Lajmet

Ministri i Pushtetit Lokal për asociacionin: S’mund ta shkelim Kushtetutën të kemi institucion një etnik

Duke cituar kreun e Qeverisë, Albin Kurti, ai thotë se varianti i propozuar më herët përbën shkelje të Kushtetutës.

Published

on

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në një shtet multi-etnik nuk mund të ketë një institucion një etnik, kjo duke iu referuar asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke cituar kreun e Qeverisë, Albin Kurti, ai thotë se varianti i propozuar më herët përbën shkelje të Kushtetutës.

“Besoj që kryeministri Kurti ka qenë vazhdimisht i qartë në këtë temë dhe unë po e theksoj faktin që nuk mundemi që në një shtet multi-etnik të kemi një institucion një etnik”.

“…varianti i propozuar më herët ka shkelje Kushtetuese kështu që ne nuk mund që me veprimet tona të jemi në dis-harmoni me shtetin tonë sa i përket asociacionit”.

Ai ka folur edhe për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor, duke sqaruar se janë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët aktual të komunave që ky proces të shkojë në rregull.

“Po vazhdojmë të kemi komunikime të vazhdueshme me kryetarët e komunave, procesi i zgjedhjeve është para nesh, ne si ministri kemi kompetencat e përcaktuara në këtë pjesë, kështu që presim që ky proces të shkojë mirë dhe të organizohet mirë nga KQZ-ja dhe të fillojnë administratat e reja komunale të punojnë, por që besoj deri atëherë kemi kohë të punojë me gjithë kryetarët që janë aktualisht në detyrë”.

Sa i përket pasojave të pandemisë ia tha se do të përgatisin një pasqyrë reale në mënyrë që në vitin e ardhshëm në kuadër të ministrisë të organizohen takime ku kryetarët e komunave mund të gjejnë donatorë dhe investitorë.

“Deshëm apo nuk deshëm pandemia ka qenë njëra prej punëve tona kryesore, sigurisht të koordinuara me ministrinë e shëndetësisë në aspektin lokal ne kemi organizuar disa takime me ministrin dhe diskutimin me kryetarët e komunave dhe fillimisht i kemi njoftuar kryetarët e komunave faktin që ata gjithmonë kanë qenë në vijën e parë të frontit në ballafaqimin me situatën pandemike dhe jemi koordinuar për proceset të cilat janë marrë në nivel qendror dhe cilat kanë pasur efekt nacional”.

“…ku diskutimi ka qenë edhe rreth studimit të pandemisë që dëshirojmë t’i bëjmë në 38 komuna ku tashmë kemi filluar me grupet e para punuese për një studim që dëshirojmë ta bëjmë në këto komuna për të kuptuar drejtë se cili është efekti i nivelit lokal në pandemi në aspektin edhe të ofrimit të shërbimeve të qytetarëve dhe kështu të përgatisin një pasqyrë reale për efektet të cilat pandemia i ka lënë në nivelin lokal, dhe mandej është në planin tonë është që në vitin e ardhshëm në kuadër të ministrisë tonë të organizojmë një moment ku kryetarët e komunave mund të gjejnë donatorë dhe investitorë për një rifillim të mirë pas pandemisë”.

Ai ka folur edhe për punë e paraardhësve të tij,  duke thënë se kjo ministri është udhëhequr më shumë nga sekretari dhe se ka probleme me stafin.

“Jemi mësuar me idenë që kudo që vjen një ministër, ka kritika për ministrin e kaluar dhe për Qeverinë e kaluar, por me të vërtetë në ministrinë që unë udhëhiqi ka më shumë se sa mjaftueshëm arsye që të ketë kritika, fakti që një ministër më herët këtu nuk është marrë me menaxhimin e ministrisë, mirëpo kjo ministri është menaxhuar më shumë nga sekretari apo ushtruesi i detyrës që është një problem shtesë dhe stafi sesa nga niveli politik, kështu që ka probleme të mjaftueshme ka kaluar koha kur ne flasim vetëm për ato probleme si diçka që i kemi gjetur, por që tani jemi në procesin e marrjes edhe veprimeve të duhura për të gjetur zgjidhjen e gjithë këtyre problemeve, ne tani kemi hapur mundësinë për sekretar dhe të mbulohen edhe pozicione të tjera. Si ministër jam shumë i interesuar që procesi i sekretarit të jetë shumë transparent dhe të zgjidhet pa ndikime të asnjë lloji”.

Kur se tash ai tha se pas skenimit të gjendjes në ministri janë të gatshëm të implementojnë aktivitet dhe objektivat zhvillimore, raporton EO.

“Tashmë disa muaj kaluan dhe jemi shumë afër edhe 100-ditëshit kështu që nuk është edhe krejt fillimi, mirëpo disa procese edhe ende janë në fillim për shkak edhe të natyrës së zgjidhjes së problematikave. Kemi pasur kohë të mjaftueshme edhe të skanojmë situatën brenda ministrisë edhe t’i barazojmë me idetë zhvillimore që ne i kemi pasur për këtë ministri, kështu që kjo kohë ka qenë produktive dhe ne tani jemi në implementim e sipër të aktiviteteve tona të cilat janë votuar edhe në objektivat e Qeverisë për mandatin tonë”.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria lejon rihapjen e TikTokut

Published

on

Qeveria e Shqipërisë ka sqaruar vendimin e 3 shkurtit për rikthimin e TikTok pas gati një viti mbylljeje.

Në sqarim thuhet se vendimi u mor pas një rivlerësimi institucional dhe adresimit të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Qeveria bën me dije se bashkëpunimi i autoriteteve shqiptare me përfaqësuesit e platformës është institucionalizuar dhe se fokusi është zhvendosur nga ndalimi i aksesit në monitorim aktiv dhe përgjegjësi të përbashkët për sigurinë digjitale.

“Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale”, thuhet në njoftimin e Agjencia për Media dhe Informim .

Njoftimi:

Agjencia për Media dhe Informim sqaron median dhe opinion publik në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave datë 03.02.2026 për heqjen e masave të përkohshme për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok

Heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm. Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve.

Ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online.

Kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani takon Kryetaren e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve në Emiratet e Bashkuara Arabe

Published

on

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, gjatë qëndrimit në Emiratet e Bashkuara ka takuar Sheikha Latifa bint Mohammed bin Rashid Al Maktoum, Kryetare e Autoritetit të Kulturës dhe Arteve.

Osmani është shprehur se Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë hapësirë për mundësi bashkëpunimi në shumë fusha.

“Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë më shumë sesa miqësi: kanë hapësirë për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi edhe në në kulturë, krijimtari, art dhe inovacion”, shkruan Osmani.

Qëllimi i vizitës së Presidentes Osmani në Emiratet e Bashkuara Arabe ishte për Samitin Botëror të Qeverisjes, ku morën pjesë edhe shumë lider tjerë botëror.

Continue Reading

Lajmet

Në Forumin e Sigurisë në Kongresin Amerikan kërkohet anëtarësimi i Kosovës në NATO

Published

on

Përfaqësues të partive opozitare nga Kosova dhe zyrtarë nga Shqipëria kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, gjatë Forumit për Sigurinë të mbajtur në Capitol Hill, në Kongresin Amerikan.

Në këtë forum, ku morën pjesë kongresistë dhe diplomatë amerikanë, u theksua se integrimi i Kosovës në Aleancën Veriatlantike është domosdoshmëri për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Kosova është e gatshme për anëtarësim në NATO dhe se koha për këtë hap është tani.

“Porosia ime në Kongresin Amerikan, në kuadër të Forumit Ndërparlamentar të Sigurisë në Capitol Hill, ishte e shkurtër: ‘Koha është tani’. Kosova ka implementuar planin dhjetëvjeçar për zhvillimin e Ushtrisë së saj, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë ai.

Tutje, Haradinaj u shpreh se ushtria e Kosovës, ashtu si edhe institucionet e tjera të sigurisë, bazohen në standardet e NATO-s dhe të SHBA-së.

Ai shtoi se Kosova është e gatshme të kontribuojë në fushën e sigurisë dhe për anëtarësim në NATO.

Kërkesë të njëjtë ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës.

“Në fjalën time në Capitol Hill kërkova që Kosova të anëtarësohet në NATO. Siguria e Ballkanit është sot çështje kyçe e sigurisë evropiane”, ka shkruar Hoxhaj.

Në këtë forum ka marrë pjesë edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili ka kërkuar anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar rajonin si një hapësirë gjeopolitike të ndjeshme ndaj kërcënimeve hibride dhe ndërhyrjeve të huaja.

“Ballkani Perëndimor mbetet i ndjeshëm në aspektin gjeopolitik, i ekspozuar ndaj përpjekjeve të huaja për të minuar stabilitetin, për të dobësuar institucionet demokratike dhe për të shkatërruar besimin te rruga Euro-Atlantike. Ky realitet kërkon vigjilencë, qëndrueshmëri dhe qartësi strategjike. Integrimet euroatlantike dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO janë të domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, ka thënë ai.

Pjesë e Forumit për Sigurinë kanë qenë edhe deputetë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, si dhe një numër i madh kongresistësh dhe diplomatësh amerikanë.

E.A.

Continue Reading

Lajmet

“French Business Day”, promovon Kosovën si destinacion investimesh

Published

on

Këshilli i Investitorëve Europian ka organizuar eventin, “French Business Day”, që synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomacisë franceze dhe komunitetit të biznesit, ndërsa u theksua rëndësia e krijimit të partneriteteve afatgjata, rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën e Biznesit Francez ka thënë se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, e hapur për investime serioze si dhe ka theksuar se po zgjerohet mundësia tregtare me Evropën, Rajonin dhe më gjerë.

Kurti në fjalën e tij, tha se Kosova tani ka stabilitet institucional.

“Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Kosova është e hapur për investime serioze. Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar me orientim të qartë evropian dhe tashmë kemi edhe stabilitet institucional, i cili dëshirohet aq shumë nga bizneset, meqenëse ofron siguri publike, para shikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, ka thënë ai.

Tutje Kurti u shpreh se bashkëpunimi duhet të ndërtohet mbi besimin.

“Sepse besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri”, tha ai.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, theksoi se interesi i kompanive franceze dëshmon atraktivitetin e vendit.

Ai shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Kosovës janë të forta.

“Është gjithashtu një vend me të cilin Franca mban një marrëdhënie shumë, shumë pozitive, një partner, por edhe më tepër një vend mik. Kjo marrëdhënie mbështetet në lidhje njerëzore me diasporën  e cila është padyshim e dukshme mes nesh dhe në lidhje kulturore”, tha ai.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se platforma ishte përgatitur përmes një procesi të gjatë konsultimesh.

“Ambicia jonë është të nxisim lidhje domethënëse, të promovojmë investime dhe mundësi, si dhe të inkurajojmë inovacionin në këta sektorë, nga financat dhe energjia deri te infrastruktura, mobiliteti dhe teknologjia. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, mund t’i shndërrojmë interesat e përbashkëta në projekte konkrete”, tha ai.

Në kuadër të eventit “French Business Day”, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se Kosova ofron mundësi të favorshme për investitorët francezë dhe po forcon pozicionin e saj si destinacion konkurrues për bizneset ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ajo nënvizoi se ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, me rritje mesatare të PBB-së më të lartë në Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, inflacion të ulët dhe borxh publik më të ulët në rajon.

“Duke zgjedhur Kosovën, kompanitë franceze forcojnë zinxhirët e furnizimit të Evropës, zvogëlojnë varësinë nga tregjet e largëta dhe fitojnë një partner të besueshëm në zemër të Ballkanit. Ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Gjatë tre viteve të fundit, PBB-ja jonë është rritur me mesataren më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar, ndërsa inflacioni mbetet i ulët dhe borxhi publik është më i ulëti në rajon”, tha ajo. E. A. /Ekonomia online/

 

Continue Reading

Të kërkuara