Kulturë

Ndërron jetë shkrimtarja e njohur britanike, Dame Jilly Cooper

Published

on

Shkrimtarja e njohur britanike, Dame Jilly Cooper, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare pas një rrëzimi, konfirmuan familja dhe botuesi i saj.

Cooper ishte e famshme për romanet sensuale që portretizonin jetën dhe skandalet e klasës së pasur rurale dhe kishte shitur mbi 11 milion kopje të veprave të saj vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Fëmijët e saj, Felix dhe Emily, thanë: “Nëna jonë ishte një dritë e shndritshme në jetët tona. Dashuria e saj për familjen dhe miqtë nuk kishte kufij. Humbja e saj është një tronditje e madhe. Jemi krenarë për gjithçka që arriti dhe nuk mund ta imagjinojmë jetën pa buzëqeshjen dhe të qeshurat e saj të çiltër.”

E njohur si “Mbretëresha e bonkbuster-ave”, Jilly Cooper publikoi librin e saj të parë, How To Stay Married më 1969, të ndjekur nga How to Survive From Nine To Five një vit më vonë. Romani  më i famshëm, Riders është pjesë e serisë Rutshire Chronicles, përfshin dhjetë vepra.

Aktori Rufus Jones, i cili luan në serialin televiziv Rivals bazuar në librin e saj, i bëri homazh Cooper në Instagram: “Jilly ishte një grua e jashtëzakonshme – e qeshur, e çuditshme dhe e mirë. Patëm fatin ta takonim dhe të mësojmë nga tregimet e saj të paharrueshme.”

Agjentja e saj, Felicity Blunt, e përshkroi bashkëpunimin me Cooper si privilegj: “Ajo ka lënë gjurmë në kulturën letrare e në mënyrën e të shkruarit që nga publikimi mbi pesëdhjetë vjet më parë. Do të mbahet mend për serinë Rutshire Chronicles dhe për personazhin Rupert Campbell-Black, por mbi të gjitha për mënyrën e saj të veçantë të të treguarit për klasën, dashurinë, rivalitetin dhe humorin e mprehtë.

Karriera e Cooper ishte e gjatë dhe e larmishme; ajo filloi si gazetare në vitet 1957-1959, më pas u bë kolumniste për tema si martesa, seksi dhe jeta e përditshme, para se të kalonte tek librat e saj të suksesshëm. Ajo gjithashtu kontribuoi si producent ekzekutiv në adaptimin e librit të saj Rivals për Disney+, duke ndihmuar në skenar dhe regjizim.

Përndryshe, Jilly Cooper do të mbahet mend si një shkrimtare energjike, me humor dhe me një talent të jashtëzakonshëm për të sjellë gëzim tek lexuesit dhe të gjithë ata që punuan me të. /A.Z/UBT News/

Kulturë

Filmi “Nderi” me premiere ne Tiranë dhe Prishtinë.

Published

on

Filmi i suksesshëm malazez “Nderi”, i realizuar në gjuhën shqipe dhe me regji nga Nikola Vukčević, do të shfaqet për herë të parë për publikun në Tiranë dhe Prishtinë. Ky produksion është përzgjedhur si kandidati zyrtar i Malit të Zi për çmimet prestigjioze Oscar (edicioni i 98-të) dhe ka arritur një sukses të gjerë ndërkombëtar, duke fituar 20 çmime në 31 festivale të ndryshme.Në mesin e festivaleve ku është vlerësuar filmi përfshihen edhe evente të rëndësishme të kategorisë A si Cairo International Film Festival dhe IFFI Goa. Përveç suksesit ndërkombëtar, “Nderi” ka shënuar rezultate të larta edhe në vendin e tij, me mbi 20 mijë bileta të shitura.Premiera në Tiranë u mbajt më 8 prill në Cineplexx, ndërsa publiku në Prishtinë do të ketë mundësinë ta ndjekë më 9 prill.

Filmi bazohet në ngjarje reale të Luftës së Dytë Botërore dhe rrëfen historinë e një fëmije ortodoks malazez, i cili duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehë në shtëpinë e një familjeje myslimane shqiptare. Kryefamiljari, Nuredin Doka, përballet me një zgjedhje të vështirë: të rrezikojë jetën e familjes së tij për të shpëtuar një fëmijë të panjohur apo të shkelë besën.Në rolet kryesore interpretojnë Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski dhe Elez Adžović.

Në konferencën për media në Tiranë ishte i pranishëm regjisori Nikola Vukčević, si dhe përfaqësuesja e Ambasadës së Malit të Zi, Esmira Beqoviq, e cila theksoi rëndësinë e kësaj premiere në kuadër të 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi.Regjisori u shpreh se filmi ka vendosur rekord në shitjen e biletave në Mal të Zi dhe se historia e tij përcjell mesazhe të forta për pranimin e tjetrit dhe bashkëjetesën, duke shtuar se pret që edhe publiku shqiptar ta mirëpresë ngrohtësisht.

Pas shfaqjeve në Tiranë dhe Prishtinë, filmi do të vijojë rrugëtimin e tij në Beograd dhe Podgoricë.

Continue Reading

Kulturë

“Prishtina – vrasja e një ëndrre” sonte në Gjilan

Published

on

Shfaqja mysafire “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” vjen sot, nga ora 20:00 në Teatrin e Gjilanit.

Produksioni i Qendrës Multimedia, me tekst nga Jeton Neziraj dhe regji nga Blerta Neziraj, sjell një rrëfim të fuqishëm për fatin e një qyteti që humb ëndrrën e tij bashkë me arkitektin. Duke u mbështetur në historinë e arkitektit Rexhep Luci, shfaqja trajton përplasjen mes vizionit urban dhe interesave të mafisë së ndërtimit.

Përmes një narrative që ndërthur të kaluarën me të tashmen, ajo ngre pyetje të rëndësishme mbi mënyrën se si ndërtohen dhe shkatërrohen qytetet, si dhe mbi pasojat e transformimeve të pakontrolluara urbane. Njëkohësisht, shfaqja vjen si homazh për figurën e Lucit dhe si thirrje për reflektim mbi humbjen e identitetit të qytetit.

Në këtë produksion interpretojnë aktorët Armend Smajli, Verona Koxha, Shpëtim Selmani, Kushtrim Qerimi dhe Afrim Muçaj.

Continue Reading

Kulturë

Koncert që feston trashëgiminë dhe identitetin kulturor rom në Ditën Ndërkombëtare të Romëve

Published

on

Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Shoqëria Kulturo-Artistike “Durmish Aslano” ka organizuar një koncert të veçantë, duke sjellë në skenë pasurinë e trashëgimisë shpirtërore rome përmes këngëve të vjetra dhe valleve tradicionale.

Interpretimet autoktone përcollën emocione të forta dhe reflektuan identitetin kulturor rom, ku çdo tingull dhe lëvizje rrëfente histori të ruajtura ndër breza. Publiku pati mundësinë të përjetojë nga afër një kulturë të pasur dhe autentike, e cila vazhdon të mbetet e gjallë përmes artit dhe traditës.

Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në kuadër të programeve që synojnë ruajtjen, fuqizimin dhe promovimin e diversitetit kulturor në vend.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, si dhe zëvendësministrja Tijana Veljković.

Continue Reading

Kulturë

Arti kosovar prezantohet në Çeki

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdon prezantimin dinjitoz të artit tonë në skenat ndërkombëtare.

Sot, në Çeki, publiku ka mundësinë të ndjekë premierën e shfaqjes “TERMIN@L”, një vepër bashkëkohore që sjell në skenë fuqinë krijuese dhe nivelin artistik të baletit kosovar.

Kjo paraqitje është dëshmi e rrugëtimit të suksesshëm të institucioneve tona kulturore, që përmes artit po e prezantojnë Kosovën në botë, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke forcuar identitetin tonë kulturor në skenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Të kërkuara