Lajmet

​National Geographic: Pesë arsyet pse Shqipëria duhet të jetë arratisja juaj e radhës

Published

on

Vlora, qyteti i tretë më i madh në Shqipëri, ka shumë për të ofruar. Zbuloni plazhet e tij të mrekullueshme, historinë spektakolare dhe kompleksin e ri të Marinës, shkruan Joseph Reaney në një artikull të botuar në “National Geographic”.

E rrethuar nga ujërat blu dhe peizazhi i gjelbër, me detin Adriatik të pabesueshëm të kaltër në njërën anë dhe Malet e Vetëtimës të mbështjellë me pisha nga ana tjetër, Vlora ka magjepsur vizitorët vendas që nga ditët e Homerit.

Por vetëm tani – pasi Shqipëria po bëhet një nga destinacionet me rritjen më të shpejtë turistike në Evropë – më në fund po fiton një vëmendje më të gjerë.

Me motin e saj të mrekullueshëm, brigjet e gjata me rërë, historinë e lashtë dhe atraksionet e reja emocionuese – duke përfshirë projektin modern bregdetar që po ndërtohet -Vlora ka të gjithë elementët e nevojshëm për t’u bërë arratisja tjetër e madhe mesdhetare.

Më poshtë vijojnë pesë arsyet pse duhet të vizitoni Vlorën:

1. Eksploroni bregdetin mahnitës

Ndiqni shëtitoren nga Marina e Vlorës dhe shumë shpejt do ta gjeni veten në zonën e plazhit. Kjo shtrirje e gjatë e rërës së artë është një atraksion për vizitorët në zonë. Ju do të mahniteni me panoramën e saj, pasi qyteti gëzon më shumë se 300 ditë me diell në vit.

Merrni një kajak ose skaf në gji për të eksploruar brigjet mahnitëse shkëmbore dhe shpellat misterioze të Gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit. Eksploroni zonën më të gjerë të Vlorës, që është shtëpia e shumë plazheve të bukura, si Dhërmiu, Gjipeja, Radhima, Jala apo Palasa — të gjitha lehtësisht të arritshme në një udhëtim ditor nga qyteti.

2. Zbuloni kulturën

Vlora dhe Shqipëria e Jugut janë të bekuara me disa objekte të pabesueshme trashëgimie. Pasi të vizitoni qytetin e vjetër të qytetit dhe Kalanë e Kaninës, drejtohuni në jug në Orikum, dikur një bastion i Jul Çezarit dhe tani një park arkeologjik.

Vizitorët mund të udhëtojnë gjithashtu në veri të Apolonisë, një qytet në majë të kodrës me rrënojat e lashta greke dhe romake. Më tej – ndodhen vendet e famshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Gjirokastrës dhe Beratit.

I pari është një qytet osman i ruajtur mirë, i shpërndarë në një kodër, dhe i dyti është një qytet me një ndërthurje ndikimesh ilire, romake dhe bizantine, shtëpia e kishave dhe xhamive të mbushura me murale.

3. Qëndroni në një Marinë krejtësisht të re

Bregu i detit të qytetit po shndërrohet aktualisht në Marinën e Vlorës, një projekt në zhvillim,

Zona do të ketë mundësi të shkëlqyera akomodimi, duke përfshirë një hotel me 5 yje dhe apartamente elegante me pamje nga deti. Në juglindje nga Marina e Vlorës ndodhet një shëtitore e gjatë – e cila do të jetë e mbushur me restorante, kafene, bare, dyqane dhe argëtime familjare.

Vizitorët do të jenë në gjendje të enden përgjatë pontoneve lundruese që ofrojnë ankorim për më shumë se 400 jahte dhe mega jahte – dhe shohin velat e tyre të gjata të bardha që lëkunden butësisht në erë, duke reflektuar mbi ujërat e kristalta.

Do të ketë shumë vende për të shjuar një kafe, akullore italiane – përpara se të pushoni në një nga spa-të luksoze të resortit ose në baret buzë detit.

4. Provoni kuzhinën mesdhetare

Ju mund ta shijoni “Mesdheun” në Vlorë. Rendi i ditës këtu janë ushqimet e detit, me çdo gjë, nga levreku dhe barbuni e deri te kallamari dhe sepjet në menu, të cilat më së miri shërbehen me limoni ose pak hudhër.

Mund të shijohen edhe ushqime të tjera shqiptare dhe ballkanike, si byreku, mishi i pjekur në skarë, qofte dhe tavë kosi.

Mos humbisni djathin kaçkavall, i cili është i pëlqyer nga vizitorët (djathë kaçkavall tradicional gjysëm i fortë shqiptar), dhe, si ëmbëlsirë – bakllavanë e shijshme.

Shoqëroni ushqimin tuaj me një gotë verë, raki (një pije alkoolike tradicionale e prodhuar në Shqipëri) apo edhe një dhallë.

5. Zbuloni habitatin natyror

Vlora është ideale për ata që kërkojnë të eksplorojnë natyrën, kodrat dhe malet e thepisura që përqafojnë qytetin. Për jetën e mahnitshme të shpendëve, shkoni në veri të Vlorës në Lagunën e Nartës, një zonë ligatinore e mbrojtur bregdetare e njohur për biodiversitetin e saj të pasur.

Nëse pyjet e gjelbra të dendura dhe faqet vertikale të shkëmbinjve ju tërheqin më shumë, drejtohuni 20 milje në jug të Vlorës për në Parkun Kombëtar të Llogorasë, ku bashkohen detet Adriatik dhe Jon. Gjithashtu, për një aventurë njëditore, udhëtoni drejt kufirit grek për në liqenet dhe kënetat e bukura të Parkut Kombëtar të Butrintit të listuar në UNESCO.

lajme

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Lajmet

Sot seancë e jashtëzakonshme për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë

Published

on

By

Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme në orën 16:00 lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin e ka bërë të ditur Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Në një deklarim për media, Nagavci theksoi se të gjithë zyrtarët institucionalë që kanë dështuar të veprojnë apo të ofrojë mbrojtje në këtë rast duhet të hetohen dhe të mbajnë përgjegjësi të plotë.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në fshatin Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuari për kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati.

Continue Reading

Vendi

Policia shpall në kërkim Albert Sylajn, kërkohet ndihma e qytetarëve

Published

on

By

Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Pejë, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë, ka lëshuar një kërkesë zyrtare për bashkëpunim me qytetarët me qëllim lokalizimin dhe arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

I kërkuari është Albert (Sylejman) Sylaj, i lindur më 12 dhjetor 1984 në Deçan.

Policia u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë çfarëdo informacioni lidhur me vendndodhjen e të dyshuarit, të njoftojnë menjëhirë organet e rendit ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.

Kontaktet për të lajmëruar Policinë e Kosovës:

  • 192 dhe 0800 19999 (të dy numrat pa pagesë)
  • 039 432 327 (Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë)

Continue Reading

Lajmet

LVV kërkon seancë të jashtëzakonshme dhe komision hetimor parlamentar

Published

on

By

Lëvizja Vetëvendosje ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të thirrur seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, njoftoi se seanca synohet të mbahet më 26 tetor 2026, ku do të kërkohet themelimi i një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zinxhirin e përgjegjësisë.

Nagavci theksoi se viktima i kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj tri ditë para se të vritej.

“Ajo kërkoi ndihmë dhe mbrojtje, por përfundoi e vrarë. Asnjë grua nuk duhet ta humbasë jetën pasi u është drejtuar institucioneve për mbrojtje. Çdo veprim dhe mosveprim duhet të hetohet dhe askush nuk duhet t’i shmanget përgjegjësisë”, ka shkruar Nagavci. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara