Këngëtarja Michelle Williams, njëherëshit pjesë e ish-grupit muzikor R&B, Destiny’s Child, ku bënte pjesë Beyonce dhe Kelly Rowland, ka ndarë historinë e saj gjatë kohës sa ishin një grup tejet i suksesshëm në industrinë muzikore.
Gjithashtu ajo ndau edhe pjesë kur kishte kohë që ishte në depresion. Kjo sipas këngëtares, ishte si rezultat i shbërjes së grupit, pasiqë ajo ende nuk e kishte planifikuar si të vazhdonte karrierën e vetme.
Ndryshe nga ajo, Beyonce dhe Kelly Rowland vazhduan të bëjnë muzikë të vetme, duke prekur majat e suksesit.
“Më kujtohet paraqitja ime e parë në Grammy në vitin 2000. Më duhej të vishja një fustan të bukur me dy pjesë Escada. Ishte me ngjyrë shampanjë dhe, natyrisht, e koordinuar me veshjet e mikeve të mia. Kjo ishte hera ime e parë në tapetin e kuq dhe hera ime e parë që vishja diçka që kushtonte mijëra dollarë” thekson Michelle.
“Pas kësaj, ne ishim larg – Kelly [Rowland], Beyoncé [Knowles] dhe unë – duke udhëtuar nëpër botë së bashku si Destiny’s Child. Lidhja jonë është e vërtetë dhe më ka sjellë jetë në disa nga momentet e mia më të errëta”. Ajo gjithashtu u hap për eksperiencën e saj me depresion gjatë kohës sa ishte pjesë e grupit. Por që sipas saj, “depresioni i vërtetë” filloi pas shbërjes së grupit në të cilin ajo kishte qenë pjesë për më shumë se gjashtë vite.
“E vështirë të thuash me saktësi atë që ndjen depresioni për mua. Ndonjëherë është një mpirje. Kur është kështu, unë mund të fle për një dekadë. Herë të tjera, është një mpirje e gishtërinjve, ankth që më mban zgjuar gjithë natën. Edhe gjatë kohës që isha në Destiny’s Child, gjithçka ishte atje: depresioni. Unë thjesht isha shumë e zënë, shumë e përqendruar, për t’u përballur me ato mendime dhe ndjenja”, tha këngëtarja.
Ajo shtoi se gjatë gjithë kohës, në këtë betejë të depresionit kishte qenë e vetme, pasiqë nuk e kishte ndarë me miket e saj.
“Beyoncé dhe Kelly nuk kishin ide se me çfarë po luftoja, por kjo është mbi mua. Unë kurrë nuk u thashë një fjalë atyre. Unë madje nuk jam e sigurt që kisha fjalët për të thënë se si ndihesha në atë kohë. Nuk mund ta kuptoja idenë se ne në të vërtetë kemi mbaruar si një grup. Nuk isha gati që ajo të mbaronte vetëm pas gjashtë vitesh“.
“Por duke parë prapa, nuk duhet të isha befasuar aq shumë. Dua të them, emri i albumit tonë të fundit ishte Destiny Fulfilled. Nëse ky nuk ishte një mesazh i qartë i drejtimit tonë, nuk e di se çfarë ishte“, tha ajo.
Michelle shtjellon se si edhe gjatë karrierës në grupin Destiny’s Child, ajo kishte realizuar këngë solo, mirëpo që asnjëherë nuk e kishte menduar të vazhdonte e vetme.
“Kur mendova për të ardhmen? Asgjë! Heshtja që ndjeva gjatë asaj kohe më jehoi në veshët dhe më ra më shumë se çdo notë që mund të luante ndonjë instrument. Reagimi im ishte se kisha nevojë të krijoja muzikë të re vetë” theksoi Williams.
Megjithatë, Williams shpjegon se kjo ishte vetëm pjesë e asaj periudhe, dhe se pas disa viteve ajo vazhdoi karrierën dhe pati sukses edhe e vetme.
“Pastaj erdhi një kohë e shkurtër kur u duk se karriera ime ishte përsëri në rrugën e duhur. Filloi me ofertën për të performuar në muzikalin skenik The Color Purple. Unë madje fitova një nominim për aktoren kryesore në Çmimet e 18-të Vjetore të Teatrit 2008 të NAACP! Aty mendova: “Mirë, kjo është ajo. Ky do të jetë fillimi i kapitullit tjetër të historisë së Michelle Williams” shtoi ajo.
Megjithatë pas disa përpjekjeve, ajo nuk është se pati ndonjë arritje në muzikë, ndryshe nga Beyonce, e cila me një total prej 28 çmimesh dhe 70 nominimesh nga Grammy Awards, është gruaja më e nominuar dhe këngëtarja më e vlerësuar në historinë e Grammy.
Gjithashtu Kelly Rowland ka qenë e suksesshme duke shitur miliona kopje të albumeve të saj në vitet pas shbërjes së grupit, dhe gjithashtu ishte fituese e çmimeve të Grammy Awards.
Një ligjëratë performative dhe videoinstalacion i frymëzuar nga vepra e shkrimtarit Samuel Beckett do të prezantohet më 16 tetor në Muzeun e Burgut të Prishtinës – Burgu i Idealit.
