Lajmet

Miratohen tri marrëveshje ndërkombëtare

Published

on

Sot në vazhdimin e seancës së jashtëzakonshme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar tri marrëveshje ndërkombëtare. Ratifikimin i Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë të lirë të Evropës Qendrore, është marrëveshja e parë që u votua.

Ndërkaq, pas kësaj, pro u votua edhe për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Po ashtu, ani pse pati debate mes pozitës dhe opozitës, me 80 vota u miratua edhe për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.

Propozimin për këtë marrëveshje, e cila vlerën totale e ka 25 milionë euro, e bëri Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ai tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të numrit social në vend. Murati potencoi se nga miratimi i kësaj marrëveshje do të përfitojnë familjet e cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta, të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Përveç kësaj, ai shtoi se përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme, të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim.

“Qëllimi kryesor i këtij projekti është zhvillimi i sistemit të menaxhimit të banimit social në Kosovë dhe ngritja e numrit të njësive të numrit social në vend. Me këtë rast, marrëveshja përfshin disa komponente kyçe për arritjen e qëllimit të projektit. Përkatësisht marrëveshja përfshinë ngritjen e numrit të njësive të banimit social që mund të bëhet duke rinovuar banesat sociale ekzistuese, shndërrimin e banesave ekzistuese në banesa të reja sociale, ndërtimin banesave të reja të banimit social e të tjera. Nga kjo komponentë mund të përfitojnë familjet të cenueshme dhe ato me të ardhura të ulëta të cilat nuk e kanë të zgjidhur çështjen e banimit. Po ashtu, përmes qirave të përballueshme mund të përfitojnë edhe familjet me të ardhura të ulëta deri tek ato me të ardhura të mesme të cilat e kanë të vështirë të përballojnë çmimet e tregut për banim…Marrëveshja e Kredisë ka vlerën totale prej 25 milionë euro dhe do t’i mundësojë Qeverisë së Republikës së Kosovës që të zhvillojnë sistemin e banimit social në vend”, tha Murati.

Lidhur me këtë, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha kritikoi qeverinë për trajtimin e këtij projektligji, për çka tha se ende nuk është sjellë në kuvend ligji për banim social. Për këtë, Hoxha tha se ky draftligj ekziston që nga viti 2019. Si çështje të rëndësishme, deputetja e PDK-së, përmendi faktin se si do të bëhet përzgjedhja e familjeve përfituese.

“Ne po e trajtojmë një projektligj për mundësi për kredi për banim social adekuat përderisa ligjin për banim social ministri që është këtu prezent nuk e ka sjellur në kuvend. Draftligji ekziston që nga viti 2019, procesi për ligjin po ashtu ekziston në faqen zyrtare të ministrisë, por që ne atë ligj nuk e kemi trajtuar në kuvend nuk e kemi miratuar. Për mua ka shumë rëndësi se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në çfarë mënyrë do të operohet me komunat të cilat do të jenë bartëse qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara ose edhe menaxhimit të stokut të këtyre banesave”, tha Hoxha.

Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti tha se pavarësisht që do ta mbështesin këtë marrëveshje, duhet dhënë sqarime rreth saj.

“Debati për këtë marrëveshje nuk është shtjerrur plotësisht në komision dhe jemi dakorduar që të vijmë këtu në Kuvend. Nëse do të kaloni vetëm proforma në fund të fundit edhe ju mbështesim këtë . Por, nuk kalohet marrëveshja pa i dhënë sqarimet që kërkojnë grupet parlamentare. Unë e bëra një listë të gjatë të pyetjeve. Tani, ministri doli na ngatërroi me atë që edhe shërbyesit civil do të përfitojnë prej kësaj. Por, këtu në projekt nuk shkruan për atë. Janë familjet me asistencë sociale dhe familjet me të ardhura të ulëta nën mesatare. Ti nuk e gjen një shërbyes civil që ka të ardhura në mesatare. Të bëhemi serioz kur i diskutojmë këto gjëra që janë të rëndësishme për plot familje”, tha Hoti.

Vendi

PDK i përgjigjet Kurtit: Së pari vendimi i Kushtetueses

Published

on

By

Kërkesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim të mundshëm në ditët në vijim për çështjen e presidentit, i është përgjigjur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me të njëjtin ton si ai i LDK-së.

Në përgjigje të kësaj thirrjeje, PDK ka konfirmuar vullnetin për dialog, mirëpo jo para një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

“PDK e falënderon kryeministrin Albin Kurti për ftesën për takim dhe rithekson se mbetet e hapur për komunikim dhe dialog politik sa herë që kjo i shërben stabilitetit institucional dhe interesit të vendit. Megjithatë, në rrethanat aktuale, duke pasur parasysh se Gjykata Kushtetuese ka vendosur Masë të Përkohshme që pezullon procesin e zgjedhjes së Presidentit dhe çdo veprim të mëtejshëm të Kuvendit në këtë drejtim, PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili pritet deri më 31 mars dhe që do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

PDK e përmbyll reagimin duke theksuar se respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitetin e vërtetë politik dhe institucional në Kosovë.

 

Continue Reading

Rajoni

Shqipëria synon ta shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit

Published

on

By

Shqipëria do të votojë për një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit, ndërsa Gardën Revolucionare dhe Hezbollahun, organizata terroriste, njoftoi të premten kryeministri i vendit, Edi Rama.

Duke folur në një konferencë për gazetarë, Rama tha se vendimi do të merret javën e ardhshme.

“Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet ta votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën e Khomeiniste të Iranit – unë me gojë nuk e them dot islamike, sepse ajo nuk ka asnjë lidhje me islamin sipas asaj që unë di dhe çmoj te islami – shtet sponsor të terrorizmit. Bashkë me këtë do të shpallen organizata terroriste Garda Revolucionare e Iranit dhe Hezbollahu”, theksoi Rama.

Hezbollahu është grup militant në Liban i mbështetur nga Irani. Ai konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Ndërsa, Bashkimi Evropian muaj më parë e shpalli terroriste Gardën Revolucionare të Iranit.

Synimi i Shqipërisë vjen pak ditë pasi Kuvendi i saj ish në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Rama, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ferit Hoxha, thanë gjatë raportimit në Komisionin për Sigurinë, se erdhi nga Irani.

Kreu i Qeverisë tha se sulmet kibernetike nga Irani janë të vazhdueshme, madje, sipas tij, të përditshme, që prej vitit 2022.

Kryeministri shtoi Shqipëria ka kapacitete mbrojtëse kibernetike, dhe atë ndër më të mirat në Evropë, por tregoi se Kuvendi nuk është përfshirë ende në to.

“Problemi ynë është që nuk kemi përfshirë ende të gjithë sistemin brenda rrjetit të mbrojtjes. Nuk ka probleme me zonat kritike ku ata mund të sulmojnë. Ne sulmohemi nga Irani, çdo ditë, jo njëherë. Nuk kanë ndalur asnjëherë sulmet. Këto janë të dhëna sensitive, në sistemet e mbrojtjes kibernetike ka lexim dhe gjurmë të çdo sulmi, por s’kanë pasur sukses në pjesën e infrastrukturës kritike”, tha Rama.

Ndërsa, Hoxha tha se “fakti që arritën të cenojnë infrastrukturën teknologjike të Kuvendit do të thotë që duhet të jemi shumë të vëmendshëm”.

Ai tha se kjo çështje është ngritur në NATO dhe Shqipëria ka marrë garancinë se nuk është vetëm.

Hoxha theksoi se Shqipëria mbështet politikën e jashtme të sigurisë kolektive dhe renditet krah SHBA-së për ndalimin e programit bërthamor dhe raketave balistike nga Irani.

Marrëdhëniet midis Iranit dhe Shqipërisë janë të tensionuara dhe praktikisht të ngrira prej se Shqipëria u ofroi anëtarëve të MEK-ut strehë të sigurt, mbi një dekadë më parë.

Sulmet kibernetike iraniane prej vitit 2022, për të cilat Shqipëria beson se janë hakmarrje ndaj saj për strehimin e disidentëve iranianë, bëri që Qeveria shqiptare t’i pezullonte marrëdhëniet diplomatike me Iranin.

Përgjegjësinë për sulmin e 9 marsit e mori një grup hakerësh, i identifikuar si Homeland Justice, i cili theksoi në llogarinë e tij në Telegram se “nuk do t’i lëmë mbështetësit e terroristëve të MEK të flenë të qetë asnjë çast”.

MEK, apo Mojahedin-e-Khalq, është grup opozitar iranian që njihet edhe si Organizata Popullore Muxhahedine e Iranit dhe është strehuar në Shqipëri kamotshëm.

Homeland Justice është faqe e internetit me shtrirje ruse që u shfaq para sulmeve kibernetike në portalin shtetëror e-Albania, në mes të korrikut 2022.

Sipas analizës së Microsoft, pas faqes së internetit qëndron një grup i lidhur me Qeverinë iraniane, i cili është përgjegjës për sulmin në internet./REL/

Continue Reading

Vendi

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi “një orë pas” verdiktit të Kushtetueses

Published

on

By

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar zyrtarisht pas ftesës së Kryeministrit Albin Kurti për një takim rreth zgjedhjes së Presidentit të ri.

Abdixhiku ka konfirmuar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës, por ka vendosur një kusht të qartë: takimi mund të ndodhë vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë verdiktin e saj.

Lideri i LDK-së ka theksuar se përderisa çështja e dekretit për shpërndarjen e Kuvendit është në duart e Gjykatës, politika duhet të heshtë për t’i lënë radhën drejtësisë kushtetuese.

“E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim, koha jonë politike ndalon përkohësisht”, ka deklaruar Abdixhiku.

Sipas tij, respektimi i pavarësisë së Gjykatës Kushtetuese dhe shmangia e proceseve politike paralele është një nder që i bëhet Republikës dhe institucioneve të saj.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar kreu i LDK-së.

Kjo përgjigje vjen vetëm pak orë pasi Kryeministri Kurti njoftoi se do të nisë ftesat për opozitën me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin, për të evituar kështu shkuarjen në zgjedhje të reja.

 

 

Continue Reading

Lajmet

Kurti: Sot u nis ftesë partive opozitare, duhet marrëveshje për Presidentin

Published

on

By

Institucionet e Kosovës janë aktualisht në pritje të aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa vendi pret këtë vendim që do të përcaktojë fatin e legjislaturës, Kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për stabilitet, duke kërkuar një marrëveshje politike me partitë opozitare për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Kurti theksoi para mediave se Kosova nuk mund t’i lejojë vetes një tjetër cikël zgjedhor të dendur, duke kujtuar se gjatë vitit të kaluar vendi kaloi nëpër katër palë zgjedhje.

“Kemi një çështje tani që ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërkaq theksi duhet të vije në faktin që në vitin e kaluar kemi pasur 4 palë zgjedhje dhe unë jam i bindur që nuk kemi nevojë që ta përsërisim vitin 2025. Është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit”, deklaroi Kurti.

Për të shmangur zgjedhjet e sërishme dhe për të siguruar funksionimin e Kuvendit pas vendimit të Gjykatës, Kryeministri njoftoi se ftesat për liderët e opozitës do të dërgohen menjëherë.

“Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi dhe unë qysh sot do t’ju dërgoj ftesa për t’u takuar në fillim të javës së ardhshme”, shtoi ai, duke insistuar se zgjidhja duhet të gjendet përmes dialogut brenda spektrit politik.

 

Continue Reading

Të kërkuara