Lajmet

Miratohet nisma për njohjen e patentë-shoferëve me Hungarinë, sanksione të reja ndaj Rusisë e Bjellorusisë

Ndërsa Kurti theksoi se do themelohet spitali rajonal i Prishtinës.

Published

on

Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për njohjen reciproke të patentë shoferëve me Hungarinë. Në mbledhjen e sotme është formuar komisioni ekzekutiv për shëndetësi i cili do të kryesohet nga kryeministri Albin Kurti.

Ky i fundit para kabinetit qeveritar tha se do të bëhet zhvillimi i sektorit publik të shëndetësisë dhe do themelohet spitali rajonal i Prishtinës. Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka vendosur edhe sanksione të reja ndaj Rusisë e Bjellorusisë, e cila është pako e gjashtë e sanksioneve të BE-së.

Duke iu rikthyer çështjes së patentë-shoferëve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se projekt-marrëveshja me shtetin e Hungarisë është në frymën e interesave të përbashkëta në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Vendimi forcon bashkëpunimin, në mënyrë që të lehtësojmë qarkullimin rrugor në territorin e të dyja palëve, duke synuar që me anë të kësaj marrëveshje të krijojmë procedura efektive për njohjen reciproke të patentë-shoferëve të vlefshëm të lëshuar nga autoritetet kompetente të të dyja palëve të kësaj marrëveshje. Kjo marrëveshje ka kaluar të gjitha hapat procedural të parashikuara me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe si e tillë nuk bie ndesh me ligjet dhe aktet tjera ligjore të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Sveçla.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, është miratuar edhe komisioni ekzekutiv për shëndetësi.

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se do të jetë kryesues i këtij komisioni, ndërkaq anëtar do të jenë ministrat e Shëndetësisë, Financave, Arsimit dhe kryetarja e bordit të ShSKUK-së së bashku me ushtruesen e detyrës së drejtorit të ShSKUK-së.

“Si kryeministër i Republikës së Kosovës propozoj që të themelohet komisioni ekzekutiv për shëndetësi, për zbatimin e masave urgjente që do të sigurojnë funksionimin normal të sistemit shëndetësor me bazë në sistemin publik dhe do i hap rrugë reformës në shëndetësi. Ky komision ka këto përgjegjësi, pas një diskutimi preliminar që kemi zhvilluar së bashku me ministrin e Shëndetësisë, doktor Rifat Latifin: e para të bëjë analiza dhe definimin e ndarjes dhe bashkëpunimin publiko-privat në shëndetësi. E dyta, zhvillimin e sistemit informativ në shëndetësi, me theks në atë për sigurime shëndetësore. E treta, reformimin e ShSKUK-së përmes fuqizimit të QKUK-së dhe spitaleve rajonale. E katërta, zhvillimin e sektorit publik të shëndetësisë, në kuptim të ngritjes së kapaciteteve të shërbimit e kujdesit shëndetësor dhe ndërlidhjes me studimin e punëve universitare dhe shkencore. E pesta, themelimin e spitalit rajonal të Prishtinës dhe e gjashta, ndërveprimi me pesë odat e profesionistëve shëndetësor të mjekëve, infermierëve, stomatologëve, fizioterapeutëve dhe të farmacistëve”, ka thënë ai.

Kurti ka njoftuar se takimi i parë i këtij komisioni do të mbahet pasditen e sotme pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

Gjatë së mërkurës, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për vazhdimin e mbështetjes së kundërshtimit të agresionit të federatës ruse nga Ukrainës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi njoftoi se ky është vendim për zbatim të pakos së gjashtë të sanksioneve të BE-së.

“Pako e gjashtë e sanksioneve përfshin: ndalimin e importit të naftës së pa përpunuar dhe produkteve të naftës së rafinuar nga Rusia me përjashtime të kufizuara. Gjithashtu Bashkimi Evropian njoftojë sanksione kundër 65 individëve dhe subjekteve të tjera, ku përfshihen individë përgjegjës për krimet e kryera në Bucha dhe Mariupol. Po ashtu me këtë vendim ne kemi propozuar vendimin e të gjitha sanksioneve që pasuan pakon e gjashtë, duke përfshirë edhe vendimet për pakot aktuale”, ka theksuar ai.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë është miratuar edhe projektligji për tubime publike. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se me këtë synohet sigurimi ushtrimin e së drejtës kushtetuese për tubime publike si dhe të drejtës për të organizuar dhe marrë pjesë në ngjarje publike.

Lajmet

17-vjeçari nga Ferizaj gjen portofolin me mbi 2,600 euro e dokumente dhe e dorëzon në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës përmes një njoftimi ka bërë të ditur së një i ri 17-vjeçar me inicialet A.N nga fshati Bablak i Ferizajt është paraqitur vullnetarisht në stacionin policor pasi kishte gjetur një portofol pranë një pike karburanti në fshatin Lloshkobare.

Pas verifikimeve nga zyrtarët policorë, u bë i mundur identifikimi i pronarit, K.S., 40 vjeç nga Gjakova, të cilit iu kthyen të gjitha mjetet monetare në vlerë prej 2,435 eurosh e 270 frangash, së bashku me dokumentet e tij të identifikimit.

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur falënderimin dhe vlerësimin e lartë për veprimin e A. Nuhës, duke e cilësuar ndershmërinë e tij si një shembull të shkëlqyer për të gjithë komunitetin. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

IKShPK konfirmon 99 të prekur me fruth dhe apelon për vaksinim të menjëhershëm të fëmijëve

Published

on

By

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka nxjerrë një përditësim mbi situatën epidemiologjike në vend, ku njofton se nga 16 prilli deri më 3 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 99 raste me fruth. Vetëm përgjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku ishin raportuar 65 raste.

Sipas të dhënave të institutit, vatrat kryesore të infeksionit mbeten Prishtina me 33 raste dhe Fushë-Kosova me 25 raste, të ndjekura nga Ferizaj me 12 dhe Kaçaniku me 7 raste. Rastet e tjera janë shpërndarë në numër më të vogël në komunat si Drenas, Lipjan, Obiliq, Gjilan, Skenderaj, Shtime, Vushtrri, Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

Për shkak të shkallës së lartë të infektueshmërisë dhe rrezikut nga komplikimet e mundshme, IKShPK u ka bërë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë kartelat e vaksinimit dhe të sigurojnë imunizimin e fëmijëve në Qendrat e Mjekësisë Familjare sipas kalendarit të rregullt. Po ashtu, instituti u bën apel qytetarëve që me shfaqjen e simptomave të para — si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë apo rrufë — të paraqiten menjëherë për kontroll në institucionet shëndetësore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Komuna e Prishtinës: Asnjë objekt nuk mund të përdoret pa inspektim final dhe certifikatë të përdorimit

Published

on

By

Drejtoria e Inspektoratit e Kryeqytetit ka njoftuar se asnjë objekt nuk do të lejohet të vihet në përdorim pa kaluar inspektimin final dhe pa u pajisur me certifikatën e përdorimit, duke paralajmëruar masa të rrepta ndaj shkelësve.

Sipas njoftimit, masa vlen për të gjitha objektet që janë në kompetencë të Inspektoratit të Ndërtimit të Kryeqytetit, përfshirë shtëpitë individuale, ndërtesat kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, objektet afariste, industriale dhe publike.

Komuna thekson se, në përputhje me Ligjin për Ndërtim, përdorimi i një objekti lejohet vetëm pasi organi kompetent të kryejë inspektimin final dhe të lëshojë certifikatën e përdorimit, e cila dëshmon se objekti është ndërtuar sipas lejes ndërtimore, projektit të miratuar dhe standardeve të sigurisë.

Drejtoria e Inspektoratit ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht, para përfundimit të punimeve, përmes një urdhërese inspektuese. Me këtë urdhëresë ata do të obligohen të mos e vënë objektin në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet blerësve dhe të mos lejojnë vendosjen e banorëve apo fillimin e aktiviteteve ekonomike deri në përfundimin e procedurës së inspektimit dhe pajisjen me certifikatën përkatëse.

Njëkohësisht, qytetarëve u është bërë thirrje që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa certifikatën e përdorimit, pasi një objekt i tillë nuk konsiderohet i verifikuar zyrtarisht për përmbushjen e kushteve ligjore dhe teknike për përdorim të sigurt.

Komuna paralajmëron se ndaj atyre që shkelin këto dispozita do të ndërmerren të gjitha masat e parashikuara me ligj. Këto përfshijnë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, urdhërimin për lirimin e tij deri në pajisjen me certifikatë të përdorimit, shqiptimin e gjobave administrative, si dhe inicimin e procedurave të tjera ligjore dhe administrative.

Në fund të njoftimit, Drejtoria e Inspektoratit thekson se inspektimi final dhe certifikata e përdorimit nuk janë vetëm formalitete administrative, por mekanizma ligjorë që garantojnë sigurinë e qytetarëve. Për këtë arsye, thuhet se nuk do të tolerohet vënia në përdorim e asnjë objekti që nuk i plotëson kërkesat ligjore.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Dy infermierë ndalohen në Prizren, dyshohen për përvetësim të parave nga pacientët

Published

on

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se dy infermierë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) janë ndaluar nën dyshimin se kanë përvetësuar para nga pagesat e pacientëve për shërbime mjekësore.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit Xh.B., në cilësinë e kryeinfermierit, dhe B.R., në cilësinë e infermierit, dyshohet se gjatë ndërrimeve të natës, në periudha të ndryshme nga viti 2024 deri në fund të vitit 2025, kanë përvetësuar mjetet financiare të arkëtuara nga pagesat e pacientëve.

Hetimet kanë zbuluar se Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1,250 euro, ndërsa B.R. 1,032 euro. Sipas Prokurorisë, shuma e përgjithshme e mjeteve të përvetësuara arrin në 2,282 euro.

Veprimet e tyre dyshohet se përbëjnë veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Pas intervistimit, në prani të mbrojtësve, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara