Deputetja nga radhët e partisë “Guxo”, e cila ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Jeta Statovci tha se egoja e opozitës së deritanishme është më e lartë sesa interesi i Kosovës dhe konstituimi i Kuvendit. Sipas saj, po përdoret strategji sabotuese dhe bllokuese duke mos marrë pjesë në procesin e votimit në seancat konstituive që po mbahen çdo 48 orë.
Pas dëshmimit të seancës konstituive për herë të tridhjetë e shtatë, Statovci tha se mosvotimit i partive që deri tani ishin në opozitë është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Ne po e shohim që egoja e opozitës është më e lartë sesa interesi i Kosovës dhe konstituimi i Kuvendit. Andaj përmes një strategjie sabotuese dhe bllokuese nuk kemi pjesëmarrje të procesit të votimit. Ne kemi qenë vazhdimisht thirrës në sensin që të kemi pjesëmarrje të votimit qoftë përmes votës për, kundër, apo abstenimeve. Mirëpo, bie në kundërshtim edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nëse vazhdohet në një proces tutje të mospjesëmarrjes nga akterët tjerë të opozitës në këtë proces të votimit”, tha Statovci.
Statovci para gazetarëve potencoi se janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese sa i përket procesit të seancës konstituive.
Siç tha ajo, partitë politike nuk duhet bërë presion ndaj deputetëve për të mos votuar. Sipas saj, tendenca për të bllokuar procesin, vjen pasi të njëjtat kanë pasiguri tek deputetët e tyre.
“Ne jemi në pritje të vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese e cila fillimisht duhet të deklarohet nëse e pranon këtë lëndë për trajtim dhe cili do të jetë epilogu tutje. Në mënyrë që të dalim nga një situatë e tillë dhe spektri politik i cili prehet nga partitë tjera opozitare…Unë besoj që duhet të mos imponojnë dhe të mos bëjnë presion ndaj deputetëve tyre, mirëpo të respektojnë gjykimin dhe integritetin e cilido deputetë. Tendenca e tyre për të bllokuar këta hapa nënkupton se kanë pasiguri në deputetë e tyre”, potencoi Statovci.
Sot, ka dështuar për të tridhjeteshtatën (37) herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Seanca e radhës është caktuar të premten (më 27 qershor) në ora 11:00.