Lajmet

Mungesa e kuorumit, Kuvendi i Prishtinës mbyll mandatin me dështim të seancës

Published

on

Ka dështuar seanca e cila ishte paraparë të mbyllte ciklin katërvjeçar të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, kjo për shkak të mungesës së kuorumit brenda sallës.

Mungesa e ekzekutivit të Komunës dhe grupit të asamblistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës pamundësoi vazhdimin e punës dhe shtyu edhe njëherë diskutimin e temave të mbetura në rend dite.

Përfaqësuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, u shpreh se disa çështje të rëndësishme, siç është afati i fundit ligjor për miratimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, apo raporti i auditimit, do duhej të diskutoheshin në këtë mbledhje.

“Kjo nuk është hera e parë që ndodhë kështu, në demokraci të konsoliduara të pakta janë rastet ku pushteti mungon në seanca, mirëpo në Kuvendin Komunal, gjatë këtij mandati, kjo ka qenë një dukuri e shpeshtë”, ka thënë Sveçla.

Kryetarin Rama dhe asamblistët e pozitës, ngjashëm i ka kritikuar edhe përfaqësuesi i asamblistëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Leutrim Retkoceri.

“Përparim Rama dhe ekzekutivi nuk erdhën as sot, e mbyllën mandatin me ikje, me heshtje, me përbuzje ndaj kuvendit dhe ndaj qytetarëve të Prishtinës. Ky është treguesi më i qartë i mënyrës se si kanë qeverisur”- u shpreh Retkoceri.

Pas kësaj, kryesuesi i Kuvendit, Fehmi Kupina, shpalli mbledhjen e mbyllur.

Kjo ishte mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal të Prishtinës, para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Një prej çështjeve të mbetura pezull, e cila ende nuk ka gjetur zgjidhje në Asamblenë e Prishtinës, është miratimi i projektbuxhetit për vitin 2026./S.K/EO/

Continue Reading

Lajmet

​Tenisi italian humb legjendën Nicola Pietrangeli

Published

on

Tenisi italian po mban zi për humbjen e Nicola Pietrangelit, legjendës së sportit që vdiq në moshën 92 vjeç.

Ai është i vetmi tenist italian që është futur në Sallën e Famës së Tenisit Botëror dhe mbante rekorde të rëndësishme në Kupën Davis, duke luajtur 164 ndeshje dhe fituar shumë prej tyre në njëshe dhe dyshe.

Pietrangeli u konsiderua ndër dhjetë tenistët më të mirë në botë gjatë viteve 1957–1964 dhe fitoi dy herë Roland Garros, si dhe shumë tituj të tjerë, përfshirë medalje në Lojërat Mesdhetare dhe Olimpike.

Ai ishte gjithashtu i njohur për menaxhimin e skuadrës italiane në Kupën Davis dhe për rolin e tij diplomatik në ndeshjen kundër Kili, duke shmangur bojkotin politik.

“Isha i lumtur të shijoja çdo ndeshje,” thoshte ai shpesh. “Nëse do të kisha stërvitur më shumë, ndoshta do të kisha fituar më shumë, por do ta kisha shijuar më pak.”/S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

​Kuka: Ky vit solli medalje elitare në sportin e xhudos

Published

on

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka ndarë një bilanc të vitit 2025 duke përmbyllur sezonin elitar me Grand Slam Abu Dhabi, ku thekson arritjet e xhudistëve tanë dhe progresin e ekipit gjatë gjithë vitit.

Distria Krasniqi përsëri u rikthye me medalje dhe, sipas Kukës, ky vit për të ishte fantastik.

“Distria sivjet çdo garë fitoi medalje, kulmoj në Evropian më të artën dhe titullin e nënkampiones Botërore, dhe kjo e vendosi në krye të Ranglistës Botërore”, tha ai.

Laura Fazliu po ashtu pas një viti sfidues me lëndime arriti të rikuperohej, duke fituar medalje në Botëror dhe duke u renditur e 5-ta në Abu Dhabi.

Shpat Zeka po rikthehet në garat ndërkombëtare dhe pritet të synojë normën Olimpike së bashku me Akilin dhe ndoshta Dardanin.

Kuka gjithashtu përmendi talentet e tjerë të rinj në rrugëtimin e tyre.

“Viti 2025 shënoi emra të rinj që u shquan me medalje e suksese dhe kjo flet shumë! Vazhdimësi e sukseseve janë emrat e Jonit e Arbes për kadet, që që nga garat e para në Kupat Evropiane arritën medalje e suksese premtuese”, shtoi Kuka.

Ekipi vazhdon stërvitjet intensive: vajzat në Slloveni dhe meshkujt pas disa ditësh në Gjeorgji, duke u përgatitur për sezonin e ardhshëm./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Protestuesit e “Trafikut Urban” e operatorët privatë bllokojnë edhe sot Komunën e Prishtinës

Published

on

By

Transporti publik dhe ai privat në Prishtinë do të qëndrojë i bllokuar edhe këtë të hënë, pasi punëtorët e “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë po vazhdojnë protestat për shkak të mospagesave dhe bllokimit të buxhetit të Komunës.

Që nga 24 nëntori, “Trafiku Urban” ka ndalur punën në shenjë pakënaqësie ndaj mosshlyerjes së pagave të punëtorëve dhe borxheve ndaj furnitorëve, situatë që erdhi si pasojë e moszhbllokimit të buxhetit komunal nga Ministria e Financave.

Javën e kaluar, punëtorët dhe kryetari i Prishtinës, Përparim Rama marshuan drejt Qeverisë për të kërkuar zhbllokimin e financave të kryeqytetit.

Ndërkohë, Asambleja Komunale votoi pro bartjes së 28 milionë eurove nga viti 2024 në 2025.

Kryetari Rama i ka kërkuar ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lirimin e të hyrave vetanake dhe granteve komunale, të cilat arrijnë në 35 milionë euro./EO

Continue Reading

Lajmet

Futen ilegalisht nga Serbia në Kosovë, ndalohen nga policia

Published

on

Dy persona janë ndaluar në fshatin Novosellë të Kamenicës meqenëse dyshohet që ilegalisht nga Serbia kanë hyrë në territorin e Kosovës.

Të dyshuarit raportohet ta kenë përdorur rrugën ilegale jashtë vendkalimi kufitar.

“Fsh. Novosellë, Kamenicë / 30.11.2025 – 21:25. Njësiti policor gjatë kontrollit ka ndaluar automjetin me targa të huaja të cilin kishte qenë duke e drejtuar i dyshuari mashkull kosovar, dhe pasagjeri i dyshuar  mashkull shtetas i huaj. Të dyshuarit në mënyrë ilegale përmes rrugës jashtë vendkalimit kufitar dyshohet se nga territori i Serbisë kanë hyrë në territorin e Kosovës. Në konsultim me prokurorin është inicuar lënda e rastit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës./S.K/EO/

Continue Reading

Të kërkuara