Avioni i kancelares gjermane Angela Merkel, ka mbërritur rreth orës 10:00 në aeroportin Nënë Tereza në Rinas. Ajo dhe delegacioni i saj kanë nisur vizitën zyrtare në kryeqytetin shqiptar një ditë pas asaj në Beograd. Kancelarja gjermane do të takohet në Tiranë edhe me liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ajo u prit në Rinas nga ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko dhe ai i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf.
“Nder dhe kënaqësi t’i uroja mirëseardhjen Kancelares Gjermane, Angela Merkel, e cila mbërriti në Tiranë për takime të rëndësishme me Kryeministrin Edi Rama dhe liderët e rajonit. Mirënjohje për mbështetjen e saj për integrimin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e rajonit tonë”, shkruan Xhaçka.
Pas ceremonisë së mikpritjes në Pallatin e Brigadave, Merkel do të takohet me kryeministrin Edi Rama në orën 10:30.
Ndërkohë, konferenca e përbashkët për shtyp Merkel-Rama do të zhvillohet në orën 14:35.
Agjenda e plotë:
10:20 – Ceremonia e mikpritjes në Pallatin e Brigadave
10:30 – Takim Tête-à-tête mes Kryeministrit Edi Rama dhe Kancelares Angela Merkel në Pallatin e Brigadave
11:00 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Pallatin e Brigadave
11:50 – Mbërritja e Kryeministrit dhe krerëve të qeverive të Ballkanit në Tirana Business Park.
11:55 – Mbërritja e Kancelares Merkel në Tirana Business Park
12:00 – Foto Familjare me krerët e delegacioneve në Tirana Business Park.
14:35 – Konferencë për shtyp mes Kryeministrit Rama dhe Kancelares Merkel në Tirana Business Park.
Mbetje mortore janë gjetur sot në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për personat e zhdukur me dhunë.
Sipas njoftimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, aktivitetet e kërkimit dhe gërmimet vlerësuese në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.
Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite, duke vështirësuar përcaktimin e vendndodhjes së saktë.
Ndërkaq, gjatë vazhdimit të gërmimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore, të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimit mjekoligjor dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.
Aktivitetet janë realizuar në koordinim ndërmjet Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë – Departamentit për Krime Lufte./A.K/
Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.
Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.
E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.
Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.
Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë vendim që ta shtyjë vazhdimin e seancës së sotme plenare për ditën e nesërme, në orën 11:00, pasi deputetët u vonuan rreth gjysmë ore për t’u kthyer në sallë pas pauzës.
Duke arsyetuar vendimin, kryeparlamentarja Haxhiu theksoi se është e pamundur të zhvillohen punimet e Kuvendit kur deputetët nuk respektojnë orarin. Në momentin e ndërprerjes, në sallën plenare ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së, disa të LDK-së dhe vetëm dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për shkak të kësaj shtyrjeje, mbetën pa u shqyrtuar pikat e mbetura të rendit të ditës, ku përfshiheshin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni lidhur me energjinë, si dhe diskutimi për Projektligjin për Gjykatën Speciale. /E.A/