Lajmet

Milionat e Serbisë për fuqizimin e strukturave paralele në Kosovë

Cakolli: Të pengohet legalizimi dhe legjitimimi i situatës në terren.

Published

on

Serbia nga buxheti i saj për vitin 2021 ka ndarë 91.8 milionë euro për financimin e institucioneve paralele dhe aktiviteteve të saj në Kosovë.

Për struktura ilegale paralele të Serbisë në Kosovë në fushën e politikës, sigurisë, arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe financa është biseduar javën e kaluar në Bruksel midis përfaqësuesit të Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i Kosovës dhe kryenegociator në procesin e dialogut me Serbinë, duke komentuar takimin e Brukselit, kishte deklaruar përmes një postimi në Facebook se Serbia “jo që ka punuar në shuarjen e këtyre institucioneve, por i ka fuqizuar të njëjtat”.

“Kam konstatuar se këto struktura, Serbia nuk është duke i ngritur pa ndonjë arsye, dhe që ata kanë si synim legalizimin e të njëjtave përmes Asociacionit”, ka thënë Bislimi më 12 korrik.

Po të njëjtën ditë, Petar Petkoviq, shef i zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë dhe udhëheqës i delegacionit të Serbisë për dialogun me Kosovën, gjatë qëndrimit të tij në Zveçan, ka deklaruar para mediave se Bislimi “nuk e ka përmendur një gjë të tillë gjatë takimit në Bruksel”.

Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë vazhdojnë të ekzistojnë, ndonëse një pjesë e tyre janë shuar vetëm në formë nominale, vlerësojnë përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës dhe të organizatës joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”.

Heshtja e institucioneve për “pozitat fiktive”

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklarimet për çështjen e strukturave paralele nga ana e zëvendëskryeministri Bislimi, i konsideron si deklarime në një format shabllon. Sipas tij, në rastin e shëndetësisë dhe të arsimit, nuk bëhet fjalë vetëm për struktura paralele, por siç thotë ai, ato janë të vetmet në komunat me shumicë serbe, të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, për shkak se atje nuk ka fare struktura të këtyre fushave sipas sistemit të Kosovës dhe se Kosova nuk ka bërë përpjekje që të shtrijë juridiksionin e saj në këto dy fusha.

Megjithëse, sipas tij, strukturat e sigurisë dhe të drejtësisë janë shuar në formë nominale, në nivelin komunal ekzistojnë mjaft struktura paralele dhe ato veprojnë sipas juridiksionit të Serbisë. Komunat paralele, siç thotë ai, përbëjnë shembullin më të dukshëm të mosrespektimit të Marrëveshjes për shuarjen e strukturave paralele.

“Serbia, është më se e qartë që vazhdon të ketë ndikim të madh dhe vijon të ketë sistem gati se paralel të nivelit lokal, me paradoksin që kryetarët e zgjedhur në mënyrë legjitime nga vota e qytetarëve, përmes rregullave të Kosovës, vijojnë që të kenë një pozitë fiktive edhe në kuptimin e strukturave paralele të Serbisë. Institucionet tona, deri më tani, në heshtje e kanë toleruar një situatë të tillë, duke mos ndërmarrë thuajse asgjë dhe duke i bërë të brishta, në kuptimin formal, institucionet tona që ekzistojnë në veri të vendit”, thotë Cakolli.

Verolub Petroniq nga organizata joqeveritare “Qendra Humane në Mitrovicë”, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë që shumica e kryetarëve të komunave me shumicë serbe, të cilët i kanë fituar ato pozita në zgjedhjet e organizuara në sistemin e Kosovës, mbajnë gjithashtu edhe poste udhëheqëse në Organet e Përkohshme të Serbisë, të cilat nga autoritetet e Kosovës konsiderohen si paralele. Por, sipas tij, autoritetet e Kosovës nuk kanë bërë asgjë që kjo gjendje të ndryshojë, dhe siç thotë ai, kanë lënë të kuptohet që e kanë miratuar në heshtje këtë situatë.

“Këtë e kanë ditur të gjithë ish-presidentët, ish-kryeministrat dhe kryetarët e kuvendit si dhe deputetët. Pra, ky nuk është kurrfarë sekreti, në mënyrë të heshtur Kosova e ka dhënë miratimin për një gjë të tillë. Kanë pasur të drejtë (autoritetet e Kosovës) që kur janë mbajtur zgjedhjet lokale, të kërkojnë dhe të thonë që këta nuk janë adekuatë që të jenë në listat zgjedhore, sepse ata ndodhen në pozita udhëheqëse në disa organe të përkohshme. Por, ata nuk e bënë këtë edhe pse e kanë ditur këtë rrëfim”, shprehet Petroniq.

Asociacioni, vetëm pas shuarjes së strukturave paralele?

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë në llogarinë e tij në Facebook se vetëm atëherë kur në Kosovë “të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe, kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të diskutohet seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve”.

Por, shefi i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, Petar Petkoviq, ka theksuar që nuk po e kupton zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“Së pari , nuk e kam të qartë se për cilat komuna dhe institucione paralele është duke menduar Bislimi, kur ne jemi në vendin tonë, kur ne kemi institucionet dhe komunat tona, të cilat janë të vjetra disa dekada, por edhe institucione që janë të vjetra për shumë shekuj dhe askënd nuk e rrezikojmë”, tha Petkoviq.

Cakolli: Të pengohet legalizimi dhe legjitimimi i situatës në terren

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës vlerëson që çështja e shuarjes së tërësishme të strukturave paralele në Kosovë, si zbatim i marrëveshjeve të arritura më parë, duhet të diskutohet ndërmjet palëve në dialogun e Brukselit.

