Kulturë

 ‘Motiv’ në zemër të Tiranës: Alban Skënderaj feston 20 vjet karrierë

Published

on

Për të festuar 20-vjetorin e karrierës së tij të suksesshme, këngëtari i njohur Alban Skënderaj do të mbajë një koncert madhështor më 6 qershor në stadiumin “Air Albania”. Ky koncert, i titulluar “Motiv”, është një homazh për këngën e tij të parë dhe një reflektim i gjithë rrugëtimit të tij artistik.

Interesi për koncertin ka qenë i jashtëzakonshëm, me biletat që janë shitur një muaj përpara, duke tejkaluar kapacitetet e stadiumit. Pritshmëritë e artistit dhe të publikut janë tejkaluar, duke e bërë këtë ngjarje një sukses të garantuar.

Koncerti do të zgjasë rreth dy orë, gjatë të cilave Skënderaj do të performojë mbi 30 këngë, përfshirë hitet e tij më të fundit dhe këngët që kanë shënjuar fillimet e karrierës së tij. Skënderaj ka premtuar një koncert energjik dhe emocionues, që do të mbetet gjatë në kujtesën e fansave të tij.

Një sfidë e madhe ka qenë përshtatja e stadiumit për një publik prej 22 mijë deri në 24 mijë persona, shkruhet nga Shqiptarja. Stadiumi do të jetë i pajisur me ulëse për të gjithë spektatorët, dhe do të ketë dy performanca hyrëse përpara se Skënderaj të ngjitet në skenë në orën 21:00. Gjithashtu, janë menduar zona të dedikuara për personat me aftësi të veçanta, duke siguruar lehtësitë e nevojshme për një përvojë të këndshme për të gjithë të pranishmit.

Bashkëudhëtarja e jetës dhe e karrierës së tij, Miriam Cami, do të jetë pranë tij në këtë koncert të veçantë. Skënderaj shprehu krenarinë dhe emocionet e tij për këtë moment, duke ndarë se Miriami ka qenë pjesë e pandashme e rrugëtimit të tij për 17 nga 20 vitet e karrierës së tij.

Koncerti “Motiv” premton të jetë një natë e paharrueshme, e mbushur me muzikë, emocion dhe energji pozitive. Fansat e Alban Skënderaj do të kenë mundësinë të përjetojnë live magjinë e muzikës së tij në një ngjarje që ka tejkaluar pritshmëritë dhe ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm që përpara se të fillojë./UBTNews/

Kulturë

Pas dy dekadash, Galeria e Arteve risjell artin në zemër të Prishtinës

Published

on

Pas më shumë se 20 vitesh, Galeria e Arteve në Prishtinë rikthehet në funksionin e saj origjinal si qendër e artit dhe krijimtarisë.

E themeluar më 2 shkurt 1979 në Pallatin e Rinisë, galeria kishte kaluar në përdorim afarist gjatë viteve, por tani qytetarët dhe artistët do të kenë sërish qasje në këtë hapësirë.

Galeria e Arteve ishte hapësira ekspozuese e parë në Kosovë dhe luajti një rol kyç gjatë kohës kur vendi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë.

Ekspozita inauguruese, me titullin “Bashkëkohësit tanë”, shënoi fillimin e një periudhe të rëndësishme për artin pamor kosovar.

Rihapja e galerisë përbën një hap të rëndësishëm për fuqizimin e skenës kulturore dhe promovimin e artit bashkëkohor në kryeqytet.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përshëndeti rihapjen e galerisë, duke e konsideruar këtë hap si një investim të rëndësishëm.

Ai theksoi se qytetarët dhe artistët tani kanë një hapësirë të dedikuar ku mund të shprehin kreativitetin dhe të promovojnë vlerat kulturore të Prishtinës.  /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

“Të parët dhe të fundit”, drama që sfidon moralin dhe ndërgjegjen njerëzore në Teatrin “Metropol”

Published

on

Drama “Të parët dhe të fundit” pati premierën mbrëmë në Teatrin “Metropol”, duke sjellë për publikun një histori të fuqishme dhe emocionale.

Shfaqja u prezantua edhe mbrëmë me fillim nga ora 19:00. E shkruar nga dramaturgu dhe novelisti anglez John Galsworthy, fitues i Çmimit Nobel, kjo vepër përbën një nga dramat më prekëse të fillimit të shekullit XX.

Përmes tre skenave, Galsworthy trajton tema universale si morali, përgjegjësia familjare dhe peshën e vendimeve të së kaluarës, duke i vendosur në kontekstin e një ngjarjeje tragjike që trondit jetën e personazheve.

Ngjarja zhvillohet në Londër, ku dy vëllezër – Keith dhe Larry Darrant – gjenden të përfshirë në një vrasje që trazon ndërgjegjen e tyre.

Larry, djali më i vogël i një familjeje të njohur, kryen krimin për të mbrojtur të dashurën Uandën, një vajzë e re polake.

I dëshpëruar, ai kërkon ndihmën e vëllait Keith, një avokat i respektuar dhe këshilltar i Mbretërisë së Anglisë. Kur një burrë i pafajshëm arrestohet për krimin, tensioni dhe dilemat morale e çojnë historinë drejt një përfundimi tronditës.

Me regji të Marius Dhramit, shfaqja solli në skenë: Erjon Hodo, Xhino Musollari, Megi Bregasi, Denardo Neziri, Serxhjo Danga dhe Erd Kullolli, që përmes interpretimit japin jetë një drame që eksploron thellësitë e natyrës, nga ndjenjat e pastra, deri te errësira e ndërgjegjes.

Një vepër që ngre pyetje të forta mbi drejtësinë, fajin dhe mëshirën, “Të parët dhe të fundit” mbetet një reflektim aktual mbi kufijtë e moralit në shoqërinë moderne. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Lifestyle

Këshilla e thjeshtë për të tharë rrobat më shpejt në dimër pa tharëse

Published

on

Me uljen e temperaturave dhe lagështinë e dimrit, tharja e rrobave në ambiente të mbyllura mund të bëhet një sfidë e vërtetë.

Ekspertja e organizimit të shtëpisë, Nicola Lewis, ka një këshillë që mund të përshpejtojë procesin pa nevojën e tharëses elektrike.

Sipas saj, pas përfundimit të ciklit të larjes në lavatriçe, është e dobishme të vendosni rrobat për një cikël shtesë rrotullimi, pa shtuar ujë.

Ky hap ndihmon që lagështia e mbetur të nxirret më shumë, duke i bërë rrobat më të thata dhe më të shpejta për t’u tharë.

“Vendosini rrobat dy herë në ciklin e rrotullimit! Do të dalin më pak të lagura dhe do të thahen shumë më shpejt,” këshillon Lewis.

Ky funksion, i pranishëm në shumicën e lavatriçeve moderne, shpesh injorohet, por është një zgjidhje ideale për ata që nuk kanë hapësira të jashtme ose tharëse elektrike gjatë muajve të ftohtë.

Në këtë mënyrë, mund të kurseni kohë dhe energji, duke mbajtur rrobat të thata dhe të freskëta edhe në dimër. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Kulturë

Posta e Kosovës nderon arkitektin Bashkim Fehmiu me pullë të re postare

Published

on

Posta e Kosovës, përmes sektorit të saj të Filatelisë, ka lëshuar sot në qarkullim një pullë të re postare kushtuar arkitektit të shquar Bashkim Fehmiu (1930–2008).

Në historinë e Prishtinës moderne, emri i Bashkim Fehmiut mbetet gur themeli jo vetëm në arkitekturë, por edhe në vetë shpirtin e qytetit.

Ai nuk ishte thjesht një arkitekt që vizatonte ndërtesa dhe lagje; ai ishte një vizionar që mendonte përtej betonit, duke krijuar hapësira ku njerëzit mund të jetonin, mësonin dhe ëndërronin.

Kontributet e tij lënë gjurmë të pashlyeshme, që nga lagjet e mëdha të banimit e deri te kampusi i Universitetit të Prishtinës dhe ndërtimet ikonike si hoteli “Grand”. Falë projekteve të tij, kryeqyteti i Kosovës filloi të merrte formën urbane që e karakterizon sot.

Fehmiu themeloi Entin e Urbanizmit të Prishtinës dhe udhëhoqi zhvillime urbane dhe arkitekturore të rëndësishme në kryeqytet. Ai drejtoi Katedrën për Urbanizim dhe Planifikim Hapësinor deri në pensionimin e tij në vitin 1991.

Si pionier i arkitekturës moderne në Kosovë, Fehmiu e bëri arkitekturën pjesë të jetës së përditshme, duke u siguruar që çdo ndërtim të kishte jo vetëm funksion, por edhe shpirt. Punimet karakterizohen nga harmonia mes modernitetit dhe nevojave të njeriut, duke kthyer arkitekturën në një gjuhë të përbashkët për qytetarët e Prishtinës.

Librat e Bashkim Fehmiut janë dhuruar Fakultetit të Arkitekturës, ku është hapur një bibliotekë dhe ekspozitë që mban emrin e tij.

Me këtë emision filatelik, Posta e Kosovës vazhdon të promovojë vlerat kulturore dhe historike të vendit, duke ftuar koleksionistët, institucionet, bizneset dhe qytetarët të pasurojnë koleksionet e tyre me këtë nder të veçantë për figurën e arkitektit Bashkim Fehmiu. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Të kërkuara