Numri i rasteve të reja me kancer të gjirit në periudhën janar-shtator 2025 është 330, numër ky i përafërt me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, vlerësoi se Kosova shënoi për herë të parë një stabilitet sa i përket numrit të rasteve të reja me kancer të gjirit, duke e quajtur zhvillim pozitiv.
“Këtë vit në Kosovë, në nëntëmujorin e parë 2025, ne kemi regjistruar në regjistrin klinik të kancerit rreth 330 femra me kancer të gjirit, që është numër i njëjtë përafërsisht me vitin 2024. Shpresojmë që deri në fund të vitit të mos jetë më i lartë sesa që ishte në vitin 2024. Me këto shifra, Kosova shënon për herë të parë një stabilitet sa i përket numrit të rasteve të reja me kancer të gjirit. Shpresojmë që viteve në vazhdim ky trend të mbahet dhe ,normalisht, së fundi të mund të diagnostikohen sa më herët, në mënyrë që format e hershme të sëmundjes të jenë suksesi i mjekimit më të madh”, tha Kurtishi.
Ai tek flet për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm bën thirrje për më shumë vetëdijesim dhe kontrolle të rregullta, sidomos mamografi një herë në vit.
Ai vë në dukje se grupmosha më e prekur mbetet 50–60 vjeç, por vërehet një rritje e rasteve edhe te moshat nën 50 vjeç.
“Për sëmundjet malinje ka një vetëdijesim më të mirë, por në përgjithësi duhet të bëhet edhe më shumë, në mënyrë që sëmundjet të diagnostikohen mbi 50–60 për qind në stadin e parë dhe të dytë që trajtimi të jetë më i lehtë, më pak i kushtueshëm dhe më efikas. Grupmoshat e atakuara me këtë sëmundje malinje janë dhe mbesin në Kosovë mosha 50–60 vjeç, por ajo që është problematikë në rritje janë grupmoshat e reja dhe grupmoshat e personave nën 50 vjeç, që vitet e fundit kanë një tendencë në rritje, por si diagnostifikim numër më të madh të personave nën moshën 50-vjeçare në krahasim me vitet paraprake. Por, është trend në gjithë botën, edhe në Kosovë dhe kjo nuk e rrit numrin total të të sëmurëve, por rrit numrin e pacientëve të rinj, të cilët nga viti në vit kanë tendencë në rritje”, tha ai.
Simptomat e sëmundjes zakonisht shfaqen në faza të avancuara dhe përfshijnë ndryshime në ngjyrë, formë apo madhësi të gjirit, rrjedhje nga gjiri, dhimbje apo inflamacion.
Nga sot fillon gjithashtu zyrtarisht edhe fushata e sensibilizimit për kancerin e gjirit në Kosovë, si pjesë e muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për këtë sëmundje./S.K/EO/