Në tërësinë e tingujve të Prishtinës, një mungesë e theksuar bie në vesh, ajo e një salle koncertale. Në këtë qytet të pasur me art dhe kulturë, tingujt e muzikës ende nuk kanë një shtëpi të veten.
Këtij boshllëku në infrastrukturën kulturore u bëhet thirrje që nga viti 2009 për një përpjekje të përbashkët të autoriteteve dhe komunitetit për të ndërtuar një shtëpi për tingujt dhe performancat artistike. Procesi për ndërtimin e sallës koncertale kishte marrë hov në vitin 2018, në kohën kur Yll Rugova udhëhoqi me Drejtorinë për Kulturë në Komunë të Prishtinës. Atëherë kjo Drejtori pati aplikuar për t’i siguruar 15.4 milionë euro nga Komisioni Evropian.
Aplikimi ishte bërë me arsyetimin për të përmirësuar infrastrukturën shumë të mangët kulturore të kryeqytetit dhe se Prishtina është i vetmi kryeqytet në Evropë pa sallë të operës dhe pa sallë koncertale. Që nga ajo kohë për mosrealizimin e planit gishti i është drejtuar dembelisë e neglizhencës ndaj kulturës.
Me ndërrimin e moteve, u ndërruan edhe qindra ide, veprime e vendime, për t’i rënë trup veprimeve të fundit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama që në vitin 2023 kishte prezantuar projektet për sallën koncertale dhe Muzeun e Artit në Kryeqytet.
Të dy këto projekte sipas tij do të realizohen tek ish-objekti i Gërmisë si dhe pjesa poshtë tij. Derisa, arkitektura e kësaj ndërtese ikonë do të ruhet tërësisht.
Rama kishte theksuar se ka diskutuar me artistin Kengo Kuma, dizajni i të cilit është përzgjedhur fitues, për detajet e fundit të këtij projekti. Rama i dha një “gisht mjaltë” komunitetit artistik, se çdo gjë është drejt fundit dhe se po realizohet kërkesa e kahmotshme e artistëve kosovarë që të kenë një ambient të përshtatshëm ku do të mund të shprehin artin e tyre.
Rama dha edhe afatet e fundit kur do të nisin punimet për sallën koncertale, duke përmendur marsin dhe prillin e vitit të kaluar.
Në marsin e vitit 2024 bëhen 12 muaj qëkur kryetari kishte planifikuar të fillonte punën për qendrën multikulturore “Gërmia”. Së fundi në postimin e tij në rrjetin social Facebook, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shkruar se puna ka filluar dhe se projekti po fillon të realizohet.
Këto vonesa komuniteti artisik kosovar i sheh si neglizhencë dhe mungesë e një strategjie afatgjate për zhvillimin e kulturës.
“Gjithë hapësirën brenda ish shtëpisë së mallrave “Gërmia” po e lirojmë dhe pastrojmë, për ta bërë gati për super projektin, krijimin e muzeut dhe sallën e koncerteve”, shkroi Rama.
Pse Kosova po kërkon notat e humbura të sallës koncertale dhe se ky hendek a po shprehë një mungesë të investimeve në kulturë dhe art në Kosovë, komuniteti artistik kanë shprehur qëndrimet dhe kritikat e tyre?!
Aida Gjikolli, pedagoge e pianos dhe ligjëruese universitare, për mungesën e një salle koncertale shprehet se artistëve u mungon një ambient i specializuar dhe i përshtatshëm për paraqitjen e tyre dhe kjo mund të krijojë kufizime në mënyrën se si ata mund të shprehin artin e tyre.
Ajo vlerëson se komunitetit artistik i mungon një hapësirë profesionale për të zhvilluar karrierën e tyre muzikore.
Po ashtu sipas saj, mungesa e një salle koncertale në Prishtinë mund të ketë ndikim të thellë në zhvillimin dhe eksponimin e talenteve muzikore, duke ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejt në rrugën e tyre profesionale dhe kreative.
Në diskutimin mbi atë se një sallë koncertale a mund të ndihmojë në rritjen e potencialit të talentëve lokalë, Gjikolli thotë se sallat koncertale shpesh funksionojnë si qendra për takim dhe ndërkombëtarizim të artistëve.
“Ndërthurja e kulturave dhe shkëmbimi i përvojave mund të kontribuojë në një ambient më të pasur dhe të diversifikuar artistikisht”, thotë Gjikolli për UBTNews.
Kur jemi te vonesat që po shihen në realizimin e këtij projekti, Gjikolli vë theks në divergjencën e prioriteteve ndërsektoriale dhe te kombinimi i faktorëve të ndryshëm, përfshirë mungesën e vullnetit politik, sfidat financiare, dhe ndarjet në qëndrimet brenda komunitetit muzikor.
Sipas Gjikollit, në një kontekst më të gjerë, politika mund të fokusohet në fusha të tjera si arsimi, shëndetësia, apo infrastruktura, duke lënë pas dore investimet në fushën e artit dhe kulturës.
Në kontekstin e asaj se si dhe sa i ka prekur mungesa e një salle koncertale realizimin e projekteve artistike, Korab Shaqiri, artist dhe ligjërues universitar, e vë në theks ndikimin në cilësinë dhe përvojën e shfaqjeve artistike të artistëve kosovarë.
“Artistët dhe grupet muzikore mund të kenë vështirësi në gjetjen e hapësirave të mjaftueshme dhe me akustikë të mirë për të performuar. Kjo mund të ndikojë në cilësinë dhe përvojën e shfaqjeve artistike”, shprehet Shaqiri për portalin UBTNews.
Tutje sipas tij, salla koncertale dhe realizimi i këtij projekti ka ndikim pozitiv në jetën kulturore dhe ekonomike të një zone dhe se një sallë koncertale e përshtatshme mund të kontribuojë në zhvillimin e një industrie të qëndrueshme të eventeve në nivel lokal, duke krijuar mundësi për punësim dhe rritje ekonomike.
Në diskutimin se kush po e lë pa sallë koncertale Prishtinën, kush po e zvarrit këtë proces, Shaqiri shton se mungesa e një vizioni afatgjatë për zhvillimin e kulturës dhe artit mund të çojë në pamundësinë për të identifikuar dhe realizuar projekte të tilla si një sallë koncertale. Ai po ashtu nuk lë pa e përmendur edhe ndërprerjet politike dhe mungesën e një strategjie afatgjate për zhvillimin e kulturës.
“Mbi impaktin e mungesës së një salle koncertale në zhvillimin dhe eksponimin e talenteve muzikore lokale, mungesa e një salle të tillë mund të bëjë që artistët lokalë të kenë vështirësi në të shprehurit e tyre në një skenë më të madhe dhe përpara një audienca më të gjerë”, tha Shaqiri./UBTNews/
Realizoi: Dionesa Ebibi