem vetëm Rahoveci por e gjithë Kosova…Nuk është se kemi tentuar të shkojmë edhe ne KQZ direkt por e kemi ditur se është e pamundur sepse jo vetëm për Rahovecin por edhe për të gjitha klubet tjera ka qenë e pamundur”, shtoi Deliu.

Përveç hendbollit, me telashe të njëjta po përballet edhe sporti i volejbollit dhe ai i basketbollit./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Bashkimi kërkon suksesin historik në Evropë

Published

on

Bashkimi pas fitores shumë të rëndësishme përballë Anwil-it kërkon për herë të parë të jetë pjesë e grupeve në FIBA Europe Cup.

Për të arritur suksesin historik për klubin më të vjetër në Kosovë, prizrenasit duhet të ruajnë epërsinë e pikëve nga fitorja e parë.

Sfida në Prizren përfundoi 80:75 për Portokallezinjtë, derisa në grupe do të hyjë skuadra që është më e mirë nga dy ndeshjet.

Nënkampionët për herë të parë janë në kualifikimet e FIBA Europe Cup, ndërsa nëse kalojnë pengesën në Poloni, atëherë do t’i bashkoheshin kampiones së Kosovës, Trepçës, si dhe PAOK-ut të Greqisë dhe Braunschëeig të Gjermanisë në Grupin F.

Anwil është një nga skuadrat më të forta polake në vitet e fundit, ku para dy vitesh kishte triumfuar në FIBA Europe Cup, kurse edicionin e kaluar ishte ndalur në Raundin e 1/16-tes.

Ndeshja zhvillohet të mërkurën në Poloni nga ora 18:30./S.K/KP/

Continue Reading

Aktualitet

UBT hap thirrjen për pjesëmarrje në Konferencën Ndërkombëtare të Gazetarisë, Medias dhe Komunikimit 2025

Published

on

UBT fton studiuesit, profesionistët dhe studentët për të marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Gazetarisë, Medias dhe Komunikimit (ICJMC 2025), një ngjarje që synon të bashkojë ekspertët për të prezantuar rezultatet e fundit të kërkimeve, për të shkëmbyer ide dhe përvoja në fushën e gazetarisë, medias dhe komunikimit.

Kjo konferencë është pjesë e edicionit të 14-të të Konferencës Ndërkombëtare të UBT-së për Biznes, Teknologji dhe Inovacion, ku fokusi i këtij viti do të jetë Reziliencia dhe Qëndrueshmëria.

Datat e rëndësishme:

  • Dorëzimi i abstrakteve: 10 Tetor 2025
  • Njoftimi për pranimin e abstrakteve: 17 Tetor 2025
  • Regjistrimi i hershëm: 17 Tetor 2025
  • Regjistrimi i vonë: 20 Tetor 2025
  • Dorëzimi i artikujve të plotë: 14 Nëntor 2025
  • Peer review: 17 Tetor 2025

Qëllimi i konferencës:

Konferenca synon të krijojë një platformë për shkëmbimin e njohurive ndërmjet studiuesve inovativë, akademikëve, hulumtuesve të rinj, studentëve pasuniversitarë dhe kandidatëve për doktoraturë, si dhe ekspertëve të fushës, duke mbështetur diskutime mbi sfidat, trendet dhe zhvillimet më të fundit në Gazetari, Media dhe Komunikim.

Tema e vitit:

  • Inteligjenca Artificiale dhe Sensacionalizmi i Informacionit në Kohë Krize dhe Konflikti

Nën-temat përfshijnë:

  • Roli i medias në kohë krize dhe kriza gjeopolitike
  • Transformimi i komunikimit politik në epokën dixhitale
  • Etika e medias dhe komunikimit gjatë krizave humanitare: Përdorimi i Chat GPT

Temat e tjera të trajtuara:

  • Reklama, media alternative dhe komunitare
  • Inteligjenca artificiale dhe gazetaria
  • Komunikimi biznesor dhe marketingu i integruar
  • Media dhe globalizimi, media dhe sporti
  • Etika e medias, dezinformimi dhe lajmet false
  • Komunikimi ndërkulturor dhe ndëretnik
  • Studime kritike dhe kulturore, rinia dhe gjinia
  • Gazetaria, ligji dhe ndikimi shoqëror
  • Media, ndryshimet klimatike dhe studimet mjedisore
  • Komunikimi i rrezikut, stigma dhe shëndeti publik
  • Media vizuale, muzikore, multimediale dhe teknologjitë e reja

Dorëzimi i artikujve:

Materiali i dorëzuar duhet të jetë origjinal, nuk duhet të jetë publikuar më parë apo të jetë duke u shqyrtuar diku tjetër. Maksimumi i artikullit është 6 faqe. Artikujt që nuk përmbushin kriteret e formatit nuk do të konsiderohen.

Për më shumë detaje mbi standardet e pranimit dhe regjistrimin, vizitoni faqen zyrtare: Konferenca Ndërkombëtare e UBT-së

Continue Reading

Lajmet

​Portieri 42 vjeçar kthehet për kualifikueset e Botërorit

Published

on

Portieri me përvojë Craig Gordon është rikthyer në kombëtaren e Skocisë për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Greqisë dhe Bjellorusisë.

Gardiani 42-vjeçar nuk ka luajtur që nga maji dhe ende nuk është paraqitur me Hearts këtë sezon, por tashmë është rikuperuar plotësisht nga një dëmtim në qafë. Gordon, i cili ka 81 ndeshje me kombëtaren, zëvendëson shokun e tij të ekipit, Zander Clark.

Ndërkohë, mbrojtësi i Derby County, Max Johnston, dhe qendërmbrojtësi i Blackburn Rovers, Dominic Hyam, janë lënë jashtë listës. Po ashtu nuk është përfshirë as sulmuesi i formës së mirë i Hearts, Lawrence Shankland, i cili ka shënuar shtatë gola këtë sezon, si dhe Tommy Conway i Middlesbrough.

Skocia ka grumbulluar katër pikë në dy ndeshjet e para të grupit, pas barazimit 0-0 në Danimarkë dhe fitores 2-0 kundër Bjellorusisë. Greqia viziton Hampden Park më 9 tetor, ndërsa tre ditë më vonë Bjellorusia do të përballet me skocezët në Glasgow.

Trajneri Steve Clarke ka rikthyer edhe Anthony Ralston pas mungesës së tij, ndërsa Angus Gunn dhe Liam Kelly kompletojnë listën e portierëve, pavarësisht se kanë pak minuta me klubet e tyre./S.K/KP/

 

Continue Reading

Të kërkuara