Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se procesi i dialogut me Serbinë ndodhet në një pikë kritike dhe se pa drejtësi për sulmet terroriste e pa respektim të shtetësisë, nuk mund të ketë përparim. Gjatë një konference për media, ai theksoi se Serbia ka treguar sjellje destruktive që synon rrënimin e çdo arritjeje të deritanishme.
Sipas Konjufcës, parakushti kryesor për kthimin e mirëbesimit është ndëshkimi i personave që organizuan sulmin në Banjskë.
“Qysh kthehet një farë lloj atmosfere minimale e mirëbesimit? Minimale e mirëbesimit është që kryesit e këtij akti terrorist në Banjskë, të cilët e vranë Afrim Bunjakun, duhet të përfundojnë në burg. Këta nuk mund të jenë njerëz kryesorë në Serbi edhe dora e djathtë e Vuçiqit qysh janë sot”, tha ai.
Ai gjithashtu u ndal te përfshirja e drejtpërdrejtë e shtetit serb në destabilizimin e Kosovës, duke përmendur dëshmitë e fundit nga proceset gjyqësore për sulmet në kanalin e Ibër-Lepencit:
“Ata e kanë pranuar që janë trajnuar prej Serbisë, në hapësirat e Ministrisë së Mbrojtjes edhe të ushtrisë që mbahen atje… Unë nuk e di çka ka nevojë më shumë për me tregu rolin destruktiv të Serbisë”, shprehet Konjufca.
Për fund, Konjufca e cilësoi letrën e ish-kryeministres serbe, Ana Bërnabiq, si një goditje të rëndë për integritetin territorial të vendit, duke e krahasuar atë me një akt armiqësor.
“Letra e zonjës Bërnabiq ishte katastrofike për mirëbesimin. Ju shkroi 27 shteteve anëtare që nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Mos me njoh integritetin territorial të një shteti, kjo kuptohet gati si një shpallje lufte.”