Lajmet

Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, Dugolli: Policia dhe AKI në nivel të detyrës

Published

on

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka deklaruar se Serbia po ndërhyn në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe hibride në zgjedhjet në veri të vendit, duke ushtruar frikë dhe shantazh ndaj qytetarëve serbë për t’i detyruar të votojnë për Listën Serbe.

Dugolli ka thënë se kjo parti vazhdon të funksionojë si satelit i Beogradit dhe i Vuçiqit, duke minuar demokracinë dhe duke dëmtuar procesin zgjedhor në Kosovë.

“Fatkeqësisht jemi dëshmitarë që Lista Serbe është një satelit i Beogradit dhe Vuçiqit, dhe sa herë që organizohen zgjedhje qoftë të nivelit lokal e ato qendrore, Serbia ndërhyn. Janë raportimet që kanë bërë organizata të ndryshme vëzhguese edhe gjatë viteve të kaluara, por tani shihet një vërull dhe intensitet edhe më i madh i Serbisë që ndërhyn në zgjedhje, pengon qytetarët, frikëson qytetarët që të votojnë për një parti, për një satelit të tyre, gjë që minon demokracinë dhe e bën këtë proces të zgjedhjeve lokale të lëndueshëm, sidomos në ato pjesë tek komuniteti serb, për shkak se demokracia ka kuptim kur marrin pjesë të gjithë në proces zgjedhor pa frikë, pa intimidime, shantazhe dhe pa presione,” tha Dugolli.

Ai ka theksuar se çështja e sigurisë është prioritet për institucionet e vendit, ndërsa ndërhyrjet e Serbisë i ka cilësuar si forma hibride që kërkojnë vëmendje të veçantë.

“Natyisht që çështja e sigurisë është top prioritet për institucionet tona dhe Republikën tonë, dhe ne jemi aty ku duhet — pra Policia e Kosovës, Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe institucionet tjera të sigurisë janë në nivel të detyrës. Mirëpo këto forma të ndërhyrjes janë hibride dhe është më problem për shkak se ne shohim situatën në tërësi të sigurisë dhe mundohemi e garantojmë që siguria do të jetë në nivel. Por këto presione që janë të ndryshme, që zhvillohen me metoda hibride nga Serbia, janë paksa më problematike në kuptimin e ndërhyrjes së shtetit, sepse ne nuk mundemi të shkojmë shtëpi për shtëpi, të ndalim çdo qytetar dhe ta pyesim a ka ndonjë presion nga ndonjë subjekt apo politikan. Është më e komplikuar, prandaj tani për tani jemi të fokusuar që situata e sigurisë të jetë në nivel dhe të krijojmë një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët. Inkurajojmë të gjithë qytetarët që i nënshtrohen presioneve të tilla të raportojnë dhe të jenë bashkëpunues me organet tona të sigurisë të shtetit tonë, për shkak se Republika e Kosovës është republikë edhe e shqiptarëve, edhe e serbëve, edhe e të gjithë qytetarëve që jetojnë në këtë hapësirë,” tha ai.

Në fund, Dugolli ka theksuar se qytetarët duhet të votojnë të lirë dhe pa presione, ndërsa ka paralajmëruar se kushdo që fiton poste publike duhet t’i respektojë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës./S.K/EO/

 

Continue Reading

Vendi

Profesorët e UBT-së botojnë studimin mjekësor në revistën prestigjoze ndërkombëtare MDPI

Published

on

By

Profesorët e UBT-së, Dr. Lirim Shefki Mustafa dhe Dr. Fitim Bexhet Alidema, kanë publikuar një studim mjekësor në revistën e njohur ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology”, që është pjesë e platformës së fuqishme shkencore MDPI.

Ky punim, me titullin “Comparison of Two Triple Therapy Regimens for Helicobacter pylori Eradication in Patients with Dyspepsia: A Retrospective Study from Primary Care”, ka arritur të indeksohet në rrjetet më të rëndësishme të shkencës botërore si Web of Science dhe Scopus, duke u renditur në kategorinë e lartë Q2.

Ky hulumtim i stafit të UBT-së ka një rëndësi të madhe praktike pasi ka marrë në shqyrtim plot 1,800 pacientë të rritur që u trajtuan mes janarit të vitit 2023 dhe fillimit të vitit 2026.

Qëllimi ishte të gjendej një zgjidhje më e mirë kundër bakterit të rrezikshëm Helicobacter pylori, i cili shkakton probleme si gastriti apo ulçera, në një kohë kur trajtimet klasike po dështojnë rregullisht për shkak se bakteri është bërë rezistent ndaj antibiotikëve standardë.

Nga krahasimi që u bë, doli se terapia e re e bazuar në levofloxacin funksionon shumë më mirë, duke e zhdukur bakterin në 82.9% të rasteve, përballë trajtimit të vjetër me clarithromycin që pati sukses vetëm në 71.8% të pacientëve.

Përveç se më efektiv, ky kombinim i ri solli edhe më pak efekte anësore për organizmin. Profesorët zbuluan gjithashtu se stili i jetesës ndikon shumë në shërim, pasi duhani, alkooli, obeziteti dhe diabeti e bëjnë bakterin më të fortë dhe rrisin shanset që trajtimi të dështojë.

Ky botim, i dalë zyrtarisht sot më 13 korrik 2026, tregon edhe një herë nivelin e lartë të kërkimit shkencor në UBT dhe u vjen në ndihmë direkt mjekëve për të dhënë receta më të sakta e pa i keqpërdorur antibiotikët.

Continue Reading

Vendi

KFOR-i me stërvitje speciale pranë Bondsteel-it për menaxhimin e rasteve urgjente

Published

on

By

Ushtarët e Komandës Rajonale në Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it kanë zhvilluar një stërvitje të specializuar për reagim ndaj rrëzimit të aviacionit pranë Kampit Bondsteel.

Ky trajnim kishte për qëllim forcimin e koordinimit mjekësor shumëkombësh dhe rritjen e kapaciteteve për reagim të shpejtë në zonat operative.

Stërvitja bëri bashkë ekuazhet ajrore dhe mjekët fluturues për të ushtruar triazhin e të lënduarve, trajtimin mjekësor dhe procedurat e evakuimit urgjent.

Përmes këtyre aktiviteteve, KFOR-i mban gatishmërinë operacionale dhe aftësitë e nevojshme për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit në Kosovë.

Misioni i udhëhequr nga NATO-ja vazhdon të zbatojë mandatin e tij sipas Rezolutës 1244, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

Burim Berisha sjell “RESIDUE”, një reflektim artistik mbi kujtesën dhe transformimin

Published

on

By

Profesori i Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale në UBT, Burim Berisha, do të prezantojë ekspozitën e tij personale “RESIDUE”, e cila do të hapet më 18 korrik në Institutin e Artit Bashkëkohor ARKIV në Pejë.

Ekspozita është pjesë e programit kuratorial të institucionit dhe paraqet një përmbledhje të praktikës artistike të Berishës, të zhvilluar përgjatë më shumë se 25 vjetësh krijimtari në fushën e artit bashkëkohor.

Përmes skulpturës dhe instalacioneve që ndërthurin elemente si tingulli, tymi, dheu dhe materiale të ndryshme, “RESIDUE” eksploron marrëdhënien ndërmjet kujtesës, transformimit dhe gjurmëve që mbeten pas një ngjarjeje, personi apo objekti. Veprat ftojnë publikun në një reflektim mbi praninë dhe mungesën, duke e trajtuar artin si një proces që ruan dhe rikrijon kujtesën përtej momentit të krijimit.

Në këtë ekspozitë, figura nuk paraqitet në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ndërtohet përmes materialit, shenjave të pranisë dhe hapësirës, duke krijuar një dialog mes asaj që është e dukshme dhe asaj që mbetet e nënkuptuar.

Ekspozita “RESIDUE” dëshmon për angazhimin e vazhdueshëm artistik të Prof. Burim Berishës dhe kontributin e tij në zhvillimin e artit bashkëkohor, si në Kosovë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Continue Reading

Lajmet

Ambasadori i Hungarisë në Kosovë ligjëron në UBT për politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian

Published

on

By

Fakulteti i Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë në UBT ka nisur aktivitetet e Akademisë Verore 2026, në kuadër të Global UBT Fest 2026, me një ligjëratë të veçantë nga Ambasadori i Hungarisë në Republikën e Kosovës, László Dux, i cili zhvilloi një dialog me studentët dhe stafin akademik mbi temën “EU Enlargement Policy”.

Aktiviteti inaugurues mblodhi studentë të Shkencave Politike, Studimeve të Sigurisë, Politikave Publike dhe Menaxhimit, të cilët patën mundësinë të diskutojnë mbi një nga temat më aktuale të agjendës evropiane – politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe rëndësinë e saj për vendet aspirante.

Gjatë ligjëratës, Ambasadori Dux trajtoi zhvillimet më të fundit në procesin e zgjerimit të BE-së, sfidat dhe mundësitë që e shoqërojnë këtë proces, si dhe perspektivën e Hungarisë lidhur me të ardhmen evropiane të rajonit. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve evropiane, duke nënvizuar se zgjerimi mbetet një element kyç për forcimin e stabilitetit, sigurisë dhe zhvillimit në Evropë.

Diskutimi u zhvillua në një atmosferë interaktive, ku studentët adresuan pyetje mbi procesin e integrimit evropian, politikat e zgjerimit, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe sfidat gjeopolitike që ndikojnë në të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe rajonit.

Përmes organizimit të këtij aktiviteti, UBT vazhdon të sjellë pranë studentëve diplomatë, vendimmarrës dhe ekspertë ndërkombëtarë, duke krijuar mundësi për debat akademik dhe shkëmbim të drejtpërdrejtë të përvojave mbi çështjet më të rëndësishme të politikës globale.

Akademia Verore e Fakultetit të Shkencave Politike dhe Studimeve të Sigurisë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me ligjërata, panele diskutimi dhe aktivitete akademike të fokusuara në diplomaci, siguri, qeverisje dhe politika publike, me pjesëmarrjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.

Continue Reading

Të kërkuara