Në fushë ishte një përballje e fortë futbolli ku Kosova doli fituese 1-0, por jashtë saj, atmosfera në Prishtinë u shndërrua në një histori falënderimi dhe respekti që kapërcen sportin.
Media e njohur sportive irlandeze, Balls.ie, i ka kushtuar një artikull të veçantë mikpritjes mbresëlënëse që tifozët e Irlandës morën në Kosovë, duke zbuluar arsyen e fortë pse kosovarët e ruajnë me kaq shumë dashuri emrin e Irlandës.
Gjithçka nis në vitet e vështira të pasluftës. Pas shkatërrimit të viteve 1998–1999, ku mbi 10,800 kosovarë u vranë dhe qindra mijëra u dëbuan nga shtëpitë e tyre, Irlanda u rendit ndër shtetet e para që u doli në ndihmë. Prej vitit 1999 e deri në vitin 2010, mbi 3,000 ushtarë irlandezë shërbyen në kuadër të misionit paqeruajtës në Kosovë, duke ndihmuar në rindërtimin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve, thuhet në artikullin e Balls.ie.
Kjo ndihmë nuk është harruar absolutisht.
“Përderisa Irlanda dhe Kosova nuk kishin ndonjë histori të madhe në futboll, shumë njerëz në këtë vend kanë një simpati të jashtëzakonshme për shtetin tonë. Një pjesë e madhe e kësaj daton që nga vitet ’90, kur forcat paqeruajtëse irlandeze luajtën një rol jetik në Kosovë,” shkruan Balls.ie.
Gazeta irlandeze tregon se si tifozët që udhëtuan drejt Prishtinës mbetën të befasuar kur vendasit i ndalonin nëpër rrugë e kafene, jo si kundërshtarë të futbollit, por për t’u shprehur falënderime për kontributin e ushtarëve të tyre dekada më parë.
“Shumë nga tifozët tanë mbetën pa fjalë nga përzemërsia dhe respekti me të cilin u pritën. Kosova tregoi se e kujton me shumë mirënjohje rolin e Irlandës gjatë asaj periudhe të vështirë historike,” përfundon artikulli i Balls.ie.
Kjo ndeshje vërtetoi edhe një herë se për kosovarët, ndihma e dhënë në ditët më të errëta mbetet e gdhendur përgjithmonë në memorie.