Lajmet

Musliu: Synojmë zgjerimin e ndriçimit të mençur në Prishtinë, monitorimi do të bëhet nga dhoma e kontrollit

Ndonëse kontratat e mirëmbajtjes i kanë të përfunduara, synojnë që t’i përfundojnë edhe ato për zgjerim.

Published

on

Drejtori i Shërbimeve Publike në komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, ka thënë se sfidë për drejtorinë e tij ka qenë ndriçimi publik, ndërsa synim e kanë që ta zgjerojnë në gjithë Prishtinën infrastrukturën e ndriçimit të mençur. Ndonëse kontratat e mirëmbajtjes i kanë të përfunduara, synojnë që t’i përfundojnë edhe ato për zgjerim.

“Një prej sfidave kryesore të cilën e kam trashëguar Drejtorinë e Shërbimeve Publike ka qenë ndriçimi publikë për faktin që nuk ka pasur kontrata aktive, as të mirëmbajtjes e as të zgjerimit të ndriçimit publik. E mira është që në kohë rekord kemi arritur me i bë kontratën edhe për mirëmbajtje edhe për zgjerim. Ajo me zgjerim veç ka përfundu faza e parë tani hymë në fazën e dytë ndërsa sa i përket mirëmbajtjes veç e kemi”, u shpreh Musliu.

Shkaku i vjetërsisë së ndriçimit, prishjet po janë të shpeshta. Për këtë, Musliu ka kërkuar nga qytetarët që t’i raportojnë ato.

“Nëpër zonat e ndryshme rrugë të ndryshme kemi pasur edhe prishje për faktin se po flasim për një ndriçim që është shumë i vjetër, andaj me këto kontratat e mirëmbajtjes po kujdesimi që në kohë rekord me reagu edhe me bë intervenime të tilla që më qëllim që ndriçimi me qenë në funksional, andaj edhe këtë rast e shfrytëzoj pra me i bë thirrje qytetarëve që rasti ku vërejnë ndonjë prishje apo kanë prishje në lagjen e tyre me njoftu, me e shkru në email, dhe në numrat kujdestar, të cilët i kemi në komunë për arsye se kontratat i kemi aktive dhe mundemi me reagu”, deklaroi Musliu.

Musliu ka folur edhe për zgjerimin e ndriçimit “smart”, teksa synim thotë se e kanë shtrirjen edhe në lagjet tjera. Ky projekt, thotë Musliu mundëson intervenimin në kohë rekord, me monitorim nga dhoma e kontrollit.

“E mira është që në këtë vit, vitin 2024 kemi paraparë edhe një projekt me të cilën mendojmë që me  ndryshu komplet rrjetin e ndriçimit në kryeqytet. Pra me pas një ndriçim modern, një ndriçim ‘smart’ e që më pas nuk kemi nevojë me prit thirrje e njoftim të qytetarëve, mirëpo me automatizëm në dhomën e kontrollit na vjen informata që kemi prishje në zonë të caktuar. Shembull flasim rrugën ‘Agim Ramadani’, shtylla pestë krahu djathtë ka problem, ajo është e ndërlidhur edhe me operatorët e mirëmbajtës të cilën edhe ata kanë informata në kohë reale dhe munden menjëherë me dal me reagu”, u shpreh ai.

lajme

Sveçla për rastin e Arlindës: Dorëheqja nuk ndihmon, raporti konfirmoi shkelje serioze nga policia

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se nuk e sheh dorëheqjen e tij si akt që do të ndihmonte në fuqizimin apo mbrojtjen e të drejtave të grave, duke theksuar se ekzekutivi është i angazhuar maksimalisht në përmbushjen e detyrave.

Gjatë konferencës së përbashkët për media me ministren Donika Gërvalla, Sveçla u shpreh se e kupton indinjatën e protestuesve dhe se ndan të njëjtin shqetësim me ta lidhur me dështimet institucionale.

Sveçla bëri me dije se verifikimet e kryera përmes Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë konfirmuar dyshimet për mosmenaxhim të duhur të rastit të Arlinda Zekajt. Sipas tij, raporti i dorëzuar te Kryeministri Albin Kurti evidenton shkelje të rënda nga zyrtarë të caktuar policorë, duke përfshirë mosekzekutimin e urdhrit të parë të mbrojtjes, vonesat në zbatimin e urdhrit të dytë, mospërfilljen e kërkesës për vlerësimin e rrezikut dhe dështimin për të ndërmarrë masa mbrojtëse për viktimën.

Ministri nënvizoi se asnjë suspendim nuk është i mjaftueshëm pa një hetim të plotë penal dhe se asnjë uniformë apo pozitë komanduese nuk do të shërbejë si mburojë ndaj përgjegjësisë. Po ashtu, Sveçla njoftoi se Policia e Kosovës ka identifikuar 155 raste të tjera aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat është raportuar individualisht mbi masat e ndërmarra mbrojtëse. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Raporti për Arlinda Zekajn: Gërvalla numëron shkeljet e gjykatës e prokurorisë dhe refuzon dorëheqjen

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka paraqitur sot raportin zyrtar mbi vrasjen e Arlinda Zekajt, duke adresohet drejtpërdrejt përgjegjësinë te një sërë institucionesh të drejtësisë e sigurisë, ndërsa ka deklaruar se ekzekutivi nuk mban asnjë përgjegjësi lidhur me rastin. Gërvalla bëri të ditur se raporti është vetëm pjesërisht i plotë, me arsyetimin se nuk kanë marrë përgjigje nga të gjitha institucionet kompetente.

Pavarësisht shkeljeve të evidentuara, ministrja theksoi se dikasteri që ajo drejton nuk ka kompetenca ligjore për të ndërhyrë apo hetuar punën e gjykatave, prokurorive apo policisë, për shkak të parimit të ndarjes së pushteteve. Ajo shtoi se pret që komisioni hetimor i Kuvendit të ndihmojë në zbardhjen e plotë të mosveprimeve institucionale.

Gërvalla bëri me dije se institucionet kishin marrë paralajmërime të përsëritura për rrezikun që i kanosej viktimës, duke filluar nga 10 korriku kur ajo raportoi dhunën fizike e psikike, e deri te kërkesat e saj të njëpasnjëshme për urdhërmbrojtje urgjente. Sipas saj, nga dokumentacioni i shqyrtuar krijohet bindja se vrasja me shumë gjasë mund të parandalohej, ndërsa ngriti pyetje edhe për ndikime të mundshme nga “qarqe politike e kriminale” në vonesat dhe neglizhencën e treguar, ani pse pranoi se raporti nuk përmban prova direkte për këtë të fundit.

E pyetur për mundësinë e dorëheqjes, Gërvalla refuzoi një hap të tillë në këtë moment, duke deklaruar se tani është koha për të identifikuar e adresuar përgjegjësitë, dhe se dorëheqja e saj nuk do të ndihmonte në këtë proces

Gjetjet e raportit sipas institucioneve:

  • Gjykata Themelore në Pejë: Raporti konstaton vonesa tej afateve ligjore në trajtimin e kërkesës për urdhërmbrojtje, e cila mori mbi një muaj kohë për t’u nxjerrë. Viktima i kishte shkruar dy herë kryetarit të gjykatës duke paralajmëruar rrezikun për jetën, por përgjigja konstatoi se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve. Po ashtu, vendimet për kthimin e saj në shtëpi dhe zbatimi i urdhrit mbrojtës nuk u jetësuan.
  • Prokuroria Themelore: Ishin të informuar vazhdimisht për kërcënimet. Raporti veçon se më 23 tetor kryeprokurorja Lumturije Vuqetaj u njoftua me shkrim për kërcënimin e drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj, por prokurorja përgjegjëse refuzoi të hapte rast për kanosje. Dy ditë më vonë ndodhi vrasja. Aktualisht, dy prokuroret e përfshira janë suspenduar.
  • Qendra për Punë Sociale (QPS): Nuk e konsideroi detyrim krijimin e kushteve për kthimin e viktimës në shtëpi, nuk dorëzoi raportin në kohë dhe mungoi në seancën gjyqësore të 5 tetorit. Vlerësimi psikologjik po ashtu përmbante të dhëna që kundërshtonin pretendimet se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën.
  • Komuna: Nga pushteti lokal është pranuar vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, pa asnjë informacion për masa konkrete apo plane për ditët në vijim.

 

Continue Reading

Rajoni

Kryeministri Rama përsërit ftesën për dialog në ditën e 18-të të protestave

Published

on

By

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ripërsëritur sot ftesën e tij drejtuar protestuesve për të hyrë në dialog. Në ditën e 18-të të tubimeve para godinës së Kryeministrisë, ai ka publikuar një video në rrjetet sociale ku shfaqet tryeza e betonit e vendosur për përfaqësuesit e protestës.

Pavarësisht një rënieje në numrin e pjesëmarrësve gjatë ditëve të fundit, tubimet po vazhdojnë me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit. Nga ana e tij, Rama ka bërë të ditur se mbetet i hapur për të diskutuar kërkesat, por deri më tani nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare nga organizatorët e protestës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet në Prishtinë i dënuari për keqpërdorim të besimit

Published

on

By

Njësitë e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë arrestuar një 36-vjeçar të kërkuar nga drejtësia.

Personi me inicialet V. R. kërkohej për veprën penale “Keqpërdorim i besimit”, për të cilën është dënuar me një vit burgim.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i arrestuari është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit në përputhje me vendimin e gjykatës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara