Nasa ka njoftuar se po dërgon dy misione të reja në planetin Venera (Aferdita) në mënyrë që të studiojë atmosferën e planetit dhe tiparet gjeologjike.
Misionet, të cilave iu janë dhënë 500 milionë dollare në financim, do të fillojnë në mes të viteve 2028 dhe 2030.
Administratori i Nasa-s, Bill Nelson tha se misionet do të ofronin “shansin për të studiuar një planet në të cilin nuk kemi qenë në më shumë se 30 vjet”. Sonda e fundit amerikane e cila kishte vizituar planetin ishte orbita Magellan në vitin 1990. Sidoqoftë, anije të tjera kozmike – nga Evropa dhe Japonia – kanë përshkuar planetin që nga ajo kohë.
Misionet u zgjodhën pas një procesi të vlerësimit dhe bazuar në vlerën e tyre të mundshme shkencore dhe realizueshmërinë e planeve të tyre të zhvillimit.
“Qëllimi i këtyre dy misioneve është të kuptojnë se si Aferdita u bë një botë e ngjashme me ferrin, e aftë të shkrijë plumbin në sipërfaqe”, tha Nelson. Afërdita është planeti i dytë nga dielli dhe planeti më i nxehtë në sistemin diellor me një temperaturë prej 500C – mjaft e lartë për të shkrirë plumbin.
Misioni Davinci + do të masë atmosferën e planetit për ta kuptuar se si u formua dhe evoluua. Me këtë mision gjithashtu synohet të kuptohet nëse Aferdita ka pasur ndonjëherë ndonjë oqean.
Davinci + pritet të rikthejë imazhet e para me rezolucion të lartë të tipareve gjeologjike “tesserae” të planetit. Shkencëtarët besojnë se këto karakteristika mund të krahasohen me kontinentet në Tokë dhe mund të sugjerojnë që Aferdita ka tektonikë të pllakave.
Misioni i dytë, Veritas (Venus Emissivity, Radio Science, InSAR, Topography dhe Spectroscopy), do të hartojë sipërfaqen e planetit për të kuptuar historinë e tij gjeologjike dhe për të hetuar se si u zhvillua kaq ndryshe nga Toka.
Do të përdorë një formë radari për të përshkruar lartësitë sipërfaqësore dhe për të zbuluar nëse vullkanet dhe tërmetet po ndodhin akoma.
“Eshtë befasuese se sa pak dimë për Aferditën, por rezultatet e kombinuara të këtyre misioneve do të na tregojnë për planetin nga retë në qiell përmes vullkaneve në sipërfaqen e tij deri në thelbin e tij”, tha Tom Wagner nga Divizioni i Shkencave Planetare të Nasa.”Do të jetë sikur të kemi rizbuluar planetin”, shtoi ai.
Një pamje ndryshe e planetit Venera (Afërdita)
Analizë nga Paul Rincon
Gjatë dekadave të fundit, planeti Mars ka dominuar buxhetin e Nasa-s për misionet planetare.
Në ndërkohë, studiuesit e planetit Afërditë konsiderojnë se ky planet nuk është prioritet për Nasa-n. Por kjo ka ndryshuar. Ide të reja, interpretime dhe njerëz të rinj kanë transformuar pikëpamjen për fqinjin më të afërt të Tokës.
Ka kohë që mendohej se kishte qenë një planet “i vdekur” nga disa, ka shumë që tani mendojnë se Aferdita mund të jetë aktive gjeologjikisht, mbase me vullkanizëm periodik.
Mund të ketë strehuar oqeane për një miliard vjet të historisë së tij dhe madje ka një rajon të atmosferës së trashë të planetit ku jeta mikrobike mund të mbijetojë, duke lundruar mes reve. Shkencëtarët të cilët i kanë kushtuar karrierën e tyre për të studiuar këtë botë të ngrohjes janë të gëzuar që planeti më në fund të kthehet në radarin e Nasa-s./UBTNews
(Drini Ismajli, student i Shkencave Politike në UBT)
Netflix ka hequr në heshtje opsionin “Cast” nga aplikacioni mobil për shumicën dërrmuese të televizorëve inteligjentë.
Tani, në vend që të transmetoni direkt nga telefoni, duhet të hapni aplikacionin Netflix në vetë televizorin dhe të përdorni telekomandën për të nisur shfaqjet dhe filmat.
Ndryshimi u bë pa asnjë njoftim zyrtar, dhe përdorues të shumtë kanë vënë re zhdukjen graduale të “Cast” gjatë javëve të fundit.
Një përdorues në Reddit raportoi se funksioni u zhduk më 10 nëntor, kjo përputhet me përvojën e shumë pajisjeve tjera.
Pas rritjes së ankesave dhe konfuzionit, Netflix përditësoi faqen e mbështetjes duke sqaruar se “Cast” nuk ofrohet më për shumicën e smart TV-ve dhe pajisjeve moderne të transmetimit.
Vetëm disa pajisje të vjetra ende e mbështesin “Cast” nga aplikacioni mobil.
Madje, një përfaqësues i shërbimit për klientë thuhet se i ka thënë një përdoruesi se nëse pajisja ka telekomandë, atëherë nuk mund të përdoret “Cast”.
Edhe pse Netflix pretendon se kjo do të përmirësojë përvojën e përdoruesve, shumë prej tyre janë të pakënaqur, pasi preferonin ta kontrollonin aplikacionin drejtpërdrejt nga telefoni. /A.Z/UBT News/
Donald King, 26 vjeç, është bërë simbol i mënyrës se si kompanitë e mëdha po përdorin inteligjencën artificiale, shpesh në dëm të punonjësve të tyre.
I diplomuar në Universitetin e Teksasit në Austin në vitin 2021, King u punësua në PëC në Nju Jork si bashkëpunëtor në konsulencën teknologjike, duke punuar me klientë të rëndësishëm si Oracle.
Pasi kompania njoftoi një investim prej 1 miliard dollarësh në IA, King u bashkua me një ekip kërkimi që punonte 60–80 orë në javë.
I talentuar dhe ambicioz, ai programonte dhe drejtonte ekipe brenda dhe jashtë SHBA-së, duke u përfshirë në zhvillimin e agjentëve AI që mund të automatizonin procese të tëra pune, madje edhe departamente të kompletuara.
“Na u desh të pyesnim: çfarë po ndërtojmë? Ishte si t’i trajtoje makinat si njerëz,” rrëfen ai për Fortune.
Tetë muaj pas marrjes së rolit të ri, King prezantoi projektin e tij fitues në “hackathon”-in e OpenAI: një flotë agjentësh AI që realizonin automatikisht punët më të lodhshme të njerëzve.
I bindur se ky sukses do t’i sillte ngrritje në detyrë, ai nuk e priste surprizën që do të vinte. Vetëm dy orë pas prezantimit, nga PëC e kontaktuan me një njoftim të papritur: “Je i pushuar!”
I tronditur, King regjistroi momentin dhe e publikoi në TikTok, ku videoja u bë virale me mbi 2 milionë shikime.
“Ishte e pamundur të besoja se do të humbisja punën pikërisht për teknologjinë që unë e krijova. Mendova se isha i sigurt, sidomos pasi fitova vendin e parë. Më kapi krejt papritur,” thotë ai. /A.Z/UBT News/
YouTube ka njoftuar një vendim të rëndësishëm që prek miliona përdorues dhe krijues përmbajtjesh australianë, duke ndaluar përdoruesit nën 16 vjeç nga llogaritë e tyre brenda disa ditësh.
Ky hap vjen pas një mosmarrëveshjeje me qeverinë australiane, e cila kërkonte masa më të rrepta për të mbrojtur adoleshentët nga përmbajtja e dëmshme.
Çfarë ndryshon?
Përdoruesit nën 16 vjeç do të çaktivizohen automatikisht nga llogaria e tyre nga 10 dhjetori.
Ata nuk do të mund të abonohen, të komentojnë ose të pëlqejnë postime, por mund të vazhdojnë të shikojnë përmbajtje pas çaktivizimit.
Përdoruesit tani duhet të jenë të paktën 16 vjeç për të regjistruar një llogari në YouTube.
Sipas Komisionerit të Sigurisë Elektronike në Australi, YouTube ka rreth 325,000 llogari të mbajtura nga australianë të moshës 13–15 vjeç, krahasuar me 440,000 në Snapchat dhe 350,000 në Instagram.
Studimet tregojnë se më shumë se një e treta e australianëve 10–15 vjeç kanë hasur përmbajtje të dëmshme në YouTube.
Ky vendim po vëzhgohet nga juridiksione të tjera, duke krijuar një precedent global për mbrojtjen e fëmijëve në platformat digjitale dhe balancimin e sigurisë me qasjen në shërbime online.
YouTube e përshkruan vendimin si hap të domosdoshëm për të mbrojtur përdoruesit më të rinj e përmbushur rregulloret e qeverisë. /A.Z/UBT News/
Google Maps po përgatitet të sjellë një përvojë më të avancuar navigimi për përdoruesit e Android dhe iPhone, falë integrimit të funksionalitetit të ri të inteligjencës artificiale Gemini.
Ky përditësim synon të ofrojë një navigim më të thjeshtë, më të personalizuar dhe më të përshtatshëm për të gjithë përdoruesit.
Në versionin më të ri, ikona e mikrofonit është zëvendësuar me simbolin e Geminit, duke sinjalizuar prezencën e asistentit të ri AI.
Me aktivizimin e tij, në ekran shfaqet unaza që tregon se Gemini është gati të marrë komanda me zë. Sistemi i ri do të mbështesë të gjitha mënyrat e lëvizjes: me makinë, transport publik, në këmbë dhe me biçikletë.
Përmes komandave zanore, përdoruesit kërkojnë destinacione, rrugë alternative, informacione për trafikun apo vendndodhje të caktuara pa pasur nevojë të prekin ekranin. Kjo rrit ndjeshëm sigurinë gjatë ngasjes dhe e bën navigimin më praktik.
Google shfrytëzon inteligjencën e Geminit për të ofruar sugjerime të personalizuara e navigim fleksibël, duke e kthyer aplikacionin në një asistent të zgjuar për çdo udhëtim. Funksioni është në fazën testuese dhe pritet të shpërndahet tek përdoruesit gjatë javëve të ardhshme.
Ky integrim ndryshon mënyrën se si përdoruesit ndërveprojnë me Google Maps, duke kombinuar navigimin tradicional me AI për një eksperiencë më të qetë, më të thjeshtë dhe më efikase. /A.Z/UBT News/