Lajmet

NATO: Lipset rikonceptim në mbrojtje dhe parandalim

Invazioni i Rusisë në Ukrainë e vendos NATO-n nën presion jo vetëm tani nga aktualiteti.

Published

on

Edhe në perspektivë afatgjatë lufta do të bëjë që aleanca të rrisë masivisht kapacitetet e armatimit: në tokë, në det dhe në ajër.

Jens Stoltenberg godet tri herë tryezën me çekiç që pjesëmarrësit të përqendrohen. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, një norvegjez, nuk e ka të lehtë këto ditë. Në rendin e ditës sërish është lufta në Ukrainë.

Të mërkurën (16.03) u mblodhën në Bruksel ministrat e mbrojtjes të 30 vendeve anëtare të aleancës. Të ftuar ishin gjithashtu edhe homologët e tyre nga Ukraina, Gjerogjia, Finlanda, Suedia si dhe përfaqësues të BE-së, që pjesërisht morën pjesë përmes lidhjes online.

Takimi konsiderohet si përgatitje për samitin e NATO-s në prani të presidentit të SHBA-së Joe Biden javën e ardhëshme.

Më së voni me fillimin e „luftës absurde” të Rusisë në Ukrainë, kështu e përshkruan atë Stoltenberg, Pakti i Atlantikut Verior duhet të përballet me disa pyetje. Në radhë të parë me kërkesën që e parashtron pareshtur presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyj. P.sh. përse NATO nuk krijon një zonë të ndalim-fluturimeve mbi Ukrainë.

Edhe pse fare pak partnerë të NATO-s si Etsonia, vend fqinj me Rusinë, bëjnë thirrje për bllokimin e hapësirës ajrore mbi Ukrainë, aleanca deri tani e ka refuzuar me këmbëngulje këtë. Për të realizuar një zonë të tillë, avionët luftarakë të NATO-s do të duhej të fluturonin në hapësirën ukrainase dhe të qëllonin ndaj avionëve rusë.

Deri tani NATO gjithmonë ka theksuar, se nuk do të ndërhyjë direkt ushtarakisht në territorin ukrainas, thotë Linas Kojala, drejtor i Thinktank „Eastern Europe Studies Centre” në Vilna të Lituanisë. Një no-fly-zone partnerët e aleancës nuk do ta shtrojnë as në të ardhmen si opcion. 

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht

Jo trupa të NATO-s në Ukrainë

Ministrja gjermane e Mbrojtjes Christine Lambrecht theksoi në Bruksel, se natyrisht jemi të vendosur në anën e Ukrainës, por është e rëndësishme të ruhet arsyeja.”Ne duhet të bëjmë të qartë se kjo nuk është luftë, në të cilën merr pjesë NATO”, thotë Lambrecht. Qëllimi i aleancës duhet të jetë, të shmangë përhapjen e saj. 

Edhe nëse NATO dhe anëtarët e saj vazhdimisht bëjnë të qartë, që nuk do të përzihen vet në Ukrainë, sepse ky shtet është fqinj, por nuk është partner i aleancës, një gjë është e qartë: NATO nuk mund të vazhdojë si më parë pas 24 shkurtit, dita kur tanket ruse marshuan përtej kufirit në Ukrainë.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha të mërkurën, se „invazioni brutal” ndaj Ukrainës do të ndryshojë sigurinë në Europë, se lufta e Rusisë do të ketë pasoja afatgjatë për të gjithë aleancën.

Më shumë trupa në krahun lindor

Ndër këto pasoja afatgjata është fjala për çështje praktike: Sa trupa duhet të dislokohen dhe ku? Çfarë pasjisjesh ushtarake nevojiten? Sa duhet investuar? 

Por shtrohen edhe çështje parimore: Çfarë mund të bëjë NATO lidhur me mbrojtjen dhe parandalimin? Eshtë synimi i saj vetëm të dislokojë disa trupa apo në rast të një sulmi ndaj një vendi anëtar të mund ta mbrojë vërtetë atë?

Tony Lawrence nga Thinktank „International Centre for Defence and Security” në Talin në Estoni, thotë, se NATO deri tani është mjaftuar me trupa të vogla, të përbëra nga ushtri të veçanta të aleancës.

Sipas Jens Stoltenberg aktualisht janë rreth 40.000 burra e gra nën komandën e NATO-s në krahun lindor, kryesisht në Baltik dhe në Poloni. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë janë gjithashtu edhe qindra mijëra ushtarakë në Europë të gatshëm për ndërhyrje, nëse është e nevojshme, shtoi ai të mërkurën në Bruksel.

Belgien l Treffen der NATO-Verteidigungsminister, Familienbild

“Meqënëse gjendja e sigurisë është përkeqësuar shumë më tëpër se përpara disa muajsh, NATO duhet ta trajtojë me shumë seriozitet, nëse mënyra e deritanishme e parandalimit ende është e përshtatshme për kohën sot”, deklaron Tony Lawrence në bisedë për DW. 

Sekretari i NATO-s Jens Stoltenberg nga takimi i së mërkurës në Bruksel dërgoi një sinjal, se gjërat do të ndryshojnë. NATO ndodhet përballë një realiteti të ri, thotë Stoltenberg. “Ne duhet ta riorientojmë afatgjatë mbrojtjen tonë kolektive dhe parandalimin.”

A është pengesë Akti Themelor NATO-Rusi?

Në tokë kjo nënkupton shumë më tepër trupa në krahun lindor të aleancës. Me një armatim më të mirë dhe gatishmëri për mobilizim më të shpejtë, nga njëra anë, nga ana tjetër në det më shumë anije luftarake, në ajër një mbrojtje kundërajrore dhe raketore më e fortë.

Mbrojtja kundërajrore është tani ajo që mungon në lindje të NATO-s, thotë Tony Lawrence nga “International Centre for Defence and Security”. “Lufta në Ukrainë po na tregon tani, se sa e rëndësishme është mbrojtja nga ajri.”

Sipas Linas Kojala nga Thinktank „Eastern Europe Studies Centre” në Vilna në këtë kontekst një rol luan edhe, që kufiri lindor i NATO-s është bërë më i brishtë.  “Bjellorusia është ndërkohë një krah i zgjatur i ushtrisë ruse, nuk është një vend i pavarur”, thotë Kojala. Kjo në radhë të parë, sepse ky vend i lejon Rusisë të lëshojë raketat nga territori i vet.

Se sa trupa do të dislokohen në të ardhmen nën komandën e NATO-s në Europë dhe kur, për këtë nuk u shpreh Stoltenberg, por ai bëri të qartë, që nuk e konsideron si pengesë Aktin Themelor NATO-Rusi. Deklarata e nënshkruar më 1997 nga NATO dhe Rusia, përcakton që NATO nuk lejohet të dislokojë afatgjatë trupa në kapacitete të konsiderueshme në kufijtë me Rusinë. DW

Continue Reading

lajme

Kurti pret në takim lamtumirës ambasadorin e BE-së, Aivo Orav

Published

on

By

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim lamtumirës Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi, kreu i qeverisë shprehu mirënjohje të thellë për angazhimin dhe shërbimin e diplomatit evropian në Kosovë, që nga marrja e detyrës së tij më 1 shtator 2024.

Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për bashkëpunimin korrekt, duke vlerësuar se përgjatë mandatit të tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian janë fuqizuar ndjeshëm, përkundër sfidave të shumta të periudhës.

Në mënyrë të veçantë, kryeministri potencoi përkushtimin e ambasadorit në procesin e lansimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si një hap kyç në rrugëtimin integrues të vendit.

Më tej, në fokus të bisedës ishin hapat e radhës që priten nga Brukseli në raport me Prishtinën zyrtare. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian të vlerësojë progresin e arritur dhe të mundësojë marrjen e statusit të merituar të vendit kandidat për anëtarësim.

Në përmbyllje të takimit, Kurti i uroi ambasadorit Orav suksese në angazhimet e tij të ardhshme profesionale, duke e falënderuar sërish për kontributin e dhënë në avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Interesim i jashtëzakonshëm për UBT International Smart Schools në Open Day – vazhdojnë regjistrimet e hershme

Published

on

By

Qindra nxënës dhe prindër nga e gjithë Kosova morën pjesë në aktivitetet Open Day të organizuara nga UBT International Smart Schools në kampusin e Lipjanit dhe në Gjimnazin TIK në Prizren, duke treguar interesim të jashtëzakonshëm për edukimin modern dhe inovativ.

Vizitorët patën mundësinë të eksplorojnë ambientet bashkëkohore të mësimit, të njihen me drejtimet arsimore dhe metodologjitë që ndërthurin teknologjinë dhe zhvillimin e aftësive praktike. Në të njëjtën kohë, u njoftua se regjistrimet e hershme tashmë janë hapur, duke i ofruar nxënësve mundësinë të sigurojnë vendin e tyre në drejtimet më inovative dhe të kërkuara.

Interesim i veçantë u shfaq edhe për metodologjinë moderne të mësimdhënies, e cila ndërthur njohuritë akademike me përdorimin e teknologjisë dhe aftësitë praktike të nevojshme për të ardhmen.

Pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të marrin informacione rreth bursave që janë përfituar përmes Testit Provues të Arritshmërisë, si dhe për mundësitë e shumta që ofron ky institucion për zhvillimin personal dhe profesional të nxënësve.

Të gjithë të interesuarit mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e UBT International Smart Schools, përmes platformës së aplikimit online: Linku i Aplikimit Online

Continue Reading

Vendi

Aksion kundër fajdesë në Prizren: Një i arrestuar dhe katër në kërkim për zhvatjen e mbi 1 milion eurove

Published

on

By

Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar sot një operacion të gjerë policor të fokusuar në arrestimin e disa personave si të dyshuar për fajde, detyrim dhe privim të kundërligjshëm të lirisë.

Gjatë këtij aksioni, i cili përfshiu kontrolle në pesë lokacione të ndryshme në qytetin e Prizrenit, është arrestuar një person me inicialet B.K., ndërsa katër të dyshuar të tjerë (GJ.K., E.K., E.K. dhe E.R.) ndodhen ende në kërkim policor.

Sipas hetimeve të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, ky grup dyshohet se ka shkaktuar një dëm fillestar prej rreth 700,000 eurosh ndaj viktimës, duke kërkuar edhe 450,000 euro të tjera në emër të kamatave të larta.

Në komunikatën zyrtarë thuhet se: “Të dyshuarit në mënyrë të vazhdueshme kanë detyruar viktimën të paguajë shuma të ndryshme parash si interes për fajde, duke përdorur forma të ndryshme të presionit dhe dhunës. Po ashtu, ata dyshohet se në raste të caktuara e kanë privuar viktimën edhe nga liria, me qëllim që ta detyrojnë të paguajë kamata të larta të fajdesë”.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj të arrestuarit është lëshuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërkohë që operacioni për lokalizimin e personave të tjerë po vazhdon me intensitet të lartë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se: “Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”.

 

Continue Reading

Botë

Qeveria gjermane refuzon kërkesën e Trump-it

Published

on

By

Qeveria gjermane ka hedhur poshtë kërkesat e Presidentit të SHBA-së për mbështetjen e aleatëve të NATO-s në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit gjatë luftës në Lindjen e Mesme.

“Kjo luftë nuk ka të bëjë fare me NATO-n. Kjo nuk është lufta e NATO-s”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Stefan Kornelius, në Berlin, raporton gazeta gjermane Bild.

Ai shtoi se aleanca është krijuar për mbrojtjen e territorit të vendeve anëtare dhe se aktualisht mungon një mandat për angazhimin e NATO-s në këtë rajon.

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe Ministri i Jashtëm, Johann Wadephul (63, CDU). Duke pasur parasysh vazhdimin e luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit, Wadephul shtoi se kjo pyetje nuk shtrohet “në këtë moment”.

“Ne duam fillimisht të dëgjojmë nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kur synojnë t’i arrijnë objektivat e tyre ushtarake në Iran”, tha Ministri i Jashtëm.

Sipas tij, vetëm pas kësaj, në një fazë tjetër, mund të definohet “një arkitekturë sigurie për të gjithë këtë rajon”.

Trump: Mund të jetë “shumë keq për të ardhmen e NATO-s”

Presidenti i SHBA-së kishte deklaruar në një intervistë për Financial Times se NATO do të përballet me një të ardhme të zymtë nëse partnerët e SHBA-së nuk ndihmojnë.

“Nëse nuk do të ketë reagim, ose nëse reagimi do të jetë negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë keq për të ardhmen e NATO-s”, citohet të ketë thënë Trump.

I pyetur për këto kërcënime të Trump-it, zëdhënësi Kornelius u mjaftua duke thënë: “Ne i kemi marrë parasysh këto deklarata”.

Trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për transportin ndërkombëtar të naftës dhe gazit të lëngshëm, praktikisht është bllokuar për shkak të luftës dhe kërcënimit të sulmeve iraniane. /Bild/

 

Continue Reading

Të kërkuara