Lajmet

Misteri i Bitcoin: A është Peter Todd shpikësi i vërtetë?

Published

on

Një dokumentar i ri pretendon se ka zbuluar identitetin e vërtetë të shpikësit të Bitcoin, një mister që ka mahnitur internetin që nga lansimi i monedhës dixhitale në 2009 nga personi ose personat e panjohur që e quanin veten Satoshi Nakamoto. Krijuesit e dokumentarit, “Money Electric: The Bitcoin Mystery”, thonë se eksperti kanadez i kriptomonedhës, Peter Todd, është Satoshi.

Sidoqoftë, zoti Todd e ka hedhur poshtë këtë teori si “qesharake”. Ai u përball me regjisorin Cullen Hoback, i cili i paraqiti provat e tij dhe e pyeti nëse ai ishte personi pas shpikjes së kësaj monedhe me vlerë trilion dollarësh. Pas këtij takimi, Todd postoi në rrjetet sociale: “Unë nuk jam Satoshi Nakamoto.”

Peter Todd – fotografi nga faqja e tij në GitHub.

Intriga rreth Satoshit është e fortë jo vetëm për shkak të misterit të identitetit të tij, por edhe për pasurinë e madhe që ai ka grumbulluar. Nëse Satoshi do të kishte ende kontroll mbi portofolin e tij të Bitcoin-it, sot ai do të kishte rreth 69 miliardë dollarë, duke e renditur atë si personin e 20-të më të pasur në botë, përcjellë UBTNews.

Peter Todd është një zhvillues i njohur i Bitcoin-it dhe ka kontribuar në shumë inovacione për këtë kriptomonedhë. Megjithatë, ai kurrë nuk është përmendur si një kandidat kryesor për identitetin e Satoshit deri tani.

Përpara publikimit të dokumentarit, më shumë se 44 milionë dollarë ishin vendosur në baste në uebsajtin Polymarket mbi identitetin e Satoshit. Cullen Hoback, i cili ka tentuar më parë të demaskojë figura anonime si Q nga Q Anon, arriti në përfundimin e tij pas vitesh kërkimesh. Një nga provat që ai paraqet është një postim në forum nga Peter Todd që duket se lidhet me Satoshi.

Një teori kryesore është se Satoshi ka shkatërruar qëllimisht aksesin në sasinë e tij të madhe të Bitcoin-it, e cila kurrë nuk është shpenzuar ose transferuar. Megjithatë, Todd ka thënë se ishte “shumë i zënë me shkollën dhe punën” për të qenë i përfshirë në shpikjen e Bitcoin-it.

Në të kaluarën, disa individë janë cilësuar si krijues të Bitcoin-it. Në 2014, një artikull në Newsweek identifikoi Dorian Nakamoto si Satoshi, por ai e mohoi këtë. Një vit më vonë, Craig Wright pretendoi se ishte Satoshi, por pretendimet e tij u përjashtuan nga komuniteti.

Edhe miliarderi i teknologjisë Elon Musk mohoi se kishte ndonjë lidhje me Bitcoin-in. Për disa nga zhvilluesit e Bitcoin-it, mbajtja e identitetit të Satoshit të fshehtë është një pjesë e rëndësishme e tërheqjes dhe fuqisë së kësaj kriptomonedhe. Adam Black, një zhvillues tjetër dhe kandidat i mundshëm për Satoshi, postoi para dokumentarit: “Askush nuk e di se kush është Satoshi, dhe kjo është një gjë e mirë.”

Vendi

Kosova barazon me Austrinë dhe mbetet në vendin e dytë në Ligën e Kombeve

Published

on

By

Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim 1-1 kundër Austrisë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së katërt të Ligës B në Ligën e Kombeve.

Pas një pjese të parë të tensionuar dhe me raste nga të dyja palët, “Dardanët” kaluan të epërsi në minutën e 70-të kur Fisnik Asllani shënoi pas asistimit të bukur të Edon Zhegrovës, ndërsa vetëm tre minuta më vonë Milot Rashica pati mundësinë të dyfishonte rezultatin por goditi shtyllën.

Kur dukej se fitorja ishte afër, Austria barazoi shifrat në minutën e 85-të përmes një goli me kokë të Lang nga rivendja anësore, duke bërë që ndeshja të mbyllet baras.

Me këtë pikë, Kosova ngjitet në kuotën e pesë pikëve si e dyta në grup, tri më pak se Austria, ndërsa ciklin kualifikues do ta mbyllë në nëntor me ndeshjen ndaj Izraelit në shtëpi dhe udhëtimin në Irlandë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancë të jashtëzakonshme për Ligjin e Speciales

Published

on

By

Deputetët e Kuvendit të Kosovës mblidhen sot në orën 09:00 në një seancë të jashtëzakonshme, ku pika kryesore e rendit të ditës është votimi i Ligjit për Specialen.

Ky zhvillim vjen pas mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, e cila është caktuar për orën 08:00 për të shqyrtuar këtë projektligj në lexim të parë.

 

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

Lajmet

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara