Lajmet

MPJD pa përgjigje zyrtare, çfarë po ndodh me identifikimin e trupit të Faton Hajrizit?

Published

on

Më shumë se dy javë kanë kaluar prej kur është raportuar si i vrarë Faton Hajrizi, e trupi i tij ende nuk është kthyer në vendlindje. Javën e kaluar është dërguar strisho e gojës së nënës së tij, por ende nuk ka informata se sa do të zgjasë kthimi i rezultatit të analizës së saj. Njohës të sigurisë thonë se deri në fund të kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete në identifikimin dhe qartësimin e identitetit të Faton Hajrizit. Të njëjtit thonë se institucionet vendore do të duhej të kishin bërë kërkesë që të dërgohet një ekspert vendor në Serbi. Megjithatë, shteti ende nuk ka pranuar përgjigje zyrtare lidhur me këtë rast.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka thënë  se janë në komunikim me shtetet e QUINT-it, misionin e BE-së në Serbi, familjen e të ndjerit dhe avokatin e autorizuar nga familja.

“Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi i ka parashtruar tri herë kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, për të konfirmuar identitetin e personit të vrarë më 19 korrik 2024 në Lloznicë dhe rrethanat e ngjarjes. Gjithashtu, kemi kërkuar mundësimin e kthimit të trupit të tij në Kosovë, por ende nuk kemi pranuar përgjigje zyrtare. Më 30 korrik 2024, përmes avokatit Arianit Koci dhe me asistimin e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, është kryer testi i ADN-së nga ekspertët mjeko-ligjorë nga Beogradi tek nëna e shtetasit Faton Hajrizi në Vendkalimin Kufitar Dheu i Bardhë, tek pjesa serbe. Autoritetet serbe kanë deklaruar se do të duhen disa ditë për të kryer analizat e ADN-së. Deri më tani, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi nuk është njoftuar për përfundimin e analizave, dhe as avokati Koci nuk ka marrë ndonjë njoftim”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Avokati Ardian Bajraktari konsideron se është obligim i institucioneve që të dërgojë kërkesë për përfshirjen e një eksperti vendor.

“Është obligim i institucioneve të shtetit të përkujdesën për qytetarët pavarësisht se çfarë dhe ku ndodhën ata. Në rrethana të tilla do të duhej angazhim i madh i shtetit edhe në drejtim të sigurimit, të përfaqësuesve të Institutit të Mjekësisë Ligjore me rastin e ekspertizës dhe ekzaminimit mjeko-ligjor që bëhet nga ana e institucioneve të Serbisë. Pavarësisht faktit që unë konsideroj që një kërkesë e tillë nuk do të mund të realizohej për faktin se fqinji jonë verior vazhdon të hezitojë të bashkëpunojë me institucionet tona si rezultat i mendësisë së vjetër, mirëpo megjithatë një kërkesë e cila së paku deri më tash nuk është bërë publike që është bërë në adresë të institucioneve që këto të marrin pjesë në këtë. E si rezultat i mos marrjes pjesë të ekspertëve tanë të Mjekësisë Ligjore, në bindjen time do ta bënte të domosdoshme një ekspertizë shtesë me rastin e kthimit, kurdo që do të ndodhë kthimi i trupit të të ndjerit, Faton Hajrizi në Kosovë”, deklaron ai.

Ndërkaq eksperti i sigurisë, Bedri Elezi pret që deri në fund të kësaj jave të ketë finalizim të raportit për identifikimin e trupit të pajetë.

“Deri në fund të kësaj jave do të ketë zhvillime konkrete për identifikimin dhe qartësimin e identitetit të tij dhe më pas edhe sjelljen në Kosovë. Sa i përket kapaciteteve teknike për konstatimin e profilit apo identitetit të tij nuk është ndonjë problem, madje këtë e kanë konstatuar edhe ekspertët kosovar të cilët merren me çështjen, kanë konstatuar që nuk është e vështirë të identifikohet nëse kemi të bëjmë me Faton Hajrizin, por që rrethanat e vdekjes mund të vështirësohen në rast se kemi një afat”,shton ai.

Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës dhe ishte në kërkim nga Policia e Kosovës. Pas disa ditëve, u shpall në kërkim edhe nga autoritetet serbe, meqë dyshohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri në Lloznicë të Serbisë. Hajrizi u raportua se është vrarë në vendin e quajtur Banja Kovilaça.

Vendi

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Vendi

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Vendi

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara