Lajmet

​Mungojnë ministrat, Musliu: Kjo është një seancë hajgare

Published

on

Partitë opozitare kanë kritikuar ministrat për mos-prezencën e tyre në seancë plenare. Deputetët thanë se kjo është pa përgjegjshmëri dhe se nuk po arrijnë të parashtrojnë pyetjet parlamentare për kabinetin qeveritar.

Paraprakisht, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujveci tha se kryeministri dhe disa ministra nuk janë të pranishëm për shkak të agjendës.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu tha se është e pakuptimtë të qëndrojë në këtë seancë plenare, meqë ministrat nuk janë të pranishëm.

“E kam bërë një pyetje për ministrin Xhelal Sveçla me datën 5 qershor 2023. Sot jemi në dhjetor, 1 dhjetor dhe ai nuk vjen të përgjigjet. Vet fakti që unë kam pyetje parlamentare sot për Liburn Aliun dhe për Xhelal Sveçlën dhe as sot nuk janë këtu, nuk e di pse janë vlen ne të rrijmë këtu në këtë seancë më. Ose koordinohuni me kabinetin qeveritar, që ata të vijnë ta kryejnë obligimin ndaj kuvendit dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, ose mos i thirrni këto seanca koti. Kjo është një seancë hajgare, kjo është një seancë e cila edhe një herë përfundimisht e degradon Kuvendin e Republikës së Kosovës. Jemi bërë qesharak, asgjë nuk ka mbetur më në këtë kuvend”, deklaroi ajo.

Më pas reagoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, i cili tha se është seancë e veçantë me pyetje parlamentare.

“Deputetët sot të cilët kanë dërguar pyetje për ministrat janë këtu, nuk kërkohet kuorum. Prandaj secili t’i parashtron pyetjet për ministrat që janë. Në anën tjetër, zonja Musliu duhet ta kuptojë një gjë. Grupi i tyre parlamentar ka muaj të tërë që nuk marrin pjesë në asnjë votim. Nëse dikush i ka kontribuar degradimit në Kuvend të Kosovës janë këta, duke mos marrë pjesë në asnjë votim…Prandaj le t’i parashtrojnë pyetjet për këta ministra që janë dhe le të ecim tutje”, u shpreh ai.

Edhe Musliu kërkoi të replikojë, megjithatë nënkryetarja Saranda Bogujevci tha se nuk lejohet një gjë e tillë.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj u shpreh se është pa përgjegjësi e kabinetit qeveritar, meqë nuk po marrin pjesë në këtë seancë plenare.

“Kjo seancë është caktuar prej qeverisë edhe sot kanë marrë zotim, është një seancë e veçantë që është caktuar nga kryesia e kuvendit që sot të parashtrohen pyetjet parlamentare. Nëse është marrë një vendim që të parashtrohen sot dhe të jetë dita e pyetjeve parlamentare, sot në këtë foltoren këtu para është dashur me qenë të gjithë ministrat, të cilët nga deputetët ju kanë parashtruar pyetjet. Nuk po i kuptoj këta të Vetëvendosjes, ne nëse kishim dashur të bëjmë pyetje parlamentare me deputetë dhe me u përgjigj deputetët s’kemi pasur nevojë të thërrasim një seancë të tillë fare”, përfundoi ajo.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj e quajti të papërgjegjshme qeverinë.

“Është obligimi i juaj si udhëheqëse e kësaj seance së pari të siguroni kushtet për mbarëvajtjen, fillimin e një seance kuvendore. Pa marrë parasysh a janë në pyetje parlamentare, është një rend i ditës i cili duhet të plotësojë kushtet sipas rregullores së punës së kuvendit dhe Kushtetutës së Kosovës. E dyta, është tepër e papërgjegjshme dhe shumë e keqe për demokracinë nëse tentohet që instrumenti i mbikëqyrjes, siç janë pyetjet parlamentare, të ketë edhe minimumin e asaj që quhet relativizim ose njëfarë mënyre e injorimit të deputetëve”, u shpreh ai.

Lajmet

Kurti paralajmëron takim me Hamzën gjatë ditës së sotme

Published

on

By

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës lidhur me ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se sot pritet të zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza.

Kurti sqaroi se në këtë takim do të rihapen diskutimet për hapat e mëtejshëm lidhur me projektligjin për Specialen, si dhe çështja e zgjedhjes së Presidentit.

Sipas kryeministrit, për të zbatuar një strategji të mirëfilltë shtetërore e kombëtare në lidhje me proceset në Hagë, vendit i nevojiten institucione funksionale, duke nënvizuar se “adresa e fitores është Apeli”. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Bashkë-yjet e “Friends” refuzojnë të marrin pjesë në dokumentarin për Matthew Perry

Published

on

Jennifer Aniston, Courteney Cox, Lisa Kudrow, Matt LeBlanc dhe David Schwimmer nuk do të marrin pjesë në dokumentarin e ri të Netflix për aktorin e ndjerë Matthew Perry, sipas burimeve të cituara nga “Page Six”.

Bëhet fjalë për serialin dokumentar me tri pjesë “The One About Matthew Perry”, i cili do të trajtojë jetën, karrierën dhe betejën e aktorit me varësinë, përmes rrëfimeve të familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Sipas burimeve, pesë aktorët e “Friends” janë kontaktuar nga ekipi i dokumentarit, por kanë vendosur të mos marrin pjesë. Në vend të tyre, dokumentari do t’u japë hapësirë njerëzve të tjerë që e kanë njohur dhe kanë qenë pranë Perry-t gjatë jetës së tij.

Një burim ka thënë se për Jennifer Aniston, e cila ishte veçanërisht e afërt me Perry-n, do të ishte e vështirë ta përjetonte përsëri humbjen në mënyrë publike dhe para kamerave.

Dokumentari, i drejtuar nga Mary Robertson, do të përfshijë edhe rrëfimin e motrës së Perry-t, Mia Perry Bowick, si dhe fotografi dhe video të papublikuara nga arkivi privat i familjes.

Matthew Perry u bë i njohur në mbarë botën për rolin e Chandler Bing në serialin “Friends”, i cili u transmetua nga viti 1994 deri më 2004. Pas përfundimit të serialit, ai mbeti i afërt me bashkë-yjet e tij.

Perry ndërroi jetë në tetor të vitit 2023, në moshën 54-vjeçare. Sipas autoriteteve, shkaku i vdekjes ishte efektet akute të ketaminës. Hetimi për vdekjen e tij çoi në arrestimin e pesë personave, përfshirë asistentin e tij dhe dy mjekë.

Aktori kishte folur publikisht për betejën e tij me varësinë dhe për përpjekjet për t’u rehabilituar. Në vitin 2022 ai publikoi kujtimet “Friends, Lovers, and the Big Terrible Thing”, ku rrëfeu përvojën e tij personale me varësinë dhe shërimin./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ramë Lahaj nis turneun ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN” në Zürich

Published

on

Tenori kosovar me famë ndërkombëtare, Ramë Lahaj, po përgatitet për koncertin që do të hapë turneun e tij ndërkombëtar “PASSION & ORIGIN”, më 10 tetor në Zürich të Zvicrës.

Në skenën e Kongresshaus Zürich, Lahaj do të performojë së bashku me ARMA Ensemble, me një program muzikor që ndërthur repertorin shqiptar me këngë italiane, chanson franceze dhe muzikë nga kinemaja.

Pas koncertit në Zürich, turneu do të vazhdojë në Düsseldorf më 30 tetor, në Vjenë më 8 nëntor dhe në Toronto më 13 dhjetor. Organizatorët kanë bërë të ditur se pritet të shtohen edhe qytete të tjera në kalendarin e turneut.

Biletat për koncertin në Zürich tashmë janë në shitje përmes platformës Ticketmaster.

Përmes këtij turneu, Ramë Lahaj synon të sjellë para publikut ndërkombëtar një program që bashkon traditën muzikore shqiptare me repertorin ndërkombëtar, duke promovuar kulturën dhe identitetin shqiptar në skenat botërore./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Oficerët e FSK-së përfundojnë trajnimin ushtarak kanadez në Bosnje dhe Hercegovinë

Published

on

By

Pesë oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë marrë pjesë në kursin “Defence Resource Management Course”, të organizuar nga Ushtria Kanadeze në Bosnje dhe Hercegovinë.

Gjatë trajnimit njëjavor, pjesëmarrësit avancuan njohuritë në menaxhimin e resurseve të mbrojtjes, prokurim, projekte dhe burime njerëzore, duke shkëmbyer praktikat më të mira ushtarake kanadeze që mund të zbatohen në FSK.

Përveç aktivitetit ushtarak, ekipi i FSK-së vizitoi edhe Shoqatën e Shqiptarëve në Bosnje dhe Hercegovinë, ku u prit nga përfaqësues të komunitetit shqiptar atje.

Pjesëmarrja në këtë program ndihmon në ngritjen e kapaciteteve profesionale të personelit ushtarak kosovar dhe fuqizon bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara