Lajmet

Ministria e Financave ua bllokon komunave mjetet nga të hyrat vetanake

Published

on

Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK) kërkon nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) që sa më shpejt të bëjë bartjen e mjeteve financiare të komunave nga rritja e të hyrave vetanake nga viti 2023.

Këto mjete janë të Komunave dhe duket shumë absurd që mjetet e komunave të bllokohen nga niveli qëndoror. Kemi të bëjmë më mos bartjen e rritjes së të hyrave vetanake të vitit 2023, e që këto të hyra kapin shifrën e milionave euro.

Komunat që kanë tejkaluar planifikimin e të hyrave vetanake për vitin 2023 kanë aprovuar këtë rritje buxhetore në Kuvendet e Komunave përkatëse mirëpo, MFPT ende nuk i ka bartur këto të hyra dhe i zvarrit pa asnjë arsye.

A thua përse ndodhë një veprim i tillë ndaj komunave? Duhet ditur se MFPT e ka obligim Ligjor që këto mjete t’i bartë te komunat sepse janë të hyra vetjake të komunave.

Duke marrë parasysh që këto mjete nga rritja e të hyrave vetanake të komunave për vitin 2023 janë të destinuara për projekte kapitale, me këtë veprim niveli qendror i fut në rreziqe komunat që të mos mund të procedojnë në publikimin e projekteve për të cilat janë destinuar. Pra, komunat edhe pse i kanë të destinuara këto mjete për investime kapitale, pra për përmirësimin e jetës së qytetarëve, kjo nuk mund të ndodhë për shkak pengesave të shkaktuara nga niveli qendror.

Komunat janë në pritje të bartjes së të hyrave nga rritja e realizuar nga vete komunat. I bëjmë ftesë publike Ministrit të ndërmarrë veprimet konkrete ligjore për realizimin e të drejtës së komunave në të kundërtën po neglizhohet në dëm të komunave e rrjedhimisht në dëm të mosrealizimit të projekteve kapitale në interes të qytetarëve.

Vendi

Baleti Kombëtar i Kosovës hap Festivalin e Baletit Klasik dhe Modern në Shkup me “Carmina Burana”

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës do të jetë pjesë e Festivalit të Baletit Klasik dhe Modern në Shkup, ku është ftuar të hapë edicionin e sivjetmë me shfaqjen “Carmina Burana”, me koreografi të Toni Candeloros.

Shfaqja do të mbahet më 6 qershor 2026, në ora 20:00, në Teatrin Kombëtar në Shkup, duke shënuar një tjetër prezantim ndërkombëtar të trupës së baletit kosovar.

Nga Baleti Kombëtar i Kosovës kanë bërë të ditur se pjesëmarrja në këtë festival përbën një nder të veçantë dhe një mundësi të rëndësishme për të kontribuar në shkëmbimin kulturor dhe artistik në rajon. Sipas tyre, ky aktivitet shërben gjithashtu për të frymëzuar gjeneratat e reja të baletit dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet artistëve.

Në njoftim thuhet se programi i festivalit i kushton vëmendje të veçantë edhe promovimit të artistëve të rinj, duke u ofruar atyre mundësinë të ndajnë përvojat skenike me publikun dhe profesionistët e fushës.

Pjesëmarrja e Baletit Kombëtar të Kosovës në këtë festival vjen si dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për promovimin e artit skenik dhe prezantimin e vlerave artistike të vendit në skenat rajonale dhe ndërkombëtare.

Continue Reading

Vendi

Katër raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Published

on

By

Në 24 orët e fundit në Kosovë janë regjistruar katër raste të dhunës në familje, sipas raportit të Policisë.

Rasti i parë është shënuar në Podujevë, ku është intervistuar një grua nën dyshimin se, pas një mosmarrëveshjeje me bashkëshortin e saj, ata janë përleshur mes vete.

Sipas raportit, lidhur me këtë rast, me urdhër të prokurorit të rastit kanë nisur hetimet.

Ndërkaq, në Pejë raportohet se një grua është sulmuar nga një e dyshuar, po ashtu grua.

Edhe për këtë rast, Policia ka nisur hetimet.

Në rastin e tretë, në Gjakovë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Në Rahovec, një grua ka pranuar trajtim mjekësor pasi dyshohet se është sulmuar nga një burrë.

Palët janë intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

Continue Reading

Aktualitet

REL: Firma investuese zotohet se do t’i respektojë proceset publike pas protestave ndaj projektit në Zvërnec

Published

on

By

Kompania e lidhur me investimet e parapara të dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, në Shqipëri, tha për Radion Evropa e Lirë se i respekton “proceset e vazhdueshme publike dhe institucionale” dhe se “është e gatshme të ecë përpara, ndërsa ato zhvillohen”.

Kjo përgjigje erdhi pasi REL-i iu drejtua kompanisë së lidhur me Kushnerin, Affinity Partners, pas protestave tashmë disaditore në Shqipëri kundër një projekti turistik në Zvërnec, pranë Vlorës.

“Fokusi ynë mbetet te kujdesi i përgjegjshëm, përmirësimi mjedisor, krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i vlerës afatgjatë për komunitetet lokale”, tha për Radion Evropa e Lirë Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development LLC.

“Jemi të entuziazmuar për mundësinë për të krijuar një destinacion të klasit botëror dhe për të realizuar një nga investimet më të mëdha private në historinë e rajonit”, shtoi ai.

Protestat në Zvërnec kundër punimeve për një projekt turistik në zonën Pishë Poro-Nartë, në jugperëndim të Shqipërisë nisën javën e kaluar. Kjo zonë është pjesë e një peizazhi të mbrojtur me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Protestat vazhduan edhe të martën në kryeqytetin Tiranë, me thirrje për anulimin e projektit dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Qytetarë të shumtë u mblodhën para ndërtesës së Qeverisë në Tiranë më 2 qershor, për të protestuar kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, në jugprëndim të Shqipërisë.

Banorë të zonës, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis, pronësinë e tokës dhe transparencën e investimit.

Ndërkohë, organizatat për mbrojtjen e mjedisit kanë nisur edhe mbledhjen e nënshkrimeve përmes një peticioni online.

Por, kryeministri Rama e ka mbrojtur projektin dhe ka thënë se ai nuk do të ndalet për sa kohë është kryeministër.

Rama tha po ashtu se Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka bllokuar një transaksion prone të lidhur me projektin. SPAK-u nuk e ka konfirmuar publikisht bllokimin e ndonjë transaksioni.

SPAK-u më 1 qershor konfirmoi se ka nisur një hetim lidhur me Zvërnecin, por nuk dha hollësi se çfarë po hetohet saktësisht.

Projekti ka marrë vëmendje edhe për shkak të deklarimeve të mëhershme të Kushnerit. Në mars të vitit 2024, ai tha se synon të ndërtojë hotele dhe qindra vila në zonën e Zvërnecit.

Kompania e Kushnerit mori statusin e investitorit strategjik në dhjetor të vitit 2024 për ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit. Vendimi u mor nga Komiteti i Investimeve Strategjike, i drejtuar nga Rama.

Sa i përket Zvërnecit, Rama tha të martën se Kushner “nuk ka bërë kërkesë për të qenë investitor strategjik”. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Ekspozita “Objekti Kujtesë” sjell interpretimet kreative të studentëve të vitit të parë të Artit dhe Dizajnit në UBT

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, studentët e vitit të parë të Fakultetit të Artit dhe Dizajnit prezantuan ekspozitën “Objekti Kujtesë”, të realizuar në kuadër të lëndës Skulpturë (Semestri II), nën mentorimin e profesorit Burim Berisha.

Ekspozita paraqiti një seri punimesh që eksplorojnë marrëdhënien ndërmjet objektit, kujtesës dhe përditshmërisë, duke transformuar objekte të zakonshme në forma skulpturore me vlera estetike dhe konceptuale.

Përmes përdorimit të materialeve të gjetura, objekteve të përdorimit të përditshëm dhe materialeve të ricikluara, studentët krijuan vepra që tejkalojnë funksionin fillestar të objektit, duke i dhënë atij kuptime të reja dhe dimensione artistike. Çdo punim shpalosi histori, kujtime dhe reflektime personale e kolektive, duke dëshmuar potencialin krijues dhe aftësinë e studentëve për të zhvilluar gjuhë bashkëkohore artistike.

Ekspozita “Objekti Kujtesë” ofroi një hapësirë dialogu mes artit, kujtesës dhe materialitetit, duke nxitur publikun të reflektojë mbi mënyrën se si objektet e përditshme mund të bartin histori, emocione dhe identitete.

Continue Reading

Të kërkuara