“Për më tepër, besoj që Kosova bën mirë që e ndërlidhë formimin e Asociacionit me shuarjen e këtyre strukturave. Përndryshe, kjo do të ishte vetëm legjitimim i një situate faktike që është në terren. Pra, ofrimi i kompetencave ekzekutive të Asociacionit (të komunave me shumicë serbe), në shumicën e sektorëve ku Serbia ka struktura paralele, do të nënkuptonte, në një formë, legalizim dhe legjitimim të pushtetit efektiv që Serbia ushtron në një pjesë të territorit, sidomos në këto katër komunat veriore, por pa i anashkaluar edhe gjashtë komunat tjera që ndodhen në jug të vendit”, theksoi Cakolli.

Petroniq: Zyra për Kosovën, përfaqësi konsullore e Serbisë në Kosovë

Veroljub Petroniq nga “Qendra Humane në Mitrovicë” thotë që strukturat paralele serbe në Kosovë gravitojnë në Zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ai shpreh mendimin që kjo zyrë “do të jetë një Ministri e Punëve të Jashtme ose një lloj përfaqësie konsullore e Serbisë në Kosovë”.

“Më duket që në rast se arrihet një marrëveshje obliguese apo pajtim, sidoqoftë që do të quhet, me siguri që të gjitha ato struktura që punojnë në Zyrën për Kosovën, do të jenë një lloj ndërlidhjeje ndërmjet Serbisë dhe institucioneve të përkohshme në Kosovë, ashtu siç i quajnë në Beograd”, tha Petroniq.

Continue Reading

Vendi

Mbi 100 gramë kokainë dhe marihuanë kapen në Vërmicë

Published

on

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zbuluar dy raste të substancave narkotike gjatë kontrolleve në Pikën Kufitare të Vërmicës.

Në rastin e parë, gjatë kontrollit të një automjeti që po hynte në Kosovë, janë gjetur 104.90 gramë substancë e dyshuar si kokainë, e fshehur në çantën personale të një udhëtari.

Ndërkaq, në rastin e dytë janë zbuluar 5.53 gramë substancë e dyshuar si marihuanë, e fshehur në bagazhin e një automjeti. Gjatë kontrollit është gjetur edhe një thikë kuzhine e padeklaruar.

Rastet janë proceduar për hetime të mëtejshme nga autoritetet kompetente.

/A.K/

Continue Reading

Vendi

Mbyten dy vajza të mitura në Tale

Published

on

By

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në plazhin e Tales, ku dy vajza të mitura, të moshës 11 dhe 9 vjeçe, janë mbytur në det.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, tragjedia ka ndodhur rreth orës 12:50. Pas marrjes së informatës, zyrtarët policorë kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe, në bashkëpunim të ngushtë me pushuesit e tjerë, kanë bërë të mundur gjetjen dhe nxjerrjen e trupave të pajetë në breg.

“Në bashkëpunim me pushuesit, është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupave të pajetë në breg“, thuhet në njoftimin e policisë.  /E.A/

Continue Reading

Vendi

Dyshime për cilësinë: Bllokohen mbi 1 mijë e 400 infuzione në Spitalin e Mitrovicës

Published

on

By

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK) ka njoftuar se ka bllokuar përkohësisht 1,432 njësi të një produkti mjekësor në Spitalin Rajonal “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë, pas dyshimeve se ai mund të mos jetë brenda specifikave të kërkuara të cilësisë.

Bëhet fjalë për infuzionet e llojit Compound Sodium Lactate (500 ml). Alarmi u ngrit fillimisht nga farmacistja përgjegjëse e spitalit, gjë që vuri në lëvizje Inspektoratin Farmaceutik dhe Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM).

Pas një inspektimi të dytë të kryer më 17 qershor, autoritetet urdhëruan bllokimin e menjëhershëm të këtij kontingjenti deri në pranimin e rezultateve nga analizat laboratorike. ShSKUK ka njoftuar opinionin publik se ky është një masë parandaluese dhe se mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë e plotë të pacientëve dhe cilësinë e barnave nëpër spitalet publike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

KQZ gati për rezultatet përfundimtare: Përfundon rinumërimi i 185 vendvotimeve

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përmbyllur zyrtarisht procesin e rinumërimit për të gjitha 185 vendvotimet e kontestuara. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, procesi ka përfunduar sot në orën 12:00 dhe të dhënat e reja tashmë janë përditësuar në platformën zyrtare të rezultateve.

Me këtë hap, KQZ-ja ka mbyllur teknikisht të gjitha aktivitetet e administrimit të votave dhe është gati për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.

Megjithatë, përpara shpalljes zyrtare, duhet të respektohen afatet ligjore për ankesat e mundshme. Elezi sqaroi se sot përfundon afati për ankesat lidhur me administrimin e numërimit nga dita e mërkurë (17 qershor), ndërsa po ashtu do të pritet nëse do të ketë ankesa për procesin e rinumërimit të përmbyllur sot.

Për më tepër, para se të procedohet tutje, KQZ-ja do të kërkojë një konfirmim zyrtar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të vërtetuar nëse ka ndonjë ankesë tjetër ende në shqyrtim.

Në fund, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) do të hartojë një raport të detajuar për gjetjet në secilin prej 185 vendvotimeve. Ky raport synon të konfirmojë se procesi i parë i numërimit nëpër komuna është zhvilluar me saktësi dhe në përputhje të plotë me vullnetin e shprehur të qytetarëve, raporton Ekonomia Online. /Ekonomia Online/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara