Lajmet

​Mungon ministri Aliu, deputetët përplasen në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike

Në anën tjetër, deputetët e mazhorancës e arsyetuan mosprezencën e ministrit Aliu.

Published

on

Mungesa e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu për raportim në Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike ka bërë që deputetët e pozitës dhe opozitës të përplasen në mbledhjen e së martës. Anëtarët e komisionit nga opozita e konsideruan papërgjegjësi të madhe mungesën e ministrit Aliu, siç thanë për të dytën herë radhazi, derisa e vlerësuan si shqetësues, madje ftuan prokurorinë të hetojë kontratat njëburimore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Në anën tjetër, deputetët e mazhorancës e arsyetuan mosprezencën e ministrit Aliu, megjithatë potencuan se nëse i njëjti nuk vjen javën e ardhshme, raportin do të dërgojnë për shqyrtim në seancë plenare.

Kryetarja e komisionit, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se edhe në bazë të Raportit për Vendin nga BE-ja është vënë në pah se mbi 20 për qind të kontratave të prokurimit publik janë më tender një burimor.

“Unë po i referohem raportit të vendit të Komisionit Evropian, i cili është publikuar në fund të vitit 2023 dhe thotë se 20 për qind e kontratave të prokurimit publik nga qeveria, janë pa publikim të njoftimit për kontratë. Kjo nënkupton se janë tender njëburimor apo tender të negociuar”, tha ajo.

Megjithatë, deputetja e LVV-së, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, tha se raporti i auditimit është i rëndësishëm dhe duhet të diskutohet në praninë e ministrit Aliu.

“Nuk është e vërtet se nuk iu është përgjigjur ftesave të komisionit tonë. E dyta, mendoj se është një raport i rëndësishëm për shkak se diskutohet për projekte që kanë filluar qysh në vitin 2018-2019, siç është rruga Plavë-Deçan, rruga Dollc-Gjakovë që është shumë me rëndësi me u përfundua. Do të kemi shumë pyetje për këto çështje sepse janë të rëndësishme dhe këto projekte duhet njëherë e përgjithmonë të përfundojnë. Po ashtu një çështje tjetër që është evidente në raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit tek komentet e kam pa se ka shumë mospajtime nga ministria në lidhje me të gjeturat, që janë kontestuar në një masë të madhe”, theksoi ajo.

Më kritik u shfaq deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, i cili tha se në bazë të raportit shihen qartazi dobësitë në sistem sa i përket menaxhimit të punimeve në ndërtimin e rrugëve si dhe, siç tha legjitimitetit që po i bëhet keqpërdorimit të parasë publike.

“Është një papërgjegjësi e madhe e ministrit, pikërisht për shkak të arsyeve që përdorët ju edhe kryetarja, por edhe deputeti Korenica. Realisht kur ofrohen mundësitë për disa data të takimit dhe konfirmohet nuk mund të flasim për asnjë gjë tjetër, përveç se një dështim i ministrit që të jetë këtu. Ai mund të ketë arsye dhe takime të tjera, por çdo ministër e ka për obligim që t’i formalizojë agjendat në bazë të mbledhjes së komisionit…Raporti në mënyrë të qartë tregon praktikën që është duke u bërë, sidomos për çështjen e rrugëve që ndërtohen të reja, për dobësitë në sistem sa i përket menaxhimit të punimeve dhe një legjitimim që i bëhet keqpërdorimit parasë publike”, deklaroi Qalaj.

Në anën tjetër, deputeti tjetër i LVV-së, Halil Thaçi kërkoi që mos t’i bëhet gjyqi publik ministrit Aliu, mirëpo të pritet javën e ardhshme kur të jetë ai prezentë të sqarohen të gjitha paqartësitë.

“Unë jam ardhur këtu me shqyrtua raportin e auditimit, jo me ia bërë gjyqin ministrit. Jo me ia bërë gjyqin”, theksoi Thaçi, deputet i mazhorancës.

Mirëpo, atij i reagoi deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili ftoi prokurorinë ta marrë këtë raport dhe siç tha t’ia bëjnë gjyqin ministrit Aliu për të gjitha keqpërdorimet në dikasterin që drejton.

“Unë nuk jam me ia bërë gjyqin ministrit. Por nëse ky raport shkon në prokurori. Fatmirësisht se pushtetet janë të ndara dhe jam shumë optimist se ky raport ka me shkua në prokurori dhe ftoj të merren me këtë raport dhe jam optimist se gjyqin kanë me ia bërë ata që duhet me ia bërë”, tha ai.

Pas debatit, anëtarët e komisionit u pajtuan që ta ftojnë sërish ministrin Aliu për raportim me datën 27 shkurt.

Kujtesë

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 10 korrik 1993-1998?

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

Foto: Tetovë, korrik 1997

10 korrik 1993

Bastisje të reja në Lumbardh e Maznik të Deçanit

Komisioni për Informim i Degës së LDK-së në Deçan njofton se dje u bastisën dhumë familje shqiptare në fshatrat Lumbardh dhe Maznik.

Rreth orës 12,40 min. në fshatin Maznik u bastisën shtëpitë e Osman, Zymer, Miftar e Nuredin Dervishajt, pastaj Osman, Xhemajl, Zenel, Sokol dhe Ali Ramajt, Mision, Ali dhe Qaush Qelajt, Sadik, HAxhi, Sadri, Mehmet dhe Ukë Mustafajt, Mehmet dhe Ali Mehmetajt, Selmon Kurtajt, Hysen, Sedat, Xhemajl dhe Kapllan Tahirajt, dhe Brahim e Ali Jahajt. Njësisë së policisë serbe, që rrahu e plaçkiti shumë persona, i printe kryeshefi i stacionit të policisë në Deçan Vukmir Mirqiq.

Rreth orës 16 u bastisën familjet e Ragip, Florim, e Rexhep Përgjegjajt, pastaj të Selman Canës, Isa Ademit, Gani e Brahim Përgjegjajt, Murteza, Avdush, Adem, Cenë, Afrim, Muhamet dhe Ismet Lekajt. Gjatë bastisjes u rrahën shumë persona dhe u bënë dëme të mëdha nëpër shtëpi.

 

 10 korrik 1995

Mbi rrënojat e përmendoreve shqiptare ngriten ato serbe

Me qëllim të serbizimit të Kosovës regjimi serb ka ndërmend që para Fakultetit Filozofik të Prishtinës kësaj vjeshte të ngrisë përmendoren e Vuk Karaxhiqit. Siç shkruan i tërë shtypi i sotëm serb iniciativën e ka ndërmarrë rektori serb i Universitetit të Prishtinës, Papoviq, sikure edhe në rastin e përmendores së car Dushanit në Prizren. Kurse para Fakultetit Teknik të Prishtinës është paraparë të ngritet përmendorja e Nikolla Tesllës. Donator është Universiteti serb i Prishtinës.

Siç dihet para Fakultetit Filozofik të Prishtinës para disa muajve me një akt vandal u shkatërrua përmendorja kushtuar patriotëve shqiptarë të pushkatuar në vitin 1944 në kampin e përqëndrimit.

Poashtu shtypi serb shkruan se në Gjakovë pas shkatërrimit të përmendores së vëllazërim-bashkimit në parkun e qytetit filloi ndërtimi i një kishe serbe.

 

 

 

10 korrik 1997

Mbi 600 të arrestuar në Gostivar e Tetovë

Gjendja në Gostivar sot është jashtëzakonisht e rëndë dhe e rrezikshme. Njësitë speciale të policisë që pushtuan dje herët në mëngjes kuvendin e komunës me shumicë shqiptare janë dyfishuar gjatë natës. Siç dihet pushtimi i selisë së komunës dhe arrestimi i kryetarit e sekretarit të Këshillit të Komunës i parapriu heqjes së flamurit kombëtar shqiptar, që ishte vënë para disa kohësh para selisë së kuvendit. Në shenjë revolte ndaj këtij sulmi kundër të drejtave demokratike e kombëtare, gjatë ditës së djeshme u tubuan mijëra shqiptarë në mbrojtje të simbolit kombëtar e të përkrahjes së politikës së subjekteve politike shqiptare në Maqedoni. Gjatë sulmeve të policisë kundër qytetarëve të revoltuar, pati të vrarë, të plagosur e qindra të arrestuar.

Nënkryetari i PDSH-së Menduh Thaçi i tha në një bisedë telefonike nga Tetova QIK-ut se në Gostivar është vendosur gjendja e shtetrrethimit. Z. Thaçi saktësoi se në rrugët e këtij qyteti ka vetëm policë, numri i të cilëve mund të jeët dyfishuar nga dita e djeshme, ndërsa hyrje-daljet e qytetit po mbahen nën kontroll të rreptë. Gjatë tërë natës ka pasur arrestime të aktivistëve të kësaj partie. Numri shqiptarëve të marrur në polici tejkalon numrin 600, ndërsa sipas disa versioneve ai arrin edhe në 700.

Nënkryetari i PDSH-së tha se në arrest mbahen ende kryetari i Komunës së Gostivarit Rufi Osmani dhe kryetari i Këshillit, si edhe zëdhënësi i PDSH-së në Tetovë Ermal Fejzullahu.

  1. Thaçi vlerësoi se qeveria e Maqedonisë me sulmin në Gostivar e në Tetovë u shpalli luftë shqiptarëve në Maqedoni. Ai tha se ky sulm mund të jetë rezultat i ndonjë marrëveshjeje në mes kryeministrit të Maqedonisë Cervenkovski dhe kryetarit serb Millosheviq gjatë një takimi të javës së shkuar në Beograd.

Nënkryetari i PDSH-së tha se sot në orën 14:30 përfaqësuesit e partive politike e të asociacioneve shqiptare në Maqedoni do të mblidhen në Tetovë për të diskutuar për situatën dhe veprimet e mëtutjeshme.

 

10 korrik 1998

Gllogoc: Policia vrau Ali Dibranin

Dje pasdite, policia serbe vrau Ali Dibranin (54) nga Gradica e Gllogocit, me banim në lagjen e “Feronikelit” në Sukë të Gllogocit, baba i tre fëmijëve.

KI i Degës së LDK-së në Gllogoc njofton se Aliu, mjeshtër i dalluar i “Feronkelit”, u qëllua nga forcat serbe kur po kalonte një rruge të arave, në pamundësi të kalimit nëpër rrugët kryesore, të cilat mbahen të bllokuara nga forcat serbe.

Vajza e vëllait të tij, Hafia, e cila ishte më Aliun në momentin kur ai u vra, ka deklaruar se forcat serbe kanë shtirë drejt tyre disa herë dhe për këtë ata janë detyrua të shkojnë një kohë zhagas. Në një moment, kur xhaxhai u lodh, ata e qëlluan me plumb në kokë, tha Hafia.

Ajo tha se u përpoq t’i ndihmonte Aliut, po nuk kishte mundësi, pasi forcat serbe shtinin drejt tyre pandërprerë.

Më vonë pjesëtarë të UÇK-së dhe fshatarë e nxorrën trupin e pajetë të tij nga vendi ku u vra, me rreziqe të shumta.

Varrimi i Ali Dibranit do të bëhet sot në orën 15 në varrezat e fshatit Gradicë.

 

Së paku 4 shqiptarë të vrarë në Vermicë, Koshare e Qafë të Prushit

Burimet serbe, duke iu referuar ushtrisë së Jugosllavisë së vetëshpallur, njoftuan mbrëmë dhe sot për disa të vrarë në incidente të veçuara në Vërmicë, në Qafë të Prushit dhe në Koshare.

Sipas këtyre burimeve, dje në mëngjes, rreth orës 02,30, afër karakollit të ushtrisë serbe në “Qafë të Prushit”, janë vrarë dy shqiptarë, ndërsa një tjetër është plagosur.

Sipas të njëjtave burime, mbrëmë rreth orës 21:00, në afërsi të fshatit Koshare, në veriperëndim të Gjakovës, forcat serbe kanë vrarë e plagosur disa shqiptarë, ndërsa sot në mëngjes, në afërsi të Vërmicës, në perëndim të Prizrenit, janë vrarë dy shqiptarë.

Si rëndom, burimet serbe pohojnë se shqiptarët janë vrarë në përpjekje për të kaluar me armë kufirin.

Burimet e LDK-së në Prizren, Gjakovë e Deçan kanë njoftuar dje dhe sot për sulme të vazhdueshme të forcave serbe, por për shkak të bllokimit të zonës kufitare me Shqipërinë, nuk janë njoftuar hollësi të tjera.

 

 

Continue Reading

Magazinë

OpenAI lanson modelet zërore “GPT-Live” që dëgjojnë dhe flasin njëkohësisht

Published

on

By

Kompania OpenAI ka lansuar të mërkurën “GPT-Live”, një familje të re të modeleve zërore, të cilat janë të kapshme të dëgjojnë dhe të flasin në të njëjtën kohë në kohë reale.

Startup-i i inteligjencës artificiale, i cili po përgatitet për të dalë në bursë (IPO), njoftoi se do të nxjerrë në treg dy versione të këtij modeli – GPT-Live-1 dhe GPT-Live-1 mini – për përdoruesit në mbarë botën po të mërkurën.

Në maj, OpenAI prezantoi tre modele audio për platformën e saj të zhvilluesve, me qëllim që t’i bëjë agjentët softuerikë të bazuar në zë më bashkëbisedues dhe më të aftë për të kryer detyra në kohë reale. /Reuters/ /E.A/

Continue Reading

Vendi

Kurti takon sot Hamzën dhe Abdixhikun për formimin e institucioneve të reja

Published

on

By

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, do të zhvillojë sot takime të ndara në ambientet e Kuvendit të Kosovës me liderët e dy partive kryesore opozitare, Bedri Hamzën e PDK-së dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së. Këto konsulta zyrtare mbahen në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Sipas agjendës së përcaktuar, Kurti do të presë fillimisht kreun e PDK-së, Hamzën, në orën 09:00, ndërsa takimi me kryetarin e LDK-së, Abdixhikun, do të zhvillohet në mbrëmje, duke filluar nga ora 18:00.

Për dallim nga Hamza dhe Abdixhiku që iu përgjigjën pozitivisht ftesës së dërguar një ditë më parë, nënkryetari i Aleancës, Ardian Gjini, e ka refuzuar këtë takim me arsyetimin se nuk e sheh të nevojshëm. Ky zhvillim vjen pikërisht në kohën kur tashmë ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë të Kuvendit, proces që deputetët e rinj duhet ta përmbyllin më së largu deri më 7 gusht.

Nga procesi zgjedhor i 7 qershorit, LVV-ja doli si forca e parë me 53 deputetë, e pasuar nga PDK-ja me 22, LDK-ja me 18 dhe Aleanca me 7 mandate. Edhe pse Vetëvendosja ka deklaruar se i ka votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë përmes mbështetjes së pakicave joserbe për të kaluar pragun prej 61 deputetësh, situata mbetet më komplekse sa i përket zgjedhjes së presidentit të ri. Për këtë post kushtetues kërkohet prania e 80 deputetëve në votim, gjë që e bën të domosdoshme sigurimin e pjesëmarrjes në sallë të PDK-së ose LDK-së brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Dyshohet për mjet shpërthyes në Prishtinë, policia evakuon zonën

Published

on

Policia e Kosovës ka pranuar sot, rreth orës 09:00, një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën “Gucia” në Prishtinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, bëri të ditur se menjëherë pas pranimit të informatës janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë. Policia ka siguruar perimetrin dhe ka evakuuar qytetarët nga zona për të garantuar sigurinë e tyre.

Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, ndërsa kanë dalë edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilat kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit.

“Rreth orës 09:00, Policia ka pranuar një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën ‘Gucia’ në Prishtinë. Menjëherë pas pranimit të informatës, policia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë, duke siguruar perimetrin dhe duke evakuuar qytetarët nga zona. Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet përkatëse policore, ndërsa kanë dalë edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë ndërmarrë veprimet e tyre”, deklaroi Pllana.

Policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë për natyrën e mjetit të dyshuar, ndërsa veprimet në terren po vazhdojnë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara