Kulturë

Muzeu “Shtëpia me Gjethe” përkujton shkrimtarin Petro Marko

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” përkujton sot poetin, shkrimtarin dhe përkthyesin Petro Marko.

Published

on

Petro Marko lindi më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi të Himarës. Kreu Shkollën Tregtare të Vlorës. Më 1 mars 1936 botoi numrin e parë të së përdyjavshmes letrare “ABC”. Po atë vit mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës me një grup prej dyzetë shqiptarësh dhe hyri në repartin Garibaldi të Brigadave Ndërkombëtare. Në Madrid, së bashku me Skënder Luarasin, filloi botimin e një reviste njëzetfaqëshe në gjuhën shqipe me titullin “Vullnetari i Lirisë”, që doli vetëm dy numra.

Më 1940 u detyrua të kthehej në atdhe nga mërgimi në Francë. Një vit më vonë u arrestua nga italianët dhe u internua bashkë me gjashtëqind të burgosur të tjerë nga vendet ballkanike në ishullin Ustika, në detin Tirren. Në tetor 1944 u kthye në Shqipëri si partizan. Pas disa vitesh si kryeredaktor i gazetës “Bashkimi” më 1947 u arrestua nga komunistët dhe u burgos në Tiranë.

Pas rënies së Koçi Xoxes, u lirua dhe u lejua të punonte si mësues në Tiranë. Pas botimit të romanit “Një emër në katër rrugë” (Tiranë,1973), iu ndalua botimi për një periudhë prej tetë vitesh. Vdiq në Tiranë, më 27 dhjetor 1991.

Ndër veprat e tij mund të përmendim: “Hasta la vista”, 1958; “Qyteti i fundit”, 1960; Rrugë pa rrugë, 1964; Nata e Ustikës, 1989.

Continue Reading

Kulturë

Fatlume Bunjaku ndër aktorët më premtues evropianë të European Shooting Stars 2026

Published

on

Aktorja shqiptare Fatlume Bunjaku do të përfaqësojë Shqipërinë në programin prestigjioz European Shooting Stars 2026, një iniciativë e European Film Promotion (EFP) e organizuar si pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin (Berlinale). Lajmin e bëri të ditur vetë EFP.

Çdo vit, European Film Promotion zgjedh 10 aktorë e aktore nga 37 vende evropiane, që konsiderohen talentë me potencial ndërkombëtar.

Programi ka për qëllim promovimin e aktorëve të rinj dhe ndihmën për të ndërtuar një karrierë në film dhe televizion jashtë vendit.

Fatlume Bunjaku është nominuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë për rolin e saj në Hana, të regjisorit Ujkan Hysaj.

Ajo do të ketë mundësinë të marrë pjesë në katër ditë intensive me intervista, prezantime, workshop-e dhe takime me emra të mëdhenj të industrisë së filmit ndërkombëtar. Programi do të kulmojë me një paradë në tapetin e kuq të Berlinale Palast dhe ndarjen e çmimeve.

European Shooting Stars ka shërbyer si një trampolinë për karrierën ndërkombëtare për aktorë të njohur si Daniel Craig, Maisie Williams, Carey Mulligan, Riz Ahmed, Alicia Vikander dhe George MacKay.

Për Shqipërinë, Bunjaku është aktorja e tretë që merr pjesë në këtë program, pas Nik Xhelilaj më 2011 dhe Arta Dobroshi në vitin 2013. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Muzetë e Kosovës bëhen më të qasshme përmes teknologjisë 3D

Published

on

Vizitat virtuale po shndërrohen në një mjet të rëndësishëm për promovimin e trashëgimisë kulturore, duke u ofruar qasje muzeve edhe vizitorëve që ndodhen larg, por njëkohësisht duke nxitur edhe vizitat fizike.

Organizata “EC Ma Ndryshe” ka lansuar versionin virtual të Muzeut të Kalasë së Prizrenit, me synimin që çdo muze në vend të ketë një portë digjitale drejt vizitës reale.

Kjo nismë vjen si vazhdim i digjitalizimit të Muzeut të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Muzeut Arkeologjik të Prizrenit, në kuadër të programit “Trashëgimia kulturore për të gjithë”, që synon qasje të hapur, inovative dhe gjithëpërfshirëse ndaj trashëgimisë kulturore.

Vizita virtuale në 3D e Muzeut të Kalasë së Prizrenit u mundëson vizitorëve të eksplorojnë çdo hapësirë dhe detaj, nga ilustrimet historike e deri te artefaktet që datojnë nga Epoka e Hekurit, Mesjeta dhe periudha osmane.

Përvoja digjitale ofron pamje të qarta, materiale shpjeguese të digjitalizuara dhe një ndjesi të ngjashme me vizitën fizike.

Drejtori ekzekutiv i “EC Ma Ndryshe”, Valon Xhabali, ka theksuar se vizitat virtuale në 3D janë hap i rëndësishëm drejt modernizimit të muzeve, duke i bërë më të qasshme dhe duke eliminuar barrierat gjeografike dhe fizike, përfshirë edhe për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas tij, realizimi i një vizite virtuale është proces kompleks që zgjat nga tre deri në katër muaj, varësisht nga madhësia dhe kompleksiteti i muzeut, dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë me institucione kulturore dhe profesionistë për të ruajtur autenticitetin historik.

Xhabali ka shtuar se vizitat virtuale, të cilat u bënë trend gjatë pandemisë, tashmë janë shndërruar në një praktikë të qëndrueshme dhe shërbejnë si “portë hyrëse drejt vizitave reale”, duke rritur interesimin e publikut për trashëgiminë kulturore.

Qëllimi afatgjatë i organizatës “EC Ma Ndryshe” është që digjitalizimi në 3D të shtrihet në të gjitha muzetë e Kosovës, duke e bërë trashëgiminë kulturore më të qasshme, më edukative dhe më tërheqëse për publikun e gjerë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

150 vjet nga lindja e Kristo Luarasit, mjeshtri i shtypshkronjës dhe i çështjes shqiptare

Published

on

Kristo Luarasi (15 dhjetor 1875 – 8 korrik 1934) ishte një nga patriotët e shquar të Rilindjes Kombëtare dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, i cili i kushtoi gjithë jetën çështjes kombëtare.

Pas shërbimit si mësues i gjuhës shqipe në Kolonjë, ai emigroi fillimisht në Bukuresht dhe më pas në Sofje, ku hapi shtypshkronjën “Mbrothësia”, duke botuar libra, gazeta dhe revista shqipe që shpërndaheshin falas tek shqiptarët kudo.

Në vitin 1897, Luarasi nisi botimin e Kalendarit Kombiar, të cilin e botoi për 17 vjet, si dhe publikoi gazetat “Drita” dhe “Liria e Shqipërisë” dhe mbi 150 tituj librash të autorëve të njohur shqiptarë, përfshirë Naim, Sami dhe Mit’hat Frashëri, Faik Konicën e të tjerë.

Ai punoi si tipograf, botues dhe drejtues gazete, duke qëndruar gjithmonë aktiv në publicistikë dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare.

Pas periudhës në Sofje dhe Selanik, përshëndeti Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe riktheu botimin e gazetës “Liri e Shqipërisë” (1915-1920). Më 1920, u vendos në Tiranë, ku themeloi Shtypshkronjën “Luarasi”, që u bë edhe Shtëpia Botuese Luarasi, duke botuar dhjetra libra, revista dhe tekste shkollore deri në vitin 1947.

Për veprimtarinë patriotike, Kristo Luarasi u vlerësua edhe nga regjimi komunist me Urdhërin e Flamurit të Klasit të Dytë (1962) dhe pas viteve ’90 me medaljen “Pishtar i Demokracisë”. Fan Noli e konsideroi Luarasin si një nga 28 pionerët e krijimit të shtetit shqiptar.

Luarasi ndërroi jetë më 8 korrik 1934 në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur kulturore dhe patriotike për Shqipërinë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Talenti i ri shkëlqen! “Amadeus” feston një vit të suksesshëm me koncert artistik

Published

on

Shkolla e Muzikës “Amadeus” ka mbajtur koncert të jashtëzakonshëm artistik me rastin e përfundimit të gjysmëvjetorit shkollor, përmbylljes së projektit “Nxitja e talentëve të rinj dhe diversitetit kulturor”, si dhe festave të fundvitit.

Koncerti me titull “Da Capo al Fine”, i organizuar nga Ambasada Gjermane dhe Ambasada Franceze, solli në skenë performanca të mrekullueshme nga nxënësit e shkollës, të cilët falë përkushtimit të vazhdueshëm kanë shënuar suksese edhe jashtë Kosovës.

Në këtë mbrëmje u prezantuan Ansambli i Kitaristëve, Orkestra Harkore, Orkestra Frymore, Orkestra Kamertale dhe Kori i shkollës, të cilët dhuruan emocione të veçanta për publikun.  “Profesionalistët e vegjël” të skenës dëshmuan talentin duke interpretuar me sukses vepra nga repertori vendor dhe ai botëror.

Ansambli i Kitaristëve krijoi peizazh të ngrohtë tingujsh që rridhnin natyrshëm me ritmin e veprave, Orkestra Harkore solli ndjeshmëri të veçantë emocionale, e ndërtuar tingull pas tingulli. Orkestra u dallua për elegancën dhe lirshmërinë e tingujve që mbushnin sallën, ndërsa Orkestra ofroi interpretim të rafinuar, të karakterizuar nga precizion i lartë ritmik.

Kulmi i koncertit ishte performanca mbresëlënëse e Korit të shkollës, nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit. Qershia mbi tortë ishte interpretimi i solistes Anna Krasniqi, e cila me zërin e saj të ngrohtë dhe njëkohësisht të fuqishëm i dha jetë veprave me kërkesa të larta vokale.

Gjatë koncertit u interpretuan veprat: “Ding! Dong! Merrily on High” (Traditional French Carol), “You Raise Me Up” – Rolf Løvland, “Die Loreley” – Friedrich Silcher, “Sous le ciel de Paris” – Hubert Giraud dhe “Feliz Navidad” – José Feliciano.

Pjesë e këtij koncerti ishin dirigjenti Gentian Aliu dhe korepetitorja Elsa Gashi. Drejtoresha e shkollës, Hana Petrovci-Fetahu, theksoi se përmbyllja e suksesshme e projektit përbën një arritje të madhe për mbi 100 fëmijë, të cilët kanë performuar në instrumente sfiduese.

“Përveç përfundimit të gjysmëvjetorit, ky koncert shënon mbylljen e një projekti që ka filluar në janar e po përfundon në dhjetor. Projekti kishte për qëllim nxitjen e talenteve të reja nga mosha 7 deri në 17 vjeç dhe u mbështet nga Ambasada Franceze, Ambasada Gjermane, Instituti Francez dhe Goethe-Institut. Ky bashkëpunim i mrekullueshëm na dha besimin për ta realizuar projektin, ku u përfshinë mbi 100 nxënës në mësimet e korit dhe instrumenteve”, u shpreh ajo.

Petrovci-Fetahu vlerësoi sukseset e nxënësve, duke theksuar se shumë prej tyre ishin fillestarë, por arritën të performojnë në skenë brenda një periudhe të shkurtër kohore, shtoi se sukseset në koncerte ndërkombëtare, si në Vjenë e Itali, janë motivim i fuqishëm për vazhdimësi.

Ndërkohë, dirigjenti Vehbi Shosholli e cilësoi këtë vit shkollor si dinamik dhe tejet të suksesshëm. Sipas tij, puna intensive me formacione të ndryshme muzikore dhe koncertet e shumta kanë sjellë një përvojë të jashtëzakonshme artistike.

Edhe solistja Anna Krasniqi e përshkroi koncertin dhe vitin mësimor si një përvojë të paharrueshme, duke theksuar suksesin e saj në një festival ndërkombëtar në Itali, ku arriti të triumfojë dhe të përfaqësojë Kosovën me dinjitet.

Drejtoresha paralajmëroi plane të reja për 2026, duke bërë të ditur se Orkestra e Fëmijëve dhe të Rinjve të Prishtinës është pranuar të marrë pjesë në dy festivale ndërkombëtare garuese – një në Spanjë në muajin mars dhe një tjetër në Pragë të Çekisë në muajin korrik të vitit 2026.

“Synimi është që këta talentë t’i prezantojmë më gjerë e ta përfaqësojmë Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha ajo. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara