

Op-Ed
“Mos prisni paqe në vitin 2023, gjasat që Putini të tërhiqet janë zero”
Nga Diana Magnay e Sky News.
Published
2 years agoon
By
UBT newsNga Diana Magnay, Sky News, Moskë
Ku do të jetë lufta gjatë vitit të ardhshëm?
Presidenti rus, Vladimir Putin duket se e ka pajtuar veten dhe njerëzit e tij me faktin se kjo luftë është për një kohë të gjatë. Ai nuk po tërhiqet, ai e ka përshkruar atë si ekzistenciale dhe tani mban rreth një të pestën e territorit ukrainas.
Gjasat që ai të tërhiqet, siç kërkon Ukraina, janë zero. Sigurisht që do të ketë pengesa, nga të dyja palët., dhe fitore të vogla. Por Rusia ka mjetet për ta mbajtur këtë në një luftë të zgjatur të sfilitjes dhe për Putinin, kjo luftë është politikë me mjete të tjera. Mos prisni paqe në kohën tonë më 2023, megjithëse sigurisht që kanë ndodhur gjëra më të çuditshme.
Në çfarë situate mund të gjendet Putini?
Njerëzit në Rusi duan që lufta të përfundojë, por njerëzit në shumicën e luftërave duan që luftërat të mbarojnë. Vladimir Putin nuk ka gjasa të përballet me mosmarrëveshje të forta të brendshme, sepse ai ka bërë të pamundurën gjatë sundimit të tij prej më shumë se dy dekadash për të shtypur sistematikisht çdo mundësi për mospajtim. Opozita politike është burgosur ose internuar.
Edhe nëse viktimat rriten ndjeshëm, gjë që ka shumë të ngjarë, ushtria arrin të mbajë një kapak shumë të ngushtë mbi koston e vërtetë të kësaj lufte. Dhe kur propaganda i pikturon sakrificat si për hir të atdheut, njerëzit priren ta besojnë atë.
Grindjet private dhe ankthi i përgjithësuar nuk bëjnë revolucion. Nëse Putini humb Krimenë, ndoshta ai do të duket më i paqëndrueshëm, por kjo nuk duket e mundshme së shpejti.
Ku do të qëndrojë Perëndimi?
Trajektorja perëndimore e rritjes së sasive të armëve dhe municioneve ka shumë të ngjarë të vazhdojë.
Vladimir Putin do të shpresojë që uniteti perëndimor të zbehet. Nuk ka ndodhur deri më sot, por padyshim që presionet e brendshme politike do të luajnë një rol dhe ka të ngjarë që Rusia të kërkojë mënyra për të përkeqësuar dallimet politike në vendet anëtare të NATO-s përmes mjeteve të liga dhe asimetrike./UBTNews/
You may like
Op-Ed
A është Putini vërtet i interesuar për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë?
Published
6 days agoon
March 14, 2025By
UBTnews
Shkruan: Alfred Marleku
Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka shprehur mbështetje të kushtëzuar për propozimin amerikan, i cili më parë është pranuar edhe nga pala ukrainase, për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë disa arsye kokëforta dhe strategjike që shpjegojnë se përse Putinit në fakt nuk i konvenon një marrëveshje e tillë, edhe pse ai me elegancë diplomatike dhe për të mos ofenduar Presidentin Trump, pohoi se është një propozim “me vend”.
Rusia ka aktualisht një avantazh strategjik në terren. Forcat ruse kanë arritur të rikthejnë gradualisht territore të humbura më parë dhe momentalisht janë në një pozicion të favorshëm për të forcuar më tej kontrollin e tyre në rajone strategjike. Sipas burimeve të shumta, në rajonin e Kurskut dhe në lindje të Ukrainës, forcat ruse janë afër spastrimit të plotë të forcave ukrainase pas muajsh të tërë inkursionesh të dështuara nga pala ukrainase. Në këtë kontekst, një armëpushim tani do të lejonte Ukrainën të rimarr frymë, të siguroj mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë dhe të përgatitet për kundërofensivë, duke rrezikuar humbjen e avantazhit që Moska ka fituar me shumë kosto.
Putini e specifikoj se çdo marrëveshje për armëpushim duhet të çoj në “paqe të qëndrueshme dhe të eliminoj shkaqet rrënjësore të krizës”. Por, ajo që ai e quan “shkaqe rrënjësore” janë në fakt kërkesat maksimale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Ndër këto kërkesa, e para është mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO. Që prej fillimit të konfliktit, Kremlini ka theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënimin kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë dhe se një Ukrainë e lidhur me aleancën ushtarake perëndimore është e papranueshme për Moskën. Rusia kërkon një Ukrainë neutrale sa i përket rreshtimeve ushtarake, pra një shtet që nuk lidhet me asnjë bllok ushtarak dhe që nuk pranon trupa të huaja në territorin e saj.
Një tjetër kërkesë qendrore e Rusisë është njohja zyrtare si territor rus e rajoneve që Moska i ka aneksuar. Donetsku, Luhansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea konsiderohen nga Putini si pjesë integrale e Federatës Ruse dhe çdo armëpushim, sipas Moskës, duhet ta përfshijë pranimin e këtij realiteti të krijuar me forcë. Kjo kërkesë, natyrisht, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me vetë parimet e sovranitetit të Ukrainës.
Një kusht tjetër i shpallur nga Kremlini është refuzimi kategorik i vendosjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë. Rusia kundërshton çdo ide që do të sillte forca ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin ose për të mbikëqyrur zbatimin e tij, pasi kjo do të dobësonte kontrollin rus dhe do të nënkuptonte pranimin e një roli të drejtpërdrejtë të Perëndimit në zgjidhjen e krizës.
Në këtë sfond, edhe pse Putin deklaron publikisht se “në parim” pajtohet me propozimet për ndalim të luftimeve, ai njëkohësisht thekson se “armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme”, duke përsëritur se shumë çështje mbeten të hapura dhe se çdo marrëveshje duhet të garantoj sigurinë afatgjatë të Rusisë. Në të vërtetë, këto janë vetëm mënyra diplomatike për të thënë se pa plotësimin e këtyre kërkesave, armëpushimi nuk është realisht i mundshëm.
Autori është profesor i Shkencave Politike
Op-Ed
Arabia Saudite si sinjal i qartë strategjik nga ShBA-ja
Published
1 month agoon
February 18, 2025By
UBTnews
Shkruan: Alfred Marleku
Takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite ka provokuar supozime mbi sinjalet strategjike që Uashingtoni dëshiron të përcjellë përmes përzgjedhjes së këtij lokacioni. Në vend që negociatat të mbaheshin në një kryeqytet evropian, siç ka qenë praktikë e zakonshme për çështje të lidhura me luftën në Ukrainë, ShBA-ja ka zgjedhur Riadin si arenën diplomatike për këto bisedime. Ky vendim reflekton një lëvizje të qëllimshme në strategjinë globale të Uashingtonit, e cila shkon përtej Ukrainës dhe përfshin balancimin e fuqisë në skenën ndërkombëtare.
Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Arabisë Saudite është sinjalizimi i një zhvendosjeje të interesave strategjike të ShBA-së nga Evropa drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme. Lufta për dominim global nuk është më e kufizuar në konfliktin Rusi-Ukrainë, por përfshin garën për hegjemoni mes ShBA-së dhe Kinës. Uashingtoni e kupton se sfida kryesore dhe afatgjate nuk është Rusia, por Kina, një rival i aftë të sfidoj epërsinë amerikane në aspektin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak. Për këtë arsye, ShBA-të po përpiqen të ripërcaktojnë prioritetet e tyre duke e zhvendosur fokusin në Indo-Paqësor dhe Lindjen e Mesme, ku ndikimi kinez është në rritje. Këtë e mbështet edhe deklarata e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili deklaroi se evropianët nuk mund të supozojnë se prania ushtarake e Amerikës në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.
Një tjetër mesazh i qartë i këtij takimi është dobësimi i rolit të Evropës në negociatat për të ardhmen e Ukrainës. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, vendet evropiane janë rreshtuar pas Uashingtonit, duke mbështetur Kievin me ndihma ushtarake, humanitare e financiare. Megjithatë, zgjedhja e Arabisë Saudite për këto bisedime nënkupton se ShBA-ja nuk e sheh më Evropën si një aktor kryesor në formësimin e një marrëveshjeje të mundshme. Në vend që të lejoj Brukselin ose ndonjë tjetër kryeqytet evropian të ndikoj dialogun me Moskën, Uashingtoni e pozicionon veten si arbitri ekskluziv i çdo zgjidhjeje të mundshme. Kjo i jep Shteteve të Bashkuara fleksibilitet më të madh për të manovruar sipas interesave të veta, pa qenë i detyruar të marrë parasysh shqetësimet evropiane.
Për më tepër, shumë vende evropiane që për dekada të tëra kishin ruajtur statusin e neutralitetit ushtarak, si Finlanda dhe Suedia, të shtyra nga pushtimi rus i Ukrainës, e braktisën këtë status për t’u anëtarësuar në NATO. Ky ndryshim ka ndikuar në perceptimin e tyre si ndërmjetës të mundshëm në negociatat për të ardhmen e Ukrainës, duke e dobësuar rolin e tyre si vende të përshtatshme për të ndërmjetësuar në bisedimet diplomatike.
Ndërkohë, Arabia Saudite ka ambicie të qarta për t’u pozicionuar si lojtar kyç në diplomacinë globale. Ky takim i jep Riadit një platformë për të forcuar statusin e tij si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare, duke konsoliduar pozitën e tij si një fuqi rajonale me ndikim global. Për ShBA-në, afrimi me Arabinë Saudite është një investim në një partner të fuqishëm që mund të ndihmoj në ekuilibrimin e pushtetit në Lindjen e Mesme.
Fakti që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar në këtë fazë të bisedimeve ka shkaktuar alarm në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane. Ukraina ka bërë të qartë se nuk do të pranoj asnjë marrëveshje që arrihet pa pjesëmarrjen e saj. Megjithatë, ky hap tregon qasjen realiste dhe pragmatiste të administratës amerikane. Uashingtoni po teston terrenin për mundësinë e një marrëveshjeje me Moskën për të ulur tensionet, pavarësisht qëndrimit të Kievit. Nëse kjo do të thotë një marrëveshje që e lë Ukrainën në një pozicion të pafavorshëm, kjo nuk do të jetë hera e parë që një fuqi e madhe sakrifikon interesat e një aleati më të vogël për të formësuar rendin ndërkombëtar sipas interesave të saj.
Zgjedhja e Arabisë Saudite si vend për negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë për konfliktin në Ukrainë nuk është thjesht një çështje e përshtatshmërisë logjistike të palëve. Ajo përcjell mesazhe të qarta strategjike që përfshin zhvendosjen e vëmendjes gjeopolitike amerikane drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, zbehjen e rolit të Evropës në bisedime dhe pozicionimin e ShBA-së si aktori kryesor në përpjekjet për një zgjidhje diplomatike. Për Ukrainën dhe Evropën ky zhvillim është një sinjal se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për fatin dhe sigurinë e tyre në të ardhmen.
Autori është profesor i Teorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Gjeopolitikës në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT
Op-Ed
Sabedini: Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur, që etikën ta kem në plan të parë
Published
2 months agoon
January 17, 2025By
UBT NEWS
Prishtinë – Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë është shprehur profesori, gazetari e publicisti Musa Sabedini, në parathënien e librit: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”.
Pjesë të shkëputura nga parathënia e autorit
Libri im i radhës, “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, po vjen në një kohë kur media kosovare në përgjithësi është e mbuluar dhe e përcjellë me shumë gabime e të meta, që shkojnë në dëm të etikës gazetareske.
Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet.
Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMSHK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online.
Në libër kam shtjelluar e trajtuar rolin e etikës në gazetari, në media, rolin e etikës në jetën e përditshme, në shkrime e tekstet tona, që i plasojmë çdo çast. Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike.
Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar.
Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme. Etikën si teori ose etikën në gazetari e kam dashur qysh nga fillet e para të gazetarisë sime. Por kjo më hyri në shpirt kur startova me portalin tim, prej nga kisha mundësi të shihja gabime të shumta nga portalet e tjera, shikoja sesi etika sakatohej, keq e më keq, dhe askush nuk ndërmerrte masa.
Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur që etikën ta kem në plan të parë, pa anashkaluar shkrimin e fuqishëm ose hulumtues. Në vitin 2009 isha në SHBA, në një trajnim për gazetari hulumtuese, dhe atje pash se etika ishte tema e parë e çdo profesori që ligjëronte në degën e gazetarisë.
Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Kam marrë referenca nga qindra studiues amerikanë, kanadezë, japonezë, turq, gjermanë, austriakë, indianë, kroatë, shqiptarë, studiues e ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me etikën. Pra, në libër kam trajtuar edhe shumë raste e shembuj të shkeljes së etikës dhe kam ofruar edhe raste se si duhet të ruhet etika.
Synim imi gjithmonë është alternativa e kompletuar, duke mos e lënë në qiell atë zotësinë, dijen e përvojën time të gjatë në gazetari. Kam folur me shumë kompetencë, mbi shumë dukuri devijante në gazetarinë online në Kosovë dhe në rajon dhe kam ofruar analiza, rezultate e pasqyra të dobishme për studentët, studiuesit, redaktorët e pronarët e portaleve.
Libri është ndërtuar nga arkiva ime shumëvjeçare, me katër çmime të fituara në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe është kurorëzuar me vitet e fundit të jetës sime aktive në Kolegjin UBT, si ligjërues i katër lëndëve të gazetarisë, ku sigurisht që e kam avancuar edhe më shumë gazetarinë e nivelit akademik e studimor, duke marrë pjesë edhe në 12 konferenca me karakter ndërkombëtar.
Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë. Unë kam bërë diçka, që deri më tani ka munguar në Kosovë, sepse libër për Etikë të gazetarisë, me përjashtim të përkthimeve, autorë shqiptarë, sa unë kam njohuri, nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të mos ecet tutje. Të tjerëve u takon që të shkruajnë e të debatojnë për etikën në televizione, në radio, për etikën në komunikim etj.
Ndryshe libri ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema, që kryekëput ndërlidhen me Etikën.
Në kapitullin e parë kam trajtuar e ballafaquar teorinë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, kam shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.
Kurse, në kapitullin e dytë jam marrë me kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, kam ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.
Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj
Mirënjohës e falënderues shumë miqve të mi, dhe atyre që më qëndruan afër me këshilla, e sugjerime profesionale dhe përkrahje tjera.
Musa Sabedini
Op-Ed
Tensionet, barrierat dhe paqëndrueshmëria politike në Kosovën Veriore
Published
4 months agoon
December 4, 2024By
UBTnews
Prej vitit 2022, veriu i Kosovës ka përjetuar tensione të rënda, të nxitura nga çështje komplekse si mosmarrëveshjet për targat e makinave, braktisja e institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb, dhe sfidat në funksionimin e institucioneve lokale dhe të pavarura si policia dhe gjykatat.
Tensionet kanë thelluar ndarjet etnike, duke krijuar pengesa serioze për integrimin dhe bashkëpunimin, sidomos midis komunitetit serbe dhe qeverisë qendrore. Kjo situatë u përkeqësua edhe më tej kur komuniteti serb braktisi të gjitha institucionet qendrore dhe lokale me urdhra të drejtpërdrejta nga Beogradi. Largimi i tyre krijoi një vakuum institucional, duke rritur rrezikun për destabilizim dhe duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve të kësaj zone. Përpjekjet e Kosovës për të mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme në 2023 u përballën me bojkotin e serbëve lokalë, duke rezultuar në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë me një pjesëmarrje minimale të votuesve.
Në shtator 2023, situata arriti një pikë kritike me sulmin në Banjska nga terroristët serbë, që rezultoi në humbje jetësh dhe përshkallëzoi tensionet etnike dhe politike. Për më tepër, sulmi i fundit terrorist në kanalin ujor Ibër-Lepenc, një infrastrukturë jetike për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë, ka thelluar ndarjet dhe ka nxjerrë në pah rrezikun për stabilitetin në tërësi. Ky sulm, që synonte qartë të dëmtonte infrastrukturën kritike, tregoi përfshirjen e grupeve terroriste të mbështetura nga struktura politike dhe të sigurisë në Serbi.
Pas këtij akti të rëndë, autoritetet e Kosovës ndërmorën operacione të gjera duke arrestuar persona të përfshirë dhe duke sekuestruar armë e municione. Megjithatë, ndikimi i Beogradit në komunitetin serb lokal dhe frika nga grupet ekstremiste vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për stabilitetin dhe integrimin e plotë.
Rruga përpara!
Situata në veri të Kosovës kërkon veprime të qarta dhe të vendosura. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin presionin diplomatik mbi Serbinë për të ndalur mbështetjen ndaj grupeve që destabilizojnë jo vetëm Kosovën por edhe rajonin.
Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës duhet të thellojë koordinimin institucional dhe bashkëpunimin me partnerët Perëndimorë për të siguruar kontrollin e situatës dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në veri. Çdo hap prapa apo boshllëk në këtë proces mund të rezultojë në pasoja më të rënda dhe të ndërlikuara për stabilitetin e përgjithshëm.
Adoptimi i një qasjeje të balancuar ndërmjet sigurisë dhe dialogut do të jetë çelësi për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të adresuar shkaqet rrënjësore të tensioneve etnike e politike në këtë zonë të ndjeshme të Kosovës./UBTNews/
Shkruan: Prof. Dr. Dritero Arifi, politolog dhe profesor në Shkenca Politike

Profesorët e UBT-së në programin ERASMUS+ në Romanian American University

Zelensky në Oslo: Të gjitha plantacionet bërthamore i takojnë popullit të Ukrainës

Presidenti i Letonisë: BE-ja duhet t’ia heq masat Kosovës

Bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë, prokuroria jep detajet

Spiropali në Konferencën e Kryetarëve në KiE: Kosova të pranohet në Këshillin e Evropës

Kryeministri kroat: Mungesë stabiliteti në Ballkan, BE duhet t’i kushtojë vëmendje

Gjermania rihap ambasadën e saj në Siri pas mbylljes 13-vjeçare

Osmani: Drafti i Asociacionit nuk është në përputhje me Kushtetutën

Prokuroria kërkon paraburgim për tetë persona të arrestuar në aksionin e regjionit të Mitrovicës
Të kërkuara
-
Bota2 months ago
Marrëveshja për pranimin e pakufizuar të emigrantëve, Shtëpia e Bardhë tërhiqet nga tarifat ndaj Kolumbisë
-
Bota2 months ago
Fluturimet e dëbimit kanë filluar, thotë Shtëpia e Bardhë
-
Bota2 months ago
Shtëpia e Bardhë: Armëpushimi në Liban do të zgjatet deri më 18 shkurt
-
Bota2 months ago
Trump zbulon listën e zezë të Shtëpisë së Bardhë