Filmi më i ri i Leonardo DiCaprio-s, “One Battle After Another”, po korr sukses pas suksesi, duke u njohur me pesë çmime nga National Board of Review (NBR), më shumë se çdo film tjetër këtë vit.
Fitimet përfshijnë: Filmin më të mirë, Regjinë më të mirë për Paul Thomas Anderson, Aktorin më të mirë për DiCaprio, Aktorin më të mirë dytësor për Benicio del Toro dhe Çmimin për interpretimin zbulues për talentin e ri Chase Infiniti.
Në këtë film të Warner Bros., DiCaprio interpreton Ghetto Pat, një ish-revolucionar i rrënuar që përballet me rreziqe e ndjekje nga një kolonel i korruptuar i ushtrisë, i luajtur nga Sean Penn, ndërsa përpiqet të mbrojë një vajzë adoleshente.
Filmi ka marrë vlerësime nga kritikët dhe publiku, duke marrë 94% në Rotten Tomatoes, ka arkëtuar mbi 200 milionë dollarë mbarë botën.
Pas fitoreve të mëparshme në Gotham Awards dhe New York Film Critics Circle, shumë kritikë parashikojnë se “One Battle After Another” mund të jetë një nga pretendentët kryesorë për Oscar në mars.
NBR ka përfshirë 10 tituj tjerë në listën e më të mirëve: “Avatar: Fire and Ash”, “F1”, “Frankenstein”, “Jay Kelly”, “Marty Supreme”, “Rental Family”, “Sinners”, “Train Dreams”, “Wake Up Dead Man: A Knives Out Mystery” dhe “Wicked: For Good”.
Një tjetër fituese e spikatur ishte Rose Byrne, e cila mori çmimin për Aktoren më të mirë për “If I Had Legs I’d Kick You”, ku portretizon një nënë që përballet me sëmundjen misterioze të fëmijës dhe një marrëdhënie të tensionuar familjare.
Fituesit e NBR do të nderohen në një mbrëmje gala më 13 janar në New York, vetëm dy ditë pas ceremonisë së Golden Globe-ve.
National Board of Review, e themeluar në 1909, e përbërë nga regjisorë, kritikë dhe akademikë, konsiderohet tregues i hershëm i suksesit të mundshëm në sezonin e çmimeve, me fitues të mëdhenj ndër vite si “Wicked”, “Killers of the Flower Moon”, “The Social Network” dhe “Slumdog Millionaire”. /A.Z/UBT News/