Projekti “WALL NOT I”, i realizuar nga autori dhe përkthyesi Idlir Azizaj dhe artisti Mentor Berisha, nis në orën 19:00 dhe ndërthur ligjëratën, imazhin dhe videoinstalacionin për të eksploruar raportin mes trupit, hapësirës, kujtesës dhe rrëfimit.
Përmes dialogut mes veprës së Beckettit dhe historisë së Burgut të Idealit, projekti trajton temat e mbylljes, mungesës së lirisë dhe rezistencës njerëzore.
Aktiviteti do të mbahet më 16 tetor 2026, duke filluar nga ora 19:00, në Muzeun e Burgut të Prishtinës./A.K/
Historia e studios fotografike Venetiku në Korçë dhe gjurmët e saj në trashëgiminë fotografike shqiptare do të prezantohen përmes ekspozitës “Venetiku: Gjurmëve të një fondi fotografik”, e cila hapet të premten, më 16 tetor, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër.
E kuruar nga Mikaela Minga, ekspozita sjell historinë e studios, njerëzve që e krijuan dhe e trashëguan atë, si dhe lidhjen e tyre me qytetin dhe zhvillimet historike e shoqërore të kohës.
Përmes kërkimeve arkivore dhe dokumenteve historike, ekspozita synon të rindërtojë historinë e fondit fotografik dhe të familjes Venetiku, duke u përqendruar veçanërisht te Krisanthi Venetiku, përfaqësuesja e fundit e studios.
Përveç vlerave fotografike dhe dokumentare, ekspozita trajton lidhjen mes fotografisë, kujtesës dhe historisë, duke përfshirë dokumente që dëshmojnë përndjekjen politike të pjesëtarëve të familjes Venetiku gjatë regjimit komunist.
Materialet arkivore tregojnë se si rrethanat historike ndikuan në jetën e fotografëve dhe në fatin e trashëgimisë që lanë pas.
Ekspozita organizohet në bashkëpunim me Institutin e Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Hapja do të bëhet më 16 tetor, në orën 18:00, në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër./A.K/
Dy filma kosovarë, “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, dhe “Shame and Money”, me regji të Visar Morinës, janë përzgjedhur në listën e ngushtë për Çmimet Evropiane të Filmit 2027, duke shënuar një tjetër moment të rëndësishëm për kinematografinë e Kosovës.
Ndër vite, disa produksione vendore kanë qenë pjesë e përzgjedhjeve të kësaj gare, në kategori dhe faza të ndryshme.
Në kategorinë e filmave të gjatë artistikë, “Babai”, me regji të Visar Morinës, dhe “Tri dritare dhe një varje”, me regji të Isa Qosjes, u përzgjodhën në vitin 2015. Në vitin 2021, në këtë rrugëtim u përfshi edhe filmi “Zgjoi”, i regjisores Blerta Basholli.
Edhe filmat e shkurtër kosovarë kanë shënuar pjesëmarrje të rëndësishme. “Në mes” dhe “Rrugës”, të Samir Karahodës, u përzgjodhën për garën evropiane përkatësisht në vitet 2020 dhe 2024, ndërsa “I Believe the Portrait Saved Me”, me regji të Alban Mujës, ishte pjesë e përzgjedhjes për vitin 2026.
Një tjetër sukses ishte filmi “Home”, me regji të Daniel Mulloy, i cili në vitin 2016 u përfshi mes 15 filmave të nominuar për çmimin e filmit të shkurtër evropian. Në vitin 2021, “Pa vend”, me regji të Samir Karahodës, arriti në fazën finale si njëri prej pesë filmave të nominuar.
Ndërkaq, filmi “Kthimi”, me regji të Blerta Zeqirit, u përzgjodh nga Festivali i Sarajevës për garën evropiane të filmit të shkurtër në vitin 2012, por më pas u tërhoq nga gara.
Përzgjedhja e “Dua” dhe “Shame and Money” për edicionin e vitit 2027 i jep kinematografisë kosovare një tjetër mundësi për të prezantuar historitë e saj para publikut evropian dhe për të vazhduar rrugëtimin në skenën ndërkombëtare./A.K/
Filmi dokumentar “I Believe the Portrait Saved Me” (Mua besoj se portreti më shpëtoi), me regji të artistit kosovar Alban Muja, është nderuar me përmendje të veçantë nga çmimi iHuman Award në edicionin e dhjetë jubilar të festivalit DOKUBAKU 2026, në kategorinë DOKUSHORT për dokumentarin më të mirë të shkurtër ndërkombëtar.
Juria vlerësoi mënyrën se si rrëfimi i filmit kalon nga hutimi fillestar drejt një përjetimi të thellë emocional, duke zbuluar gradualisht kuptimet e një klase të pazakontë. Filmi trajton fuqinë e artit dhe mënyrën se si portretizimi e krijimi artistik shndërrohen në instinkt mbijetese përballë barbarisë së luftës.
Sipas vlerësimit të jurisë, fotografia e filmit shmang romantizimin e luftës dhe, përmes kompozimit të kujdesshëm të kuadrove dhe trajtimit të ngjyrave, përcjell peshën e saj dramatike. Juria veçoi edhe aftësinë e regjisorit për të përmbledhur një përmbajtje kaq të thellë dhe një ndikim të fuqishëm vizual në vetëm dhjetë minuta, duke e vlerësuar filmin me përmendje të veçantë.
Ky vlerësim përbën një tjetër prezantim të krijimtarisë së Alban Mujës në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar./A.K/