Lajmet

​NATO do ta rrafshojë Moskën, hakerët rusë sulmojnë telekomunikacionet belge

Published

on

Operatorët belgë të telekomunikacionit Proximus dhe Scarlet u përballën me ndërprerje të shkurtra këtë mëngjes pas një sulmi hakerimi DDoS, raportoi agjencia e lajmeve Belga.

Zëdhënësi i Proximus, Fabrice Gansbeke, tha se teknikët zbuluan trafik të pazakontë të rrjetit në orën 7:20 të mëngjesit sipas kohës lokale dhe menjëherë morën masa mbrojtëse.

“Ne pamë një rritje të trafikut nga ora 7:30 e mëngjesit. Ndikimi ishte shumë i kufizuar, sistemet tona qëndruan”, tha Gansbeke.

Në sulmet DDoS, hakerët përmbytin një faqe interneti me sasi të mëdha trafiku, duke e bërë atë përkohësisht të padisponueshme. Sulme të tilla nuk kompromentojnë të dhënat e përdoruesve.

Në të njëjtën kohë, Spitali Universitar i Ghentit ishte gjithashtu shënjestër e një sulmi DDoS, i cili ngadalësoi komunikimin me disa sisteme të jashtme dhe vonoi përkohësisht qasjen në informacione të caktuara.

Grupi i hakerëve pro-rus NoName057 njoftoi në Telegram se qëndronte pas sulmeve ndaj Scarlet, Proximus dhe portalit të brendshëm të Telenet. Ky i fundit, megjithatë, mohoi se ishte prekur.

Hakerët iu referuan një deklarate të kohëve të fundit të Ministrit belg të Mbrojtjes, Theo Francken, i cili tha se “NATO do ta rrafshonte Moskën” nëse Rusia sulmonte Brukselin.

“Ne e këshillojmë ministrin belg të mos bëjë deklarata të tilla”, tha grupi.

NoName057 ka sulmuar më parë Belgjikën, me hakerë që kanë ndërprerë faqet e internetit të qeverisë për katër ditë rresht përpara zgjedhjeve të tetorit të vitit të kaluar, dhe një sulm i ngjashëm u përsërit në mars të këtij viti./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Evakuohen 15 familje në Mitrovicë

Published

on

By

Nga ora 2 e mesnatës deri më tani janë evakuuar gjithsej 15 familje nga lagjja “2 Korriku” në Mitrovicë, ka bërë të ditur Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Mitrovicë të Jugut, Burim Ibishi.

Si pasojë e vërshimeve, Ibishi ka bërë të ditur se situata në këtë pjesë të qytetit nuk është e mirë, pasi uji ka përfshirë pothuajse tërë zonën.

Sipas Ibishit, ekipet në terren po përballen edhe me vështirësi shtesë, pasi disa banorë po refuzojnë evakuimin.

“Disa banorë po dalin, disa jo. Kjo po na krijon problem dhe po kërkon organizim të kujdestarisë. Gjendja nuk është e mirë, por nuk mund të them se është diçka jashtëzakonisht alarmante”, ka thënë Ibishi për Kosovapress.

Ai ka shtuar se për momentin ujërat janë ende brenda shtretërve të tyre dhe nuk kanë dalë jashtë, por lagjet “2 Korriku” dhe “Lisica” mbeten më problematiket, ku zjarrfikësit po përballen me më së shumti telashe dhe po qëndrojnë në gatishmëri të vazhdueshme./KP

Continue Reading

Lajmet

Moti sot: Borë e ngrica

Published

on

By

Sot në vendin tonë po mban mot i ftohtë dhe me mundësi për reshje bore.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) temperaturat minimale do të lëvizin mes -5 dhe -2 gradë Celsius, ndërsa maksimalet mes -1 dhe 1 gradë Celsius.

Era do të fryjë nga juglindja 1-7m/s.

E rënia e temperaturave, veçanërisht pas reshjeve të mëdha të shiut ditët e fundit, ka bërë që institucionet të apelojnë qytetarët për kujdes.

Thirrje për kujdes të shtuar në trafik ka bërë Policia e Kosovës, për shkak të rrezikut të ngricave të mundshme në rrugë.

Continue Reading

Lajmet

Prokuroria e Prizrenit me aksion të madh në disa qytete të Kosovës

Published

on

By

Një aksion i madh policor është duke u kryer në disa qytete të Kosovës, ka bërë të ditur kryeprokurori Petrit Kryeziu.

Aksioni po zhvillohet nga Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës të udhëhequra nga një numër i madh i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

Sipas “Burimit për Drjetësi”. deri tani janë arrestuar disa persona në regjionet e Prizrenit, Prishtinës, Pejës, Gjilan, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës, ndërsa aksioni është duke u zhvilluar lidhur me kryerjen e veprave penale “keqpërdorim i besimit”, “keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi”, “ndihmë në keqpërdorim të besimit” dhe falsifikim të dokumentit”.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin

Published

on

By

Në kuadër të lëndëve Marketing Ndërkombëtar dhe Marketing Digjital, studentët e Fakultetit Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi – Niveli Master në UBT, të udhëhequr nga prof. Gonxhe Beqiri, realizuan një vizitë studimore në agjencinë e marketingut Base Agency në Prishtinë.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me themeltarët e agjencisë, Lirak Arifaj dhe Alban Shabani, dhe të mësojnë për sfidat dhe sukseset që kanë shoqëruar zhvillimin e kompanisë deri më sot. Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua prezantimit të klientëve kryesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, duke theksuar bashkëpunimet strategjike dhe fushat e ndryshme të veprimtarisë së agjencisë.

Studentët u njohën gjithashtu me procedurat e brandimit, qasjen profesionale në punën me klientët, si dhe metodologjitë e përdorura për ndërtimin dhe menaxhimin e identitetit të markave. U prezantuan edhe inovacionet më të fundit në marketing dhe komunikim, si dhe projektet e shumta të realizuara me sukses, që dëshmojnë për kreativitetin dhe kapacitetin profesional të agjencisë.

Vizita ishte interaktive, ku studentët bënë pyetje mbi strategjitë e marketingut, rëndësinë e inovacionit, zhvillimin e tregut ndërkombëtar dhe përgjegjësinë sociale të kompanisë.

Continue Reading

Të kërkuara